AFRIM IMAJ
“Në Shqipërinë e asaj kohe ekzistonte një elitë intelektuale e nënshtruar, që shërbente si instrument i regjimit dhe një tjetër që kishte një vlerë të madhe shkencore”
E ndërsa pohon këtë konstatim të saj gjatë vizitave në vendin tonë në vitet e diktaturës, në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Odiel Daniel shpreh vlerësimet më të larta për mjaft nga profesorët e akademikët, me të cilët ka pasur rastin të bashkëpunojë.
Për të, shoqëria shqiptare dhe jo vetëm duhet t’u jetë mirënjohëse profesor Kristo Frashërit, Mahir Domit, Eqrem Çabejt, Skender Anamalit dhe shumë të tjerëve, që kanë botuar vepra dinjitoze përballë një censure të tejskajshme.
Sakaq, mysafirja nga Parisi ruan kujtimet më të bukura për punonjësit e Bibliotekës shqiptare, që sipas saj shërbenin me kulturë dhe dallonin për aftësisë profesionale jo më pak se ato të vendit të saj.
Në numrin e kaluar botuam kujtimet e Odiel Daniel nga përjetimet e saj të para gjatë studimeve në vendin tonë në vitet ‘60. Ajo tregon se Shqipëria që ka parë kur ka mbërritur për herë të parë, ka qenë krejt ndryshe nga ajo që përshkruanin lektorët e saj në Francë.
Madje, ca më tej, shprehet Daniel, kur këtu Enveri ushtronte terror më keq nga Stalini, në Paris kishte jo pak, bile dhe studiues që e adhuronin, duke rënë viktimë e propagandës komuniste që investohej nga regjimi.
Po çfarë kujton tjetër francezja e parë që ka studiuar në Shqipëri dhe si e përshkruan kontrastin midis njerëzve bujar e trima dhe elitës bolshevike që drejtonte asokohe vendin…
Çfarë kujtoni nga përditshmëria e studimeve pasuniversitare në Tiranë, cilat ishin kontaktet me profesorët që udhëhiqnin temën tuaj?
Unë isha një mysafire në Tiranë, por njëherazi edhe një studente. Një studente që duhej të qëndroja larg moshatarëve të mi dhe auditorëve të tyre. Autoritetet ishin përkujdesur që të më izolonin në hotel “Dajti”, kuptohet për arsyet e tyre meskine. Pra, isha përjashtuar nga takimet me studentët shqiptar. M’u desh të operoja si një studiuese e jashtme, duke qëndruar jashtë sallave të universitetit…
Atëherë si procedonit për të përmbushur detyrimet e temës studimore shkencore që kishit marrë në Francë?
Fillimisht, ditët e para kur qëndroja në hotel “Dajti” dhe vrisja mendjen nga ta nisja, më dukej e vështirë, bile, bile, e pamundur. Megjithatë, me kalimin e kohës zbulova një mundësi shumë të mirë për t’i dhënë dritë objektit të temës. Drita jeshile që më dhanë për të studiuar në bibliotekë kombëtare dhe në atë të Institutit të Historisë, ishte një privilegj jo i vogël për mua…
Pra, gjithçka në kërkimet tuaja u përqendrua në bibliotekë…
Prej aty realizova të gjitha kërkimet që kisha në objeksionet për temën. Kjo falë dhe korrektësisë e sjelljes njerëzore të punonjësve të tyre. Në Shqipërinë e asaj periudhe performanca e këtyre bibliotekareve, ishte diçka e veçantë, diçka e mrekullueshme…
E keni fjalën për Bibliotekën Kombëtare…
Për Bibliotekën Kombëtare dhe atë të Historisë. Për të dyja, njëra më e mirë se tjetra. Së paku për mua që i frekuentoja për herë të parë…
Çfarë të bënte përshtypje nga fondi i tyre?
Duhet të them që fondi i këtyre dy bibliotekave që frekuentoja ishte jashtëzakonisht i pasur, në nivelin e bibliotekave të mëdha të Francës. Falë punës së kujdesshme të bibliotekarëve, të gjitha shkrimet për Shqipërinë renditeshin aty në fonde të veçanta, madje dhe nga vepra të ndryshme, ishin sistemuar faqet dhe kapitujt kushtuar Shqipërisë. Të gjitha dorëshkrimet e udhëtarëve të huaj që kishin vizituar Shqipërinë në kohë të ndryshme ishin në pronësi të bibliotekës të siguruara prej saj dhe të viheshin në dispozicion me kërkesën e parë. Për mua kjo ishte një lëndë e pasur dhe e panjohur dhe më shërbeu jashtëzakonisht…
Sidoqoftë, shumë studiues të tjerë të huaj kanë tjetër konsideratë për këto institucione…
Unë flas gjithnjë për veten time, pa u ndikuar nga ajo çfarë mendojnë të tjerët dhe sa u ka shërbyer atyre biblioteka shqiptare. Bibliotekat ishin për mua në atë kohë një strehë paqeje dhe arratisjeje në një botë tjetër, e cila më bëri të zbuloja, gjatë leximeve të mia, fytyrën e vërtetë të Shqipërisë, larg nga tekstet e propagandës që pasqyronin ideologjinë mbizotëruese. Kam lexuar me dallim maksimal botimet shqiptare, sepse nuk u mashtrova që artikujt e studiuesve të botuar në përmbledhjet dhe veprat nën diktaturë shpesh mbanin shenjat e ideologjisë dhe ndikimin e censurës. Unë isha në gjendje të kuptoja se ekzistonte një elitë intelektuale “e nënshtruar”, një instrument i regjimit, i cili nuk vlente shumë dhe një tjetër që kishte një vlerë të madhe shkencore si: Kristo Frashëri, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Skender Anamali, si dhe shumë të tjerë që kishin botuar vepra dinjitoze përballë një censure të tejskajshme.
A patët rastin të takoheshit e të konsultoheshit me ndonjërin prej tyre?
Patjetër që jam takuar, po në pjesën më të madhe shkarazi, vetëm në pak çaste apo në ndonjë sesion shkencor që frekuentoja si dëgjuese e thjeshtë. Kam pasur rastin të njoh e të flas me profesorin e gjeografisë, Pandi Geço, që kishte studiuar fillimisht në Liceun Francez të Korçës. Një ditë, ndërsa shfletoja diçka në Institutin e Historisë, ai guxoi të më afrohej në një mënyrë të qetë dhe të frikësuar për të më dhënë dy librat e tij të gjeografisë, pastaj u zhvendos që aty në fshehtësi. Unë i kam çmuar shumë ato dy libra që m’i dhuroi me dedikim dhe i ruaj dhe sot si një kujtim interesant…
Ju shpreheni se gjatë kohës që kryenit studimet, qëndronit në hotel “Dajti”, ishte kjo zgjedhja juaj apo një privilegj që jua ofronin autoritetet?
Nuk ishte kurrë zgjedhja ime akomodimi në hotel “Dajti”, hoteli më i madh ky në atë kohë dhe që rezervohej vetëm për të huajt. E konsiderova vendosjen aty një zhgënjim të madhe që më përjashtonte nga mjediset studentore. Për më tepër, gjatë punës për kërkime në bibliotekë në kuadër të temës kërkimore dhe përgatitjes së tezës shtetërore, unë kurrë nuk kam qenë në gjendje të jem në kontakt me studentët. E dija që isha i privilegjuar, nëse mund të them kështu, por më së shumti e kufizuar shumë, e izoluar si mos më keq. Udhëzuesit e mi zyrtarë ishin shumë të vëmendshëm, në mënyrë që mos të kisha kontakte me askënd dhe të mos ecja vetëm në këmbë. Akomodimi në hotelin “Dajti”, mendoj, ka qenë i preferuar nga autoritetet, sepse ata ndoshta kishin gjykuar se qyteti universitar nuk ishte mjaft i rehatshëm për një student nga Franca. Në çdo rast, agjentët e Sigurimit, siç e përjetova, mund të monitorojnë me lehtësi vendndodhjen time.
Po pas viteve ’90, keni ardhur në Shqipëri?
U ktheva disa herë në Shqipëri. Pata mundësi të vlerësoja solidaritetin e përtërirë midis shqiptarëve, megjithë trazirat e shkaktuara nga rënia e regjimit diktatorial. Vura re që ata kishin arritur të kapërcejnë dallimet e tyre për të shpëtuar vendin si në të kaluarën dhe treguan dëshirën e tyre për Europën. Kjo më ka krijuar mundësinë të shkruaj historinë e përvojës sime në Shqipëri gjatë periudhave të ndryshme, nga njëra anë, në mënyrë që të rinjtë të njohin barbarinë e së kaluarës dhe që ajo të mos rinovohet vetë, nga ana tjetër në mënyrë që përmes botimit francez ky vend të njihet dhe vlerësohet përmes vlerave, kulturës së tij, burrave të tij të mëdhenj, traditave të tij të kontaktit me pjesën e jashtme dhe që të njihet se është i denjë për t’u integruar në Europën.
PJESA E DYTE
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al