Egnatia shet në Ukrainë, te klubi Kolos Kovalivka, sulmuesin Gytis Paulauskas.
Ndodhi ajo që kishte paralajmëruar prej ditësh “Panorama Sport”, teksa pas negociatave të shumta mes drejtuesve të dy klubeve, lojtarit lituanez dhe agjentit të tij, është rënë përfundimisht dakord për të gjitha detajet e kontratës së transferimit nga Egnatia te Kolos Kovalivka.
24-vjeçari pret që të prezantohet në skuadrën e elitës ukrainase këtë fundjavë, ndërsa nga kjo shitje klubi i Egnatias do të përfitojë 300 mijë euro. Gjithashtu rrogozhinasit do të mbajnë edhe 10 % të kartonit të lojtarit, duke përfituar sërish nëse ai rishitet në një tjetër skuadër gjatë kontratës që do të ketë me Kolos Kovalivka.
Lajmin e ka konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” presidenti i Egnatias, Agim Demrozi.
“Po, është e vërtetë që kemi arritur marrëveshjen me klubin ukrainas për transferimin e Paulauskas. Kemi rënë dakord për një shumë prej 300 mijë eurosh për transferimin. Si klub, kemi mbajtur edhe 10 % të kartonit të lojtarit. Shitja e futbollistit do të na ndihmojë të bëjmë dy goditje të rëndësishme në merkato. Jemi prej ditësh në negociata me dy lojtarë. Presim një sulmues krahu, i cili besoj se do të bëjë diferencën në kampionatin shqiptar”, ka thënë dje presidenti i Egnatias.
Paulauskas mësohet se ka firmosur kontratë për 2 vite e gjysmë me klubin ukrainas, që aktualisht pozicionohet në vendin e nëntë në kampionat. Ai pritet të përfitojë 200 mijë euro në sezon nga kontrata me Kolos Kovalivka. Sulmuesi që grumbullohet rregullisht nga Kombëtarja e Lituanisë ishte nën kontratë me Egnatian deri në verën e vitit 2025, ndërsa pas përfundimit të pjesës së parë të këtij sezoni, kërkoi me ngulm largimin, duke qenë se mori ofertë nga klubi ukrainas. Për shtatlartin ishte interesuar edhe klubi italian i Breshias, por palët nuk gjetën akord dhe më pas Egnatia u bind nga shifra që ofroi Kolos Kovalivka. Paulauskas iu bashkua rrogozhinasve më janar 2023 dhe u largua fiks pas një viti, duke luajtur në total 37 ndeshje në Superiore dhe shënuar 5 gola.
TË ARDHURAT – Klubi i Egnatias po i bën një menaxhim për t’u marrë shembull transferimit të lojtarëve, jo thjesht në dalje, por edhe në hyrje, duke afruar emra që kanë shpërthyer në Superiore dhe më pas janë larguar në kampionate më të forta. Paulauskas ishte i pesti në këto dy vite që shitet nga Egnatia, me klubin që përfiton të ardhura të konsiderueshme. I pari ka qenë nigeriani Hamzat Ojediran, që u shit te Debreceni për 100 mijë euro. Më pas, ganezi Majkëll Agbekpornu u transferua te kroatët e Slaven Belupo për 150 mijë euro. Në verën e vitit 2023 ish-kapiteni Xhekson Kenio kaloi në Turqi te Istanbulspori për 350 mijë euro. Ndërsa më pas, fantazisti Redi Kasa u huazua me të drejtë blerjeje në fund të sezonit në Slloveni te NK Olimpija Ljubljana, që duhet të derdhë 400 mijë euro tek Egnatia. Edhe sulmuesi azer, Vusal Isgandarli, u shit në Turqi, te Boluspor për 150 mijë euro.
ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al