EKSKLUZIVE/ “Mbrojtja duhet testuar ndaj një skuadre të fortë”, ish-sulmuesi Kapllani: Çelësi i Kombëtares është mesfusha, të shmangim Spanjën

Nov 24, 2023 | 8:38
SHPËRNDAJE

Përpara se Kombëtarja shqiptare të kualifikohej për në Europian, në një intervistë për “Panorama Sport” Edmond Kapllani u shpreh se kuqezinjtë do t’i priste në Gjermani, aty ku jeton prej vitesh dhe qershorin e ardhshëm do të zhvillohet ky turne.

Kapllani

Ish-sulmuesi i Kombëtares që mban edhe rekordin e golave brenda një fushate eliminatoresh të Europianit është rikthyer të flasë sërish për këtë sukses. Ai shprehet se Kombëtarja ka bërë krenar çdo emigrant që jeton jashtë, pavarësisht se në ndeshjen e fundit nuk shkëlqeu, për shkak edhe të ngarkesës psikologjike që lojtarët kishin. Kapllani mendon se Broja dhe Kumbulla, do të jenë pjesë e grupit që do të shkojë në “Euro 2024” dhe në lidhje me shortin, ai nuk do të dëshironte në grup kombëtare si Spanja dhe Portugalia. Durrsaku tregon se cilët lojtarë sipas tij kanë dalluar në këto kualifikuese.

Sipas teje, cilët kanë qenë dy lojtarët që kanë dalluar më shumë?

Për mendimin tim ka spikatur gjithë grupi. Deri tani është përmendur shumë Asani. Është një zbulim për Kombëtaren, Silvinjo i dha mundësinë, luajti dhe shënoi. Por, për mua janë të gjithë lojtarët, duke e kapur që nga porta Berisha, më tej me Hysaj që është hera e dytë që kualifikohen, apo Gjimshiti që e pranoi situatën si e ka pasur më parë dhe si është tani. Ka funksionuar grupi, por ajo që më ka bërë përshtypje dhe mund të them që janë zemra e Kombëtares, janë tre mesfushorët, Bajrami, Asllani dhe Ramadani. Kjo treshe është frymëmarrja e ekipit kombëtar dhe ka bërë diferencën, por pa harruar edhe mbrojtjen që ka qënë solide. Ka qenë i gjithë grupi.

Ndalesa e radhës është në Europian, edhe pse kjo varet nga rivalët që do të kemi në grup, si mendoni se janë shanset për një paraqitje dinjitoze?

Ekipi kombëtar ka luajtur me Poloninë, Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Si Çekia dhe Polonia vinin në këto kualifikuese me një ekip të plakur në shumë aspekte, nuk ishin si para tri vitesh, sepse është edhe me brez. Kombëtaren nuk e kemi parë ende kundër një ekipi të fortë, si Spanja, Portugalia, Holanda etj. Por mua më jep optimizëm ky grup, vrapojnë pa fund dhe po ta shohësh futbolli modern ka ndryshuar. Sa më shumë të vraposh, aq më shumë ke mundësi për të fituar. Kështu që ne do t’i luajmë ato ndeshje në Europian pa ndonjë presion të jashtëm apo të brendshëm, sepse objektivi është arritur dhe një objektiv tjetër është luks. Unë e shoh që ekipi ka kualitet që të bëjë edhe më mirë në fazën finale.

Me aq sa keni ndjekur këto eliminatore, cilat kombëtare nuk do të doje që të kapnim në short dhe cilat do të ishin të favorshme për ne?

Shorti që nuk i përshtatet Shqipërisë, për mënyrën e lojës do të ishte Spanja dhe Portugalia. Janë dy kombëtare që luajnë futboll intesiv, luajnë në sulm dhe kanë shumë kualitet. Mendoj se këto dy shtete nuk do t’i doja në grup. Pastaj Gjermania është Gjermani dhe kur fillon kampionati europian shndërrohet, por aktualisht janë në situatë të vështirë dhe po kalojnë momente të këqija. Do të ishte mirë t’i kishim në grup.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura