Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker” në Londër i ka bërë jehonë shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Ajo theksoi se leximi e ka ndihmuar atë të kalonte kohët e ‘tensionuara’ në turne dhe të lidhej me trashëgiminë e saj.
Në fjalimin e saj gjatë aktivitetit, në The Roundhouse në Londër, artistja 27-vjeçare vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare, duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga kënaqësitë më të thella në botë: leximin e një libri”, tha ajo.
“Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, fiksimet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin edhe sot”.
Lipa tha se puna e Kadaresë gjithashtu e ndihmoi atë “të lidhej me trashëgiminë dhe identitetin e familjes si shqiptare e Kosovës”.
“Kur kam qenë e re, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si ai ‘Kështjella’ i Ismail Kadaresë testoi aftësitë e mia gjuhësore dhe më ndihmoi të lidhesha me prejardhjen e familjes dhe identitetin si shqiptare e Kosovës. Përmes Kadaresë mësova për shpirtin rezistues të shqiptarëve që e mban akoma Kosovën duke luftuar për njohjen e pavarësisë së saj”, shtoi më tej ajo.
“Mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët të luftojnë për njohjen ndërkombëtare për pavarësinë tonë sot”, u shpreh ndër të tjera Dua Lipa.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al