E bujshme nga Italia/ Juventusi i vodhi objektivin e merkatos, Interi ngushëllohet me Gjimshitin

Jul 21, 2022 | 7:27
SHPËRNDAJE

Interi ka parë t’i ikë nga duart sot Geison Bremer, mbrojtësi të cilin Xhuzepe Marota mendonte se e kishte siguruar përfundimisht dhe do të vishte ngjyrat zikaltër. Një goditje e rëndë për imazhin e klubit i cili nuk siguroi dot as Dibalan dhe e pa të përfundonte te Roma. Ndaj zikaltrit janë hedhur menjëherë në kërkim të përforcimeve të tjera dhe sipas mediave italiane, kanë vënë si objektiv në merkato një nga futbollistët e përfaqësueses shqiptare, Berat Gjimshitin.

gjimshiti inter

“SportMediaset” ka bërë të ditur se ideja për të afruar një qendërmbrojtës vazhdon të jetë shumë konkrete dhe për këtë arsye, zikaltrit kanë rihapur bisedimet me klubin e Atalantës për mbrojtësin shqiptar. Interi kishte shfaqur interes në fillim të verës për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare, por ndjekja e Bremer e kishte lënë në plan të dytë.

Asokohe, Atalanta kishte bërë të qartë se Gjimshiti ishte i paprekshëm, ndaj Interi po mendon që në një marrëveshje të mundshme të përfshijë një emër që i pëlqen Gasperinit, mesfushorin Valentino Lazaro.

Largimi i mundshëm i Skrinjar drejt PSG-së e bën situatën paksa urgjente ndaj te Interi janë vënë në lëvizje për të siguruar një tjetër emër me cilësi në prapavijë, gjë që mund të shtyjë zikaltrit të pranojnë kërkesat ekonomike të bergamaskëve nëse nga radhët e tyre largohet sllovaku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura