Edukimi fetar në Shqipëri, i domosdoshëm!

Apr 14, 2016 | 12:15
SHPËRNDAJE

klodian radoKLODIAN RADO*

Ditët e fundit, një debat publik interesant ka rrëmbyer me të drejtë vëmendjen e publikut, ai i futjes së edukimi fetar nëpër shkollat publike. Iniciues i këtij debati ishte deklarata e para disa ditëve e Kryeministrit Rama, i cili deklaroi publikisht idenë se në shkollat publike shqiptare duhet të futet mësimi i kulturave fetare. Menjëherë në median tradicionale e elektronike u shfaqen mendime pro e kundër, por, për fat të keq, mediat tradicionale kanë publikuar kryesisht vetëm opinionet kundër këtij projekti.

Me anë të kësaj analize, unë do të përpiqem të rendit disa argumente të rëndësishme, se përse ideja e Kryeministrit Rama, jo vetëm që duhet përshëndetur e përkrahur, por edhe duhet menduar thellë rreth saj nga ekspertë të fushës, përpara se të shikojë dritën e realitetit. Ja disa nga argumentet në favor të saj. Argumenti i parë është kushtetues.

Ka një prezumim të gabuar, që zakonisht vjen nga njerëz që natyrisht nuk janë ekspertë të së drejtës kushtetuese, se futja e mësimit fetar në shkollat publike do të binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Si ekspert i së drejtës kushtetuese, sigurisht që e përshëndes çfarëdo argumenti e argumentuesi që kujtohet se Shqipëria ka një Kushtetutë, e cila është akti më i lartë juridik i vendit, e që duhet respektuar nga të gjithë.

Megjithatë, në këtë rast, me keqardhje më duhet t’i siguroj të gjithë mbështetësit e këtij argumenti se janë tërësisht të pasaktë. Kushtetuta e Shqipërisë nuk e ndalon mësimin rreth besimeve fetare në shkollat publike. Përkundrazi ka një frymë krejt tjetër.

Në Kushtetutë, madje që në Preambul (pjesa hyrëse) të saj, populli (si autor substancial i saj) deklaron hapur se ka “bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit” dhe këtë e bën “me besim te Zoti dhe/ ose te vlera të tjera universale”. Akoma më tej, sado surprizë që mund t’u duket disave, përfshirë edhe atyre që mendojnë se e njohin Kushtetutën shqiptare, togfjalëshi “shtet laik” apo fjala “laik” nuk përmendet asnjëherë të vetme në tekstin e saj.

E aq më pak, fjala “ateist”. Kushtetuta, në frymën dhe shkronjën e saj garantojnë lirinë themelore të ndërgjegjes dhe të fesë (Neni 24), dhe sanksionon se Shqipëria ka përqafuar një model ku raporti midis shtetit dhe bashkësive fetare bazohet mbi parimin e “ndarjes dhe asnjanësisë” së tyre (Neni 10).

Kjo do të thotë se: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”; “Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike”; dhe “Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellët pavar- ësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve” (Neni 24).

Siç shikohet, as fryma e as shkronja e Kushtetutës nuk pengojnë që shkollat publike të edukojnë të rinjtë shqiptarë me informacion të ekuilibruar e të shëndetshëm mbi besimet fetare kryesore të Shqipërisë, e madje të botës. Përkundrazi, sipas Kushtetutës shqiptare “kushdo ka të drejtë për arsimim” (neni 57), dhe ky arsimim, ashtu si në shumicën e vendeve të përparuara, nuk përjashton përfshirjen e edukimit fetar.

Përjashtimi i edukimit fetar nga shkollat shqiptare do t’i shkonte më shumë për shtat Kushtetutës së vitit 1976, e cila në Nenin 37 urdhëronte se: “Shteti nuk njeh asnjë fe në asnjë mënyrë, si dhe mbështet propagandën ateiste…”.

Argumenti i dytë është etik e shkencor. Fëmijët e rinia shqiptare kanë nevojë që të mësojnë në shkolla publike se bota që na rrethon funksionon mbi ligje e parime universale, morale e etike, të cilat janë themeli i suksesit për ndërtimin e personalitetit njerëzor, apo për ngritjen e raporteve të shëndetshme brenda familjes, shoqërisë apo institucioneve.

Botëkuptimi tërësisht materialist që ka “mbërthyer” shoqërinë shqiptare, sidomos brezin më të ri të saj, me siguri që do të përmirësohej nëse do t’i ofroheshin edhe botëkuptime që janë përtej filozofive të dhunës me qëllim mbijetesën e më të fortit, materializmit, apo darvinizmit social.

Edhe shkencërisht, do të ishte shumë më e dobishme që fëmijëve e të rinjve shqiptarë t’u ofrohet mundësia që të kenë një kurrikul mësimore, e cila nuk është e frymëzuar vetëm nga teoritë ideologjike si “darvinizmin”, “ateizmi” apo “shkencizmi” (sistem besimi që mohon ekzistencën e Zotit duke e servirur si shkencë); por edhe nga “etika”, “morali”, e “besimi fetar”. Argumenti i tretë është krahasimor.

Me futjen e edukimit fetar në shkollat publike, Shqipëria do të shkëputej nga e shkuara e saj e errët “ateisto-komuniste” e Kushtetutës së 1976, dhe do t’u bashkohej shteteve më përparimtare të globit, si: SHBA-të, Kanadaja, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Australia etj.

Vendosjen e detyruar apo opsionale të edukimit fetar në shkollat publike, këto shtete e kanë vendosur jo nga rastësia, por bazuar mbi studime shkencore të thella e të mirëfillta që provojnë se edukimi fetar në shkolla publike është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Në shumicën e vendeve që kanë përfshirë edukimin fetar, ekzistenca dhe mundësia për t’u ofruar është e detyruar në të gjitha shkollat publike fillore dhe/ose të mesme, ndërkohë që regjistrimi në këtë lëndë mund të lihet në zgjedhje të fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Nga studimi i programeve të tyre, mund të shikohet lehtë se të gjitha këto vende e trajtojnë çështjen e moralitetit, etikës, dhe fesë me një vë- mendje mjaft të veçantë. Së fundi, por jo për nga rëndësia, edhe statistikat e censusist të fundit të Shqipërisë tregojnë se futja e edukimit fetar në shkollat publike do të ishte hapi i duhur. Sipas censusit të vitit 2011, më shumë se 85% e popullsisë shqiptare e karakterizoi veten si “besimtarë”, ndërkohë që vetëm 2,52% u deklaruan si “ateistë” dhe rreth 13% nuk u përgjigjën.

Çfarëdo institucioni politikëbërës që shqyrton të tilla të dhëna statistikore, sado marzh gabimi njerëzor të kenë, arrin në përfundimin që shoqëria shqiptarë do ta mirëpriste një nismë të tillë. Do të ishte vetëm e drejtë që fëmijët e 85% të taksapaguesve shqiptarë që e deklaruan veten si besimtarë në Zot, nëse do të dëshironin, të kishin mundësinë që në shkollat e financuara me para publike, t’u mësojnë fëmijëve të tyre edhe edukimin fetar.

Sigurisht, procedura, modalitetet, apo substanca për kthimin në realitet të një nisme të tillë meriton angazhim serioz dhe përfshirjen e mjaft aktorëve, me qëllim për ta kthyer në katalizator pozitiv për shoqërinë shqiptare. Në konkluzion, fëmijët e të rinjtë shqiptarë kanë të drejtën e edukimit, e cila përfshin edhe atë fetar, e ne si shoqëri nuk mund t’ua mohojmë atë. Në botën moderne e të globalizuar që po jetojmë, shkollat publike e kanë mision thelbësor që t’u mësojnë fëmijëve e të rinjve si të bashkëjetojnë në diversitet në një shoqëri demokratike, e të kuptojnë më mirë pikëpamjet e të tjerëve.

Feja e parimet e saj janë pa dyshim pjesë themelore e historisë, filozofisë, ligjit, etikës, moralit, kulturës, e madje edhe e shkencave ekzakte, e si e tillë, janë çelës për të kuptuar më mirë jo vetëm veten, por edhe të tjerët rreth nesh, e si e tillë, nuk mund e nuk duhet lënë kurrsesi jashtë kurrikulës së edukimit.

*Ish-gjyqtar, ekspert kushtetues e pedagog i të drejtave të njeriut, York University, Kanada

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura