AFRIM IMAJ
Ajo që flitej nën zë poshtë e përpjetë pas Festivalit të 11-të të këngës në RTSH për përgjegjësit kryesorë të devijimit nga tabani kombëtar dhe përqafimit të artit modern borgjezo-revizionist, në mbledhjen e aparatit të Komitetit Qendror të datës 15 mars 1973, doli hapur.
As më pak dhe as më shumë, shefi i regjimit, duke i vënë gishtin Fadil Paçramit, asokohe sekretar i partisë së Tiranës për propagandën dhe kulturën, iu drejtua prerë: “Punon për ne ti apo për armikun?”.
Si rrodhën ngjarjet pas këtij momenti dhe cili ishte fati i Fadil Paçramit pas kësaj rrufeje të papritur nga vetë ‘Zeusi’, kanë mbetur të dokumentuara në historinë e Partisë dhe memorien kolektive. Agim Paçrami, djali i vetëm i zyrtarit të lartë, që u bë objektivi kryesor i goditjes në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror, në rrëfimin për Gazetën “Panorama.al”, mundohet ta lërë mënjanë pjesën zyrtare të historisë duke u përqendruar kryesisht në mënyrën si është përjetuar ajo në rrethin familjar.
Asokohe adoleshent, djali i vetëm i Paçramit, fillimisht, siç tregon, nuk ua ka vënë shumë veshin bisedave të vrazhda që konsumonin prindërit mbrëmjeve vonë, ashtu sikundër nuk i ka kushtuar shumë rëndësi “teknikut të telefonit”, që vinte tinëz për të montuar përgjuesin pas asaj përplasje të beftë që kishte bërë Enveri me të atin në mbledhjen e 15 marsit.
“Nuk kam fol gjatë me të për këto çaste, sepse nuk kishte dëshirë t’u kthehej atyre prapësive dramatike, shprehet Agimi, por kam dëgjuar dëshmitë e të tjerëve që kanë qenë të pranishëm në atë mbledhje”.
Sakaq, djali i zyrtarit të lartë të dënuar për sabotim në kulturë, ndihet krenar për atë që ka mësuar nga Marrash Hajati, ish-anëtar i Komitetit Qendror, i cili i ka treguar se kur Enveri e pyeti provokueshëm a ishte me partinë apo me armikun, Fadil Paçrami u ngrit i revoltuar në këmbë dhe doli pa fol fare.
Nga viti 1945 deri në vitin 1973, Fadil Paçrami ka kryer detyra të rëndësishme në organet e larta të regjimit komunist. A kishte ndonjë çast që mendonte se një ditë karriera e tij do të përmbysej?
A ndihej i sigurt, domethënë. Këtë nuk mund ta kuptoja, se jo vetëm kam qenë i vogël, por edhe për faktin që ai në shtëpi kurrë nuk përmendte çështje të punës. Ka pasur pa dyshim raste që vinte nervoz e aty për aty konsumonte ndonjë gjë me Violetën, po ne fëmijët nuk merrnim vesh gjë.
E para herë kur morëm vesh se diçka nuk shkonte mirë në punën e babait, ishte drama e marsit 1973. Në fakt, fill pas Festivalit të 11-të që u zhvillua në dhjetor të vitit ‘72, Fadili vinte nga puna jo si zakonisht.
Diçka kishte ndjerë se kurdisej poshtë kulisave dhe siç na ka treguar më vonë priste nga momenti në momenti pëllëmbën e radhës. Po gjithnjë jo diçka të rëndë, një tërheqje vëmendje, qameti një ulje në përgjegjësi apo qarkullim kuadri në një sektor tjetër më pak të rëndësishëm…
Erdhi pastaj shuplaka e marsit ‘73, si e përjetuat në familje goditjen që mori Fadili nga Enveri në mbledhjen e 15 marsit në aparatin e Komitetit Qendror?
Në atë periudhë kam qenë i shtruar në spital me verdhëz. Kisha një muaj që kurohesha aty. Vinin prindërit herë pas herë dhe komunikoja me ta nga xhami. Më kujtohet një moment kur mamaja duke më porositur të ruhesha nga të ftohtit, më tha se Fadili nuk e ka punën mirë, ka pasur disa kritika për Festivalin e 11-të.
E kujt ia thoshte, pa! Mua nga një vesh më hyri nga njëri më doli, se isha 15 vjeç. Si mund t’i kuptonte një adoleshent ato që ndodhnin në kupolën e shtetit?! Sidoqoftë, pamja e vrazhdë e Violetës kur më fliste, më krijoi përshtypjen se bëhej fjalë për diçka jo të mirë. Kur dola nga spitali, fillova pak nga pak të ftillohem. U bë mbledhja e famshme e 15 marsit. Në fakt, ishte një mbledhje e aparatit të Komitetit Qendror. Si rregull, Fadili, siç më ka treguar, nuk duhej të ishte i pranishëm në atë mbledhje, se nuk ishte pjesë e aparatit.
Atëherë ishte sekretar Partie në rrethin e Tiranës për artin dhe kulturën, por e kishin lajmëruar me porosi të Enverit të merrte pjesë patjetër. Ky lajmërim i beftë i kishte djegur Fadilit, ca më tepër që emri i tij ishte lakuar në të gjitha mbledhjet e udhëheqjes që nga janari i atij viti. Aty e përmendi direkt me emër Enver Hoxha, madje iu drejtua drejt për drejt me një ton agresiv: Tani të pyesim ty Fadil, je me ne apo me armikun? Ishte kjo një goditje e rrufeshme, nga ato që paralajmëronin tatëpjeta dramatike…
Pra, qysh në mbledhjen e 15 marsit nisi goditja ndaj Fadilit….
Në fakt, fillesat e goditjes kishin nisur më herët, po mbledhja e 15 marsit i vuri vulën. Aty Enveri, me sa dukej, e kishte mbledhur mendjen për ta sakrifikuar. Prandaj e pyeti qysh pa nisur mirë diskutimet për pozicionin e dyshimtë sipas tij. Dhe hajde pastaj ti mbushje mendjen atij nëse ishe me të apo me armikun e klasës.
Nga ky moment pasoi rrebeshi i pyetjeve që Enveri i kishte parapërgatitur para mbledhjes. Fadili, i zënë ngushtë, sa duhej të shpjegohej a ishte me partinë apo me armikun e klasës, duhej t’i përgjigjej dilemës tjetër, po kaq tinëzare e të pakuptimtë, a e shihte më të rrezikshëm konservatorizmin apo liberalizmin.
Dhe cili ishte reagimi i Fadilit pas këtyre pyetjeve?
Nuk kam fol gjatë me të për këto çaste, sepse nuk kishte dëshirë t’u kthehej atyre prapësive dramatike, po kam dëgjuar dëshmitë e të tjerëve që kanë qenë të pranishëm në atë mbledhje. Ndër të tjera, Marrash Hajati, ish-anëtar i Komitetit Qendror që ka qenë aty, në një libër që ka botuar, shkruan se teksa pritej që Fadili t’u përgjigjej këtyre pyetjeve, u ngrit i revoltuar dhe pa fol doli nga mbledhja. Më duket pak kurajë e tepërt kjo për atë kohë, po nuk jam i sigurt nëse e ka bërë apo jo këtë tim at. Nëse e ka bërë, jam krenar për të.
Si jua tregoi përplasjen me Enverin kur erdhi në shtëpi atë ditë?
Kur erdhi në shtëpi, ishte tym fare. Vetëm kjo fliste shumë. Na tha diçka përciptazi dhe na porositi se që këtej e tutje duhej të bënim kujdes të jashtëzakonshëm. U mor vesh, ishim vënë në sy të ciklonit. Mbaj mend që na porositi të mos flisnim, se përgjoheshin telefonatat, por me sa kam mësuar më vonë përgjimit kishin filluar më para.
Akoma pa u përballur Fadili me Enverin, në shtëpinë tonë vinte shpesh tekniku i telefonit. Hipte në çati, sikur diçka rregullonte dhe largohej. Ndodhte kjo kur telefoni nuk ishte ndërprerë asnjëherë, por nuk i dinim atëherë këto gjëra. Prindërit ndoshta i dinin, por akoma nuk na kishin thënë gjë. Ky ishte rasti i parë…
“Drama me katër akte” e jetëshkrimit të Fadil Paçramit
Fadil Paçrami lindi në Shkodër dhe studioi për mjekësi në Bolonjë të Italisë. Në vitin 1942 ndërpreu studimet dhe u kthye në atdhe për t’u bërë pjesë e luftës kundër pushtuesve fashistë dhe çlirimit të vendit.
Gjatë luftës dhe pas çlirimit ishte pjesë e lidershipit të rinisë antifashiste. Në Kongresin e Përmetit u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në vitin 1947 u emërua zëvendësministër i Arsimit dhe në vitin 1965 ministër i Kulturës. Ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor deri në vitin 1973. Në vitin 1971 u zgjodh Kryetar i Parlamentit. Në vitin 1973 u përjashtua nga të gjitha funksionet politike e shtetërore.
Në vitin 1975 u arrestua dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie për veprimtari armiqësore e antiparti. Ka qenë gazetar, dramaturg dhe publicist. Deri në vitin 1973 ka shkruar 13 drama që rreknin temën e aktualitetit, të cilat u vlerësuan nga regji- mi si antisocialiste, për çka Plenumi i Katërt i KQ i cilësoi si mëkati i tij antiparti. Në vitet e burgut ka shkruar dhe 51 drama të tjera. Ka botuar disa libra, për të cilët ka marrë dhe çmim të republikës.
VIJON NESER
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.