Dritëroi: E vërteta për poezinë “Pashallarët e kuq”, Mehmet Shehu e mbrojti Kadarenë

Sep 5, 2014 | 9:00
SHPËRNDAJE

Sot në “Panorama”, rrëfimi i Dritëroit për poezinë e ndaluar të Ismail Kadaresë.

“E vërteta për ‘Pashallarët’, Kadarenë e mbrojti Shehu”
“I tha Enverit që edhe Dritëro Agollin s’e kemi dënuar”

Shkrimtari tregon për letërsinë në komunizëm.
Dritëroi: Tregimet që m’u ndaluan, i ndihmoja shkrimtarët.

“Mehmeti më thirri në mbledhjen e Qeverisë, më tha që ma bëre fertele administratën me ‘Zylon”

…vijon nga numri i kaluar
Në vijim të rrëfimit të tij për gazetën “Panorama”, shkrimtari i njohur zbardh marrëdhëniet e tij me udhëheqësit e lartë të shtetit komunist, pamundësinë e tij për të botuar tregimet e tij dhe pse për rreth 19 vjet mbajti postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Sipas Agollit, precedenti i tij i mos dënimit për disa nga tregimet dhe romanet, si “Zhurma e re e dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo dhe drama “Fytyra e dytë”, shpëtuan dhe Ismail Kadarenë që të mos dënohej për poemën “Pashallarët e kuq”.

Pse duhet të vendoste Ramiz Alia një censurë të tillë ndaj jush?
Ishte një kohë që mua m’u ndaluan së botuari tregimet që kam shkruar.

Për cilën periudhë bëhet fjalë?

Që nga 1964 e deri në fund. E mira ishte se ato ishin botuar në shtypin e kohës. Pasi i lexonin në shtyp, jepnin urdhër në shkolla që të mos i bënin pjesë të procesit mësimor, të mos ua rekomandonin nxënësve për t’i punuar dhe diskutuar në orën e letërsisë apo gjuhës. Shkonin punonjës të Komitetit Qendror, që janë dhe njerëz publikë sot, që merreshin me propagandën dhe me shtypin, shkonin në shkolla dhe u thoshin mësuesve që janë tregime të gabuara, jo të shëndosha dhe mos i trajtoni në procesin mësimor.

Për çfarë tregimesh bëhej fjalë?

Kisha një tregim, “Martesa e Pasho Velçanit”, i cili trajtonte jetën e një partizani trim. Pas luftës e vendosën sportelist në një hotel në Elbasan. Ai kishte luftuar edhe kundër grupeve diversante që hynin në ato vite. Në shtëpinë e Pashos vijnë disa diversantë, ai del dhe vret disa prej tyre. Njëri prej tyre ishte i ri dhe Pashoja ia fali jetën. Ky tregim u cilësua si kompromis. Ky u botua te revista “Nëntori” dhe u bllokua pastaj. Mirëpo ajo u shit.

Në ç’vit ka qenë kjo?

Në 1980-n, kur Enveri ishte gjallë. Mua më ka ecur keq fati, sepse gjithnjë tregimet m’i ndalonin. Edhe “Zhurma e erërave të dikurshme”. Në të ishte dhe tregimi “Lamtumirë kapedani im”. Flitej për një kapedan kaçak, i cili kishte nam në madh nga malësia e Matit. I thanë shokët që më mirë të bashkohemi me partizanët dhe të mos jemi kaçakë mali. Kështu vendosën dhe u bashkuan dhe e vendosën zv.komandant të çetës. Mirëpo një natë, një nga luftëtarët e kësaj çete bëri dashuri me një vajzë partizane. Kjo gjë ishte e ndaluar. U mor vesh kjo gjë, iu bë gjyqi dhe e pushkatuan djalin. Pas kësaj, zv.komandanti i çetës, i cili ishte kaçak, u largua nga çeta bashkë me trimat e tij. Shkuan në një teqe. Aty u rrethuan nga italianët, luftuan të gjithë kundër italianit dhe u vranë. Pasi i shpëton këtij rrethimi, ai vritet në një pritë tjetër. Prandaj unë them në titull “Lamtumirë kapedani im”. Ky tregim u duk si i çuditshëm, si ka mundësi një njeri nga kaçak, që i bashkohet çetës partizane, largohet prej saj dhe lufton kundër italianëve dhe vritet. Ishte kundër një linje, që ishte ndjekur që kur shkon partizan, vritesh si partizan.

Ka qenë jashtë linjës zyrtare si subjekt, me kaçakë që braktisin çetën partizane… Nga e kishit marrë këtë subjekt?
Këtë subjekt e kam gjetur në malësinë e Matit kur kam qenë gazetar dhe e ktheva në tregim letrar. Edhe “Njeriun me top” ma kanë treguar si ngjarje në fshatin Muhurr në Peshkopi si një histori të vërtetë. Por letërsia shkruhej sipas një lloj dogme. Unë nuk e pranoja dhe nuk e pëlqeja këtë linjë, as këtu dhe as te “Zyloja”. E thotë dhe Mehmet Shehu, se “Zyloja” është roman i keq shumë, ndërkohë që romani vazhdonte të botohej. Mehmet Shehu ishte në Francë dhe merr në telefon Niko Nikollën që drejtonte “Hostenin” dhe e pyet se kur do mbarojë botimi i “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, pasi unë kisha nisur ta botoja atje. Kur Mehmet Shehu i doli në mbrojtje Ismail Kadaresë për “Pashallarët e Kuq”, i tha Enver Hoxhës që nuk duhet të dënohet, pasi kemi parë dhe Dritëro Agollin që ka shkruar Zylon, por ka shkruar dhe “Nëna Shqipëri”, prandaj dhe Ismailin nuk kemi pse ta dënojmë për “Pashallarët”.

Keni pasur përplasje me Mehmet Shehun?
Unë pata një debat kur diskutohej që Lasgush Poradecit t’i jepej “Profesion i lirë”. Unë i thashë se si mund ta nxjerrim Lasgushin në profesion të lirë, një njeri në moshën afër të 90-ave kur Odise Paskalin e kemi nxjerrë në pension në moshën 60-vjeçare, apo dhe Fatmir Gjatën. Nëse ti do, i thashë Mehmet Shehut, akordoi një rrogë të veçantë. Mehmeti si kryeministër kishte nxjerrë një dekret që kur artistët mbushin 60 vjeç, dalin në pension. Lasgushi ishte afër të 90-ave. Ne i jepnim Lasgushit gabimisht “leje krijuese” që të kishte një të ardhur më të mirë nga ajo që ligji i lejonte. Por nuk mund të shkelja unë dekretin e qeverisë, që e kishte nxjerrë vetë Mehmet Shehu. Meqenëse unë nuk e propozova “profesionin e lirë” për Lasgushin, filluan të interpretonin sikur unë nuk doja të vlerësoja Lasgushin. Ma kanë ngritur në kryesinë e Lidhjes herë pas here këtë çështje, sikur unë nuk doja, edhe pse dekreti ishte i qartë. Unë më pas i vajta Ramiz Alisë dhe i thashë që ta nxjerrim këtë që kërkon Kryeministri, që Lasgushit t’i japim “profesion të lirë”. Ramizi më tha se nëse do Mehmeti, le t’i japë Lasgushit një pension më të lartë, të veçantë. Odise Paskalit i kishin dhënë pension special dhe merrte 9 mijë lekë të vjetër në muaj, Lasgushit ia rritën pensionin, nga 5 mijë që i dilte në 7 apo 8 mijë në muaj. Ligji ishte ligj dhe nuk mund të dilje mbi të, pasi në të kundërt i paguaje nga xhepi yt. Ky ka qenë një kundërshtim apo një përplasje ta quajmë me Mehmet Shehun, për të cilën unë i qëndroja në mënyrë parimore një vendimi që vetë Mehmeti kishte nxjerrë si kryeministër.

Që nuk është dënuar Ismaili për “Pashallarët e Kuq”, ka qenë precedenti yt ai që e ka shpëtuar? 
Po. U shfrytëzua edhe ky.

Për ju ka pasur komente se keni ndikuar që të dënohen shkrimtarët apo artistët… Me Ramizin keni pasur përplasje?
Te Ramizi unë jam ankuar për disa kolegë që u ishin ndaluar botimet, si Dhori Qirjazi, Sotir Andoni, Vehbi Skënderi e ca të tjerë. Vajta dhe u thashë se këtyre nuk duhej t’u ndaloheshin botimet dhe shkrimet në shtyp. Në atë kohë Ramizi ishte sekretar i Komitetit Qendror për propagandën. Pasi unë ia kërkova këtë, ai u dha urdhër komiteteve të Partisë në rrethe që të mos i ndalonin, në Ersekë, Korçë. Kjo ka qenë ndërhyrja ime që të mos ndaloheshin botimet dhe shkrimet e shkrimtarëve. E dinë ata këtë. Lëre se ç’thotë ndonjëri. Ata që unë kam ndihmuar, më pas shpifnin dhe thoshin që “Dritëroi ishte në Devoll e hëngri një qengj të tërë dhe mori edhe me vete në shtëpi dhe la kooperativën një muaj pa mish”. Atje, pas një takimi me letrarët, kryetari i kooperativës shtroi një drekë, siç bëheshin atëherë, për të nderuar miqtë. Por unë nuk kam qenë qejfli i mishit, por i muhabetit me popullin.

Cilët kanë qenë kundërshtarët e tu, Mehmet Shehu apo Ramiz Alia? Mehmeti më merrte në telefon kur botoja ndonjë gjë të re. Me “Zylon” ai nuk u kënaq dhe për atë ka shkruar vetë. Më thërrisnin ndonjëherë në Këshillin e Ministrave për problemet e letërsisë. Në një nga këto mbledhje u ngrit Kiço Ngjela, që ishte ministër i Tregtisë dhe anëtar i PPSH që në themelim dhe tha se, “po të jetë për mua, unë të gjithë shkrimtarët i vë që të bëjnë këpucë ose të shesin domate”. U ngrit Mehmet Shehu dhe i tha: “Çfarë janë shkrimtarët, këpucarë apo domateshitës?! Ti shiko atë punë që ke dhe ato shifra shiko ti bësh mirë, se nuk i shet dhe ato që ke e jo të merresh me shkrimtarët dhe kërkon që të të shesin shkrimtarët domatet e tua”. E shau rëndë. Pastaj m’u drejtua mua para kabinetit qeveritar dhe më tha: “Shiko unë s’ta kam thënë, por ti me atë Zylon ma ke bërë fërtele administratën”. Kur u dënua “Pashallarët e Kuq”, Mehmeti bëri një shkrim që e botoi në një gazetë, “Letër shokut Enver”. Në këtë letër Mehmeti thoshte se mendoj se Ismail Kadare ka bërë një vepër jo të mirë, por nuk duhet dënuar, se edhe Dritëroi ka bërë disa vepra, si “Zhurma e re e dikurshme”, që e kemi ndaluar, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, edhe ai gjysmë i ndaluar, dramën “Fytyra e dytë”, që edhe ajo është reaksionare, por edhe “Mosha e bardhë”. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe kanë shkuar për karton. Megjithatë, Dritëroi bëri “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”. Prandaj, siç vepruam për Dritëroin, të veprojmë edhe për Ismailin dhe të mos e dënojmë.

Çfarë qëndrimi mbajtët ju për “Pashallarët e Kuq”?
Unë në atë kohë thashë se “Pashallarët e Kuq” është si kinezishtja. Ideja përfundimtare ishte se të gjithë gjeneralët do t’i fusim në burg dhe vetëm shoku Mao do të jetojë i lirë. Ja kjo ishte. Ismaili e kishte çuar te gazeta letrare “Drita” dhe unë i thashë që nuk shkon kjo, lëre, ke gjithë ato poezi të mira, si kinezçe më duket kjo. Jo, më tha, mua as redaksia e “Dritës” dhe as të tjerët, por vetëm Komiteti Qendror mund të ma ndalojë veprën. Unë ia dërgova këtë poemë Pirro Kondit, ndihmësit të Ramiz Alisë. I thashë që e ka botuar Shaban Sinani te “Drita”, unë nuk mund ta gjykoj, ju shikojeni vetë, por unë nuk kam aq fuqi sa ta ndaloj. Ju gjykoni vetë. Ai ia dha pastaj Enverit.

Dritëro Agolli merr çmimin letrar “Muzat e Alpeve 2014”
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” i dha Dritëro Agollit çmimin letrar “Muzat e Alpeve 2014”. Nga datat 27-28 gusht u mbajt në Rugovë të Kosovës dhe në Kotorr të Malit të Zi takimi me shkrimtarë dhe artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Çmimi mësohet se do t’i dorëzohet në Tiranë shkrimtarit të njohur nga fituesi i vitit të kaluar, që është akademiku dhe poeti malazez Jevrem Bërkoviç. “Duke u mbështetur në krijimtarinë voluminoze dhe të autoritetshme në aspektin e veçantive artistike, bordi i ShRSh ‘Teuta’ vendosi që çmimi ‘Teuta’ sivjet t’i ndahet shkrimtarit të shquar, Dritëro Agolli”, thuhet në një njoftim të shoqatës. Vitin tjetër, sipas traditës, aktiviteti do të zhvillohet edhe në Tiranë, ku Dritëro Agolli do t’ia dorëzojë atë fituesit të ri.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura