Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se imazhin e Shqipërisë i prish largimi i investitorëve të huaj, ku përmendi edhe disa prej tyre.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se qytetarët duhet të dalin në protestën e 6 dhjetorit për t’u treguar europianëve që kjo qeveri është e korruptuar.
Ai shtoi se kryeministri Edi Rama e ka përqëndruar gjithë pushtetin në duart e tij dhe ka minuar vlerat e demokracisë.
“Amerikanët, gjermanët, etj protestojnë kur ka Samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut. Atje protestat janë të ndaluara. Por përse ne protestojmë në 6 dhjetor? Duam t’ju bëjmë me dije liderëve të Bashkimit Europian që Shqipëria është vendi më i korruptuar. Të gjitha raportet e Bashkimit Europian janë negative lidhur me treguesit në Shqipëri.
Europianët duhet ta mësojnë edhe nga qytetarët që qeveria është e korruptuar. Le të dëgjojnë shtetarët pjesëmarrës se shqiptarët janë kundër trafiqeve të drogës. Duhet të tregojmë se ne nuk dorëzohemi, por luftojmë për vlerat tona dhe ato europiane. Zëri ynë në protestë është një mesazh për udhëheqësit e Europës që ne nuk pajtohemi me autokracinë. Populli shqiptar lufton për liri dhe vlera demokratike. Protesta është një kudërsulm ndaj dëmit të Edi Ramës për imazhin e Shqipërisë.
Imazhin e Shqipërisë e nxin Edi Rama me përqëndrimin e gjithë pushtetit në duart e tij. Imazhin e nxin treguesit për ecurinë e ligjit, 4 vende nën Vietnamin Socialist. E nxin kthimi i Shqipërisë në qendrën operacionale të bandave të trafikimit të drogës. Imazhin e dëmton largimi i investitorëve të huaj që ka përzënë Rama nga Shqipëria, si Sheratoni, Hiltoni, British Petrolium, etj. Imazhin e tij e prish anulimi i grantit 28 milion euro nga Bashkimi Europian për Portin e Durrësit”, u shpreh Berisha.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al