Si e mbështes protestën

Feb 23, 2017 | 14:07
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

Çdo qytetar, i ndodhur përballë protestës së opozitës, duhet të shtrojë pyetjen se cili është pozicioni i tij ndaj saj. E mbështet apo nuk e mbështet dhe  a duhet apo nuk duhet të shkojë te çadra përpara Kryeministrisë.

Po shpreh pozicionin tim në ditën që po shkruaj këto radhë. Çadra për mua është si një anije që premton një udhëtim të vështirë, që kërkon kurajë dhe që, po arriti të lundrojë drejt atij premtimi, do të sillte një fitore për të gjithë. Kjo më bën ta ndjek me simpati dhe me ndjenjën se u duhet dhënë kurajë atyre njerëzve.

auto_Fatos_Lubonja1477810771 (1)

E megjithatë, pozicioni im është një mbështetje nga larg. Figurativisht mund të shprehem duke thënë: i jap gjithë inkurajimin, e shtyj anijen, por pa hipur në të. Pse e inkurajoj? Sepse mbështes analizën që opozita i bën gjendjes dhe veçanërisht argumentet se nuk mund të hyhet në zgjedhje me këtë gjendje, sepse kjo do të ishte të legjitimoje me duart e tua të keqen.

Kryeministri ka vërtetuar tashmë, pa lënë shteg dyshimi, se jo vetëm nuk ka ndërmend të bëjë divorc me njerëzit e krimit të kategorisë së Rroshit, Prengës etj., por ka bërë pakt me ta kundër lirisë e dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.

Kryeministri ka treguar me prova të njëpasnjëshme se po inkurajon një ekonomi kriminale, të kanabizimit, të koncesioneve korruptive kundër lirisë e dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.

Kryeministri ka treguar, me prova të panumërta, se institucionet e shtetit, me në krye policinë, nuk do t’i lërë në rolin e tyre shtetëror, por t’i shndërrojë gjithnjë e më shumë në leva të partisë së tij shtet kundër lirisë e dinjiteti të të gjithë shqiptarëve.

Kryeministri ka vërtetuar tashmë se nuk ka ndërmend t’i lërë mediet të lira, por t’i kapë e manipulojë gjithnjë e më shumë kundër lirisë dhe dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.

Në këto kushte, të kërkosh largimin e këtij Kryeministri dhe të njerëzve më të inkriminuar rreth tij nuk është thjesht të krijosh një mundësi për zgjedhje të lira, por edhe të krijosh një mundësi për të parandaluar dhunimin e mëtejshëm të lirisë dhe dinjitetit të të gjithë shqiptarëve. E mbështes pra protestën, sepse gjuha dhe arsyetimi i opozitës përputhet me gjuhën dhe arsyetimin tim mbi këtë qeveri dhe se mjeti i protestës së vazhdueshme, deri në largimin e kësaj qeverie, si kusht për të hyrë në zgjedhje, më duket i drejtë.

***

Thënë kjo më duhet të shpreh rezervat se pse, megjithatë, nuk hipi në anije.

Arsyeja kryesore është se nuk e kam bindjen se kjo anije do të ecë në ujërat që premton, duke na çuar në bregun e premtuar. Kjo, pasi përvoja na ka treguar tashmë më se një herë, deri në dëshpërim, se çështje të drejta në këtë vendin tonë janë kalëruar për qëllime të mbrapshta nga njerëz të mbrapshtë. Që ta kisha besimin për të hipur në anije, do të duhej të mos shihja në këtë anije njerëz që, kur kanë qenë në pushtet, kanë bërë edhe ata pakte me kriminelë për të vjedhur votën e lirë, kanë sponsorizuar me paratë publike mediet që sponsorizon sot Kryeministri, që kanë grabitur e ndarë pronat e paratë publike me të njëjtët oligarkë me të cilët i ndan sot Kryeministri dhe që institucionet e shtetit i kanë trajtuar edhe ata si leva partiake.

Dikush më ka thënë: hip në anije, – d.m.th. shko në çadrën përpara Kryeministrisë, – dhe thuaji të gjitha këto. I jam përgjigjur se nuk më takon mua të bëj gjyqe në atë anije, madje se nuk gjykoj se është ky momenti për të bërë këtë gjyq.

Do të kishte qenë mirë që opozita të kishte ardhur në këtë protestë pasi ta kishte pas bërë këtë gjyq. Prandaj kam vendosur edhe ta mbështes protestën nga larg, edhe të flas për rezervat ndaj saj, në tribunën e gazetarit, duke ruajtur kështu edhe pavarësinë e pushtetit të katërt dhe, mbi të gjitha, besueshmërinë e tij për të cilin ka aq shumë nevojë publiku në këto ditë të nxehta dhe të rëndësishme.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura