Duni: Nuk vë kurrë Shekspir, lustër për hallet e këtij vendi

May 29, 2014 | 13:27
SHPËRNDAJE

Regjisori Spiro Duni
“Udhëtim i gjatë drejt natës”, në Teatrin Kombëtar

“Pas 12 vjetësh në Shqipëri, koha për këtë vepër. S’ndaj shqetësimin shoqëror nga arti”

Teksa afrohet premiera, Spiro Duni ndien t’i shtohen dozat e emocionit. I sheh aktorët të punojnë të pavarur, tashmë vepra është e tyrja.
 Ndien kënaqësi që arriti të ngjisë në skenë një vepër si “Udhëtim i gjatë drejt natës” i Eugene O’Neill, por fjalën e fundit e thotë publiku. Ndërsa nuk ka pranuar të flasë më parë në media për këtë vepër, Duni rrëfen për “Panoramën” rrugën drejt O’Neill, përse priti 12 vjet derisa ta vinte në skenë, përse zgjodhi në rolet kryesore Yllka Mujon, Artan Imamin, Lulzim Zeqjen e Genti Deçkën. Por si pjesë e teatrit nuk mund të mos komentojë edhe gjendjen e krijuar me nënshkrimin e kontratave individuale. “E rëndësishme është që në teatër të paguhen ata që punojnë”, thotë Duni.
Sa herë që vihet në skenë një vepër, ka pasur një shtytje, një arsye, cila është juaja?

Posteri i shfaqjes
Është një vepër, të cilën e kam prej 12 vjetësh në sirtar. Nuk e kam vënë më parë sepse nuk ndihesha unë gati, por nuk më dukej i tillë as spektatori në Tiranë. Sapo kisha ardhur nga Amerika dhe njohjen për Shqipërinë aktuale e kisha të cunguar, nuk kisha një njohje të vërtetë të këtij realiteti. Ishte një propozim i drejtorit Hervin Çuli, që ta niste sezonin e premierave me një vepër të drejtuar nga unë. Më kërkoi një kryevepër. Por kryevepra ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Është një thikë me dy presa, s’është një shtrat i sigurt që ti do kesh me doemos sukses. Me këtë vepër të të madhit O’Neill doja të plotësoja një triptik, pasi kisha vënë Tennessee Williams dhe Miller. Duke e përjetuar Shqipërinë kështu, unë vendos t’i flas përmes familjes së Tyronëve “të sfiliturve Tyron”, siç thotë O’Neil, në këtë vepër, treçereku i së cilës është autobiografike.
Çfarë ka ndryshuar pas 12 vjetësh?
Me gjithë sa kam parë të shkruhet nga kolegët tuaj të kronikës së zezë, m’u duk se kishte ardhur ora. Ajo që më ka shtyrë më shumë për të vënë këtë vepër, qëndron në tragjizmin e faktit që pafajësia nuk mund të rikthehet. Nuk mund të bëhesh më i pafajshëm dhe çdo karakter duhet të mbartë me vete pak faj, edhe në buzë të varrit.
Përse ju dukej publiku i papërgatitur?
Më shumë panikun e kisha te vetja, sepse për 12 vjet kisha qenë larg këtij realiteti dhe nuk e fsheh se kisha edhe paragjykimet e mia për publikun. Kisha pasur idenë se spektatori i vërtetë është jashtë kufijve, në emigrim. Por vit pas viti, duke vënë edhe Williams apo Miller, duke parë edhe vepra të tjera të kolegëve, pashë se spektatori i teatrit, të paktën në Tiranë, është këtu dhe e do edhe teatrin e realizmit psikologjik, që për mua s’ka për të vdekur kurrë, por edhe atë metaforik, të cilin e provova me Shusterin.
Një vepër, që trajton temën e familjes dhe të varësisë, që jo detyrimisht është alkooli…
Sot kritika botërore vërtitet rreth dilemës: A është gjithçka mirëfilli kod gjenetik? Në këtë rast O‘Neill e thotë përmes mjeshtërisë së tij. Personazhet janë rezultat i jetës së prindërve të tyre dhe fëmijërisë. Këtë lidhje problematikash mes familjes dhe varësisë, të cilat nuk mund të jenë asnjëherë të ndara.
Por disi preket edhe fati i artistit, ka diçka nga ju?
Po, po e gjej disi. Kur m’u propozua të vija një vepër në skenë, një propozim nga ana e drejtorit ishte “Tri motrat”. Kisha 6 vepra që prisnin në sirtar dhe i them se nuk mund të vija një vepër për tri motra, që po vuajnë se s’po shkojnë dot në Moskë. Është vështirë për një regjisor, nëse nuk e ndien veten të mbështetur diku..
Duket se jeni i prirë më së shumti drejt dramave me problematika të mëdha sociale, pse?
Janë vepra, që i shkojnë këtij vendi. Nëse ndokush do të më pyeste nëse do të vija ndonjëherë Shekspir, do thosha: Asnjëherë, sepse më duket shumë lustër për hallet e këtij vendi. Nuk e ndajmë dot shqetësimin shoqëror nga arti. Po t’i referohesha thënies së një regjisori të madh, do të thosha: Një gjë, nuk i falet teatrit: indiferenca e publikut. Nëse nuk arrij ta bëj publikun për vete, e lë këtë profesion.
Në rolet kryesore interpretojnë Yllka Mujo dhe Artan Imami, i kishit menduar qysh më parë ata në rolet e çiftit Tyrone?
Që në momentin që e kam lexuar veprën, kam menduar: Mary Tyrone është Yllka Mujo, ndërsa për rolin e James Tyrone, Imami ka qenë zgjedhja ime e katërt. Por jam shumë i bindur tek ai. Gjëja e parë që të vjen ndër mend, është fotografia e kësaj familjeje. Burrat duhet të ishin të pashëm. Duhet të ishte një familje e bukur. Është një mrekulli të punosh me këta aktorë. Pjekuria profesionale dhe përgjegjshmëria në punë është e padiskutueshme. Sot jam i lumtur për punën e bërë, sepse i takon kategorisë më të vështirë. Vepra ka avantazh që është e bukur, por ka si disavantazh një barrë të rëndë. Por fjala e fundit i mbetet publikut.  
Ndërsa dy të tjerë u përzgjodhën me audicion, jeni i kënaqur?
Ishin mbi 30 djem, që morën pjesë në audicion dhe më ka ardhur shumë mirë, sepse edhe ata që nuk fituan, vinin dhe të falënderonin, duke e konsideruar këtë proces një eksperiencë. Ishin djem shumë të talentuar, por më duhej të bindesha. Deri tani që jemi para premierës, ata që i kam zgjedhur ndershmërisht, nuk më kanë zhgënjyer. Organizimi i audicionit ishte një eksperiencë shumë e mirë.
Puna juaj qëlloi në një situatë disi të tensionuar në Teatrin Kombëtar, atë të nënshkrimit të kontratave nga ana e aktorëve, e keni ndier në punën tuaj?
Tensioni është i kuptueshëm, edhe pse unë nuk e kam ndier në punën time. Por kam vënë re një tjetër fenomen. Deri në momentin e ndarjes së roleve ka shumë njerëz që të buzëqeshin, por që më pas kthejnë kokën nga ana tjetër. Unë jam si Malvolio, që thotë: jam shumë i ri për të qenë plak dhe shumë plak për të qenë i ri. E di që do të ketë të hidhëruar, por më intereson që të mençurit të thonë që: ata që Spiro ka ngjitur në skenë, e meritojnë. Ndërsa çështja e kontratave është pak e komplikuar. Nuk do të jetë e thjeshtë, por e rëndësishme është që në teatër do të paguhen vetëm ata që derdhin gjak e që kanë vlera. Vende të përjetshme nuk ka. Për 13 vjet kam qenë i jashtëm në TK dhe jam paguar në të zezë, nuk kam asnjë sigurim shoqëror. Tashmë më është ofruar një kontratë 8-mujore, të cilën unë e kam pranuar, dikur do të bëhem edhe unë 65 vjeç.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura