EKSKLUZIVE/ Fejesa e Silva Turdiut me Skënderin, Muho Asllani: Propozimi për kryeministrin një natë para vetëvrasjes

Jun 8, 2018 | 19:54
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI

Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, kujton mbledhjen e fundit të Byrosë Politike para vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, Muho Asllani shprehet se atmosfera gjatë mbledhjes së Byrosë nuk ishte aspak penalizuese ndaj Mehmet Shehut, por vërejtje që kishin të bënin me mënyrën e komunikimit të tij me anëtarët e tjerë të Byrosë, por dhe vartësit.

Sipas tij, Simon Stefani, i cili ishte sekretari për Statutin, e akuzoi Mehmet Shehun për mendjemadhësi dhe prepotencë. “Mehmet Shehu,- tha Simoni,- nuk është marrë sa duhet me edukimin e fëmijëve dhe të familjes, duke toleruar shfaqje të tilla që kanë çuar deri në lidhje të tilla krushqie”, kujton Asllani nga kritikat e Simon Stefanit. Në fund ai i propozoi Byrosë Politike që Mehmet Shehut t’i jepej “vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit”, masë kjo jo shumë e rëndë e që mund ta nxirrte atë nga kokat e partisë dhe të qeverisë.

Muho Asllani
Muho Asllani

Ish-Kryeministri Mehmet Shehu vrau veten natën kur në Byronë Politike atij iu bë gjyqi politik. Si u zhvillua debati në Byronë Politike? Çfarë ju kishin thënë para mbledhjes?

Unë në atë kohë punoja në Kryeministri, isha ndihmës i Kryeministrit dhe zyrën e kisha në një korridor, bashkë me Manush Myftiun, që ishte zv.kryeministër. Një ditë Mehmet Shehu më erdhi në zyrë. Unë isha Sekretar i Byrosë së Partisë së Kryeministrisë, ku bënin jetën e partisë të gjithë komunistët e Kryeministrisë dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë mendova se mos erdhi për të paguar kuotizacionin e partisë, sepse ashtu e kishim si rregull. Por ai më kërkoi që të bëhej një mbledhje e jashtëzakonshme partie në organizatë, atë pasdite.

Unë i thashë që e kemi mbledhjen e radhës pas një jave. Por ai këmbënguli për mbledhje. Përse i thashë duhet kjo mbledhje e jashtëzakonshme? Pse nuk e di ti, më tha Mehmeti? Jo, i thashë. Kam një problem familjar, më tha, dhe dua ta diskutoj në organizatën e partisë. E pyeta, çfarë problemi familjar keni shoku Mehmet? Si nuk di gjë ti?!, më tha. Unë i thashë se nuk jam marrë kurrë me thashetheme. Ai më tregoi se djali i tij ishte fejuar me një volejbolliste nga familja Turdiu, që kishte një problem në biografi.

Atij i kish ardhur si e papritur çështja e krushqisë me Turdijtë?

Jo, jo, më vonë mësova se ai ishte takuar dhe kishte folur me Enver Hoxhën për këtë gjë. Ne në atë kohë as dinim gjë që Enver Hoxha i kishte shkuar për vizitë Mehmet Shehut për fejesën e djalit. Unë i thashë: shoku Mehmet, ju jeni anëtar i Byrosë Politike, jeni Kryeministër dhe unë pa pyetur Komitetin Qendror nuk mund ta mbledh organizatën e partisë për këtë çështje. Ai më kërkoi që me detyrën e Sekretarit të Byrosë të propozoja mbledhjen e organizatës.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Si vepruat ju?

Sapo iku Mehmet Shehu nga zyra, unë mora në telefon Simon Stefanin, sekretar i KQPPSH-së, që merrej me punët e kuadrit dhe statutit të partisë. I thashë që shoku Mehmet më kërkoi që të bëj një mbledhje organizate jashtë radhe. Unë i kërkova mendim. Ai më tha se të nesërmen do të mblidhet Byroja Politike për këtë çështje. Unë nuk e kisha marrë vesh që kishim mbledhje Byroje, sepse shefja e administratës së Kryeministrisë kishte harruar të më sillte lajmërimin bashkë me rendin e ditës. I bëra fjalë asaj, por e lashë me aq, se kishte qenë dhe partizane. Më vonë, unë shkova në zyrën e Mehmetit dhe i thashë se s’kemi pse të bëjmë mbledhje organizate.

Çfarë përmbante rendi i ditës së mbledhjes së Byrosë Politike?

Pika kryesore ishte diskutimi për disa probleme që do t’i shtronte shoku Mehmet. Mbledhjen e drejtonte Enver Hoxha. I pari që foli ishte Simon Stefani, sekretari për statutin. Kritika e Simon Stefanit ishte ndaj arrogancës së Mehmet Shehut, se shokët kanë frikë të komunikojnë me të, të diskutojnë apo të debatojnë për çështje të punës. Ai e akuzoi për mendjemadhësi dhe prepotencë, duke u shprehur se përjashto shokun Enver, Mehmet Shehu e vendos veten mbi të gjithë shokët e tjerë.

Mehmet Shehu,- tha Simoni,- nuk është marrë sa duhet me edukimin e fëmijëve dhe të familjes, duke toleruar shfaqje të tilla që kanë çuar deri në lidhje të tilla krushqie. Në fund Simon Stefani i propozoi Byrosë Politike që Mehmet Shehut t’i jepej “vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit”.

Skender Shehu
Skender Shehu

Cilat ishin masat që jepeshin ndaj një komunisti në atë kohë?

Masat ishin: “Kritikë”; “Vërejtje”; “Vërejtje me paralajmërim”; “Kthim në kandidat partie”; “Përjashtim nga partia”. Vërejtja që propozoi Simon Stefani për Mehmet Shehun ishte një shkallë para “Kthimit në kandidat”. Duke dëgjuar këto diskutime, me vete mendova se e hëngra edhe unë, se isha sekretar Byroje dhe nuk kisha informuar partinë për këto dobësi dhe nuk kishim bërë asnjë mbledhje organizate, para se të shkonim në një mbledhje Byroje.

Kush foli tjetër?

Pas Simon Stefanit u ngrit dhe foli Ramiz Alia. Edhe ai e kritikoi Mehmet Shehun në lidhje me kuadrot. Ai tha që nuk ka pasur asnjë përplasje me Mehmet Shehun dhe njëherë që e kishte kritikuar për mungesa ushqimesh në treg, Mehmeti i ishte kundërvënë për rolin që duhet të kishte dhe partia. Ramizi tregoi se pas asaj mbledhjeje, Mehmet Shehu e kishte marrë në telefon në shtëpi dhe i kishin sqaruar rezervat. Edhe Ramiz Alia tha se jam dakord me propozimin e shokut Simon për vërejtjen.

Më tej, si vazhdoi debati?

Shoku Enver më pa dhe më tha: Hë Muho, po ti çfarë do thuash? Kisha kurajë unë atëherë dhe i thosha gjërat troç siç ishin. Unë i thashë se kur më keni marrë nga Shkodra, si sekretar i parë, pas Burrelit dhe Kukësit, kam thënë me veten se për orë pune, për ndërgjegje, për patriotizëm nuk ma kalon njeri. Kjo edhe për moshën e re që nuk shikoja orar dhe familjen. Por kur më sollët në 1979 në Kryeministri, pasi kishte mbaruar aksionin për eliminimin e pasojave të tërmetit në Shkodër, atëherë më doli vetja nga qejfi. Si të doli vetja qejfit, më tha shoku Enver?

I thashë se kur e pashë Mehmet Shehun që ishte i azhurnuar dhe me njohje me të gjitha problemet e vendit, me problemet e ekonomisë, por dhe të ushtrisë, dhe pse ishte me zyrë në Tiranë dhe jo në terren, me katër gjuhë të huaja, mua m’u duk vetja se nuk dija asgjë dhe pse e kisha prekur terrenin e bazën metër për metër. Por, i thashë, ne kemi abuzuar me vullnetin dhe partishmërinë e Mehmet Shehut.

Silva Turdiu
Silva Turdiu

Përse, cili ishte raporti juaj me të?

Pse?!, më pyeti Enver Hoxha. I thashë se aty nga ora 2 pa çerek, ne i mbyllnim dosjet dhe ia çonim shokut Mehmet te sekretarja. Në vend që të merresha unë me dosjet e sektorit tim dhe t’u jepja zgjidhje, por ia çonim shokut Mehmet. Ai rrinte tërë ditën apo tërë natën, nuk e di se si punonte dhe të nesërmen në mëngjes në çdo dosje kishte shënimin e Kryeministrit.

U thashë se Kryeministri bënte pushim të shtunën kur ikte që në orën 12 dhe kthehej të hënën, kur shkonte për gjueti. Ky ka qenë regjimi i Mehmet Shehut, sa di unë, sepse ju keni tërë jetën bashkë. Unë i thashë se ç’është e drejta edhe shokët e tjerë, edhe shoku Adil, edhe shoqja Rita dhe shoku Manush, Pali këtë praktikë kishin me Kryeministrin, që i çonin dosjet në zyrë. Edhe unë kështu bëra. Por Kryeministri kishte një praktikë të keqe, që kur shkonte për gjah në Labinot të Elbasanit apo kudo, duke lëvizur në terren, mbante dhe shënime për problemet që i binin në sy.

Të hënën kur kthehej, na mblidhte ne, zëvendësit e tij dhe na jepte nga 50 detyra për të ndjekur. Ne, në vend që të merreshim me realizimin e planit dhe të programit, merreshim me kanalet apo pemëtoret, apo digat që vërente shoku Mehmet në daljet e tij në terren. I thashë se jam dakord me masën që propozoi shoku Simon Stefani. Por do t’i kërkoja shokut Mehmet që të jetë më i kujdesshëm në marrëdhëniet me shokët, të ketë kujdes dhe në marrëdhëniet me sekretarët e parë.

Po gjatë kohës që zhvillohej ky debat dhe këto kritika, çfarë qëndrimi mbante Mehmet Shehu?

Asnjë reagim, i qetë, mbante shënime.

Po Enver Hoxha, komunikonte me sy me Mehmet Shehun apo lëvizje të tjera, si ishte atmosfera në mbledhje?

Edhe Enver Hoxha dëgjonte, mbante shënime dhe ndërhynte ndonjëherë për të saktësuar ndonjë fjalë kur flisnin shokët e Byrosë. Shoku Enver nuk ndërhynte, të linte të diskutoje lirshëm. Edhe Mehmet Shehut nuk i ndërhyri kur diskutoi. Kur dolëm në pushim të mbledhjes…

Pas sa orësh mbledhjeje u bë pushimi?

Çdo një orë e gjysmë bëhej pushim. Pas sallës së mbledhjes kishim një sallë ku rrinim për të pirë kafe.

Po në pushim të mbledhjes si ishte atmosfera, i rrinin larg anëtarët e Byrosë Mehmet Shehut?

U ulëm normalisht, siç rrinim gjithmonë. Në kolltuk ishin ulur Enver Hoxha dhe në krah të tij Mehmet Shehu. Më tej Adil Çarçani, Rita Marko etj., unë isha ulur në fund.

Çfarë bisedash bëheshin në ato momente?

Bënim biseda si kinezët, që lidheshin me kohën, me stinën e mbjelljeve etj. Sa për muhabet, sa për ta thyer atë klimë kritikash. Në pushim m’u afrua Kadri Hazbiu dhe më tha: Ore Muho, ç’tu desh ty që the ato gjëra për shokun Mehmet?! Unë nuk thashë asgjë të veçantë, vetëm ato që dija. Unë nuk kam as tre muaj në Kryeministri. Megjithatë, i thashë, nëse kam bërë ndonjë gabim, kur të flasësh ti, m’i hidh poshtë ato që thashë. Në vijim të mbledhjes as e hapi më këtë çështje Kadriu.

Në seancën e dytë folën me radhë të gjithë, pothuajse dhe vërejtja kryesore e shokëve ishte arroganca dhe prepotenca e Mehmet Shehut. Ishin kritikë, por jo kritika të forta, ekstreme që ta “varrosnin” si armik. Jo. Nuk kishte të tilla. Të gjithë mbështetën propozimin e Simon Stefanit për “vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit”. Gjatë mbledhjes vjen lajmërimi se Hekuran Isait i kishte vdekur e ëma. E kishte pasur të sëmurë dhe e prisnin. Shoku Enver e ngushëlloi duke i thënë që nëna të la, ti shko, merru me shërbimet siç e do zakoni dhe nesër ne do vazhdojmë përsëri mbledhjen. Ti diskutimin e ke gati, gjej pak kohë nesër dhe hajde në mbledhje për të diskutuar.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura