EKSKLUZIVE/ Frederik Ndoci tregon prapaskenat, si zgjidheshin fituesit e festivalit në RTSH (Pjesa II)

Jan 24, 2016 | 20:55
SHPËRNDAJE

Frederik Ndoci tregon në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Panorama” edhe prapaskenat se si përzgjidheshin këngëtarët dhe fituesit në festivalin e Radio Televizionit Shqiptar.

Frederik Ndoci dhe Irma Libohova, kenga e cmimit te trete Jeto Rinine, ne festivalin e 27 ne RTSH
Frederik Ndoci dhe Irma Libohova, kenga e cmimit te trete Jeto Rinine, ne festivalin e 27 ne RTSH

Ai flet gjithashtu për bisedën me “të tmerrshmin” Marash Hajati gjatë provave në festivalin e RTSH-së dhe faktin se nuk fitoi për shkak se kishte biografi të keqe.

Kur ka qenë pjesëmarrja juaj e parë në festivalet e RTSH-së?

Ka qenë Festivali i Pranverës në vitin 1986, ku mora pjesë me këngën “Pranvera do lule shumë”. Kënga ime, në bazë të letrave të shumta nga populli, rezultoi fituese, por që nuk iu dha çmimi i parë.

Pse nuk iu dha çmimi i parë?

U përfol se ishte kënga e dhëndrit të Besnik Bekteshit, d.m.th. e Ardit Gjebresë, pra ishte halli se mos komentohej si këngë e favorizuar, plus që unë si këngëtar kisha qenë i dënuar. Ata menduan se “barezi” fitoi çmimin e parë, kini parasysh historinë me Giuzzepe Verdin, si analogji. Në fakt, të gjithë menduan se çmimin e parë do ta merrte Parashqevi Simaku me këngën “Natë gusht, natë prush”, ishte favorite, por i ndjeri Marash Hajati nuk ia dha asaj dhe as mua. Si përfundim, çmimin e parë Marashi ia dha një tjetër këngëtareje, që është gjithashtu e ndjerë sot, Anita Bitri, me këngën “Mos u nxito, mos u gabo”.

Frederik Ndoci ne festivalin e 28 ne RTSH, Kenge "Pa fund rinia"
Frederik Ndoci ne festivalin e 28 ne RTSH, Kenge “Pa fund rinia”

Domethënë u lëviz çmimi?

Po, u lëviz, sepse ishte vetoja e ndryshimit të çmimeve, bënte çfarë donte vetë. E vendoste vetë.

Kush e kishte veton e dhënies së çmimeve në festival?

Dikasteri më i madh në një sistem monist është televizioni dhe radioja. Në rastin konkret, RTSH ishte institucioni më i lartë i diktaturës. Më i lartë sesa Sigurimi i Shtetit apo Aparati Qendror, sepse RTSH ishte Propaganda. Në sistemet komuniste, nëse dikush të merr radion dhe televizionin, të ka pushtuar. Më kollaj njerëzit mund të hynin në Komitetin Qendror, sesa në RTSH. Kështu që ishte Marash Hajati që kishte veto. Të gjithë e kishin frikë.

Frederik Ndoci, ne vitin 1993, kur imitoheshin Scorpsions, ne TV Liberta, ne Itali
Frederik Ndoci, ne vitin 1993, kur imitoheshin Scorpsions, ne TV Liberta, ne Itali

Pse e kishin frikë Marash Hajatin?

Ishte shumë i prerë, si i egër. Unë vetëm po tregoj një episod kur kam kënduar këngën e parë. Vjen Arditi në Shkodër dhe i tregoj disa këngë të mia. Më thotë që këto këngë janë të mrekullueshme, por nuk dalin ndonjëherë në skenë, sepse ishin për dashurinë, për shpirtin etj. Dhe më sugjeroi që të këndoja këngën e tij, që ishte e fushës së dashurisë, por më e përmbajtur dhe me natyrë. Më tregon këngën “Pranvera do lule shumë”, më pëlqeu dhe i thashë i sigurt që ajo këngë fiton çmim të parë. Por i kujtova se unë e kisha të ndaluar që të merrja pjesë në RTSH (isha i dënuar me grupin “Na bashkoi kënga popullore”, pas një letre anonime). Më tha që do ta rregullonte ai këtë punë dhe ashtu u bë. Erdha në Tiranë dhe nisa nga provat, pagova që të isha i fundit. I ndjeri Fred Deda ka qenë komunist, por shumë njeri i mirë dhe i drejtë, më tha: Kështu si këndon ti, ditën e parë që do t’ia tregosh Marash Hajatit, minimumi do të të arrestojë, por unë them se do të të hedhë nga dritarja. Unë ia ktheva: Dëgjo, unë jam aktor me profesion, të këndoj është pasion për mua. Nëse nuk do të më lejojë të këndoj, nuk ka asgjë, do të iki në shtëpi dhe të këndoj, aty nuk më hedh njeri nga dritarja e katit të katërt. Dakord, më tha Fredi, veç mos u përpiq të imitosh ndokënd. Nejse, erdhi dita e provës. Atë ditë do të këndonim unë dhe Irma Libohova. Salla ishte katrore, në një cep ishte këndi i këngëtarit, orkestra qëndronte anash. Mikrofoni ishte në qendër dhe 5-6 metra larg tij qëndronte Marash Hajati, me kolltuk veç. Pastaj ishin nja 11 kolltukë të tjerë të kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë, pastaj vinin kompozitorët e dytë etj., artistët në fund, pra dhoma ishte plot, gati 300 veta. Duke ecur në korridor, para se të futej te kjo salla e vogël ku bëheshin provat, Marash Hajati dëgjoi dikë që tha: Hajdeni se erdhi drejtori dhe do dëgjojmë Ave Marinë. Mirëpo të përmendje në atë kohë “Ave Maria” nuk e kaloje kollaj. Ai pyeti direkt: Kush foli? Bashkim Alibali e mori përsipër: Unë fola. Marash Hajati, i tha atij: Bashkim, ky nuk është institucion ku këndohet Ave Maria, por gjithsesi hajde njëherë të të dëgjoj këngën në prova. E kam nesër provën e këngës, i tha Bashkimi. Jo, jo, hajde tani ta dëgjoj tani këngën, madje ti futu direkt i pari, këmbënguli egër Marashi. Hyn Bashkimi në prova dhe prej emocioneve u ngatërrua. Marashi ia preu shkurt: Dëgjo, mos më lodh më, ti nuk je i zoti ta mësosh më mirë për 24 orë të tjera këngën, kështu që bëj gati valixhet dhe shko në shtëpi. Përjashta! Iku Bashkimi dhe radhën e kishte Irma, e cila po i thoshte me zë të dridhur Marashit se ishte sëmurë. Ai i tha: Nuk ka gjë, veç ta shoh a e di këngën, kështu që jepi. Filloi Irma dhe si sëmurë që ishte dhe ca nga ndodhia me Bashkimin, nuk po e arrinte këngën. Kur mbaroi, Marashi i tha që të këndonte sërish nesër në prova, në vend të Bashkimit. “Provoje prapë nesër dhe nëse nuk këndon dot më mirë këngën dhe nuk bëhesh mirë me zë, shko ndihmoje Bashkimin me valixhet”, i tha Marashi.

Frederik Ndoci me dy motrat Juli dhe Rita
Frederik Ndoci me dy motrat Juli dhe Rita

Ç’ndodhi kur këndove ti?

Kjo ishte situata para se të nisja unë provën time të këngës përballë Marashit. Më thirri mua dhe hyra brenda. Ferdinand Deda ishte te keyboard-i dhe ma bënte mua me mimikë të frikë- suar “obobobo”, duke më kujtuar atë që më kishte paralajmëruar se do më arrestojë ose do më hedhë nga dritarja. Unë kapa natyrshëm mikrofonin, e hoqa nga stativi dhe nisa këngën. Kur përfundova, salla ishte qetësi absolute. Marash Hajati kishte vënë njërën dorë te mjekra dhe kaluan disa sekonda, por nuk fliste. Të gjithë i kishin veshët tek ai e po prisnin të hapej dritarja që të më flakte jashtë. Ndërsa Marashi më tha: A pate emocione? Iu përgjigja: Njeriu kur këndon edhe në një arë me shalqi ka emocione, e jo më këtu përpara ajkës së artit shqiptar. Më kërkoi ta përsëris prapë. Sërish qetësi disasekondëshe kur përfundova këngën. Atëherë, u çua këmbë dhe duke më zgjatur dorën, më tha: Mirë se erdhe në Radiotelevizionin Shqiptar, kështu këndohet, me ndjenjë, me shpirt, jo duke imituar. Atëherë nisin të urojnë e të flasin të gjithë pozitivisht, plot elozhe. Si përfundim, dola në festival dhe publiku më ka kthyer plot 6 herë. Për koincidencë, atë festival e ka prezantuar motra ime, Rita Ndoci.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura