ALMA MILE / Në datën 27 qershor, përmes një statusi në rrjetet sociale dhe një fotografie, ku të gjithë pjesëmarrësit ishin të qeshur, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi “marrëveshjen” me artistët.
Pas dëgjesës së dytë me artistë e arkitektë, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit refuzoi të merrte pjesë, artistët Altin Basha, Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Tiranës. Ai takim, që nga njëra anë u shit si “marrëveshje” dhe nga pala tjetër si nisja e një dialogu dhe dakordësimi në disa pika, u shoqërua me reagime ekstreme. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u distancua nga këta tre “luftëtarë” të paepur të kauzës, të cilët nuk i pranoi si përfaqësues, ndërsa mbi tre artistët vërshuan fyerje dhe akuza për shitje e blerje.
Regjisori Altin Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama”, tregon se si u “rregullua” takimi me Veliajn, mbledhjen me Aleancën, atë çka ndodhi në takim dhe reagimin e mëpastajmë. Sa i takon mendimit të tij personal për godinën e Teatrit Kombëtar, regjisori është për një Teatër të ri, por të ndërtuar me paratë e shtetit.
Z. Basha, ju ishit një nga tre artistët që zhvilluat takimin e shumëpërfolur me kryebashkiakun Veliaj. Ky i fundit trumbetoi një marrëveshje, ndërsa Aleanca u distancua, duke thënë se ju morët pjesë në takim si individë. Cila është e vërteta e këtij takimi, si u organizua?
Në dëgjesën e dytë me artistët, z. Erion Veliaj la të kuptohej se ishte i hapur për çfarëdolloj debati dhe dialogu. Madje, na tha që mund të tërhiqej nga pretendimi mbi truallin dhe ne mund të kishim përfaqësues në komisionin, që do të negocionte për kontratën. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit refuzoi pjesëmarrjen në takim. Të nesërmen, Arben Derhemi më telefonon dhe më njofton që do të zhvillonin një takim në sallën “Gëte” në Teatrin Eksperimental. Në atë mbledhje morën pjesë Ema Andrea, Robert Budina, Alert Çeloaliaj, Neritan Liçaj, Alfred Trebicka, Romir Zalla, Taulanda Jupi, Arben Derhemi dhe unë. Në këtë takim u ra dakord së pari se, ishte gabim që nuk morën pjesë në dialog; e dyta, që dialogu duhet të vazhdonte dhe duhej kërkuar një takim me Erion Veliajn. Me organizimin e takimit do të merrej Alert Çeloaliaj me Arben Derhemin; Ideja ishte që të vazhdonte dialogu. Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues. Pasdite, Arben Derhemi më njofton se në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj. Ndërkohë Gjergj Bojaxhi, në emër të Aleancës më thotë se duhet futur në negociata një pikë tjetër, që ishte konkursi ndërkombëtar.
Konkurs ndërkombëtar, për çfarë?
Jemi takuar me Gjergj Bojaxhi për të sqaruar këtë pikë, se çfarë parashikonte konkursi ndërkombëtar. Konkursi ishte i hapur për të gjitha alternativat: rikonstruksion; shembje dhe ringritje nga e para në formën që ka; konkurs për një projekt të ri; për një sallë në mes, duke ruajtur dhe dy anët ekzistuese. Konkursi e fuste në shinat e duhura dhe legale gjithë dialogun dhe ishte një ide e pranueshme për Aleancën.
Çfarë ndodhi në takim?
Të nesërmen, kur u takuam për të shkuar në bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen, sepse ka vendosur të mos vijë. Shkuam. Kemi ndenjur dy orë tek Erion Veliaj. Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli; ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negocimit për kontratën dhe kemi mbrojtur çështjen e konkursit ndërkombëtar. Kemi pasur debate shumë të forta, me argumente dhe kundërargumente dhe në fund u gjet si zgjidhje që konkursi të merrej parasysh, por do të vendosej në një dëgjesë të tretë. Parimisht, konkursi ndërkombëtar u pranua. Kemi dalë nga takimi me Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj.
Çfarë ndodhi që e gjithë kjo ju kthye në të kundërt, Aleanca mohoi që ju të kishit qenë përfaqësues të saj…?
Pas takimit me z.Bojaxhiu kur shkuam te Teatri Kombëtar, na kanë dalë përpara gazetarët, që na treguan deklaratën, në të cilën thuhej se ishte arritur “Marrëveshja”. U sqaruam gazetarëve që nuk bëhet fjalë për marrëveshje, por për një dakordësi për tri pika, që janë hapi i parë drejt një marrëveshjeje. Nga ky moment, qëndrimi i Aleancës ndryshoi, nuk e di se për çfarë arsye. Robert Budina deklaroi se artistët u përdorën. Aleanca doli me një deklaratë, ku e konsideronte takimin një bisedë private, që nuk përfaqësonte qëndrimin e tyre. I kam kërkuar shpjegime z.Budina, të cilat nuk m’i dha, madje më pyeti se kush na tha neve që të shkonim atje, në një kohë që ai ishte prezent në mbledhjen e një dite më parë dhe nëse nuk do të kishte qenë dakord, mund ta kishte thënë këtë gjë aty. Në këtë mënyrë, u gjendëm befasisht përpara refuzimit të Aleancës, e cila nuk na konsideronte si përfaqësuesit e saj. Nga ana tjetër, ishte qëndrimi i Bashkisë së Tiranës, që e shpallte takimin me artistët si një marrëveshje të përfunduar. Provuam të sqarohemi përmes deklaratave publike. Kam dalë të nesërmen në Top Channel, ku i kam bërë thirrje Aleancës, çka e përsëris edhe sot, të përballemi në një debat televiziv, aty ku i bëjnë mbledhjet ata apo ku të duan, të debatojmë dhe të thonë të vërtetën. Aleanca ishte në dijeni të takimit tonë, e dinte që do të diskutonim ato pika dhe ka ndërruar qëndrim. Pse kanë ndërruar qëndrim, këtë duhet ta sqarojnë ata, nëse duan të jenë të ndershëm me procesin, me kolegët dhe me qytetarët.
Pra, sipas jush ka ndryshuar qëndrimi i Aleancës?
Që prej muajit shkurt jam pjesë e procesit, jo vetëm të mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, refuzimin e projektligjit për Artin, por edhe të gjitha qëndrimet e Aleancës dhe të SASE-s kanë qenë në rakordim me mua dhe me eksponentë të tjerë të jashtëm. Më kanë kërkuar vazhdimisht të jem anëtar i SASE-s, nuk kam pranuar se dua të jem individ i lirë. Janë tërësisht të pakoordinuar. Atje ka njerëz që nuk e njohin fare teatrin, madje as kanë hyrë ndonjëherë në të dhe as i dinë kushtet si janë. Aty ka qëndrime që i kanë shtyrë artistët jashtë procesit, njerëz që u thonë europianëve dhe amerikanëve që nuk kemi nevojë për ndihmën tuaj. Ka individë që u janë drejtuar në mënyrë fyese artistëve, “O hajdeni këtu, ose jeni palaço dhe nuk jeni artistë”. Po ashtu, më bën përshtypje se kohët e fundit nënvizohet se kjo çështje u takon qytetarëve dhe jo artistëve, ndërsa harrojnë që edhe artistët janë qytetarë dhe kanë të drejtë të kenë qëndrimin e tyre publik. Problemi kryesor është që askush nuk e njeh gjendjen reale të teatrit dhe askush nuk po merret më me teatrin. Më shumë ka politikë partiake, politikanë dhe militantë të PD-së në ato takime, sesa artistë. Kjo u shoqërua me sulme personale të neveritshme nga disa portale, nga hipokritë mediatikë, me dy fytyra, që sulmojnë në emër të ndershmërisë. Analistë si Andi Bushati, i cili kundërshton ndërtimin e kullave në Tiranë, por të cilit disa kulla “SPECIALE” i duken më të mira se të tjerat, sepse janë risi arkitektonike. Pastaj sulmet e disa individëve që kanë hapësirë në media janë krejtësisht të bazuara në tituj portalesh dhe jo në deklaratat që kam bërë në media unë dhe kolegët Derhemi dhe Trebicka.
Ju thatë se, në mbledhjen ku u diskutuan disa çështje negocimi me Veliajn, ishin 10 apo 11 vetë. A mjaftojnë kaq për të “vendosur” për Teatrin?
Sigurisht nuk mjafton dhe për këtë arsye kam nënvizuar se kemi bërë hapa para drejt një marrëveshjeje të mundshme. Në atë mbledhje me 10 vetë u diskutua se si kishim një mendim të unifikuar të artistëve të teatrit dhe një përfaqësi zyrtare. Menduam të organizonim edhe një referendum artistësh për teatrin. Diskutuam për formulën e mundshme, sepse SASE nuk mund t’i përfaqësojë të gjithë artistët e Shqipërisë. Madje, diskutuam të përfshinim në këtë referendum edhe artistët e Maqedonisë dhe të Kosovës. SASE do të ishte organizatore dhe cilat do të ishin pyetjet. Pyetjet do të ishin: Teatër i ri apo rikonstruksion i atij ekzistues; Cilët do të ishin përfaqësuesit e komunitetit në negociatat me qeverinë. Por gjithçka u harrua pas takimit.
Nuk keni zhvilluar një ballafaqim me përfaqësues të SASE-s apo Aleancës?
E kam kërkuar vazhdimisht këtë ballafaqim dhe vazhdoj ta kërkoj, por heshtin. Më ofendon qëndrimi i tyre, që shpërndajnë vetëm deklarata kundër ne të treve, qëndrime që nuk janë normale. Shpresoja që zotërinjtë që e dinë të vërtetën, do kishin kurajën të merrnin përgjegjësitë publike. Nga 10 veta që ishim në takim, të paktën 9 ishim në unison për pikat që ju përmenda më sipër. Përse nuk keni dalë sërish te sheshi i protestës për të sqaruar pozicionin tuaj? Kjo gjë u takon organizatorëve të sheshi,t sepse ata e dinë të vërtetën. SASE na tradhtoi, na prezantoi para opinionit si njerëz që kishim shkuar atje për biseda private, ç’ka nuk është e vërtetë, pasi ne kishim biseduar me përfaqësues të tyre dhe të Aleancës. Kam qenë dhe jam i hapur për çdo lloj ballafaqimi, unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe ata e dinë, por ata kanë një problem me të vërtetën e tyre, sepse nuk dinë se çfarë qëndrimi të mbajnë. I kanë ndryshuar ato në mënyrë të vazhdueshme, sepse adaptojnë pjesë të qëndrimeve të paunifikuara. Ka një krah që tërheq nga qëndrimet ekstreme, ka një krah që tërheq nga arsyeja dhe kurrë nuk kanë qenë në gjendje të kontrollojnë lëvizjen. Askush nuk e di se cilët janë personat me të cilët duhet të komunikosh dhe të bësh një debat. Ne kemi menduar që drejtuesit janë ata persona që dalin atje: Budina, Çeloaliaj, Bojaxhi, zonja avokate, Mirela Jorgji, e cila deri një ditë më parë më lutej që t’i bashkohesha Aleancës. Dhe, nuk e di se çfarë ndodhi dhe unë përfundova në “Shkëlqimi dhe rënia e Altin Bashës”.
Ju kanë quajtur “tradhtarë”, “të shitur”, që edhe mund të keni përfituar diçka në këmbim të marrëveshjes…
Nuk e besoja që artistët të trajtoheshin nga artistët në të njëjtën mënyrë si politikanët. Nuk e mendova kurrë se do të përfshihesha në lojën e ndyrë të përbaltjes së “kundërshtarit”, sepse kam qenë dhe jam shumë i sigurt për imazhin tim në sy të komunitetit. Ata që janë pjesë e komunitetit, e dinë fare mirë se sa apartamente mund të kem marrë, se sa mund të shitem, sa i manipulueshëm dhe oportunist jam. Ishim shumë të ndërgjegjshëm që ishim mes dy kaheve politike dhe mund të kishim kosto, por çdo veprim e kemi bërë duke menduar se palët ishin të interesuara për rrugëzgjidhje. Prezenca e PD-së ka qenë shumë e fortë, gjatë gjithë historisë së protestës, por tani mendoj se prezenca e tyre është absolute. Ne nuk e kemi konsideruar një problem këtë, përderisa qëndrimet tona ishin parimore. Mbështetja e partive politike na interesonte, edhe pse unë kam dalë e kam deklaruar që nuk duhet ta kthenim lëvizjen në vegël të opozitës në luftën politike, por na intereson zgjidhja e problemit të Teatrit Kombëtar. Sigurisht, që kjo nuk ndodhi dhe ajo tanimë është një lëvizje tërësisht politike.
Kjo çështje nuk mund të mos jetë politike, përderisa vendimet i merr politika dhe tek e fundit, secili prej nesh është edhe qenie politike…
Po, patjetër, por ajo është kthyer në lëvizje partiake. Aty është Partia Demokratike që flet me zërin e Aleancës. Nuk ka asgjë të keqe të jetë politike, por jo partiake, pasi tanimë del që ne, që kemi një mendim ndryshe, jemi të blerë ose jemi të së majtës dhe ata që dalin atje, janë njerëzit më të ndershëm. Megjithëse për të qenë të ndershëm me publikun, ata duhet t’ua bëjmë të qartë që, ajo sallë nuk mban. Njerëzit që punojnë atje, e dinë fare mirë se në çfarë gjendje është salla. Në momentin kur kërkohet mbështetja e qytetarëve, duhet të jenë të vërtetë me ta. E vetmja alternativë për ta mbajtur atë teatër, është ta rrafshojnë në zero dhe ta ndërtojnë me këtë pamje që ka. Por ngrihet pyetja: A ia vlen që ne brezave të ardhshëm t’u lëmë një sallë që nga pikëpamja infrastrukturore nuk i përshtatet kohës? Që nuk ka xhepa, bodrum, dhoma… Nëse do të rikonstruktohet kështu si është, nuk do t’i ketë fasilitetet sipas kërkesave të kohës. Të gjitha këto duhen thënë. Nga ana tjetër, nëse rikonstruktohet ashtu si ka qenë, atëherë Teatri Eksperimental nuk do të jetë, sepse sallat e tij nuk kanë qenë pjesë e projektit origjinal. Një nga qëndrimet e SASE në fillimet e lëvizjes ishte që të bëhet i ri, por të ruajmë vetëm fasadën. Pra, ka nevojë për një qëndrim të qartë, për të ndarë të bardhën nga e zeza. Sepse nga njëra anë thonë rikonstruksion dhe nuk e shpjegojnë se ç’do të thotë rikonstruksion. Vazhdimisht është thënë se është një grup arkitektësh dhe ndërtuesish që thonë se rikonstruktohet, t’i dalin për zot fjalës së tyre, jo ne shesh, por në mënyrë zyrtare?! Të firmosin një raport se si mund të rikonstruktohet ky teatër. Ata 70 arkitektë që kanë firmosur listën e Aleancës, përse nuk e kthejnë në një tryezë. Çfarë e pengon Aleancën të zhvillojë një takim me arkitektë e ndërtues? Përveç dëgjesës me Erion Veliaj, kam kontaktuar privatisht me arkitektë dhe ata vetë mes tyre kanë një mendim të ndarë. Disa thonë që rikonstruksioni është i mundshëm, por ka edhe të tjerë që thonë që nuk është i mundur. Pra, as të vërtetën nga ana e teknikëve nuk e marrim dot të qartë. Për fat të keq, tani opinioni është i induktuar edhe nga qëndrimet politike.
Ju personalisht, çfarë mendoni, ç’duhet bërë me godinën?
Për sa më përket mua, është shumë e thjeshtë. Le të ngremë pyetjen: A ia vlen që për 100 vjetët e ardhshme t’u lëmë spektatorëve një sallë që u përgjigjet kërkesave të kohës, apo një sallë, që për hir të vlerave muzeale, të cilat po prevalojnë tani, duhet të qëndrojë ashtu si është pa parametra për një krijimtari bashkëkohore.
Përse të mos ngrihet një teatër i ri diku tjetër?
Po, edhe kjo mund të jetë si alternativë, por përse nuk merret pjesë në dëgjesa për të parashtruar alternativat? Që në dëgjesën e parë bëra thirrje që çështja të mos ndahet me taborre, por ndodhi që Aleanca refuzon dialogun, edhe pse kërkon dialog. Në çfarë kushtesh mund të zhvillohet dialogu? Le ta mësojmë se cila është alternativa e Aleancës? Është për rikonstruksionin e kësaj që kemi, ta mbajmë këtë në këmbë, apo ta rrafshojmë dhe ta ribëjmë në këtë formë që ka. Se meqë është kundër projektit korruptiv të danezit, atëherë për cilin variant është? Këdo që ka një mendim ndryshe, ata e sulmojnë me histeri.
Në deklarata më të hershme, ju jeni shprehur që nëse qeveria nuk ka para, le të presim kur t’i ketë e ta ndërtojë…
Ndërtimi i një teatri nga ana e qeverisë me paratë e veta është një alternativë, por duhet sqaruar nëse problemi është ideja për një teatër të ri apo formula. Unë e kam thënë që në krye të herës: Jam për teatër të ri dhe më kanë ftuar të jem pjesë e Aleancës apo SASE, duke e ditur qëndrimin tim. Keni kontaktuar më tej me Erion Veliaj? Nuk kemi kontaktuar më tej. Ai bëri publik në formën e marrëveshjes një bisedë, gjatë së cilës ramë dakord në 2-3 pika. Njësoj na zhgënjeu Aleanca. Ngriti një cunam ofendimesh mediatike dhe ky është një mëkat që ata duhet ta mbajnë dhe që kanë detyrim ta sqarojnë.
Një javë më parë, Parlamenti miratoi ligjin e posaçëm, që i hap udhë negociatave me privatin, duke ligjëruar kështu shembjen e godinës aktuale. Jeni dakord ju me këtë ligj?
Sa e kuptoj unë këtë ligj, ai hap rrugën për negociata mbi propozimin. Nuk kam asnjë mirëkuptim për akrobacitë e qeverisë me biznesin për përfitime në kurriz të Teatrit të Ri.
Më herët jeni shprehur kundër PPP-ve, ju duket kjo formula e duhur për të ndërtuar një teatër, që do të ndiqet më tej nga një seri kullash, që ngrihen bash mu në qendër të Qendrës Historike të kryeqytetit?
Kam qenë dhe jam i mendimit se Teatri i ri Kombëtar duhet ndërtuar me fondet e shtetit shqiptar.
Qartë dhe shqip: Jeni për një godinë të re aty ku ndodhet e vjetra apo ruajtjen e të vjetrit si një godinë-muzeale-historike dhe ngritjen e një godinë të re gjetiu?
Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati ta debatoj me këdo për këtë pikëpamje. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët. Ata që më lexojnë, le ta bëjnë vetë zgjedhjen që duan: Godinë muzeale apo teatër, ku shijohet maksimumi i magjisë së artit teatror në kushte bashkëkohore. Unë jetoj dhe marr frymë çdo sekondë të krijimtarisë sime me pakënaqësinë, se idetë e mia nuk paraqiten si duhet, sepse teatri që kemi, nuk i ofron mundësitë.
Pas gjithë atij “cunami”, siç e thatë edhe ju, që ju nxori si “të këqijtë” e çështjes, a ka diçka që mund të bëni për ta sqaruar këtë situatë?
Kjo intervistë është një mundësi dhe ju falënderoj për këtë. I ftoj kolegët e Aleancës, që kanë pak dinjitet dhe karakter, t’u tregojnë të vërtetën qytetarëve që i mbështesin, për gjendjen e Teatrit dhe “Marrëveshjen”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al