AFRIM IMAJ/ Gazeta Panorama.al sjell për lexuesit e sajë pjesën e tretë të kujtimeve të Vahid Lamajt, ish-sekretarit personal të Enver Hoxhës, i cili punoi për 13 vite në paradhomën e diktatorit. Vahid Lama u shpall si armik nga regjimi i kohës dhe u dënua për agjitacion dhe propagandë.
Gazeta Panorama publikon ekskluzivisht kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës, i cili përshkruan me detaje mbledhjet e Komitetit Qendror, Byrosë Politike, takimet në zyrën e diktatorit që sipas tij nuk ishte ai që shfaqej në publik.
Ndër të tjera, Vahid Lama rrëfen se në paradhomën e Hoxhës nuk behej asgjë për urdhrin e shefit të Kabinetit, Haxhi Kroi, të cilin e cilëson si ‘një Enver të dytë’.
Lama tregon dhe vështirësitë që hasin në punë pasi duhet të deshifronin mesazhet dhe gjestet e Enver Hoxhës dhe ato ti redaktonin dhe ti shpjegonin në vendimet e qeverisë që merreshin më pas.
Ai tregon se diktatori shpesh herë bënte pyetje, por i linte pa përgjigje, por i shoqëronte me gjeste, sipas tij më të shpeshtat ishin skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
POROSI TË BUKUR PASKA DHËNË HAXHIU!
Sa herë që Haxhi Kroi ishte sëmurë dhe nuk dilte në punë, më telefononte dhe më porosiste të njoftoja një punonjës të Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror, i cili do ta zëvendësonte, sepse, sikurse më thoshte, ai kishte punuar dikur te Enveri dhe ky i fundit ishte mësuar me të. Sido që ky qëndrim ishte një përçmim ndaj meje, prapë nuk më vinte keq, ngaqë nuk e kisha fort të këndshme të punoja në paradhomën e Hoxhës.
Kisha dëgjuar që një zotëri, i cili punonte aty para meje, në një rast, i kishte thënë Ramiz Alisë me të cilin njihej nga afër: “Më ndihmo të mos rri më në paradhomën e shokut Enver. Aty më luan tepeleku i kokës”! Një ditë dimri, nga fundi i vitit 1969 ose fillimi i vitit 1970, shoku im i punës u gdhi i sëmurë.
Po i telefonoja nëpunësit të Sektorit të Jashtëm për të bërë si zakonisht zëvendësimin e tij. Ndërkohë pashë që u duk në derë të zyrës Ramiz Alia. Po shkonte te Enveri. I kërkova falje bashkëbiseduesit për ndërprerjen e bisedës telefonike për të respektuar sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë. Pasi doli nga zyra e Hoxhës për të shkuar në punën e tij, Ramizi më tha: Të kërkon shoku Enver. Sa hyra në zyrën e Enverit, ai më pyeti: Pse nuk e zëvendëson ti Haxhiun kur nuk vjen në punë?
I shpjegova se kjo ishte një porosi që ma kishte dhënë vetë Haxhiu. – Porosi të bukur paska dhënë ai Haxhiu! Kur nuk vjen ai, je ti këtu. Unë prandaj kam dy ndihmesa, kur mungon njëri është tjetri, s’ka përse të thirren shokë të sektorëve të tjerë. Ç’janë këto ngatërresa? Enveri sigurisht e dinte përse ishte vepruar kështu, por gjykoi të bënte të paditurin. Ai nuk mund të mos e kishte vënë re disa herë që, kur mungonte Kroi, në vend të tij vinte dikush tjetër e jo ai që e kishte për detyrë.
për të më thënë nëse e kisha hartuar mirë apo keq, por nuk më thirri. Në orën 13:00 doli nga zyra për të shkuar në shtëpi. Vura re që midis shkresave të tjera ishte në tavolinën e tij edhe letra që i drejtohej babait të dëshmorit. E kishte nënshkruar! Ndjeva gëzim dhe kënaqësi njëherësh. Këtë e gjykova si një fillim të mbarë në punën time.
NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE
U desh të kalonin disa muaj të tjerë që Haxhiu më në fund të më merrte edhe mua në një mbledhje të Byrosë Politike. Para fillimit të mbledhjes më porositi: Dëgjo me vëmendje kur të flasë shoku Enver, që t’i kuptosh mirë idetë e tij. Ti do të redaktosh procesverbalin e mbledhjes, vetëm për ato pjesë ku flet shoku Enver, duke bërë saktësime, sqarime, plotësime dhe spostime frazash, heqje të ideve të përsëritura etj., ashtu sikurse veproj unë kur redaktoj bisedat e tij. Në mbledhje zura një vend përbri tij. Anëtarët e Byrosë Politike ishin ulur të gjithë rreth tavolinave të vendosura në formë eliptike.
Prisnin të vinte Hoxha. Ishte hera e parë që i shikoja nga afër anëtarët e Byrosë dhe më dukej sikur isha në ëndërr, si një diçka e çuditshme. Gjer atëherë i kisha parë në fotografi ose në tribunë me rastin e festave të një Majit apo të Çlirimit. Ata natyrisht nuk e vunë re që ngjitur me Haxhi Kroin ishte ulur një i panjohur prej tyre. Vështrimet i kishin drejtuar andej nga dera ku do të hynte Enveri, që ta përshëndesnin si zakonisht.
Pasi kaluan disa çaste në heshtje, Enveri u shfaq serbes, me atë trupin e madh e të bëshëm, me një vështrim krenar të përqendruar diku nga dritarja e sallës. Të gjithë, ashtu siç ishin njëri pas tjetrit, lëvizën nga vendet për të manifestuar nderimin e madh ndaj “udhëheqësit kryesor”. Filluan diskutimet rreth një raporti të paraqitur, në mos gaboj, nga sektori ekonomik. Pasi folën thuajse te gjithë anëtaret e Byrosë, Hoxha bëri konkluzionet. Foli gjatë. Ato që thoshte ai duhej të evidencoheshin, të redaktoheshin dhe të ktheheshin pastaj në vendime të Byrosë Politike. Kështu ishte praktika.
Isha tërësisht i përqendruar për të dëgjuar me vëmendje jo vetëm fjalët e Enverit, po për t’i parë edhe gjestet që shpeshherë plotësonin kuptimin e fjalive të tij. Ishte kjo një punë e sikletshme që duhej bërë patjetër, se edhe stenografja, e ngathët e pa nivelin e duhur kulturor, me gjithë kohën e gjatë që shërbente aty, nuk ia kishte marrë akoma dorën punës. Po sikur ndonjë ide Enveri të mos e shprehte qartë, si do ta qartësoja?
Nuk ish te e lehtë ta pyesje Hoxhën: Çfarë ke dashur të thuash me këtë apo atë shprehje? Kjo mund ta mërziste, sepse do t’i shkonte mendja për keq, sikur po vije në dyshim saktësinë e mendimeve dhe të shprehjeve të tij. Pikërisht për këtë më duhej që në bllok të shënoja: Kur tha këto fjalë, Enveri bëri këtë gjest. Për shembull, kur pyeti: Do ta pranojmë kërkesën që na bëhet nga disa marksistë-leninistë për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë?- nuk dha ndonjë përgjigje, por tregoi bërrylin. Kjo parakuptonte që, në redaktim, fjalia të plotësohej pak a shumë kësisoj:
Nuk do ta pranojmë kërkesën e tyre! Mirëpo, po të mos ishte shënuar gjesti, kur t’i vinte radha redaktimit të materialit, mund të ishte harruar përgjigjja e demonstruar me bërryl. Në kulmin e përqendrimit po dëgjoja dikë pranë meje që më çuçuriste bezdisshëm në vesh: Edhe ty të paskan sjellë këtu për të mbajtur procesverbalin?
Nuk mjaftojnë gjithë këto aparatura dhe Haxhiu me këtë bukuroshen (e kishte fjalën për stenografen)? Ndërkoha që nuk po merrte përgjigje nga unë, vazhdonte me ngadalë në dialektin e tij: – Pe nga të kemi mo? Ku ke punuar më parë ?… Papritur, ndërhyri Haxhi Kroi: Të lutem, mos na pengo! Prit të mbarojë mbledhja që t’ju sqarojë për çfarë doni. Ti e sheh që po shkruan, nuk mund të flasë. -Mos bre Haxhi, mos e ngri zërin, se po të dëgjon shoku Enver! Kështu dukesh i urtë zotrote, po ama je ca si nevrik! – vazhdoi bashkëbiseduesi gjithë inat. – Mirë mo mirë, le të vazhdojë punën, se nuk e vrava. Nuk e kisha me të keq. E pyeta vetëm nga kureshtja se nuk e kam njohur më parë…
TË QESHURAT NË MJEDISIN E VRAZHDË
Në mjedisin e zymtë, ku bënin ligjin një grusht njerëzish të krekosur, tekanjozë e zemërakë, të cilëve në çdo hap u kuptohej dëshira për t’u dukur, kishte edhe momente për të qeshur. Ishte një ditë e hënë rreth orës dhjetë. Enveri sa kishte ardhur në zyrë. Për arsye se Haxhiu mungonte, ai më porositi mua të thërrisja ndonjë instruktor të Komitetit Qendror, që ta pyeste për diçka lidhur me një material të paraqitur për shqyrtim në Sekretariatin e KQ. Mora në telefon, por nuk po më përgjigjeshin. Pasi kaluan rreth dy minuta, njëri prej instruktorëve ngriti receptorin. I thashë të vinte menjëherë se e kërkonte shoku Enver. Ai heshti pak çaste dhe, pasi mblodhi veten, më tha: -Mos bëj shaka, shoku Enver nuk ka si me kërkon mua, se nuk ma di emrin. E sqarova se nuk bëhej fjalë për shaka, por duhej të ngjitej lart pa humbur kohë. Erdhi me një frymë e më tregoi ku e kishte hallin që ngurronte të futej në zyrën e Hoxhës. – Mbrëmë isha në Durrës, në dasmën e nipit. Kam ndenjur tërë natën pa gjumë.
Unë zakonisht nuk përdor pije as në raste gëzimesh, por kësaj here, të them të vërtetën, e shkela pak. Gjuhën akoma e kam të trashur, kokën të rënduar e më merren mendtë. Për fat të keq sot u ndodha në zyrë vetëm unë, se të tjerët kanë ikur me shërbim. Si mund të shkoj para shokut Enver me këtë fytyrë të shkalafitur nga pagjumësia? Më bëj diçka të shpëtoj. -Nuk kemi ç’bëjmë, ai kërkoi njërin prej jush dhe, meqenëse je vetëm ti, patjetër duhet të shkosh. Instruktori nuk e zgjati më tej, u ngrit në këmbë, u fut në zyrën e Hoxhës. Pas dhjetëpesëmbëdhjetë minutash doli me ngazëllim dhe buzëqeshje. – E, si shkoi puna? – e pyeta.
– Aq mirë sa s’bëhet. Të them të drejtën më ndihmoi… (gati sa nuk tha Perëndia) vetë shoku Enver. Sa u futa në derën e tij dhe më ftoi të ulesha, u bëra esëll nga emocionet (s’deshi të thoshte nga frika). Nuk i qëndrova përballë, që të mos nuhaste erën e rakisë. U morëm vesh për bukuri për sa interesohej.
Sot, tha me një fije shpotie, për mua është një ditë e shënuar, se kam shumë vite që punoj këtu dhe, vetëm pasi piva njëherë, pata fatin të takohesha me shokun Enver. Jam i gëzuar që e hodha lumin pa u lagur dhe nuk mori vesh se isha akoma çakërrqejf. Mo e cyt ma muhabetin, përfundoi ai me një shprehje karakteristike të krahinës së tij.
VIJON NESER
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.