AFRIM IMAJ/ Takimet misterioze Hoxha-Shehu në shtator të vitit ’81, për çështjen e fejesës së djalit të këtij të fundit, kanë vijuar pa ndërprerë disa ditë me radhë.
Maratona e tyre, e nisur në 11 shtator, ka vazhduar të nesërmen, me të njëjtin preokupacion. Si rrallëherë tjetër në takime të këtij lloji, Hoxha ka evituar praninë e Haxhi Kroit, sekretarit personal, që bënte në çdo rast dokumentimin e bisedës, sado sekrete të ishte, duke zgjedhur ta bënte vetë këtë punë.
“Bisedova prapë me Mehmetin për problemin e koklavitur të djalit të tij, Skënderit”, shkruan Hoxha në ditar për takimin me Shehun më 12 shtator ’81 dhe, sikundër për takimin e një dite më parë, s’përmend çështjet e debatuara aty, por preferon t’i rezervojë, siç thotë, në kasafortën personale.
Në dorëshkrimin e tij për bisedën e 12 shtatorit, Hoxha bën të ditur se takimi ishte kërkuar me ngulm nga Shehu, i cili pas reflektimit mbi problemet e bëra prezente një ditë më parë, sforcohej të sqaronte pozicionin e vet dhe të familjarëve të tjerë në fejesën e gabuar. “Mehmeti, i alarmuar dhe me sy të errësuar nga sentimentalizmi i sëmurë karshi fëmijëve, shkruan Hoxha, duke bërtitur me duar, thoshte: Jo, shoku Enver, unë kam faj, vetëm unë kam faj, unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti etj., etj”.
Por përpjekja e Shehut për të lehtësuar nga përgjegjësia të birin dhe bashkëshorten nuk ka funksionuar deri në fund. Hoxha, i vëmendshëm ndaj strategjisë së tjetrit, ia ka prerë qysh në fillim, madje me një lloj nervi. ‘E laç të mbaronte dhe të pushonte të qarit, shënon Hoxha në ditar, pastaj i them: Shif Mehmet, ti dhe Fiqretja, s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë, por ka faj edhe djali, Skënderi, i cili ka bërë dhe skandale të tjera’. Debati i çelur një ditë më parë, ka vazhduar kështu katër orë pa ndërprerje.
Në përballjen e pazakontë, përveç përpjekjes së Hoxhës për ta bindur tjetrin për prishjen e fejesës, ‘me gjakftohtësi dhe pa dhimbje për Partinë’, bie në sy qasja e fshehtë e kreut të Partisë për t’i lënë të kuptonte Shehut se tashmë ky i fundit nuk po dëshmonte më besnikëri. Në numrin e kaluar publikuam tekstin e plotë të bisedës Hoxha-Shehu më 11 shtator 1981. I vetmi fakt që më së shumti paramendohej për këtë takim, ka të bëjë me porositë e Hoxhës për prishjen e fejesës së gabuar. Ka sakaq një pohim tjetër, sipas të cilit, takimi sekret i asaj pasditeje vjeshte ka shënjuar fillimin e likuidimit të Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë. Sidoqoftë, qasje të tilla, sado bindëse, mbeten në kufijtë e hipotezave. Ajo që dihet është tatëpjeta e vrullshme e Mehmet Shehut pas bisedës misterioze të premten e zezë të 11 shtatorit 1981.
Pështjellimet e papritura në familjen e ish-Kryeministrit në fillimin e vjeshtës së atij viti, në një mënyrë apo një tjetër, konturuan dimensionet e një intrige vrastare. Kronologjia e tyre fillon me lajmin e mirë që Shehu merr nga i biri, mbrëmjen e 31 gushtit, lidhur me vendimin për t’u fejuar me një vajzë të njohur në Tiranë. Ish-Kryeministri gëzohet që më së fundi i biri, të cilin e kishte pikë të dobët, po bënte zgjedhjen e shumëpritur, por njëherazi tronditet kur mëson biografinë e papërshtatshme të vajzës që ka zgjedhur. Nusja që do kapërcente portën e vilës kryeministrore, vinte nga radhët e volejbollisteve të “Dinamos” dhe ishte vajza e një profesori të njohur të Universitetit të Tiranës, që flitej se kishte llogari të hapura me regjimin.
I njohur edhe zyrtarisht nga Sigurimi i Shtetit me problemet biografike të nuses, Shehu e shpalli fejesën po atë javë, pa pyetur këtë radhë as Hoxhën. Ceremonia e fejesës, por sidomos vizita e çiftit Hoxha që e uroi ndër të parët në shtëpi, i fashiti deri diku dilemat e Kryeministrit për profilin politik të nuses së të birit. Deri këtu, Hoxha nuk di asgjë për atë çfarë stononte në lidhjen e djalit të Shehut.
“Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqireten për Nelin që u fejua”, shkruan ai telegrafisht në shënimin e datës 3 shtator 1981. Vetëm pesë ditë më vonë, Hoxha ndërron befas kryekëput mendje për fejesën e porsacelebruar. Njeriu që guxoi t’i tregojë të vërtetën, siç dëshmon Hoxha në dorëshkrimet e tij, është Ramiz Alia, një nga liderët e rëndësishëm të Partisë që deri në atë kohë nuk ishte shquar ndër të tjerët për protagonizëm të lartë. “Bisedova me shokun Ramiz, shkruan Hoxha në ditar për takimin e datës 8 shtator 1981, ai e dinte fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjeve Turdiu dhe të Pipajve”.
Nga ky moment, Kryeministri dhe familja e tij e shikojnë veten në një duel pa fund. Hoxha, që i kishte besuar Shehut drejtimin e qeverisë për 27 vite me radhë, jo vetëm s’mund ta falë për rrëshqitjen në “batakun e armikut të klasës”, por vështron përtej saj. Takimi i 11 shtatorit ’81 është vetëm stacioni i parë i dyluftimit Hoxha-Shehu. Një tjetër i tillë, i panjohur më parë, është ai i një dite më vonë, të cilin e botojmë sot të plotë sipas dorëshkrimit që ka koleksionuar Hoxha në dosjen e tij personale…
DORËSHKRIMI I ENVERIT
Takimi i dytë
Gabimi i rëndë politik i shokut Mehmet Shehu
E shtunë, 12 shtator 1981
Po paradite më kërkoi pikëpjekje dhe e prita në zyrë. Ishte shumë i emocionuar, filloi të qajë e të thotë: Kam bërë gabim të rëndë politik, si e bëra unë këtë etj. Reflektova mbi këtë çështje kaq të rëndë dhe vendosëm tok me Fiqretin ta thërrasim djalin nga Athina (Pse shkoi tok me ekipin e volejbollit të ‘Dinamos’ për të reja, ku bënte pjesë edhe vajza e Turdiut, e fejuara në fjalë e Nelit, i cili nga Athina do të shkonte në Suedi ku mëson) dhe t’ia shtrojmë çështjen dhe ta likuidojmë”. I them këtë zgjidhje do të këshilloja edhe unë. Djalit i them, i cili është anëtar Partie, të mos bëjë më gabime të tilla.
Mehmeti, i alarmuar dhe me sy të errësuar nga sentimentalizmi i sëmurë karshi fëmijëve, duke bërtitur me duar thoshte: “Jo, shoku Enver, unë kam faj, vetëm unë kam faj, unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti etj., etj., të tilla historia”.
E laç të mbaronte dhe të pushonte të qarit, i them: Shif Mehmet, ti dhe Fiqretja s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë dhe është mirë që të vret ndërgjegjja, por ka faj edhe djali.
“Jo, shoku Enver, s’ka faj as Fiqreti, as djali, gabimin e kam bërë unë, fajin e kam unë, e përsëri, e përsëri”.
Jo, i them, nuk mund ta pranoj, e para që Fiqreti që më hiqet aq parimore, që ka bërë gati skandal në shkollën e Partisë për djalin a çupën që e fejoi me një person që ishte larg, të kish këtë biografi të Turdive dhe Pipajve, me profesor Sotir Manushin, dhe tash vjen e më thua që s’ka faj Fiqreti. Ajo është mëmë e djalit, shoqja tënde, anëtare e Komitetit Qendror, drejtoreshë e Shkollës së Partisë ku mësohen dhe rrënjosen normat e moralit komunist.
E dyta, djali ka faj që duke e ditur nga ishte vajza dhe guxoi të vinte te ti të ta propozonte dhe t’ia aprovoje, siç ia aprovove. Jo, i them Mehemtit, nuk mendon drejt, është mendim i sëmurë ndaj fëmijëve të tu dhe në vend t’i shëroç, po i dëmton. Djali tënd, që është anëtar Partie ka bërë dhe skandale të tjera, i janë vënë në dukje nga Partia, por veprimet e tij po shfajësohen dhe zbuten në familje nga ju. Duhet të bëni shumë kujdes me fëmijët se flasin jo mirë si për këtë, si për Bashkimin dhe gruan e tij. Armiku i ka në shenjë fëmijët e udhëheqjes.
Është mirë që t’i njohëç gabimet e tua ndaj shokëve dhe Partisë dhe të analizosh pse i bëre, por popullit dhe bazës që po flet nuk do vemi t’u themi se fajin e ka Mehmet Shehu, se kjo është e dëmshme për Partinë, por në sy të botës, fajin e ka djali dhe askush tjetër dhe kjo është një pjesë e së vërtetës. Ti të vret ndërgjegjja, më thua ndaj djalit. Në qoftë se ti ia ke imponuar, atëherë të të vrasë ndërgjegjja, po si më thua ti, edhe ai, edhe ti, Sigurimi ju vuri në dijeni për gjendjen e familjes së nuses. Ju as i vlerësuat fare këto të dhëna dhe vepruat në kundërshtim me vijën e Partisë në çështjen e luftës së klasave.
Prandaj, i them Mehmetit, kështu gjykojeni këtë problem, ky gabim u bë, duhet të zgjidhet me gjakftohtësi dhe pa dhimbje për Partinë.
12.9.1981
Silva Turdiu: Si u lidha me djalin e Mehmet Shehut
E para dhe e vetmja dëshmi e ish-së fejuarës së djalit të Mehmet Shehut për lidhjen me Skënderin, është ajo e kumtuar në procesin e bujshëm të Kadri Hazbiut. Rrëfimi i ishvolejbollistes së njohur të klubit “Dinamo” përballë hetuesve ka qenë diçka e veçantë dhe interesante njëherazi.
E thirrur në seancën e 27 dhjetorit 1982 për të penalizuar ish-ministrin e Brendshëm, sportistja e divorcuar tashmë me të birin e Kryeministrit të vetëvrarë, ka shpjeguar me sinqeritet e vërtetësi historinë e njohjes dhe rrethanat që kushtëzuan prishjen e fejesës me Skënder Shehun. Fillimisht ka qenë djali i Kryeministrit që ka shprehur interes për t’u njohur me vajzën e profesorit të Matematikës, duke e ndaluar në rrugë një pasdite dhjetori të vitit ’80.
Po ajo ka hezituar të bisedojë duke i thënë se nuk e njihte. Disa përpjekje të tjera pas kësaj të djalit të ish Kryeministrit, kanë rezultuar pa sukses. Megjithatë, aventura e Shehut ka vazhduar më tej. Në fillim të shkurtit ’81, pohon ish-dinamovitja, Skënderi erdhi më takoi në Shverin të Gjermanisë Lindore, ku kishim një ndeshje volejbolli me ekipin “Traktori”. Më tha se vinte aty nga Suedia ku ishte me studime për të parë ndeshjen. Që këtej, sipas dëshmitares, takimet e tyre janë bërë më të shpeshta.
Në korrik ’81, Skënderi shkonte gati çdo ditë në shtëpinë e pushimit të MPB-së në Durrës, ku stërvitej ekipi i saj. Në një nga takimet e radhës, i shprehu edhe idenë e fejesës. Më 31 gusht 1981, familja Turdiu ka rënë dakord dhe Qazimi, i ati i Silvës, ka pritur në shtëpi Skënder Shehun. Qazimi, duke u shfaqur hezitues për fejesën, i ka përmendur kleçkat në biografinë e familjes dhe e ka porositur t’ua bëjë të qartë edhe prindërve.
I biri i Kryeministrit, duke pohuar dijeninë e tyre për çka flitej, e ka ftuar profesor Turdiun për një vizitë në familjen e tij. Fill pas këtij takimi, Silva ka vizituar për herë të parë shtëpinë e të fejuarit dhe ka biseduar nga afër me Mehmetin dhe Fiqreten. Deri këtu, dëshmon e ish-e fejuara e Skënder Shehut, gjërat kanë shkuar mirë, por kreshendoja e lidhjeve të ngushta do të ndërpritej befasisht shtatorin e vitit ’81, teksa kthehej nga një turne sportiv në Greqi.
Vijon
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
1 – EKSKLUZIVE/ “Djali shkonte me një k*rvë, e njohur në gjithë Tiranën”- Zbulohet dosja sekrete në kasafortën e Enverit, zbardhet biseda me Mehmet Shehun pas fejesës me Silva Turdiun