“Edhe të vdekur duhej t’i plotësonin vitet e dënimit”- Pse u pushkatua inxhinieri i naftës Milto Gjikopulli? Rrëfimi i të birit: Pas 34 vitesh jemi në kërkim të eshtrave

Jul 5, 2024 | 13:51
SHPËRNDAJE

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi fondin arkivor të degës së Sigurimit të Naftës dhe zhvilloi simpoziumin shkencor: “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit 1944-1991”.

ee

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Studiues të historisë, ekonomisë dhe jurisprudencës, profesorë dhe inxhinierë të naftës, dëshmitarë të kohës, familjarë sollën fakte dhe studime që hodhën dritë mbi zhvillimit të sektorit të naftës në Shqipëri gjatë periudhës 1945 – 1991, dokumentimin e represionit të Partisë së Punës ndaj shkencës, fatin tragjik të gjeologëve e shkencëtarëve si: Stanisllav Zuber, Riza Alizoti, Thoma Pojani, Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari etj..

Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Një pjesë e tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan dhe trupat e tyre janë ende sot të pagjetur. Kryetarja e AIDSSH, dr. Gentiana Sula në fjalën e saj tha se “diktatura pa dhunën, ideologjinë dhe politizimin ekstrem është e paqëndrueshme. Por dhe prodhimi, pa të drejtat njerëzore të stafit teknik rezultoi po ashtu i paqëndrueshëm”.

“Nëpërmjet çeljes së arkivës dokumentare si dhe studimit të tyre nga ekspertë të historisë dhe shkencës së gjeologjisë japim sot një kontribut të pazëvendësueshëm në ndriçimin e skutave të errëta të Sigurimit të Shtetit, që me hetimet, persekutimet e ekzekutimet famëkeqe turpëruan çdo ndjenjë humane dhe futën në ngërç zhvillimin e sektorit të naftës në Shqipëri”, – tha Sula. Jovan Plaku, djali i inxhinierit të pushkatuar Koço Plaku, ende sot i zhdukur, tha se “sot, di të them që të gjitha këto dosje, kanë vlerë të mirëfilltë studimore, sepse ato zbulojnë jo vetëm shkallën e persekutimit, por zbulojnë në përmasë të plotë edhe djallëzinë dhe perversitetin e shërbëtorëve të regjimit në ekzekutimin e këtij persekutimi”.

6e2b271f-2c8a-4603-b4e9-1d611707346b
Agim Gjikopulli dhe Jovan Plaku, djemtë e dy inxhinierëve të pushkatuar

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mizoria e diktaturës si regjim, mund të tejkalohet vetëm nga një mizori tjetër, mizoria e ekzekutorëve të regjimit, çnjerëzorë pa kufij dhe të pashtershëm në ligësi”, tha Plaku. Agim Gjikopulli, djali i inxhinierin Milto Gjikopulli, pushkatuar, ende i pagjetur, tha se “shteti që duhet të kërkonte ndjesën familjeve, ndaj njerëzve të shkatërruar. Duhet të ishte shteti sot që të jepte llogari se ku janë. Kemi 34 vjet bashkë me Jovanin që kemi kërkuar privatisht, jemi gjykuar që kemi kërkuar privatisht. Jemi arrestuar se kemi kërkuar eshtrat e prindërve tanë”. Dr. Alda Biçoku, albanologe dhe e reja e akademik prof. Teki Biçokut, përcolli fakte historike nga puna e akademikut dhe qëndresa e tij në burgje.

“Ai nuk pranoi të dilte dëshmitar në gjyqin e ministrit të tij, Koço Theodhosi. E izoluan 18 muaj dhe e dënuan me 20 vjet burg”, – tha Biçoku. Dëshmia e saj pasuron me fakte procesin e të pagjeturve, të vdekur në burgje. “Si shkrues për drejtuesit e Burgut, Teki Biçoku regjistronte edhe emrat e atyre që vdisnin dhe fshehurazi u vendoste pranë trupit një shishe të vogël me emrat e tyre brenda saj. Kufomat e të burgosurve nuk u dorëzoheshin familjeve, sepse edhe të vdekur duhej t’i plotësonin në varrezat e burgut vitet e dënimit. Statistikat e sipërpërmendura dhe emrat e të vdekurve nëpër shishe u konsideruan si veprime të palejueshme, prandaj u dërgua në një burg tjetër”.

Kujtime të dhimbshme nga fëmijëria e saj solli edhe Kozeta Bushati, vajza e Beqir Alisë, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës, kriza e indetitetit dhe nevoja për të kuptuar se cili ishte faji i babait i ndryshuan asaj jetën. Po kështu edhe Nezi Alizoti, e bija e inxhinierit Riza Alizotit, dënuar me varje në vitin 1947, kujtoi sakrificat e të atit për t’i shërbyer vendit edhe pse me mundësi për vijuar karrierën në Angli, ku kishte kryer studimet. Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH, në studimin e tij mbi statistikat e përndjekjes në sektorin e naftës solli fakte të panjohura më parë për publikun. Prof. dr. Nevton Kodhelaj, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, foli mbi zhvillimin e Sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit në Shqipëri dhe dhunës së pushtetit mbi gjeologët. Ilia Gjermani, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës në kumtesën e tij mbi kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri, bëri një paraqitje mbi historikun e këtij aktiviteti.

Ndërsa dr. Ermal Frashëri tha se “ky simpozium shërben si një platformë për të vijuar studimet mbi sektorin e naftës, një nga mendimet që unë do sugjeroja është avancimi i kërkimeve mbi rolin që ka pasur nafta në ekonomin shqiptare, mënyra si u formua ajo si industri, sepse ka shumë për të mësuar nga kujtime të naftëtarëve të inxhinierëve, punëtorëve të sektorit dhe ka plot gjëra për të avancuar lidhur me mënyrën se si është qeverisur sektori naftës, mënyra se si është ngritur ai si sektor”. Në mbyllje të takimit, Sula theksoi se “gjithë kjo dramë, gjithë ky kalvar vuajtjesh të pamerituara, ky potencial njerëzor i shkuar dëm nga 1947 deri në 1990, meriton një përmendore në Fier dhe ky është një projekt që duam ta vijojmë me Bashkinë e qytetit dhe Albpetrolin”.

“Do të avancojmë më tej punën në drejtim të përmbushjes së misionit për trupat e pagjetur duke marrë vendimin për të filluar hetime administrative për trupat e inxhinierëve të zhdukur. Do bëjmë çmos të kërkohet në mënyrë intensive të mbërrihet deri tek gjetja e këtyre trupave, duke i qëndruar pranë familjarëve në të drejtën për pasur një vendprehje për njerëzit e tyre”, – tha Sula.

d077366a-6efd-41b6-a99a-1afa360d0051

*******

Procesi ndaj tyre në vitin 1976, cilët ishin dhe si i dënuan inxhinierët e naftës

Ishte një sektor jetik për ekonominë, por edhe aty ku dilnin tonelata me naftë, u gjetën armiq dhe sabotatorë. Aq sa edhe shprehja “nëse nuk del naftë, me siguri ka grup armiqësor”, shkon enkas për këtë proces, që në vitin 1976 kryqëzoi tetë inxhinierë të njohur të naftës, duke u dënuar me pushkatim dhe me mbi dekada burg. Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesi, mes trysnisë dhe torturave, dolën para gjyqit Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari.

Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Ishte një proces i nxitur pas shumë letrash anonime, mbledhjesh të përfaqësuesve të Byrosë Politike dhe një pune me plot shpifje nga ana e Sigurimit të Shtetit. Procesi ndaj tyre nisi më datën 11.06.1976 në Gjykatën e Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Në seancën hapëse thuhet: Sot më datë 11.06.1976 nisi procesi gjyqësor me kryetare seance Eleni Selenica, zv.kryetare e Gjykatës së Lartë, me ndihmësgjyqtarë: Mitat Goskova, Fehmi Legreta, të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e zv.prokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara.

Kjo gjykatë mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale nr.12, që u përket të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar në bazë të nenit 72, në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal. Kryetarja çel seancën dhe njofton çështjen që do të shqyrtohet. Thirren të pandehurit dhe u merret identiteti.

1-Filip Nashi, i biri Apostolit dhe i Aretisë, i dtl. 1923, lindur në katundin Shepër të rrethit Gjirokastër, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i DPN-së, me arsim të lartë, i martuar, ka 5 fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban medaljet e Kujtimit, Trimërisë, Çlirimit, Urdhrin e Trimërisë, 2 urdhra pune Klasi i dytë dhe Urdhrin e Flamurit Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

2-Beqir Alia, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i dtl. 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i Institutit të Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar me parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

3-Koço Plaku, i biri i Josifit dhe i Kostandinës, i dtl. 1929, lindur në katundin Hoçisht të Rrethit Korçë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, shef i kabinetit në Institutin e Naftës Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ishanëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban dy medalje pune dhe Urdhrin e Punës Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

4-Protoko Murati, i biri i Avniut dhe i Xhevrijes, i dtl. 1929, lindur në katundin Klos të Fierit, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë shef i sektorit të gjeologjisë në Institutin e Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban 2 Urdhra Pune Klasi i dytë dhe një Urdhër Pune Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

5-Milto Gjikopulli: I biri i Vasilit dhe i Jorgjisë, i dtl. 1938, lindur në Dhërmi të Vlorës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, në Institutin e Naftës dhe Gazit në Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i padënuar më parë, mban Urdhrin e punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

6-Dhimitër Stefa, i biri i Nikollës dhe i Vasillos, i dtl. 1934, lindur në katundin Grazhdan të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, ish-përgjegjës i grupit të Kurveleshit, me kombësi minoritare greke, me Shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, mban dy medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

7-Jani Konomi, i biri i Agustinit dhe i Elenit, i dtl. 1934, lindur në katundin Krongji të rrethit Sarandë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog në nxjerrjen e naftës, drejtor i nxjerrjes së naftës në D.P.N. me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, mban dy Urdhra Pune Klasi i tretë dhe një medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975.

a6531566-10a3-4bad-8ebd-c300c44f36ff d631aed1-ab88-4e36-bac0-e94ac3693269 e440a6b7-21d8-4108-9afb-eedf8fb5a92c e5ae170a-bd47-42b2-8e93-ea54a9955295 4551a252-fbcb-4a93-acf6-a6d839d6c16c

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura