EKSKLUZIVE/ Ben Blushi largohet nga PS, ja letra e fundit për socialistët e ricikluar

Sep 30, 2016 | 20:50
SHPËRNDAJE

Deputeti Ben Blushi ka vendosur që, duke kundërshtuar ligjin e mbetjeve të miratuar nga maxhoranca, të zyrtarizojë edhe largimin e tij nga Partia Socialiste.

Deputeti i PS, Ben Blushi, duke folur gjate nje seance parlamentare1

Fjalën e munguar këtë të enjte në Parlament, Blushi e përcjell përmes një shkrimi ekskluziv për “Panoramën”, në të cilin analizon pasojat e ligjit të mbetjeve duke u dhënë njëkohësisht përgjigje edhe shumë prej kritikëve të tij.

Eduard Shalsin, kreun e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend, Blushi e ka krahasuar me shilarësin. Në analizën e tij, deputeti i Elbasanit apelon edhe për disa nga miqtë e mbetur brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

BEN BLUSHI

Nuk është çudi që të gjithë ata që votuan për të nxjerrë zgjedhjet jashtë Partisë Socialiste, votuan për të futur mbetjet në Shqipëri. Pak a shumë janë të njëjtit njerëz dhe kushdo që ka pritur që ata të sillen ndryshe ka menduar shumë mirë, për njerëz që prej kohësh bëjnë shumë keq.

Unë nuk kam më shpresë tek ata, qysh se vendosen të eliminojnë konkurrencën brenda Partisë Socialiste dhe ta zgjedhin kryetarin e tyre me referendum si të ishte një mbetje e diskutueshme dhe jo një njeri që duhet të diskutohet, para se të votohet.

Por meqë në Grupin socialist besoj se kam ende disa miq, sepse të tjerët Rilindja i ktheu në kauçuk armiqësor, dua t’u them diçka që ndoshta nuk e dinë sa duhet. E kam të pamundur të ndiej keqardhje për shumë njerëz aty dhe nuk besoj se edhe ata pak miq që më kanë mbetur, kanë nevojë për keqardhjen time, çka mund t’i vinte seriozisht në siklet, duke i lënë pa punë.

Sepse edhe me ndihmën time, disa prej tyre bëjnë prej kohësh një punë të merituar: janë bërë ndarës në burim të mbetjeve të Rilindjes. Unë i nxis ta ushtrojnë pasionin e tyre për mbetjet me qetësi, dashuri dhe përunjësi.

Ata ngrihen çdo ditë në mëngjes dhe ndajnë Delirin me Salirin, Salirin me Ilirin dhe Ilirin me Delirin, pastaj me radhë Fatmirin nga Bamirin, Shpëtimin nga Parimin, Liken nga Rimin, Hasanin nga Kazanin, Shukriun nga Sadriun, Markun nga Carkun, Vrasësin nga Marrësin, Kapësin nga Hapësin, Shalësin nga Shilarësin, Patokun nga Bosi, Koçon nga Patosi, Qimen nga Kosi, Qullin nga Klosi, Klosin nga Gjushi, Taon nga Askushi, Blerimen nga Dushi, Elisën nga Sushi, Doganën nga Kaushi, Ndezjen nga Prushi, Tatimen nga Pushi, Puplën nga Kaposhi, Fidelin nga Varoshi, Lezhën nga Ndoshi, Kavajën nga Roshi, Gramozin nga Qoshi dhe Edin nga Koshi.

Për këtë punë paguhen dhe nuk kanë pse qahen. Nëse kjo është punë, i justifikoj kur herë pas here më ndotin duke më dhënë dorën, sepse një nga detyrat që u ka caktuar Rilindja është që në kohën e lirë të ushtrohen në artin e mosmirënjohjes kolektive, për të cilin Rilindja është një shkollë e çmuar nate.

I thashë këto për të treguar se në kazanin e mbetjeve parlamentare në të vërtetë fshihet kalbja e demokracisë sonë të ndotur. Mjafton t’ju kujtoj se si u sollën në Parlament tri partitë kryesore me rastin e lejimit të importit të mbetjeve. Rilindja votoi pro pasi kishte votuar kundër të njëjtin ligj në vitin 2013.

Partia Demokratike votoi kundër pasi kishte votuar pro të njëjtin ligj në vitin 2011. LSI votoi pro importit pasi kishte votuar kundër importit në vitin 2013 dhe pro importit në vitin 2011.

Nisur nga ky shembull, atë që ne e quajmë parlament, çdo popull i botës do ta quante çmendinë të pakthyeshme. Ose të pariciklueshme për asnjë arsye.

Prandaj pyes:

A ka vend të botës ku këto parti mund të votohen ende?

Ku mund të ndodhë që për të njëjtën çështje të kesh tre qëndrime të ndryshme në tre vjet?

Çfarë partish janë këto, nëse akoma mund të quhen parti?

Mjafton të shohësh qëndrimin e PD për të kuptuar se ku ndryshon morali i ricikluar nga mbetjet e riciklueshme. Morali nuk është mall dhe nuk është send, sado plastik qoftë ai në politikë. Prandaj morali politik nuk mund të riciklohet kaq shpejt pa një proces teknologjik të vetëshpëlarjes së ndërgjegjes.

Partia Demokratike kishte një mundësi për ta rrëzuar importin e plehrave. Sepse për fat të mirë kishte një mundësi, që për fat të keq nuk ndodhi. Duke e konsideruar të pamundur që LSI të grindej me Rilindjen për mbetjet, sërish kishte një mundësi. Nëse PD do merrte pjesë e gjitha në votim, ligji i importit të mbetjeve do ishte rrëzuar.

Ky është ligji që ka marrë më pak vota në Kuvend që nga viti 2001. Mori vetëm 63 vota pro dhe 28 kundër. Nëse Partia Demokratike do kishte mobilizuar të gjitha votat kundër, ai do ishte rrëzuar, por sigurisht PD e tradhtoi ligjin për ta kaluar pa votat e veta, për herë të dytë.

Kjo është një teknikë e vjetër shqiptare: mos shko në votim, në mënyrë që ajo që do, por bën sikur nuk e do, të fitojë me votat e kundërshtarit, sepse edhe ai e do. Ja pse mbetjet e Qeverisë së kaluar që e miratuan këtë ligj në vitin 2011, nuk erdhën fare në votim. Ata donin që ligji të kalonte, siç kaloi.

Por Kazani i mbetjeve parlamentare është më i thellë dhe nuk mbaron këtu. Tani Rilindja dhe PD po sabotojnë edhe referendumin si të vetmen mundësi që ligji i mbetjeve të rrëzohet në popull.

E para, natyrisht do ta kundërshtojë referendumin duke u bërë partia e vetme në botë që zgjedh kryetarin me referendum dhe i mohon popullit të drejtën për të bërë referendum për ligjet. Kushdo që e neverit Rilindjen, siç është rasti im, nuk mund t’i uronte fat më të mirë.

Rilindja duhet të hyjë në histori si të gjithë ulokët ideologjikë përmes një kazani me rrota dhe jo me biçikletën e socializmit të ricikluar siç e quajnë me përkëdheli, të gjithë ata që punojnë natë e ditë për të ndarë në burim, Delirin me Salirin.

Por nëse Rilindja tund kanabisin si lulen e flirtit të saj me të ardhmen, ajo nuk mund të fajësohet plotësisht për dashurinë për mbetjet. Këtë sentiment e ka të huazuar, sepse Rilindja, në përgjithësi, nuk e njeh dashurinë.

Kur vjen puna te mbetjet, ajo ka marrë me qira qëndrimin e Partisë Demokratike, siç merren në një dasmë taksitë me qira. Në dasmën e mbetjeve, dhëndri është i PD, nusja është e Rilindjes, ndërsa paja është e industrisë së riciklimit.

Për ta mbyllur këtë kronikë, duhet të shtoj se dasma u bë në një kazan, kurse taksinë e pajtoi LSI. Por Rilindja nuk është vetëm në mbrojtjen e kauzës së kazanëve. Partia Demokratike po bën gjithçka për ta sabotuar referendumin për mbetjet. Natyrisht duke e mbështetur ajo e rrëzon referendumin.

Sikur të isha një riciklues, do ta paguaja PD që të mbante pikërisht qëndrimin që po mban. E vetmja mënyrë që referendumi të mos bëhet, apo nëse bëhet, të rrezikohet, është pjesëmarrja aktive dhe e frytshme e PD, çka po ndodh.

Nëse Partia Demokratike rreshtohet në këtë kauzë, sigurisht që njerëzit nuk do votojnë vetëm për plehrat, por edhe për partitë, çka në fakt është e njëjta gjë dhe PD e di që mund ta ndihmojë shumicën duke thirrur në kutitë e votimit, pakicën.

Kjo është mënyra më e poshtër për të sabotuar një kauzë dhe natyrisht Partia Demokratike nuk ka nevojë të mendohet për të nxjerrë qeset e përdorura të hileve nga kazani i vet i ndryshkur.

Ky pra është kazani i mbetjeve te tri partive të vjetra parlamentare.

Ato nuk kanë asnjë ndryshim, asnjë ditë, me përjashtim të ditës së zgjedhjeve, kur përpiqen të ndajnë mbetjet në mënyrë klasike: plastika më vete, druri më vete dhe letra më vete, dhe natyrisht të gjitha për vete.

Njëra merr plastikën e fjalës së lëvizshme të burrit, tjetra drurin e hurit të gurit dhe tjetra letrën higjienike që fshin gjurmët e mbështetjes pas murit. Ky është një kazan elektoral që unë e njoh shumë mirë.

Prej tij nuk do dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër. Ai mund të riciklohet, por asnjëherë nuk do pastrohet.

Prandaj kam vendosur të dal përfundimisht që aty për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin para meje: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura