Droga në vaj palme, biznesmeni padit arrestimin

May 21, 2011 | 9:59
SHPËRNDAJE

TIRANE – Dhimitros (Vullnet) Harizaj, i arrestuar pas dyshimeve të prokurorisë për përfshirjen e tij në trafikimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokaine kolumbiane, kërkon liri në Gjykatën e Lartë. Sipërmarrësi gjirokastrit u prangos më mars të këtij viti, pas bllokimit të një kontejneri me vaj palme të ardhur nga Kolumbia, brenda të cilit ishte e tretur sasi a lëndës narkotike. Sipas prokurorisë, Harizaj ishte porositësi i ngarkesës së vajit. Pas arrestimit, Gjykata e Shkallë së Parë për Krimet e Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Para gjykatës Harizaj u shpreh se kishte porositur vaj për llogari të biznesit të tij dhe jo kokainë. Masa “arrest me burg” u la në fuqi më pas edhe në Apelin e Krimeve.
Pak ditë më parë Harizaj është drejtuar në Gjykatën e Lartë me një kërkesë për ndryshimin e kësaj mase. Dosja në fjalë është regjistruar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë, por ende nuk është përzgjedhur Kolegji Penal që do ta shqyrtojë atë.
Bllokimi i një kontejneri me vaj palme, brenda të cilit dyshohej të ishin tretur 200 kilogramë kokainë kolumbiane, u përcoll bujshëm nga Prokuroria e Përgjithshme pasditen e 22 marsit. Rrugëtimi i maunës kishte qenë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë–Austri-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. Në ditët në vijim rezultoi se sasia e vajit, brenda të cilit dyshohej se ishte tretur kokaina, është ndërruar në Amversë të Belgjikës. Por, paçka “pastrimit” nga droga, itinerari i maunes nuk është “prishur” nga autoritet policore të vendeve të përfshira në hetimin e këtij trafiku. Ekspertiza që është realizuar në Shqipëri me lëndën që ndodhej në ngarkesën e bllokuar ka gjetur se ajo nuk përmbante drogë. Dyshimet ishin se në brendësi të enëve ku ndodhej vaji i palmës ishte tretur lëndë narkotike, mirëpo më pas u arrit në përfundimin se në bidonët 200-litërsh prej druri nuk kishte lëndë narkotike. Nga ana tjetër, përgjimet e prokurorisë tregonin për një plan paraprak që me ngarkesën në fjalë të realizohej transportimi i një sasie droge në drejtim të Shqipërisë, për ta tranzituar atë jashtë vendit më pas.

Ngarkesa u ndërrua në Belgjikë

Itinerari që ka bërë ngarkesa e dyshuar me lëndë narkotike, e cila u bllokua sapo mbërriti pranë fabrikës së kruasantëve në Gjirokastër, ka qenë në të paktën gjashtë shtete. Dyshimet janë se policia, Interpoli dhe autoritetet belge kanë ndërruar enët e maunes gjatë një pushimi në Belgjikë, duke bllokuar lëndën narkotike me gjithë vajin e palmave ku ishte futur, pasi kanë zëvendësuar enët e para me enë të mbushura me lëndë tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura