“E vërteta e dokumentit të SHBA për Mehmet Shehun agjent”- Zbulohet teksti i 1975 në Ambasadën amerikane në Argjentinë

Feb 26, 2022 | 14:46
SHPËRNDAJE

Mehmet Shehu agjent-amerikanAFRIM IMAJ/ Asnjëherë gjërat nuk mund të jenë aq të thjeshta dhe naive sa duken. Nuk mund të ishte i rastit as raporti amerikan i gjetur në arkivat e Ambasadës amerikane në Argjentinë, ku flitej për bashkëpunimin agjenturor të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ishte viti 1986, vetëm një vit pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Në librin e tij “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, autori Ylli Polovina na ndriçon se me të vërtetë nuk ka qenë i tillë.

Këtë e mbështet me një sërë pohimesh të pasuesit të Hoxhës, Ramiz Alisë dhe mbi mënyrën se si ky dokument i siguruar nga ambasadori shqiptar në Buenos Aires, Piro Andoni, u shfrytëzua në Kongresin e famshëm të Trashëgimisë. Me pëlqimin e autorit kemi përzgjedhur nga ky libër pikërisht këtë pjesë. Cili ishte dokumenti i famshëm i dalë nga Ambasada amerikane në Argjentinë dhe si u përdor ai nga Ramiz Alia.

PJESË NGA LIBRI

…Këtë herë për ta ritakuar e telefonoi vetë Farranin. Nga e papritura ky e la habinë t’i dukej e gjitha në zërin e emocionuar. “Ok”, u përgjigj, “Jam gati”. U ulën në kafen afër Ambasadës, por jo në qoshen e tyre të pëlqyer. E kishin zënë të tjerë. Ambasadori i kërkoi menjëherë nëse e kishte të mundur t’i afrohej vetë Mendesit dhe jo të priste çfarë do të bënte ai. Hernando tundi kokën me një buzagaz të çelët. “Avitu tek ai jo vrullshëm”, vijoi diplomati i parë i Shqipërisë në Argjentinë. Farrani dëgjonte sërish buzagaz, përherë duke tundur kokën.
-Kërkoji qoftë edhe dy-tri fjalë mbi përmbajtjen e dokumentit,- vazhdoi ambasadori. Hernando vetëm e dëgjonte.|
-Sidoqoftë, nguli këmbë diplomati shqiptar, nëse amerikani do të kërkojë ca kohë për ta hedhur këtë hap, pranoje. Tashmë Farranit i përndritnin sytë. -Do të bëj të pamundurën,- premtoi. Ambasadori deshi t’i merrte dorën e t’ia shtrëngonte fort, por ajo qe larg, matanë syprinës së tavolinës, tek dridhej lehtas nga emocioni. -Po sikur…, rinisi Hernando, -Po sikur… -Çfarë?- pyeti tjetri.
-Po sikur t’i kërkoj Mendesit të ma sigurojë fizikisht atë dokument, pra një kopje të origjinalit? Ambasadorit shqiptar iu përplasën në mendje njëherësh dëshira për t’ia miratuar dhe mohuar idenë. Në përgjigje shtegun e gjeti fjala “ndoshta”, por as ajo nuk doli.
-Tani për tani është shumë, – nisi të sqaronte, – Të paktën në fillim duhet të kërkojmë pak. Ai e ka lexuar materialin, le të të thotë cili është thelbi i tij, emri i udhëheqësit agjent dhe çfarë do të synonte misioni i tij kundër Enver Hoxhës”. Farrani tundi kokën “Dakord, dakord”-Sepse, po të veprojmë ndryshe, – vazhdoi ambasadori, – druhem se ai do të trembet dhe kështu tërhiqet. Ose hyn në ndonjë lojë me eprorët e tij dhe na vënë në dorë ndonjë lëndë false. Kjo mund të na sjellë e shkaktojë dëme në Shqipëri, sepse nuk përjashtohet që materiali i pavërtetë të jetë ndërtuar për të ndikuar e hyrë në punët tona të brendshme.
-Ju kuptoj, ju kuptoj, – pohonte herë pas here Hernando Farrani. Diplomati i parë i Tiranës në Argjentinë donte ta vijonte edhe më tej arsyetimin, t’i thoshte mikut të vendit të tij se një dokument i sajuar për të destabilizuar udhëheqjen, për ta përçarë unitetin e saj, për të hedhur hije mbi këtë apo atë anëtar, do të ishte shumë i rrezikshëm.

Ca më tepër, po të qe se Mendes do të servirte një gjoja material konspirativ kundër Sekretarit të Parë të Partisë, shokut Ramiz Alia. Por, asnjë nga këto mendime nuk i derdhi dhe ngurtësoi në fjalë. U ndanë për t’u takuar në çastin kur Farrani do të kishte rezultatin e parë. Ky e telefonoi pas katër ditësh. E lanë takimin në një restorant. Ishte drekë. Qerasjen e bëri argjentinasi.
-Piva një birrë me Mendes, – shpjegoi sapo u ulën në një tryezë shumë të veçuar nga pjesa kryesore e sallës. -Por nuk ia hapa bisedën. As ai. Tek pa që ambasadori shqiptar priste më shumë, shtoi “Por e lamë që të ritakohemi. Ofertën e bëri ai”.
-Shkëlqyeshëm, – brofi tjetri. Drekën e hëngrën me shije dhe u ndanë gjer në lajmin e dytë. Farrani i bëri një telefon në fund të javës. Takimi i ri me Mendesin pat kaluar shumë mirë, veç as ai dhe as amerikani sërish nuk e kishin prekur çështjen e dokumentit sekret. Telefonatën tjetër e kreu pas dhjetë ditësh. Ia kishte dalë.

Ia kishte rikujtuar Mendesit se dikur i kishte dhënë një lajm, por edhe një premtim. Që atëherë, megjithëse qe përpjekur shumë ta shuante, e pat ngacmuar mjaft ndjenja e kureshtisë.

Enver Hoxha Mehmet Shehu

A nuk mund t’i thoshte ndonjë gjë më të plotë nga brendia e dokumentit sekret? Bashkëkombësi që punonte në Ambasadën amerikane nuk pati ngurruar, por i kishte pohuar se udhëheqësi i rëndësishëm i shtetit shqiptar, i vënë në shërbim të CIA-s, në atë material nuk kishte emër, por një kod. Ai kishte marrë përsipër likuidimin fizik të Enver Hoxhës dhe ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, duke e bërë atë të ngjashëm me modelin jugosllav. Në rast se ky plan bashkëpunimi mes tij dhe shërbimit të fshehtë amerikan për jashtë do të dështonte, atëherë në dokument parashikohej marrja në mbrojtje dhe, për të vazhduar jetën në emigrim, prej autoriteteve të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të shpërblehej me tre milionë dollarë.
-Bravo!- thirri ambasadori. Nga padurimi nuk e kishin bërë ende porosinë për kafe. Lokali ku qenë ulur qe shumë larg Ambasadës, gati një orë me makinë.

“Tani na duhet vetë dokumenti”, i tha Farranit. “E di”, u përgjigj ky, “Këtë do ta bëj me doemos”. Radiogrami që nisi drejt Tiranës e solli në Buones Aires përgjigjen me një frymë. Ishte vetëm një urdhër i prerë: “Duhet siguruar me çdo kusht një kopje e dokumentit sekret dhe sa më parë transportuar për në Shqipëri!” Nuk kishte asnjë fjalë përgëzuese për çfarë qe kryer deri ato çaste. Ambasadorit iu kujtua fjala valle.

Iu duk vetja i futur dhe i ngecur në rrethin e saj. Qe një fjalë goje të thoshe “sigurojeni dokumentin”, por kjo ishte më e vështira, ndoshta edhe më e pamundura, mbase edhe vetë gracka e ndonjë loje spiunazhi. Mirëpo, të mos shtihej ai në dorë në Tiranë jo vetëm do ta shihnin si të pazotin, por edhe si njeri që merrej me fjalë dhe, për pasojë, ngatërrestar. Për herë të parë ankthi iu bë pezëm. Ndodhej nën një shtypje të fortë. Nga njëra rrinte udhëheqësi më i lartë i partisë dhe shtetit të tij dhe nga tjetra vetë agjentura më e ashpër kundër komunizmit, CIA.

Informacioni i radhës që erdhi nga Hernando Farrani thoshte se Mendes nuk mund ta merrte dot përsipër një kopje të dokumentit top sekret. “Kjo ishte tepër”, kishte thënë, “Le ta linin me kaq”. Ambasadori ndjeu t’i uturinte diçka në veshë dhe e kuptoi qe ishte një ngritje e beftë tensioni. “Mos u dorëzo!”, i thirri vetes. Ia përsëriti të njëjtën gjë edhe Farranit. Ky dukej akoma entuziast. “Do t’ia dalim një ditë!”, siguroi. Kapërceu me maraz e ankth një gjysmë muaji të tërë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ambasadori u takua me mikun argjentinas rregullisht, duke këmbëngulur mosngutje. Kur një paradite Farrani me një zë të ngazëllyer dhe plot nënkuptim i tha në telefon se po ato çaste qe nisur t’i vinte në zyrë, u kuptua që operacioni kishte përfunduar me sukses. E priti tek shkallët e Ambasadës. Sapo Hernando kapërceu portën dhe hyri në oborr, bëri një shenjë të ngjashme me fjalët “Këtu e kam”. Kur hynë në zyrë dhe u mbyllën në të, ajo që Farrani i lëshoi në dorë qe një trefaqësh. Ishte i shkruar në gjuhën spanjolle.

Diplomati i parë e përpiu me sy. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Buenos Aires – Argjentinë Përkthim i teletekstit nr. 321- 40-60, nëntor 1975. Objekti: Për t’u vendosur në bibliotekën e Ambasadës. Shumë sekret. Vetëm për njohje të zotit ambasador. Çështja: Shqipëria. Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit. Propozon të veprojë kështu: Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet, sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit.

Miku ynë e konsideron plotësisht të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet e Perëndimit më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e saj (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit, që hap kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3-5 vjetësh, duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t’i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3.000.000 dollarë amerikanë. Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjitha llojet e krimeve që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen: Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar që, derisa të kryhen veprimet, të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij.
Në rast të kundërt, mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’u jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi”. Një vëzhgim më nga afër i asaj që ka ndodhur mund të na nxjerrë më pranë një hipoteze reale, po ta nisim vëzhgimin jo nga Buones Airesi, por nga Tirana. Saktësisht nga Ramiz Alia, numri një i pushtetit në atë vjeshtë 1986. Nga 2004 deri në 2010, pra për gjashtë vite rresht, mes mjaft intervistave ai ka kryer bashkëbisedime publike me tre gazetarë. Në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”, prill 2004, pyetjes së Blendi Fevziut “Ju vetë besuat se ai kishte qenë agjent?” Alia iu përgjigj “Dokumentet që unë kam parë me sytë e mi, thonë që është.

Ylli Polovina

Më 1987-n kam marrë personalisht një letër nga Argjentina, që e dërgonte një amerikan ku thoshte se ato dokumente janë të sakta. Pra, dokumentet thonë se ky ishte. Më tej, ndonjë fakt a ndonjë dokument që të vërtetojë saktësinë e tyre nuk ka. Marrim anën tjetër. Enver Hoxha dhe Hysni Kapo këto dokumente i panë në vitin 1964 dhe i mbyllën, sepse ata nuk konstatuan se Mehmeti kishte bërë ndonjë gjë deri në atë moment”. Duke anashkaluar pasaktësinë që Ramiz Alia kryen, duke e zhvendosur ngjarjen me një vit, çka nuk duhet të jetë gabim i natyrshëm kujtese dhe se nuk është e njëjta gjë po të ketë ndodhur në vitin 1986 apo 1987, mbetet interesant pohimi i tij se ai ka parë dokumente që thonë (jo dëshmojnë) se Mehmet Shehu është agjent. Ndërkohë, materiali që i erdhi nga Buones Aires nuk ishte letër e një amerikani, por dokument i rrëmbyer nga Arkiva e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë mëtojmë se pasaktësia e Alisë, e dyta në përgjigjen e shkurtër të tij, nuk është çështje e memories fizike, por mosthënie e qëllimtë.

Po ashtu, çfarë i erdhi në dorë, e kishte kërkuar vetë me kohë, sepse çfarë premtonte argjentinasi Farrani dhe i raportonte nga Argjentina, ambasadori edhe mund ta kishte braktisur që në fillim. Dy vite më pas, nga çfarë pohoi në emisionin “Opinion”, në 2006-n, në revistën “ABC”, pyetjes së Mentor Nazarkos “I qëndroni ju sot, pas 25 viteve, akuzave që ai ka qenë agjent i jugosllavëve, amerikanëve, rusëve etj.?” Alia i dha këtë përgjigje: “Vetëvrasja e Mehmetit e komplikoi problemin, pasi lindi pyetja përse e bëri këtë. Pse vrau veten? Ishte pikërisht kjo pse.

Mua, kur më njoftuan për vrasjen e Mehmetit, kam shkuar te Enveri për ta lajmëruar. Gjëja e parë që tha Enveri: Po pse vrau veten? I bëri pyetje vetes. Nuk deshi përgjigje nga unë. Pra, lindi kjo pyetje. E më vonë, pas një apo dy ditësh, në zyrën e Enverit, ai më bëri një pyetje: I ke parë ti ato dokumente që na kanë ardhur në vitin 1964 për Mehmetin? Unë nuk kisha parë gjë dhe i thashë: Jo, nuk di gjë. U ngrit, ishin në kasafortën e Hysni Kapos që kishte vdekur në atë kohë. Kasafortën e Hysniut e mbante Enveri në kasafortën e tij. E hapi atë kasafortë dhe më dha një zarf me kartela, të cilat ishin kartela të zbulimit të huaj. Autentike apo jo, unë nuk them dot gjë. Fakt është që ato i kishin parë në vitin 1964 Enveri dhe Hysniu, vetëm këta të dy, e kishin arritur në përfundimin se ky është një provokacion që na bëjnë rusët për të na ndarë me Mehmetin.

E, për këtë arsye, e kishin mbyllur për rreth 17 vjet (1964-1981). Meqenëse Mehmeti vrau veten, Enveri nisi të besojë se këto janë të vërteta. Unë nuk them dot gjë për këto dokumente. Të them të drejtën, kur i lexova, të dukej se kishe të bëje me një agjent të tyre të Intelligence Service. Në ishin apo jo të vërteta, nuk them dot gjë. Në vitin 1987, në Ambasadën tonë në Argjentinë, një amerikan dorëzon një letër, ku thuhej se “ato dokumente që ju janë dhënë në vitin 1964, janë të vërteta”. Pra, kur kishte vdekur edhe Mehmeti, edhe Enveri. Unë e kam parë atë dokument, ia kam lexuar Komitetit Qendror të Partisë…”

Menjëherë gazetari Nazarko i bëhet intim. “Po me zemër?”, e pyet. Ramiz Alia nuk ngurron dhe i bën këtë deklaratë të afërt me ndjenjën e sinqeritetit: “Me zemër them këtë: Po të kishte qenë Mehmeti i tillë që nga viti 1942-43, kohë kur ishte në kampin e përqendrimit, deri në vitin 1981 kur vrau veten, i thonë 40 vjet. Çfarë ka pritur? Ishte në krye të vendit. Po të ishte agjent i amerikanëve apo i anglezëve, çfarë donin më tepër ata për ta shtruar Shqipërinë?! Mehmeti do të kishte vepruar. Por deri atëherë s’ka vepruar. Domethënë, kur them vepruar, një agjent i atij niveli bën përmbysje. Nuk thotë ai: Ky është kështu e ky është ashtu. Muhabet kot.

Pra, ai një veprim të tillë nuk e bëri. E ka pasur raste të shumta, si për shembull në kohën e prishjes me sovjetikët. Nga kjo pikëpamje, janë të dyshimta konkluzionet mbi atë çështje”. Pak kohë pasi kishte paraqitur në publik librin e tij “Jeta ime”, në 5 qershor 2010 në televizionin “Ora News”, pyetjes së Alfred Pezës “Ju edhe sot mendoni që Mehmet Shehu ishte një poliagjent?”! Alia iu përgjigj me arsyetimin “Ah, ky është një tjetër problem. Ky problem është tjetër. Për sa i përket asaj që thuhet për Mehmetin, unë për vete personalisht nuk kam ditur se çfarë dokumentesh kishte. Pasi u vra Mehmet Shehu, mua më thirri në zyrë Enver Hoxha dhe më pyeti “Je ti në dijeni të atyre dokumenteve që na kanë ardhur në 1964-n nga Vjena lidhur me Mehmet Shehun?” Unë me të vërtetë nuk dija gjë dhe i thashë “Jo, nuk jam dijeni”.

Më tha që “Kanë ardhur atëherë disa dokumente me të cilat tregohej se Mehmet Shehu ishte agjent i anglezëve, por unë dhe Hysniu i lexuam, i pamë, por konkluduam që mund të ishte një provokacion i rusëve për të na përçarë”. Gazetari intervistues menjëherë i pasoi ish-Presidentit pyetjen shpuese “I kishte sjellë Ambasada jonë, ku i kishte marrë?” Ramiz Alia: “I kishte dorëzuar një X njeri, i panjohur, pa emër. Enveri u ngrit nga tavolina e tij, shkoi në kasafortën e Hysniut, që kishte vdekur, nga atje i nxori këto dokumente dhe m’i dha mua.

“Shikoji!”, tha. Unë i pashë një e nga një, skeda anglisht ishin të tëra. Me porosi të tij i mora dhe i çova për përkthim. Peza: “Këto ishin materiale të shkruara në mënyrë të thjeshtë, apo ishin dokumente komprometuese që Mehmet Shehu kishte firmosur diçka ose…?” Alia: “Jo s’kishte firmosur, ato ishin skeda, ku Mehmet Shehu pretendohej të ishte agjent. Më vonë, në 1987-n, ambasadori ynë në Argjentinë merr nga një njeri prapë, një amerikan, një letër, në të cilën thotë se dokumentet që u janë dhënë ju në Vjenë janë të sakta. Ky ambasador në atë kohë dërgoi një letër për Komitetin Qendror të Partisë. Unë e kam marrë atë letër, në mbledhjen e parë, në fund të mbledhjes, ua kam lexuar anëtarëve. U thashë që “Po ua lexoj këtë letër”.

Thashë “Unë nuk dua asnjë koment, asnjë diskutim, thjesht ua lexova për dijeni dhe kjo letër të futet në arkiv”. Duhet të jetë në Arkivin e Shtetit. Pse unë nuk kërkova diskutim? Sepse janë diskutime në erë”. Por Alfred Peza ngulmon t’i shkojë të vërtetës gjer në fund dhe nuk i kurseu ish-Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës këtë pyetje shumë të drejtpërdrejtë: “Ju mos e lexuat me qëllimin që t’u mbushnit mendjen shokëve tuaj të Byrosë se Mehmet Shehu ka qenë agjent dhe unë meritoja të isha pasardhësi i Enver Hoxhës?” Përgjigjia e Ramiz Alisë është një shembull i kapjes në befasi: “Jo, jo, s’kam të atilla punëra.

Unë e lexova se erdhi, se po ta kisha futur në sirtar… po të mos e kisha lexuar unë sot do të ngriheshin të gjithë dhe do të thoshin “Pse e ke fshehur?” “Vërteton kjo realisht që Mehmet Shehu ka qenë agjent?”, bën kokëfortin gazetari dhe bashkë me të gjithë sa intervistën e ndiqnin në televizion atë 5 qershor 2010 dhe të nesërmen të zbardhur nga shumica e të përditshmeve, mori nga Alia këto fjalë “Unë them këtë gjë në libër, që këto janë lexuar, janë të shkruara, por a janë të vërteta, askush s’e thotë dot. Nuk ka asnjë dokument që të thotë se këto janë të vërteta. Çfarë do të thotë të thuash që janë të vërteta? Ato janë, X-i bëri këtë, takojeni filanin, merrni të dhëna nga filani. Unë mund të them sa të duash. Derisa nuk ka ndonjë dokument që ky ka qenë, ma vërtetoi, tani s’them dot. Nëse më bën mua pyetjen a ka qenë… Unë të them s’di gjë, s’mund të them që ka qenë apo s’ka qenë. S’kam asnjë dokument”.
VIJON….

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura