Artan Shyti është një nga profesorët e njohur që e njeh shumë mirë sportin në Shqipëri, por edhe ësh të gjithmonë i përditësuar me zhvillimet sportive në vend. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai analizon të gjithë situatën që është krijuar këtë kohë, në prag të zgjedhjeve për postin e presidentit të FSHF-së. Sipas Shytit, me gjithë këto kontestime, ekziston një anomali që duhet zgjidhur nga një palë e tretë, e besueshme, qoftë edhe e huaj. Ai komenton problematikat me shoqatat rajonale të futbollit, deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj, vizitën e Ceferinit në Tiranë, por jep edhe recetën se si mund të dilet nga kjo situatë, që futbolli të gjejë paqe e mos të përçahet nga ana e drejtuesve të federatës.
Z.Shyti, si e shikoni deri tani situatën që është krijuar, sepse jemi dy ditë përpara afatit të fundit, që është data 10, për emrat e kandidatëve për postin e presidentit të FSHF-së, por edhe emrat e delegatëve që votojnë?
Mua personalisht më intereson shumë pak se cilat janë kandidaturat. E kam thënë edhe e përsëris që federata është një organ kolegjial dhe individët nuk kanë shumë rëndësi në këndvështrimin tim. Ka shumë rëndësi demokracia, ka shumë rëndësi transparenca dhe ka shumë rëndësi ligjshmëria. Element i vetëm që i garanton këto është vendimmarrja e institucioneve të ligjshme, që është asambleja, komiteti dhe pastaj kryetari është thjesht një koordinator i këtyre dhe jo vendimmarrës. Duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë ata që na lexojnë, që individi në federatë ka shumë pak rëndësi.
Po në Shqipëri si kanë funksionuar gjërat?
Unë prandaj edhe insistoj që t’u jap mundësinë njerëzve që të kuptojnë se pas 50 vitesh diktaturë dhe 30 vitesh të tjera, individi merr një rol shumë më tepër se ç’duhet. Ne duhet të kuptojmë se ato dëme që na ka bërë diktatura, duhet të kapërcehen, duhet të mblidhen njerëzit bashkë që të marrin vendime. Vendimmarrja e përbashkët sjell transparencë, diskutim, demokraci. Individi është problematik, veçanërisht kur qëndron për një kohë të gjatë në pushtet dhe ne këto i kemi provuar në Shqipëri, në politikë e kudo. Duhet ta shmangim këtë pjesë. I pëlqen apo nuk u pëlqen individëve të caktuar, për mua ka shumë pak rëndësi vullneti i individit, por efikasiteti i tij në drejtim. Jo përgjegjësitë personale apo kontributet personale e pastaj edhe përgjegjësitë në planin negativ, edhe marrja e meritave individuale, a thua sikur pa individë të caktuar Shqipëria nuk do të bëhej apo sporti nuk do të bëhej, nuk është ashtu…
Nga disa shoqata që duhet të përfaqësojnë sportin amator, po dalin zyrtarë klubesh të Superiores dhe Kategorisë së Parë me të drejtë vote…
Është një risi në organizim. Ata që janë në drejtim gjithmonë e kanë një mundësi më tepër për ta sjellë organizimin siç u intereson atyre. Kësaj i shtohet edhe paaftësia jonë për të funksionuar. Kush më thotë që këto shoqata janë të organizuara edhe korrekte? Ato kanë një thes me mangësi… që u pa edhe tani.
Pse pati kaq shumë kontestime, sipas jush?
Sepse lidhen dhe kombinohen shumë gjëra… Paaftësia për të funksionuar, sepse një vit kanë që janë krijuar dhe nevoja për t’i kontrolluar e çuar në asamble ata përfaqësues që janë të interesuar njëra palë ose tjetra. Ky konflikt, që do t’i komandosh të gjithë, por ata vetë nuk e dinë çfarë të sjell në këtë situatë. Kjo madje është një tjetër pikëpyetje…
Për çfarë e keni fjalën?
Si mund t’u japësh fuqinë e gjysmës së asamblesë së FSHF-së shoqatave që janë akoma në fillimet e tyre të organizimit dhe nuk dinë të funksionojnë?! Duhet të ishte të paktën një periudhë 4-vjeçare funksionimi e tyre, që të kuptohej që ato janë autonome dhe dinë të funksionojnë dhe pastaj t’u japësh atë fuqi. Por tani ato janë të dobëta dhe normalisht që do të manipulohen. Ato nuk bazohen në interesin e futbollit, por bazohen në interesa individësh, gjë që nuk është e mirë për futbollin, nuk ka rëndësi fare për cilën palë.
Disa kanë bërë kallëzime në prokurori. Si e komentoni?
Çfarëdolloj procedure që e ndan futbollin në dy grupime, kundër njëri-tjetrit, nuk ka rëndësi se kush është mbrapa tyre. Këta kanë shkuar te noteri, kanë bërë kallëzimet dhe këta janë të pakënaqur. Çdo lloj procedure nuk mund të jetë normale. Sot ne duhet të themi si zgjidhet kjo punë.
Si zgjidhet, sipas jush?
Kjo zgjidhet duke u ulur dhe duke trajtuar seriozisht pretendimet që janë. Duke krijuar një monitorues të pavarur, të painteresuar, qoftë edhe ndërkombëtar nga UEFA apo FIFA, që të vijë dhe të vendosë rregull. Kur dy palë nuk merren vesh, ka një arbitër. Nëse arbitri shtet mund të jetë i kompromentuar, atëherë le të vijë një arbitër që është mbi shtetin. Të vijë një arbitër që ta ndajë se kush është anëtar, kush ka të drejtë vote, kush ka të drejtë të zgjidhet apo të kandidojë. Një nen i statutit thotë se ka një komision verifikimi prej tri vitesh që e zgjedh asambleja për të monitoruar procesin. Ku është ky komision?
Sipas jush, procesi i zgjedhjeve për të mbërritur tek asambleja e 2 marsit do të bëhet edhe një herë nga fillimi në transparencë të plotë dhe mund të kemi edhe një shtyrje të zgjedhjeve?
Atje ku ka kontestim po, duhen marrë letrat, të krijohet një komision i përbashkët, me faktorë të jashtëm nëse nuk kanë besim palët. Po flasim për organin më të lartë që është asambleja, nuk mund të bëhet asambleja e kontestueshme. Nëse bëhet ashtu, atëherë të gjitha vendimet që dalin që aty do të jenë të kontestuara. Nuk ka të drejtë askush që për interesa personalë dhe karrige personale të vërë në dyshim seriozitetin e një institucioni. Aq shoqata janë, nxirren anëtarët dhe numri i votave, kandidatët, të monitoruar, të kontrolluar, të respektuar dhe hajde mirupafshim. Është shumë e thjeshtë.
Disa kandidatë për kryetarë shoqatash kanë akuzuar hapur për mungesë transparence…
Unë dua ta manipuloj, por t’i mos ndërhy… Kjo është, nuk ka gjë tjetër. Eduard Prodani thoshte se ka listat, po pse? Nuk themi shyqyr që erdhën këto figura pranë sportit, hajde kandidojmë. Sado interesa të kesh, shkon me një racionalitet në kokë që të mos e bësh baltë. Nëse do ta bësh baltë, OK, bëje, ndaje futbollin gjysma andej gjysma këtej. Gjysma në prokurori. Apo anëtarët e komitetit, që dalin tani nëpër shoqatat rajonale për të marrë propozime prapë. As nuk e di njeri kush janë dhe çfarë bëjnë. Ata janë vetëm për të bërë iso… Këndon njëri dhe ata mbajnë iso. Kaq.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al