Drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi “fajdexhi”? Zheji e Lubonja: SPAK ta hetojë, mos hezitojë! Preçi: Postet publike mbrojnë abuzuesit

May 28, 2022 | 11:32
SHPËRNDAJE

Lubonja-Zheji-Preci-Ceno-KlosiEksperti i ekonomisë, Zef Preçi denoncoi  emërimet pa kriter në poste të rëndësishme shtetërore, të cilat sipas tij përdoren si mburojë për pushtetarët që abuzojnë me detyrën.

Preçi shpreh shqetësimin se është shumë shokuese kur shikon që figura që janë rekomanduar për largim nga shërbimi civil marrin poste të rëndësishme shtetërore, duke injoruar vetë rolin që ka agjencia shtetërore që mbahet me paratë e taksapaguesve. Rasti më flagrant është ai i drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi, i cili pak muaj pasi KLSH-ja kishte evidentuar shkelje të shumta të tij gjatë detyrës së mëparshme si drejtor ekonomik dhe finance në OSHEE, u emërua drejtor i Përgjithshëm i tatimeve.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, shprehet se në të shumtën e rasteve qeveria nuk zbaton rekomandimet e institucioneve audituese, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat kërkojnë largimin e punonjësve nga puna duke i injoruar ato. “KLSH-ja ka përgatitur regjistër të posaçëm për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve që bën kjo agjenci për poste të ndryshme dhe është shumë shokuese kur shikon që figura që janë rekomanduar për largim nga shërbimi civil për një periudhë kohe ose për ndjekje penale marrin poste të rëndësishme shtetërore, duke injoruar vetë rolin që ka agjencia shtetërore që mbahet me paratë e taksapaguesve”, deklaroi z. Preçi.

Eksperti shprehet se emërimi në poste të larta drejtuese i personave që janë kapur me shkelje në poste të tjera, tregon se ata po mbrohen nga qeveria dhe ky është një sinjal negativ për qytetarët. “Sot, persona më të anatemuar nga elita politike apo kasta drejtuese në momentin që janë të tillë të dyshuar për abuzim me detyrën u ofrohet post i lartë publik për t’i mbrojtur pra po përdoren poste të larta publike si një koracë përball hetimit, përball ndëshkimit kjo dëshmon rolin e pamjaftueshëm të Parlamentit, të shoqërisë civile të opozitës”, deklaroi Preçi.

Eksperti shprehet se përgjegjësia për këtë situatë është e vetë Kryeministrit, detyrimi i të cilit është të japë llogari para taksapaguesve të këtij vendi për të gjitha dështimet në qeverisje. “Është për të ardhur keq që deklarimet zyrtare te kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë janë që secili mban përgjegjësi veten e vet, nuk e dënim në një kohë që përgjegjësia është para taksapaguesve. I mandatuari për të qeverisur ka detyrimin të raportoj para taksapaguesve dhe është përgjegjës për sukseset dhe dështimet të gjithë atyre që e shoqërojnë”, deklaroi Preçi.

Për rastin e Ceno Klosit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në librat e blerjes të OSHEE-së vonesa në deklarimin e faturave të blerjes me TVSH. Këto veprime nuk pasqyrojnë detyrimet e sakta në kohë të shoqërisë, për pagesat e TVSH-së.  Në rastet e vonesave të tilla të deklarimit të TVSH-së, bizneset private rrezikojnë penalitete dhe gjoba të majme nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që sot drejtohet nga Ceno Klosi. “News24” zbuloi se adresa e biznesit që vetë Ceno Klosi ka deklaruar se disponon në Angli, është një vilë luksoze në një zonë rezidenciale mjaft të shtrenjtë. Shoqëria “First bar limited”, me adresë numër 29 në Blackwood Close, West Byfleet, ku drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është aksioner me 33%, është një vilë me pishinë, kopsht, 4 dhoma gjumi, tri dhoma ndenjeje, tri banja, garazh dhe mjedise të tjera.

Çmimi i vilës në 2001 ka qenë 435,000 paund, në 2010 ka arritur në 775,000 paund dhe sot kushton mbi 1 milion paund. Ky çmim është listuar nga agjencitë imobiliare angleze dhe duke shfletuar në internet fotot e vilës, ku Ceno Klosi, ka regjistruar biznesin në Angli, kupton se ajo është një pronë luksi. Por, Ceno Klosi nuk ka dhënë asnjë informacion në deklaratën e tij të pasurisë për këtë fakt, duke mbajtur të fshehur informacionin për biznesin e tij britanik.

PASURIA E DYSHIMTË E KLOSIT, LUBONJA: SPAK TË VEPROJË

Lubonja-Ceno-Klosi-skandali

Analisti i njohur, Fatos Lubonja, komentoi rastin e Ceno Klosit, drejtorit të Tatimeve, i cili është denoncuar për transaksione të dyshimta financiare në dhënien e fajdeve, si dhe për fshehjen e një biznesi 1 milionë paundësh në Londër. Por sipas Lubonjës, personat që punojnë në Dogana, Tatime apo që bëjnë korrupsion janë shndërruar në pronarë të qyteteve.

Ka pasur njerëz që thoshin “10% më takojnë mua po të dhashë tenderin”, tha ai për “News 24”. “Këta që bënin trafik njerëzish me skafet, hapnin restorante dhe ne hanim atje. Kështu është ndërtuar Shqipëria. Ajo që më bën pesimist është që këta njerëz që përshkova të viteve ‘90, këta janë bërë klasë dominante, këta kanë pushtetin, këta janë pronarët e qyteteve. Përpara këtij realiteti ndihen të fuqishëm. SPAK-u është brenda këtij sistemi dhe është i pafuqishëm.

SPAK-u ka disa instrumente, por edhe atje ku teorizohet ndarja e pushteteve ka një diference mes fuqisë që kanë këta pushtete. Këta kanë kapur ekzekutivin dhe a ke ti fuqi apo jo të veprosh? Unë për rastin konkret ngre dyshimet e mia: këtë po e sakrifikojnë, ose ka luftë me disa të tjerë dhe kanë nxjerrë këtë se ky ka shumë. Nuk jam kundër që të veprojë SPAK-u, por nuk më bind një luftë e vërtetë kundër ‘Ndragheta’-s sonë, por gjithmonë mbetem te dyshimi”, tha Lubonja në “News24”.

Zheji-Ceno-Klosi

SKANDALI, ZHEJI: KLOSI NUK VJEN NGA NJË ARISTOKRACI FINANCIARE

Analisti Artur Zheji komentoi në “News24” skandalin e publikuar në media, me pasurinë e dyshimtë të drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi, i cili rezulton të jetë edhe “fajdexhi” edhe me biznes në Londër. Pasuria e Ceno Klosit, sipas Artur Zhejit duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), pasi sipas tij materialet e publikuar në media, janë sinjale investigative. Për Zhejin pasuria e drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi krijon dyshime, pasi ky i fundit nuk vjen nga një “aristokraci financiare”.

“SPAK-u sinjalizimin e mediave kur ka materiale investigative, duhet të verifikojë. Media drejton gishtin, bashkon disa të dhëna që dalin, por pastaj është SPAK që i qep këto të dhëna në një ekuacion i cili në bazë të provës përcakton nëse është një ekuacion korruptiv apo është një ekuacion jokorruptiv.

Të gjitha këto elementë që u dhanë tani duket se kemi të bëjmë me një njeri i cili duhet të tatojë njerëzit, të mbledhë lekët për llogari të shtetit dhe si duket i teprojnë lekë dhe të ketë shumë të tjera mbase jo të justifikuara. Këta njerëz nuk vijnë nga një aristokraci financiare e caktuar dhe tani u jepet kjo detyrë. E gjitha është një lëndë e parë për SPAK-un. Ky është presioni real që i bëhet SPAK-ut, jo ta paragjykosh si çerdhe kriminelësh”, tha Zheji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura