AFRIM IMAJ
Plenumi i Katërt i Komitetit Qendror të Partisë ka shënuar epilogun e furtunës së nisur fill pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH për kryqëzimin e Fadil Paçramit dhe protagonistëve të tjerë që kishin orientuar “devijimin nga tabani popullor” dhe “promovimin e frymës liberale e moderniste” në fushën e kulturës dhe krijimtarisë.
I shënjuar për t’u goditur që në mbledhjen e janarit të vitit ‘73 dhe i vënë në syrin e ciklonit në takimin e 15 marsit të atij viti, ku vetë kreu i kupolës e pyeti haptas “Je me ne apo me armikun?”, Fadil Paçrami, asokohe anëtar i KQ, njëherazi sekretar i Komitetit të partisë të Tiranës dhe deputet i Kuvendit Popullor, mori pjesë në Plenumin e famshëm të kulturës jo me “spaletat” e zyrtarit të lartë partiak e shtetëror, të cilat ia kishin hequr më herët, por i ftuar aty si një zyrtar i rëndomtë, tashmë jo në Tiranë, por në Fushë Arrëz.
Në pjesën në vijim të rrëfimit për Gazetën “Panorama.al”, Agim Paçrami, djali i ish-funksionarit të rëndësishëm të dënuar për sabotim në kulturë, tregon kalvarin e vuajtjeve të nisura rishtas pas takimit sy më sy me Enver Hoxhën në 30 mars të vitit 1973.
I shkarkuar nga të gjitha funksionet e larta, Fadil Paçrami fillimisht u caktua drejtor miniere në Fushë Arrëz.
I biri kujton si rrodhën ngjarjet që këtej në familjen e tyre, tashmë të zhvendosura nga kryeqyteti në qytezës e largët malore. Pavarësisht privacioneve dhe vështirësive të detyrës, shprehet djali i tij, ai punoi me përkushtim e përgjegjësi të lartë deri ditën e fundit. Mirëpo, detyra e re ishte rezervuar sa për të pritur gijotinën e Plenumit IV.
Ajo çfarë ndodhi në këtë të fundit, ishte vërtet dramatike. Enver Hoxha që nuk ia kishte harruar refuzimin e përgjigjes “je me ne apo me armikun”, tashmë do t’ia numëronte një nga një të gjitha të zezat ish-zyrtarit të lartë, që prej dekadash kishte drejtuar sektorët e kulturës e të artit. I biri i Paçramit, duke treguar mbrëmjet plot ankth kur prisnin kthimin e tij nga punimet e Plenumit të Katërt, kujton çfarë i ka thënë babai për sulmin shfarosës që i ka bërë Enveri në mbyllje të mbledhjes.
“Enveri, kujton ai, pasi numëroi të gjitha të zezat për babain, e mbylli me shprehjen e çuditshme ‘T’i shërbejë kjo Fadilit si një lloj ‘kavalishence’”. Që do të thoshte se Fadili e kishte mbushur kupën, po Partia vuri dorën në zemër dhe i dha një tjetër shans”.
Nga ditët pas Plenumit të famshëm, Agim Paçrami kujton demonstrimin paçavure, siç thotë në Kamëz, për t’i hequr mandatin e deputetit. Se nuk kishte kuptim të shkonte në ferrin e Burrelit me mandatin e deputetit…
Takimi i 15 marsit ishte përballja e fundit e Fadilit me Enverin..
Përballja e 15 marsit nuk ishte e fundit. Që këtej filloi tatëpjeta dhe kryqëzimi i Fadilit, që me sa duket Enveri kishte kohë që e kishte pleqëruar për ta syrgjynosur. Reagimi i parë i Fadilit pas asaj që ndodhi në 15 mars ishte përpjekja për t’u takuar sy më sy me Enverin. Disa ditë pas asaj furtune që erdhi si rrufe në qiell të pastër, im atë i kërkoi takim, por Enveri ia shtyu një javë, pastaj dhe një javë tjetër dhe një tjetër. Çfarë ndodhi në takimin e famshëm, e ka shkruar vetë Enveri në shkrimet e tij. Enveri, në fakt, priste që ai të bënte autokritikë, por Fadili kaloi përtej kësaj. Në fund i kishte thënë që nuk mund të m’i hedhësh poshtë 30 vite punë. Me sa mbaj mend, më pas e thirri Hysni Kapo. Thirri Fadilin dhe Todin Lubonjën veç e veç. Kaq ishte kontakti përfundimtar me kupolën. Që këtej niste presekucioni sipas skemës staliniste të Enverit. Fillimisht Fadilin e çuan drejtor të minierës në Fushë Arrëz. Unë s’e kisha dëgjuar ndonjëherë ku i binte Fushë Arrëzi.
Pra, e keni fjalën që pas mbledhjes së 15 marsit ’73, Fadilin e shkarkuan nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore…
Si mund ta mbante Enveri në funksione të larta, kur me sa dukej i kishte mbushur mendjen vetes se tashmë Fadil Paçrami nuk punonte më për Partinë, po për armikun. Dhe kjo nuk ishte pak në atë kohë…
Në Plenumin e Katërt, që u mbajt në qershor të vitit 1974, Fadili nuk ishte i pranishëm si zyrtar i rëndësishëm i Partisë…
Fadilit, siç të thashë, ia kishin hequr spaletat fill pas mbledhjes së marsit. Në Plenumin e Katërt erdhi nga Fushë Arrëzi ku kishte vetëm pak javë që bënte detyrën e drejtorit të një miniere. Bile dhe në atë detyrë, vetëm pak kohë do qëndronte, se pasi kishte humbur besimin e Partisë dhe të Zeusit, nuk mund t’i besohej asnjë funksion drejtues, sado i parëndësishëm qoftë.
Pra, fill pas asaj pyetjes “Je me ne apo me armikun?”, me të cilën e bombardoi Enveri në mbledhjen e 15 marsit ‘73, Fadilin e shkarkuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore?
Shkarkimi as që bëhej fjalë, ishte gjëja më e lehtë për Enverin, por njëherazi filloi persekucioni i tmerrshëm jo vetëm për Fadilin, por për krejt familjen. Fushë Arrëzi ishte stacioni i parë i kësaj degdisje pa kthim. Pavarësisht detyrës që i dhanë në fillim si drejtor miniere, për kupolën komuniste, ai mbetej sa i pabesueshëm, aq dhe i rrezikshëm…
Ju kujtohet periudha kur e çuan në Fushë Arrëz?
Në mars ishte sulmi i famshëm, në 15 mars. Në prill, në fillim të prillit, e lajmëruan të shkonte në Fushë Arrëz.
Me një fjalë nga maja e piramidës shtetërore e partiake, Fadili përfundoi në Fushë Arrëz. Si e përjetuat në familje këtë moment?
Ishte diçka e rëndë, sidomos për Fadilin dhe Violetën. Po kështu, edhe motrat u tronditën jashtë mase…
Po juve nuk ju tronditi lajmi për Fushë Arrëzin?
Patjetër që më tronditi, po ku e dija unë ku ndodhej Fushë Arrëzi. Asokohe nuk kisha kaluar as Fushë Prezën, pa lëre Fushë Arrëzin.. Pastaj si i ri që isha aty, mendoja çfarë na gjeti dhe po aty harrohesha në botën time. Sidoqoftë, të keqen që na trokiti nuk kisha si mos ta ndjeja.
Ndërkohë, shkuat familjarisht në Fushë Arrëz…
Fadili shkoi vetëm në fillim, pastaj shkoi dhe mamaja. Ajo punoi ca kohë në Bibliotekën e qytetit. Morën një pjesë të plaçkave dhe u sistemuan aty në një banesë modeste. Unë për vete kam shkuar në Fushë Arrëz në 5 korrik. Në 3 korrik mbarova shkollën në Tiranë. Deri në atë kohë qëndroja te motrat që ishin të martuara aty. Mbaj mend tani një rrugë të gjatë pa mbarim, plot kthesa e përthyerje të rrezikshme.
Pra, nga prilli në korrik ata qëndruan vetëm…
Ashtu ka ndodhur. Ata kishin nisur një jetë të re, gati nga e para. Integrimi aty vërtet ishte i vështirë për Fadilin dhe Violetën, po falë vullnetit dhe karakterit të tyre të fortë, e përballonin mirë. Ndërkaq, vendasit nuk i pritën keq, sepse me aq sa ishte bëre e ditur historia e Fadilit deri atëherë për ta nuk dihej si do të përfundonte. Në fund të fundit, ai ushtronte një detyrë jo të parëndësishme në atë qytezë të vogël, siç ishte ajo e drejtorit të minierës. Fadili nga natyra ishte optimist dhe nuk e afronte idenë që do të përfundonte ashtu si përfundoi, por iu përkushtua detyrës me mish e me shpirt, edhe pse nuk kishte punuar ndonjëherë në administrim.
Ca më tepër drejtimi i një miniere, në atë periudhë…
Të thashë që filloi në detyrë nga e para, kuptohet sa vështirë ishte për të. Mbaj mend që kur vinte nga Fushë Arrëzi në Tiranë, kërkonte dhe merrte libra për minierat. Dhe takohej me inxhinierët që njihte për t’i pyetur rreth problematikave të minierës. Ishte i përkushtuar maksimalisht që jo vetëm mos të kishte probleme në detyrën e porsanisur, por të realizonte me doemos planin e shtetit, sepse kjo minierë nuk e kishte realizuar asnjëherë atë. Ndër të tjera preokupohej që kur të shkonte në Plenumin e paralajmëruar të destinuar vetëm për kulturën dhe artin, mos t’i dilte edhe një minus tjetër.
Pra, që t’i thoshin se edhe atje ku shkove, nuk nxore gjë në dritë, se nuk e bërë dot planin. Mbaj mend kur na tregonte me lezet si i kishte hyrë me kokë atyre punëve. Sidoqoftë, plani mbetej një sfidë e pakapërcyeshme. Thirri një ditë një nga specialistët më të mirë e më me përvojë të minierës. Si i bëhet, i tha, të realizojmë planin. Ç’duhet korrigjuar? Çfarë mungon që jemi prapa? Pasi e dëgjoi, ai iu përgjigj: Shoku Fadil, e vetmja mundësi mbetet ngarkesa stok e rimorkios, se minerali po nuk u dorëzua në shtet, zëre se nuk është prodhuar. Pra, po do të dalësh faqebardhë, merrmu me transportin e mineralit.
Je i zoti ta heqësh, mbaron kjo punë. Ky është problemi! Fadili e dëgjoi me vëmendje dhe aty për aty telefonoi një mikun e tij që ishte drejtor i parkut të mallrave në Shkodër. Mendja nuk i kishte shkuar keq. I tregoi atij nevojën që kishte për transportin e mineralit. Qysh të nesërmen pastaj zbarkuan në minierë të gjitha makinat e parkut dhe filloi transporti i mineralit që rrinte stok prej kohësh. Gjërat shkuan mrekullisht. Plani më në fund u realizua. Situata kritike që jetonte miniera u zhbllokua. Vetëm në pak javë. Kjo e gëzonte Fadilin, por ndërkohë gëzonte dhe personelin dhe punonjësit e minierës.
Pra, Fadili erdhi nga Fushë Arrëzi në Plenumin e Katërt që u godit rëndë…
Nga prilli në qershor të atij viti, ai punoi drejtor miniere në Fushë Arrëz. Plenumi u bë në Qershor. Ai erdhi që andej jo me ndonjë shpresë të madhe, por dhe jo shumë i frikësuar. Atëherë unë isha akoma në Tiranë. Plenumi me sa më kujtohet zgjati disa ditë. Aty ndodhi ajo që ndodhi, që dihet tashmë publikisht…
Çfarë ju tregonte Fadili për debatet e Plenumit kur kthehej në mbrëmje në shtëpi?
Ai e kishte lexuar fort mirë frymën e Plenumit që ditën e parë. Kishte lexuar, pra, fatin e tij. Në mbrëmje u fut në shtëpi tym fare. Nuk flitej me të. Në atë pak bisedë që shkëmbyem, na la të kuptonim se ditë më të këqija vinin përpara. Na parapërgatiti si me thënë. Ditët e Plenumit u shtynë pas njëra-tjetrës. Ne prisnim gjithë ankth. Kishim frikë mos e arrestonin brenda në sallë.
Ditën e fundit, kur u mbyll Plenumi, që çuditërisht Enver Hoxha si asnjëherë mbajti edhe fjalën e hapjes dhe atë të mbylljes, numëroi gjithë të zezat për babanë, dhe e mbylli me shprehjen e çuditshme “Ti shërbejë kjo Fadilit si një lloj “kavalishence”. Që do të thoshte se Fadili e kishte mbushur kupën, po Partia vuri dorën në zemër dhe i dha një tjetër shans. Po a ishte kjo e vërteta? A mund t’i besohej Enverit në të tilla situata? Pavarësisht se kjo i jepte një lloj shprese, babai që e njihte mirë dinakërinë dhe mekanizmin e goditjes së ish-shefit të tij, u bind se kryqëzata ndaj tij kishte marrë rrugën pa kthim.
Dhe erdhi atë natë në shtëpi i dërrmuar. Për herë të parë në jetën time e kam parë tim atë të pinte cigare. Aty e thithi nja dy-tri herë dhe e hodhi. Nuk foli. Ndërkohë ne e shikonim në dritë të syrit. Të nesërmen u nis bashkë me Violetën në Fushë Arrëz. Po tanimë aty nuk e priste detyra e drejtorit. E kishin shkarkuar sa ishte mbyllur Plenumi. Që këtej e tutje do punonte te hyrja e minierës për të bërë seleksionimin e gurëve të mineralit me çekiç në dorë, punëtor i thjeshtë me 4800 lekë rrogë. Një punë dërrmuese e sfilitëse kjo për të, plus pastaj presionin e njerëzve që kishin marrë vesh shkarkimin e tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Nisej në punë në orën pesë të mëngjesit, rrugëtonte një orë e gjysmë me makinë. Tashmë nuk i fliste njeri. Pas pune niste rruga e kthimit shpeshherë me këmbë nëpër borë. Vinte në orën 18:00 në shtëpi dhe mbaj mend që kur e hapte derën ashtu i rraskapitur dukej sikur thoshte “erdha dhe sot”.
Ndërkohë, vazhdonte të ushtronte mandatin e deputetit…
Nuk mund ta linin ta ushtronte. Ku mund ta falte Enveri. Heqja e mandatit është një histori më vete. Edhe atë vonë e kam marrë vesh, sepse Fadili kishte një natyrë që nuk tregonte, i kemi thënë thes i mbyllur. Më kujtohet që i erdhën në shtëpi dhe i thanë duhet të shkosh në Kamzë, që ishte zona e tij elektorale. Aty ishte vendosur që do t’i hiqnin mandatin në mënyrë demonstrative.
Fadili që e kuptoi fillimisht, refuzoi të shkonte, duke thënë se mandatit mund të ma heqin edhe pa qenë prezent. Hajde njëri, hajde tjetri, kë nuk dërguan. Si përfundim, iu lut mamaja, i tha shko, mos i jep shkak dhe iu mbush mendja. Jemi në korrik të 1973. E përcolla unë deri tek agjencia, por mbledhja ishte anuluar dhe ishte lajmëruar për t’u bërë të nesërmen. Të nesërmen ndodhi ajo që pritej. Një gjyq surrugato. Me të shara, ofendime e çfarë të të them.
Deshi, nuk deshi, Fadili u çua e bëri një biçim autokritike. Çfarë nuk janë dëgjuar në atë tubim me rreth 2000 aktivistë, agjitatorë partiakë e spiunë të Sigurimit. Një skenë sa e turpshme, aq edhe vulgare. Më e keqja ishte rezervuar për në fund. Kur Fadili u çua për të dalë nisi një histeri e paparë me britma e sulme me domate e vezë. E gjithë Kamza e mban mend. Turp i Zotit!
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.