XHEZAIR ZAGANJORI
Zhvillimet spektakolare të shkencës dhe teknologjisë moderne pa dyshim që imponojnë ndryshime të rëndësishme edhe të kuadrit ligjor respektiv, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Kjo do të thotë se normalisht dhe objektivisht lind nevoja e vazhdueshme që edhe normat e së drejtës ndërkombëtare të pasqyrojnë sa më mirë dinamikën e këtyre zhvillimeve, duke garantuar bashkëpunimin mes shteteve dhe shfrytëzimin paqësor e progresiv të këtyre arritjeve. Me pak fjalë, lind nevoja e ndryshimit të regjimeve ekzistuese apo edhe e krijimit të regjimeve të reja ndërkombëtare, si tërësi e normave, rregullimeve dhe politikave mbi çështje të caktuara të së drejtës ndërkombëtare. Përgjithësisht bëhet fjalë kryesisht për ndryshimin apo miratimin e traktateve e marrëveshjeve të reja ndërkombëtare për rregullimin e problemeve me interes të përgjithshëm. Synimi i këtyre akteve është adoptimi i normave me natyrë erga omnes, që do të thotë se ato duhet të jenë si rregull të detyrueshme për zbatim nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, në këtë proces kërkohet një pjesëmarrje sa më e madhe e shteteve, pasi normalisht traktati ndërkombëtar është i detyrueshëm vetëm për palët e tij. Ai nuk mund të krijojë të drejta dhe detyrime për shtetet e treta, pa marrë më parë pëlqimin e tyre (kjo shprehet edhe në parimin e njohur pacta tertiis nec nocent nec prosunt, pasqyruar njëkohësisht edhe në nenin 34 te Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve të vitit 1969). Pikërisht për këto arsye, rolin kryesor në hartimin dhe përfundimin e këtyre traktateve i takon ta luajë Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në praktikën ndërkombëtare jo shumë të largët, rregullime të tilla janë imponuar në mënyrë të veçantë për mandatin dhe kujdestarinë si forma të varësisë juridiko-ndërkombëtare, për regjimet juridiko – ndërkombëtare të Antarktidës, të Zonës (fundit të detit e nëntokës së tij përtej shelfit kontinental), Detit të Hapur, Hapësirës Kozmike e të tjerë. Përgjithësisht, në themel të rregullimeve mbi hapësirat detare, përtej juridiksionit kombëtar dhe në Hapësirën Kozmike, ka qenë dhe ende mbetet trajtimi i tyre si “..pasuri apo trashëgimi e përbashkët e të gjithë njerëzimit (Common Heritage of Mankind)”, pavarësisht se këtë term e ndeshim shpesh kur bëhet fjalë edhe për trashëgiminë kulturore të shteteve e popujve të caktuar, në rastet e transferimit të teknologjive moderne e të tjerë.
Por ndërsa zbatimi i këtij parimi në institute të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare të përmendura më sipër ka zënë vend prej kohësh e zbatohet qartësisht në jetën e përditshme, në çështjet e Hapësirës Kozmike ai po bëhet gjithnjë e më i debatueshëm. Dhe kjo vjen natyrshëm për shkak të shfrytëzimit e përdorimit gjithnjë e më tepër të saj (pra, Hapësirës Kozmike). Përveç shtimit pa fund të numrit të satelitëve (me qindra mijëra) që lëshohen për qëllime e shërbime të ndryshme në Tokë, ka plane e projekte konkrete e gjithnjë e më ambicioze që njerëzit të shkojnë jo vetëm në orbitat respektive, por edhe të ulen në Hënë, në Mars e më vonë edhe përtej tyre, për turizëm, kërkim shkencor, shfrytëzim ekonomik, e pse jo edhe për banim. NASA (Administrata Kombëtare e SHBA për Hapësirën dhe Aeronautikën) ka shpallur prej disa viteve një program të veçantë, të quajtur “Artemis”, përmes të cilit synon që në bashkëpunim me organizatat partnere të saj në Europë, Japoni, Kanada, Australi, Emiratet e Bashkuara e të tjerë, nga viti 2024 të fillojë të dërgojë njerëz në Hënë për qëllimet e përmendura më sipër. Më pas, edhe në Mars. Zhvillimi i projekteve konkrete në këtë drejtim, nën mbikëqyrjen e saj (pra, NASA-s), parashikohet të bëhet nga kompani private.
Mbi këtë bazë, vitin që kaloi (2019) NASA zgjodhi pikërisht kompaninë private amerikane “SpaceX” për të zhvilluar e realizuar fluturimin me anije kozmike të njerëzve në orbitën dhe sipërfaqen e Hënës, e, më pas, nga Hëna edhe në orbitën dhe sipërfaqen e Marsit. Pronar dhe drejtues i kësaj kompanie (“SpaceX”) me qendër në Kaliforni, është miliarderi 49-vjeçar Elon Musk, inxhinier dhe manjat biznesi, i njohur për krijimin e mjaft shoqërive shumë të suksesshme në SHBA e më gjerë. Aktualisht vlerësohet si një nga njerëzit më me influencë në botën e biznesit dhe si njeriu i dytë më i pasur në botë, pas pronarit dhe drejtuesit të kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos.
Në fakt, interesi i Elon Musk për Hapësirën Kozmike fillon rreth 20 vjet më parë (në vitin 2001) me projektin e tij “Oazi Mars”, e më pas edhe me fillimin e ndërtimit nga kompania e anijeve kozmike të përmasave të mëdha që drejton, me emrin “Falcon”, e më pas “Dragon”, pasi konstatoi e vlerësoi se e gjithë lënda e parë e nevojshme për ndërtimin e një anije kozmike kushton jo më shumë se 3% të vlerës totale të shitjes që ka vetë kjo anije. Ndër të tjera, në kuadër të projektit në fjalë (“Artemis”), më 30 maj të këtij viti (2020), “SpaceX” lëshoi një nga anijet e saj kozmike me dy astronautë brenda, duke u bërë kështu kompania e parë private që dërgon njerëz në hapësirë. Po gjatë këtij viti, ajo eksperimentoi e planifikoi edhe përdorimin e Hënës si stacion kryesor i ndërmjetëm për fluturimet e mëtejshme në Mars apo edhe në objektet e tjera hapësinore, pasi kështu, për shkak të atmosferës ndryshe, lehtësohet shumë fluturimi i anijeve kozmike, pa pasur nevojë për pajisje të veçanta aerodinamike si dhe veshje të veçantë për mbrojtjen e trupit të saj nga temperaturat e larta, të cilat normalisht kërkohen për kthimin në Toke. Sidoqoftë, tashmë kanë avancuar përgatitjet për realizimin e projektit të parë madhor, udhëtimin turistik për 6-7 ditë në orbitën e Hënës dhe sipërfaqen e saj, i cili me shumë gjasë do të bëhet në vitin 2024. Brenda periudhës që ka mbetur, pritet të përfundohen edhe kontratat e dokumentacioni relevant, bazuar në kuadrin ligjor të nevojshëm. Ky është, në fakt, edhe problemi që ka nisur të debatohet aktualisht. Sepse rreth një muaj e gjysmë më parë, konkretisht më 28 tetor të këtij viti (2020), kompania “SpaceX” bëri të njohur disa nga detajet e një projekti tjetër shumë të rëndësishëm e tepër ambicioz që ka marrë tashmë rrugë në kuadër të angazhimeve të saj në Hapësirë. Bëhet fjalë për projektin “Starlink”, përmes të cilit kjo kompani synon të ofrojë njëherësh shërbimin e pandërprerë me internet për të gjithë planetin e Tokës, pra, për të gjithë globin tonë, si dhe në perspektivë edhe në orbitën dhe sipërfaqen e Hënës dhe Marsit. Për këtë qëllim, “SpaceX” ka arritur të vendosë gjer tani në Hapësirë rreth 800 satelitë, si pjesë e 42 mijë satelitëve që duhet të ketë në total për realizimin e këtij projekti.
Megjithatë, pa u zgjatur me detaje të tjera, ajo që paraqet interes më shumë për ne është kontrata e shërbimit, bërë tashmë publike pak kohë më pare, në të cilën thuhet ndër të tjera se ofrimi i internetit “..në drejtim të Tokës ose Hënës apo në orbitën ose sipërfaqen e tyre, do të bëhet në përputhje me legjislacionin e shtetit të Kalifornisë të SHBA-ve. Për shërbimet që do të jepen në Mars ose gjatë tranzitit në Mars përmes anijeve kozmike apo anijeve të tjera kolonizuese, palët marrin përsipër të njohin Marsin si një planet të lirë, në të cilin, asnjë qeveri me bazë në planetin Tokë nuk mund të ketë autoritet apo sovranitet mbi veprimtaritë e ndryshme në këtë planet. Për këto arsye, mosmarrëveshjet që mund të lindin në kohën e stacionimit dhe ushtrimit të veprimtarisë në Mars do të zgjidhen duke zbatuar parimet e vetëqeverisjes, të njohura e zbatuara këto në mirëbesim”
Ritheksojmë se është pikërisht ky formulim që ka ndezur debatet mbi regjimin juridiko–ndërkombëtar të Hapësirës Kozmike, pasi interpretohet si përpjekje apo tendencë për të ndryshuar në thelb rregullimet e mëparshme në këtë fushë, gjë që mund të sjellë mjaft vështirësi e probleme në të ardhmen. Le ta shohim shkurtimisht këtë çështje disi më nga afër.
Gara apo konkurrenca e pazakontë ndërmjet SHBA e BRSS për vajtjen në Hënë tërhoqi dukshëm vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare që në fundin e viteve ‘50 dhe në vitet ‘60 të shekullit që kaloi. Ky rivalitet i jashtëzakonshëm do të kulmonte veçanërisht me fluturimin më 12 prill të vitit 1961 të rusit Yuri Gagarin, me kapsulën kozmike “Vostok 1”, duke u bërë kështu njeriu i parë që udhëton në Hapësirë. Disa vjet më vonë, konkretisht më 20 korrik të vitit 1969, do të përjetohej një ngjarje tjetër e shënuar. Tre astronautë amerikane nën drejtimin e Neil Armstrong do të fluturonin dhe uleshin për herë të parë në Hënë me anijen kozmike “Apollo 11”
Pikërisht për sa më sipër, që në vitin 1958, me rezolutë të veçantë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB u krijua një Komitet i veçantë ad hoc mbi Përdorimin Paqësor të Hapësirës Kozmike, i quajtur COPUOS, gjë që shënon kështu hapin e parë të rëndësishëm për trajtimin e këtyre çështjeve nga ana e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare. Më pas ka edhe disa rezoluta të tjera të Asamblesë së Përgjithshme. Megjithatë, traktati i parë ndërkombëtar i miratuar për këtë qëllim në kuadër të OKB është Traktati mbi Hapësirën Kozmike i vitit 1966, për të cilin, për shkaqe që tashmë dihen dhe përmes koordinimit të COPUOS, dhanë kontribut të veçantë SHBA dhe BRSS. Ky traktat përmban parimet themelore në këtë fushë, duke shërbyer kështu si pikë reference kryesore edhe për traktatet e tjera që rregullojnë çështje të rëndësishme të kësaj hapësire. Që në nenin I thuhet se “Shfrytëzimi dhe përdorimi i Hapësirës Kozmike, përfshirë Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë, duhet të bëhet në përfitim dhe në interes të të gjitha vendeve, pavarësisht nivelit të zhvillimit ekonomik e shkencor të tyre, duke u konsideruar kështu si krahina (province) të të gjithë njerëzimit”. Neni II sqaron më tej se “Hapësira Kozmike, përfshirë edhe Hënën dhe trupat e tjerë qiellore, nuk mund t’i nënshtrohen përvetësimit nga ana e shteteve përmes pushtimit ose përdorimit të tyre, apo përmes mënyrave të tjera”. Në nenin III theksohet se “Shtetet palë në këtë traktat marrin përsipër që veprimtaritë e tyre për shfrytëzimin dhe përdorimin e Hapsirës Kozmike… t’i zhvillojnë në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kartën e OKB-së, në interes të ruajtjes së paqes e sigurisë ndërkombëtare si dhe nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërkombëtar”. Në nenet në vijim përmenden parime të tjera të rëndësishme që duhet të zbatohen në Hapësirën Kozmike, si: mospërdorimi i armëve bërthamore; ndalimi i aktiviteteve ushtarake; përgjegjësia e përgjegjshmëria e shteteve në këtë hapësirë; ndihma e bashkëpunimi reciprok mes tyre e të tjerë.
Parimet e mësipërme gjejnë pasqyrim e zhvillohen më tej edhe në një traktat tjetër ndërkombëtar hartuar në kuadër të OKB mbi Hapësirën Kozmike, konkretisht në “Traktatin mbi Rregullimin e Veprimtarisë së Shteteve në Hënë dhe në Trupat e tjerë Qiellorë”, i vitit 1979. Ndër të tjera, mund të përmendet paragrafi i parë i nenit 11 të tij, ku thuhet qartësisht se “Hëna dhe burimet e saj natyrore janë trashëgimi e përbashkët e të gjithë njerëzimit….”.
Nga sa më sipër, përsërisim se duket qartë që statusi juridiko – ndërkombëtar i Hapësirës Kozmike ngjason shumë me statusin e Detit të Hapur si dhe të Zonës dhe nëntokës së saj (fundi dhe nëntoka e deteve dhe oqeaneve përtej kufijve të jashtëm të shelfit kontinental), institute të rëndësishme këto që gjejnë rregullim të detajuar në Konventën e OKB mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982. Kështu, për shembull, neni 137 i kësaj Konvente thotë shprehimisht se “..asnjë shtet nuk mund të ushtrojë sovranitet apo të drejta sovrane në zonë apo në burimet e saj natyrore..”. Të njëjtën gjë thonë edhe dy traktatet respektive të OKB-së mbi Hapësirën Kozmike dhe për Hënën, respektivisht të viteve 1966 dhe 1979. Pra, përmes tyre ndalohet pushtimi apo përvetësimi i këtyre instituteve (Hapësirës Kozmike, Zonës, Detit të Hapur e të tjerë), pasi atyre u është dhënë status ligjor, efektet e të cilit janë të njëjta me atë të jus cogens (norma e parime të detyrueshme e themelore të së drejtës ndërkombëtare, të cilat nuk lejojnë derogimin dhe që kanë dukshëm përparësi ndaj normave të tjera të kësaj të drejte). Biles, në këtë drejtim, për institutin e Zonës shkohet edhe më tej, duke krijuar edhe një mekanizëm të veçantë, Autoritetin e Zonës, i cili duhet të mbikëqyrë pikërisht shfrytëzimin dhe përdorimin e saj në emër dhe për interesat e të gjithë shteteve, pra, në të mirë të të gjithë njerëzimit. Një mekanizëm të tillë megjithatë nuk e gjejmë në normat e së drejtës ndërkombëtare që rregullojnë Hapësirën Kozmike.
Paraqitja e kuadrit ligjor ndërkombëtar mbi Hapësirën Kozmike tregon qartë që kontrata e paraqitur nga kompania “SpaceX” mbi shërbimin e internetit nga kjo hapësirë në drejtim të Tokës apo ndërmjet trupave qiellorë mes tyre, nuk përputhet me mjaft nga parimet dhe normat e përmendura më sipër, veçanërisht kur për këtë qëllim trajtohet më vete rregullimi ligjor në orbitën e Marsit apo në sipërfaqen e tij. Me sa duket, kjo bëhet edhe për shkakun tepër formal se specifikisht për këtë planet ende nuk ka një rregullim të veçantë ligjor nga ana e së drejtës ndërkombëtare, ashtu siç ka për Hënën. Madje, siç konstatohet edhe nga citimi i mësipërm i kontratës për shërbimin e internetit në hapësirë, përmendet me këtë rast edhe fjala kolonizim, që do të thotë se synohet që të drejtat e detyrimet në këtë hapësirë (pra, në orbitën dhe sipërfaqen e Marsit) të fitohen bazuar në parimin apo teorinë e pushtimit fillestar, si një nga mënyrat origjinale të fitimit të së drejtës së pronësisë në të ashtuquajturat “toka pa zot” (terra nullius). Përsëris se ky qëndrim është qartësisht në kundërshtim me Traktatin e OKB mbi Hapësirën Kozmike, e cila e trajton Hënën dhe të gjithë trupat e tjerë qiellorë, përfshirë, pra, edhe Marsin, si pasuri apo trashëgimi e përbashkët e të gjithë njerëzimit.
Në fakt, formalisht është e qartë që “SpaceX” është kompani private, prandaj mund të thuhet se asaj nuk mund t’i kërkohet të zbatojë Traktatin e OKB-së për Hapësirën Kozmike. Por po kaq e qartë është ndërkaq edhe fakti tjetër që veprimtaria në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare e “SpaceX” do të kishte pasoja për vetë ShBA, pasi ky është shteti që ka licencuar e lejuar veprimtarinë e kësaj kompanie private në Hapësirë. Nga ana tjetër, anijet kozmike të “SpaceX” lëshohen në këtë hapësirë nga territori i SHBA, dhe për këtë arsye, pikërisht ky shtet duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljet apo dëmet që ato mund t’u shkaktojnë shteteve të tjera.
Nga ana tjetër, ky qëndrim ndryshe i “SpaceX” në kontratën për shërbimin e internetit rrezikon të cenojë edhe nenin II të Traktatit të Hapësirës kozmike, sipas të cilit përsërisim se indirekt edhe Marsi konsiderohet të jetë “pasuri e përbashkët e të gjithë njerëzimit” dhe jo “terra nullius”.
Megjithatë, duhet të theksohet se kjo analizë apo këto debate kanë aktualisht më shumë vlerë teorike. Në praktikë, gjërat janë krejtësisht ndryshe sot. Ato nuk mund të jenë më bardh e zi, ashtu si më shumë se gjysmë shekulli më parë, kur diskutohej vetëm mbi dy mundësi të vetme për shfrytëzimin e trupave qiellorë, atë që bazohet në parimin e pasurisë së përbashkët të të gjithë njerëzimit dhe në atë të tokës pa zot. Tashmë, shfrytëzimi i Hënës, Marsit dhe më vonë edhe i trupave të tjerë qiellorë konsiderohet si tërësisht e realizueshme. Ka mjaft raste ku është arritur të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme edhe kometat apo asteroidet. E rëndësishme është që OKB të marrë masa sa më parë për trajtimin me themel, në thellësi e gjerësi, të problemeve mbi shfrytëzimin dhe përdorimin e Hapësirës Kozmike. Nuk mund të ecet me rregullimet e 5-6 dekadave më parë, sepse zhvillimet janë shumë të shpejta, shumë të thella e shumëdimensionale. Çështjet mbi orbitën e Tokës e ndoshta edhe të orbitës së Hënës apo sipërfaqes së saj mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në planetin tonë, ndaj shfrytëzimi e përdorimi i tyre mund t’u interesojë drejtpërsëdrejti të gjitha shteteve, qoftë edhe duke i konsideruar ato pasuri e përbashkët e tyre. Por është e pamundur që me këtë logjikë e me këtë terminologji të shtrihen sot interesat e të gjithë shteteve të planetit Tokë, njëkohësisht edhe në planetët e tjera të Sistemit tonë Diellor, e aq më pak edhe në trupa të ndryshëm qiellorë, në galaksitë e tjera apo në tërësi në universin e pafund. Sepse problemet e Hapësirës Kozmike janë jo vetëm të shumëllojshme, por në të njëjtën kohë, për vetë natyrën e tyre, edhe të pashtershme e me shumë e shumë të panjohura. Ato lidhen me një zinxhir te pazgjidhshëm mes tyre, duke kaluar nga një enigmë në tjetrën. Për këto arsye, këto çështje nuk mund të krahasohen as me ato simotra të trajtuara në kohë të caktuara nga e drejta ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe çështjet e të drejtës së detit. Sepse dimensionet që kanë, natyra e shfrytëzimit dhe interesat që prekin janë krejtësisht të ndryshme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al