AFRIM IMAJ/ Në takimin e 13 shtatorit 1981, Shehu është paraqitur në vilën e Hoxhës, sipas porosisë së këtij të fundit, bashkë me të shoqen, Fiqreten.
Në bisedën kokë më kokë të një dite më parë, dy liderët kryesorë të regjimit kanë rënë dakord për ta rishikuar çështjen e fejesës së djalit të Kryeministrit “me gjakftohtësi dhe pa dhimbje për Partinë”. Në fund, duke u ndarë, shkruan Hoxha, e porosita Mehmetin, ta diskutojë shtruar me Fiqreten dhe nesër të vijnë bashkë për të më treguar variantin konkret se si do ta zgjidhin likuidimin e situatës së rrezikshme.
Duke iu kthyer bisedës me çiftin kryeministror, ku ka qenë e pranishme dhe Nexhmija, Hoxha përmend tri alternativat që i ka komunikuar Shehu për zgjidhjen e çështjes në fjalë, duke i rreshtuar sipas radhës.
Varianti i parë: Skënderi të kuptonte gabimin dhe të prishte fejesën.
Varianti i dytë: Të mos e pranonte ndarjen dhe të martohej me të duke zënë apartament jashtë shtëpisë së Mehmetit.
Varianti i tretë: Të vriste veten nga dëshpërimi. Në mënyrën si ka rrjedhur debati gjatë këtij takimi, bie në sy reagimi i Hoxhës pas kumtimit të fjalës “vetëvrasje”. Hoxha që e kupton më mirë nga gjithkush gjuhën e tjetrit, nuk e afron për asnjë çast vetëvrasjen për Shehun, por e adreson qëllimisht tek i biri, Skënderi, dhe harxhon minuta të tëra për të siguruar bashkëbiseduesin se diçka e tillë nuk mund të ndodhë kurrsesi.
“Mos ki merak fare, iu ktheva Mehmetit, shkruan Enveri, se Skënderi tënd ka kaluar shumë herë në këto rrugëra dhe as që është turbulluar, pa le të vrasë veten”. Takimi është mbyllur, siç shkruan Hoxha, sërish pa ndonjë zgjidhje të qartë. Sidoqoftë, shton ai në dorëshkrimin e tij, duke iu referuar çasteve fundore të bisedës, për mua është e qartë, duhet prishur fejesa, por sot s’ia thashë se ishte shumë i tronditur, do t’ia shtroj nesër kur të qetësohet dhe të zgjidhë këtë lëmsh që bëri”.
Në numrin e kaluar publikuam bisedën Hoxha-Shehu në takimin e 12 shtatorit ’81. Në dorëshkrimin e Hoxhës bëhet e ditur, se takimi ishte kërkuar me ngulm nga Shehu, i cili pas reflektimit mbi problemet e bëra prezent një ditë më parë, sforcohej të sqaronte pozicionin e vet dhe të familjarëve të tjerë në fejesën e gabuar.
“Mehmeti, i alarmuar dhe me sy të errësuar nga sentimentalizmi i sëmurë karshi fëmijëve, shkruan Hoxha, duke bërtitur me duar thosh “Jo shoku Enver, unë kam faj, vetëm unë kam faj, unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti etj., etj.”. Po përpjekja e Shehut për të lehtësuar nga përgjegjësia të birin dhe bashkëshorten nuk ka funksionuar deri në fund. Hoxha, i vëmendshëm ndaj strategjisë së tjetrit, ia ka prerë qysh në fillim, madje me një lloj nervi.
“E laç të mbaronte dhe të pushonte të qarit, shënon Hoxha në ditar, pastaj i them: Shif Mehmet, ti dhe Fiqretja, s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë, por ka faj edhe djali, Skënderi, i cili ka bërë dhe skandale të tjera”. Debati i çelur një ditë më parë ka vazhduar kështu katër orë pa ndërprerje.
Në përballjen e pazakontë, përveç përpjekjes së Hoxhës për ta bindur tjetrin për prishjen e fejesës, dallohet një lloj qasjeje e fshehtë e kreut të Partisë për t’i lënë të kuptonte Shehut se tashmë ky i fundit nuk po dëshmonte më besnikëri…
Takimi i tretë
E diel, 13 shtator 1981
Mehmeti me gjithë Fiqretin erdhën përsëri te ne dhe sigurisht, të tronditur dhe të alarmuar për gabimin e madh politik që bënë, në mes tyre bluanin në kokë shumë variante prapë alarmante, që mund të ngjisnin me Skënderin kur t’i thoshin se duhej të priteshin marrëdhëniet me Turditë.
E dëgjoja Mehmetin me gjakftohtësi, edhe pse e merrja me mend se çfarë variantesh kishin imagjinuar.
Varianti i parë: Skënderi të kuptonte gabimin e tij dhe të prindërve dhe të pranonte të likuidohej kjo situatë e rrezikshme.
Varianti i dytë: Të mos pranonte ndarjen dhe të martohej me të, duke zënë apartament jashtë shtëpisë së Mehmetit.
Varianti i tretë: Të vriste veten nga dëshpërimi. I them Mehmetit:
Varianti i parë do të ngjasë dhe ai duhet të bëhet. Mos ki merak, i them, se djali tënd ka lënë dy-tre vajza, mund të lërë edhe të katërtën pa gjë të keqe fare.
Kurse dy variantet e tjera, të siguroj unë se nuk do të ngjasin. Po të ngjas varianti i dytë, ai braktisë rrugën e Partisë për rrugën e reaksionit, ai hyn në rrugën e armikut. Po nuk do e lëmë të ngjasë gjë e tillë dhe s’ke pse e mendon këtë variant. Ti e njeh më mirë djalin, por mua, i them Memetit, më çudit pse mendon kështu. Sa për variantin e tretë, mos ki merak fare se e vret veten. Skënderi tënd ka kaluar shumë herë në këto rrugëra dhe as që është turbulluar, pa le të vrasë veten.
Mehmeti m’u përgjigj: “Ishalla kështu u bëftë, por këto variante më shkuan ndërmend”.
Pas kësaj, Mehmeti më nxori nga xhepi një tok letra për të më treguar përbërjen komplete të Turdiut dhe të gruas së tij (Pipa janë). I them s’është nevoja, ato që duhet të di t’i thashë dhe ato qëndrojnë. Po, tha Mehmeti, ato janë, por desha të shtoj vetëm disa përcaktime:
“Arshi Pipa, udhëheqës i reaksionit shqiptar në Amerikë, nuk është i vëllai i nënës së vajzës, por djali i xhaxhait.”
I them: Njësoj është.
Por, shtoi Mehmeti, të ta lexoj një çikë, ja tri faqe janë, m’i ka dhënë sigurimi:
Profesor Turdiu, babai i vajzës, është futur dy herë në listat e sigurimit; kriminelët e luftës, të burgosurit, të arratisurit janë, por në listë filloi të më numërojë pjesëtarë të familjes së Turdiut, nja katër a pesë, që njëri punon atje, tjetri atje.
Kjo ishte nga ana e Mehmetit një lehtësim, njëfarë shfajësimi, por edhe për variantin e dytë mund të shërbente që fundi fundit mund të pranohej.
Kjo nuk më erdhi mirë dhe i them: Asgjë nuk lot, kjo është një familje plot me armiq dhe këta që më numëron ti, heshtin se kanë frikë, por po gjetën rastin, bëhen si të tjerët.
Ashtu është, tha Mehmeti. Atëherë u ndamë, u përpoqa ta qetësoj deri sa t’i vinte djali nga Athina, të cilin e kthen për t’ia shtruar çështjen dhe të merrte fund.
Mendimi im është se Mehmeti realizon se ka bërë gabim politik, por këtë realizim s’e ka të thelluar në konsekuencat e rënda, por në platformën “Si më ngjau mua” dhe jo “pse më ngjau mua” dhe ku është burimi.
Për mua është e kiartë, nuk ia thashë sot se ishte shumë i tronditur, por do t’ia shtroj nesër kur të qetësohet dhe të zgjidhë këtë lëmsh që bëri. Është në interesin e madh të Partisë që t’i kuptojë Mehmeti këto gjëra, se mund të bëjë prapë gabime.
E diel 13.9.1981
Silva Turdiu: Si u ndava me djalin e Mehmet Shehut
Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë, ka dëshmuar para hetueseve në procesin e Kadri Hazbiut, Silva T.. Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në ditët e fillim shtatorit ’81. Më datën pesë, ajo është nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar dhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha. Më pas, ai do vazhdonte rrugën në Suedi ku ishte duke kryer studimet. Para nisjes, i ka takuar te pallati i sportit “Partizani” ish-ministri i Brendshëm, Feçori Shehu dhe i ka uruar për fejesën.
Dy ditë më parë, një gjë të tillë ka bërë dhe Enveri me të shoqen, në shtëpinë e kryeministrit. Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy. Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi ka thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte disa gjëra serioze vetëm për vetëm me të. Ashtu ishte bërë. Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, bodigardit të Kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta.
Skënderi i kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa probleme të koklavitura në biografinë e familjes së saj. Silva kishte reaguar duke i thënë se ju i dinit ato gjëra më parë. Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës, djali i xhaxhit të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej. Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist, mund të përjashtohej nga Partia. “Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva.
Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri. Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqretja te shkolla e Partisë. Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe Qazim Turdiu ka shkuar vetëm në takim. Kur ishte kthyer në shtëpi Qazimi, kishte thënë se Fiqretja i kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën ata “nuk e dinin më parë”. Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar jo vetëm për ishvolejbollisten, por edhe për djalin e ish-Kryeministrit.
Vijon…
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al