“Stuhia ndaj Festivalit të 11 të Këngës në RTSH u ngjiz në zyrën e Enverit”. Pjesa në vijim e kujtimeve të Vahid Lames, jurisitit që punoi 13 vite në paradhomën e diktatorit, zbulon për herë të parë si nisi debati për “shfaqjet e huaja borgjezo-revizioniste” që u demon struan në tri netët e festivalit dhe reagimet pas kësaj në mbarë vendin. Sakaq, sekretari personal i Enverit, tregon për peripecitë e shumta që ai dhe ndihmësit e tjerë përballonin gjatë punës për përgatitjen e fjalimeve të diktatorit…
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Nga tërë periudha që kam punuar në kabinetin e Enverit, dekada e vite ’70 ka qënë më dramtikja. Ishte kjo koha kur Enveri, i mbërthyer në një paranojë të çuditshme “fshiu” me “fshesën e hekurt të Partisë”, pjesën më të madhe të liershipit komunist. Madje nuk kurseu as bashkëpuëtorët e tij, duke filluar nga ata të Luftës me të cilët deri atëherë krenohej. Furtuna nisi me së pari me zbulimin e grupeve armiqësore në art dhe vazhdoi me atë në ushtri, ekonomi, naftë…
Në dhjetor të vitit 1972 u organizua në Tiranë Festivali 11 i këngës në Radiotelevizion. Rinia e pëlqeu atë festival, sepse gjeti të shprehura në të shijet artistike dhe aspiratat shpirtërore të saj. Festivali u vlerësua si një risi e guximshme artistike, sepse ishte i vetmi deri atëherë që qëndroi larg folklorizmit dhe shablloneve të realizmit socialist. Kudo në mjediset intelektuale, madje edhe nga punonjës të Komitetit Qendror të Partisë, ishin komentuar pozitivisht liria e krijimit, optimizmi, interpretimi etj.
Njerëzit kishin vlerësuar, se me këtë festival artistët shqiptarë, kompozitorët, regjisorët, këngëtarët, piktorët, skenografët etj. demonstruan cilësi të lartë. Me mbresa nga më të mirat kishin dalë nga salla e festivalit edhe një pjesë e drejtuesve të lartë të Partisë. Mirëpo Enveri nuk mendoi kështu. Ato ditë ai vinte në zyrë i vrejtur dhe shpesh nevrikosej pa shkak. Me sa dukej festivali nuk i kishte pëlqyer. Në njërën prej ditëve pas tij, u shpreh hapur për atë që kishte menduar. Festivali një hiç, një zero me xhufkë, u shpreh ai në fillim të vlerësimeve për të. Këngët e tij nuk janë gjë tjetër veçse bonbone të mbushura me helm e të lyera me sheqer! Aty nuk kishte asgjë shqiptare. Mjaftoi kaq për tu ndezur stuhia dërrmuese ndaj atyre që e kishin organizuar. Enveri, siç na tha, ato ditë kishte marrë një letër nga një grua myzeqare, e cila qahej për “të zgjuarit” në Tiranë, që kishin organizuar këtë “Koncert” me pikëpamje borgjezo-revizioniste dhe kërkonte që ata të viheshin para përgjegjësisë, se asaj nuk i kishin pëlqyer as tekstet e këngëve, as meloditë, as maksifundet dhe asgjë tjetër. Rinia shqiptare, sipas saj, ishte e pakënaqur.
Nuk mund të them me siguri në se letra ishte nisma e vetë myzeqares, apo e porositur nga lart. Shpesh në në të tilla raste “nisma” të këtij natyre prodhoheshin në zyrat e KQ e “delegoheshin” në bazë për tu rikthyer si lëvizje nga poshte. E vërteta është që Hoxhës i erdhën për shtat të gjitha fjalët e shkruara nga revolucionarja nga Myzeqeja. Pikërisht me këtë në dorë thirri në zyrë stafin e tij partiak dhe demaskoi tërë mllef “palo-festivalin e degjeneruar”. Prej këtej pastaj nisi të përpunohej vija politike mbi bazën e së cilës do të operonte partia për të godi tur frymën liberale e borgjeze të Festivalit.
Në janar të vitit 1973, në një mbledhje të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Enveri gjeti rastin ta godasë ashpër Festivalin e 11 dhe aty dha sinjalin për një “furi” të përgjithshme sulmi kundër të gjitha “dukurive negative” e “influencave të huaja liberale e revizioniste” në fushën e artit dhe të kulturës. “Bomba me sahat” ishte hedhur, ajo shpejt do të shpërthente. Në konsultat ditore Enveri porositi të organizohej një mbledhje e madhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për të dënuar Festivalin. Ashtu u bë. Njëri nga të deleguarit e Komitetit Qëndror që Hoxha çoi aty, qysh në fillim kumtoi se shoku Enver dhe Partia kishin marrë letra nga shumë të rinj e të reja, të cilët kishin bërë vërejtje serioze për përmbajtjen e festivalit dhe paraqitjen ekstravagante të tij.
Shkrimtarët e artistët dëgjonin dhe ashtu të strukur mbanin shënime. Qysh të nesërmen pjesa dërrmuese e tyre u nisën në bazë për të përçuar porositë e Partisë. Veçanrisht në Tiranë u përhap një atmosferë terrori. U zhduk çdo gjurmë që kishte të bënte me fetivalin: regjistrimi televiziv, pikturat, fotografitë, tekstet, libreti etj. Nga tmerri i paralajmëruar artistët dogjën fotografitë, notat dhe materiale të tjera që kishin nëpër banesa, piktorët asgjësuan tablotë e tyre “dekadente”, shkrimtarët zhdukën dorëshkrimet “e dyshimta”, skulptorët fshehën skulpturat e “pamoralshme”. Ditët në vazhdim pasuan tërmetin “kinez” shumëballësh me arrestime dhe internime artistësh e krijuesish, por jo vetëm.
Enveri çdo ditë në atë periudhë inicionte masa represive për ta çuar goditjen deri në qelizë, siç thoshte ai. Era që frynte paralajmëronte furtunën, që pasoi me mbledhjet e trishtueshme të plenumeve të njëpasnjëshme të Komitetit Qendror të Partisë. Një artist i talentuar dhe me emër i Cirkut të Tiranës, me origjinë nga Dibra, në një letër që dërgonte, i lutej Hoxha të ndërhynte për të siguruar një çadër për shfaqjet e cirkut. Sipas tij, kjo ishte një kërkesë e domosdoshme për shfaqjet që jepeshin, por organet kompe tente po e zvarrisnin pa të drejtë. Mbi letrën e tij, zoti Hoxha do të shënonte: “Kam dëgjuar se ky është bërë i pakënaqur dhe merret me propagandë armiqësore. Të bëhet kujdes me të”. Disa kohë pas këtij shënimi të hidhur, u mor vesh që organet e Sigurimit u kujdesen vërtet, e arrestuan artistin e mirënjohur për “krime kundër shtetit”.
“MAMACJA”, “THOROPUDHI”, “LLAMBROJA”…
Shpeshherë Enveri, në biseda të lira, madje edhe kur shkruante, përdorte fjalë të krahinës së tij ose greqizma që unë, por edhe kolegët e mi, e kishim zor t’i merrnin vesh kur redaktonim bisedat ose shënimet e tij. Për shembull, ai shkruante në disa kujtime: Aneja më vinte mamacën dhe tepsinë në kokë që t’i çoja në furrë … Një thoropudh i lidhte dy bahçet e blerta e të bukura, të ndara nga njëra-tjetra.
Në një rast tjetër kishte shënuar: Fluturimi në atë dhomë të errët i një dhambroje dhe dritëhija e saj ma prishi gjumin e natës… Unë vrisja mendjen vallë ç’të ishin mamacja, thoropudhi dhe dhambroja. Me fjalë të tilla, që duheshin përkthyer, ndesheshim rëndom. Falë një mikut tim gjirokastrit që më përkthente, merrja vesh se mamacja ishte një rrobe e qepur rrumbullak që mbahej mbi kokë për të qëndruar më mirë tepsia e bukës ose e byrekut; thoropudhi ishte deriçkë, që lidhte dy bahçe ose kopshte të fqinjëve; kurse dhambroja ishte xixëllonja. Sikurse më kanë thënë, këto fjalë ishin greke, që kishin hyrë në të folurën e përditshme të gjirokastritëve. Edhe tani, pas kaq viteve të shkuara, kur e takoj mikun tim, më kujton me shaka: “Mos e harro ndihmën që të kam dhënë, kur të përktheja Enverin”.
TRINGËLLIMA E NJË ZILEJE…
Ishte dita e dytë që punoja në paradhomën e Hoxhës. Enveri vinte në zyrë rreth orës 10:00. Ne të tjerët vinim më herët. Oficeri i shërbimit lajmëroi me telefon nga shtëpia: “Ai shoku u nis për aty”. Kjo ishte formula që përdorej për të paralajmëruar daljen e Enverit nga banesa për në zyrë. Po të ndodhej aty ndonjë punonjës, sipas porosisë, do t’i thoshim të kalonte në paradhomën tjetër sa të futej Hoxha në zyrë. Kjo respektohej me rreptësi. Pak pasi ai kishte mbitur në zyrë, dëgjova tringëllimën e një zileje. Aty për aty m’u duk si zile biçiklete.
Një moment mendova mos ishte zilja e telefonit të Enverit, që po më thërriste. Tingujt ishin të ngjashëm. Kushedi… Çastet kalonin… Enveri mund të ishte duke pritur. Po sikur të futesha në zyrën e tij dhe ai të më pyeste: – Çfarë do? Si të përgjigjesha? Më gënjyen veshët? Në një rast të tillë ai mund të thoshte: -More djalë, përse nuk je i vëmend
shëm, dëgjon mirë ti apo nuk dëgjon? Përse më bezdis? – Po të ndodhte kështu, kjo nuk do të kalonte pa shqetësim.
Zemra më rrihte, me shkuan djersë, nuk di sa minuta kaluan gjersa u binda që Hoxha nuk më kishte thirrur. Dalëngadalë ndjeva se po çlirohesha nga ankthi që më kishte kapluar. Ajo e shkretë, që dëgjova unë, për dreq, paskësh qenë zilja e biçikletës së një kalimtari në bulevard. Për çdonjërin sot ky episod duket i pabesueshëm. Atë e kuptojnë më mirë ata që kanë pasur rastin të punojnë pranë Enverit. Ka pasur të drejtë kolegu para meje kur thoshte se “aty më luan tepeleku i kokës”.
vijon nesër…
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.