AFRIM IMAJ/ Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm, pjesën e 6 të kujtimeve të Vahid Lamës, juristit që punoi 13 vite në kabinetin e Enver Hoxhës. Në kujtimet e tij, Lame zbulojnë një pjesë nga të panjohurat e kreut të regjimit, që drejtoi vendin me dorë të hekurt gjysmëshekulli. Ndër to spikasin raportet me vartësit, të njohurit, miqtë, djemtë, motrat, nuset, konsideratat për babain, anenë, baba Cenon, “veset” në komunikimin e përditshëm.
Po ashtu ai nuk nguron të quaj Nexhmije Hoxhën si “kasafortën” e Komitetit Qendror, të vetme që i zinte besë. Në këtë kompleks marrdhëniesh, Enveri, në kujtimet e Lamës, shfaqet i drobitur fizikisht, manjak i ironisë, shpërfillës e mosbesues për të tjerët, megaloman e përbuzës, paranojak e pervers…
KASAFORTA E KQ
Me rastin e festes se themelimit të Ushtrisë, po incizonim një fjalim me të cilin Hoxha do të përshëndeste studentët ushtarakë të Shkollës së Bashkuar, që mbante emrin e tij.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Në zyrë, përveç Hoxhës, i cili do të lexonte fjalimin e përgatitur me shkrim për t’ia dërguar mandej të incizuar shkollës, ishte tekniku i incizimit dhe unë, që do t’ia jepja materialin për ta lexuar fletë pas flete. Kështu e kërkonte “tabiati” i tij. Ndërkohë që vazhdonte incizimi, tekniku, me një lëvizje të lehtë të kokës, m’u drejtua për të mësuar si dëgjohej incizimi në distancën ku isha unë. Iu përgjigja me një gjest që i dhashë të kuptonte se dëgjohej mirë. Hoxha, i vëmendshëm, vuri re gjestet tona dhe dyshoi.
Kushedi ku i vajti mendja! Na vështroi rreptë, në fillim mua, pastaj teknikun. Hodhi përsëri disa vështrime radhazi nga njëri tek tjetri dhe vazhdoi leximin pa më qortuar aty për aty. Pas incizimit, kur secili shkoi në punën e vet, Hoxha më thirri në zyrë. Sa u futa në derë, gërthiti: Përse më shqetësuat kur po lexoja fjalimin, ç’ishin ato që bënit me njëri-tjetrin? Tekniku ishte i interesuar të dinte si po dëgjohej zëri juaj dhe unë iu përgjigja. Komunikuam me gjeste, sepse, po të flisnim, do të ndërhynim me zë në fjalën tuaj. Më vështroi gjithë inat. Nga mënyra si po më shikonte, m’u duk sikur mendonte gjera të kobshme. As tek ne, që ishim zgjedhur të punonim me të, ai nuk kishte besim.
Një ditë, kur Hoxha shkoi në dhomën e pushimit për të pirë kafenë e paradites bashkë me sekretarët e KQ, pastruesja u fut në zyrën e tij si zakonisht për të bërë ndonjë rregullim. Megjithëse ajo ishte zgjedhur me garanci të forta politike, duhej të qëndronte aty edhe një oficer i Sigurimit për ta mbikëqyrur. Ky ishte një oficer i zgjedhur posaçërisht për këtë punë. Kur Hoxha u kthye, vuri re se një dokument, që ai e kishte lënë në njërën anë të tavolinës, nuk ishte më aty, por në anën tjetër. Menjëherë filloi nga dyshimet dhe pyeti se
kush e kishte lëvizur dhe për ç’arsye. Thirri menjëherë Kroin, i cili tregoi se, përveç pastrueses dhe oficerit, nuk ishte futur njeri tjetër në zyrë.
Të njëjtën gjë tha edhe pastruesja. Kur u thirr oficeri, pohoi se e kishte lëvizur ai, pasi mendoi se në pozicionin ku ishte, mund të binte në dysheme. Hoxha u mërzit shumë, e bëri problem të madh, duke shtuar një serë hamendjesh: Nëse oficeri kishte qenë kureshtar për leximin e shkresave në zyrën e tij, nëse ai e bënte këtë punë në shërbim të dikujt etj. etj. U desh kaq dhe i gjori sigurims u vu në sy të ciklonit për disa ditë. Mbledhje, thirrje në raport, analiza në drejtori.
Sidoqoftë, kishte qenë me fat dhe e mbylli këtë histori vetëm me një përjashtim nga grupi i sigurimit që punonte pranë Enverit. Enveri ishte mosbesues ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj udhëheqësve të lartë. I vetmi person që i besonte ishte Nexhmija. Nexhmia dinte gjithçka, ajo lexonte e para shënimet “tepër sekret” të Enverit, mbikëqyrte redaktimin e përshtypjeve të nxjerra nga diktofoni për vlerësimin e punëve dhe sjelljeve të anëtarëve të Byrosë Politike e të KQ lidhur me situata të caktuara dhe jepte porosi se cilit nëpunës të Arkivit do t’i besoheshin për ruajtje. Pa lejen e saj, as sekretarët e KQ nuk
mund të njiheshin me ndonjë material të Arkivit, megjithëse, zyrtarisht, Arkivi nuk varej prej saj, por kishte drejtorinë e vet, që nuk e pyeste njeri. Nexhmijen Enveri e quante “kasaforta” e KQ. Ky përcaktim parakuptonte që për atë nuk mund të kishte asgjë të fshehtë, asnjë sekret. Shpesh, para kërkesave të sekretarëve të Komitetit Qendror për t’u njohur me ndonjë material, nëpunësit mundoheshin të gënjenin sikur atë e kishte në shtëpi shoku Enver.
Ishte kjo një formulë që na i kishte porositur Nexhmija. Një herë, njëri nga sekretarët kërkonte të merrte dijeni për një material që po redaktoja unë me disa shënime të Hoxhës për sektorët e punës që mbulonte. Materiali në vetvete nuk kishte asgjë sekrete. M’u desh që për kërkesën e tij të vija në dijeni Nexhmijen, sipas rregullit të detyrës. Ajo urdhëroi prerë: “Mos ia jep, thuaji që e ka shoku Enver!”. Kuptohet, unë nuk mund të veproja ndryshe, ndërkohë që tjetrin duhet ta sqaroja me marifet pa identifikuar autorësinë e porositësit. Ithtarë të sloganit “beso e kontrollo”, Enveri dhe Nexhmija shikonin dyshime edhe atje ku nuk kishte. Nuk mund të kuptohej fizionomia politike e Hoxhës, pa e lidhur me fizionominë e së shoqes dhe anasjelltas.
“Sëmundja e detyroi të hiqte dorë nga gjuetia”
Kur kishte mbaruar punë në zyrë, Hoxhën do ta gjeje shpesh në shëtitje përgjatë lulishtes pranë shtëpisë, kujton Vahid Lame, ndërsa u kthehet mbresave nga aktiviteti i diktatorit në kohën e lirë. Shpesh këtë ritual e bënte me të shoqen, Nexhmijen, shton ai. Në marrëdhënie me librin, lexonte botime në gjuhën franceze dhe gazetën “Le Mond Diplomatique”. Ishte i dhënë pas të lexuarit. Lexonte shpejt. Zakonisht bënte nënvizime në ato që kalonte në dorë. Në zyrë i sillnin shpesh gazetën “Pravda”, por nuk e shfletonte, pasi rusishten nuk e njihte, edhe pse shprehej që e kishte mësuar. Rregullisht i hidhte një sy “Zëri i Popullit” dhe buletineve të ATSH-së, që vinin për një numër të kufizuar autoritetesh.
Deri në 1974-në, kur u sëmur rëndë nga zemra, e pinte shumë duhanin, edhe pse mjekët ia kishin rekomanduar ta linte, pasi vuante nga diabeti. Diçka
më vonë, kur shëndeti i tij u rëndua dhe vendosi ta linte. Enveri për një kohë të gjatë kishte hob gjuetinë. Ditët e fundjavës, kur njoftonin se do të dilte për të gjuajtur, mjedisi ku do shkonte rrethohej mirë me roje të shumta. Sakaq, shpura e tyre organizohej për t’i siguruar edhe prenë, kafshët e egra, në mënyrë që këto të fundit të mos largoheshin dhe ta linin gjuetarin duarthatë.
Rikthimi në zyrë pas këtij relaksi në terren, fillonte me mbresat nga momentet e gjuetisë. Më shpesh për to fliste me bashkëpunëtorët e afërt, sidomos me pjesën e atyre që e preferonin këtë lloj sporti. Sidoqoftë, një ditë rrethanat erdhën të tilla dhe Enveri u nda me gjuetinë. Shkak u bë zbehja e shikimit nga diabeti dhe përkeqësimi i shëndetit nga infarktet e njëpasnjëshme. Që këtej nuk kishte më dëshirë të dëgjonte biseda për gjahun. Bile nervozohej kur ndonjëri i fliste për diçka të tillë…
VIJON NESER…
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.