EKSKLUZIVE/ “O burra, merrni vajzat e kulakëve e ballistëve!”- Zbardhet përplasja e fortë mes Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisës: E bëre me qëllim fejesën me Turditë! Hoxha: E kam këshilluar shokun…

Nov 8, 2021 | 18:08
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-Procesberbali-vajzat0kulakeveGazeta Panorama.al publikon sot pjesën e dytë të debatit të fortë në mbledhjen e Byrosë Politike, ku anëtarët e PKSH-së kanë ‘kryqëzuar’ me kritika të forta, kryeministrin më jetë gjatë të kohës, Mehmet Shehun, i cili u sulmua pas fejesës së djalit të tij, Skënderit me vajzën e Qazim Turdiut.

Gjithçka është e qartë. Mehmet Shehu do trajtohet si të gjithë paraardhësit e tij. Klanet janë krijuar dhe kanë nisur sulmin. Në pjesën e dytë të procesverbalit të mbledhjes së Byrosë evidentohen të gjithë ata që fejesën e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun do ta përdorin si një arsye të fortë për të zhvendosur autoritetin e tij në parti. Mehmeti trajtohet në Byro si një fajtor i rëndomtë që nuk do të kishte asnjë rrugë shpëtimi. Të gjithë janë kundër tij, ashtu si në të gjitha mbledhjet e këtij lloji.

Edhe miqtë, edhe armiqtë janë në sulm. Ka vetëm një moment hezitimi nga Enveri. Dhe arma që ata përdorën rezultoi të ishte vdekjeprurëse. Në dialogët e mbledhjes së datës 17 dhjetor. 1981, që do të botohen sot për herë të parë në gazetë, duket qartë se Ramiz Alia, në atë kohë në “reshtin” e dytë të Partisë, është një ndër “armiqtë” e hapur të Mehmetit.

Në disa ndërhyrje resht ai përpiqet ta devijojë gabimin e fejesës në një faj të rëndë politik që i ka shkaktuar Partisë një dem të pariparueshëm. Bashkë me të bashkohen edhe disa figura të tjera të asaj kohe. Sot do të botohen të gjitha fjalitë kundër Mehmetit nga klani i ish-presidentit. Pyetjet tendencioze të Simon Stefanit dhe Pali Miskës. Ndërhyrjet e Kadri Hazbiut dhe roli që mbajti ai gjatë mbledhjes. Debati i gjatë me Ramiz Alinë dhe ndërhyrja e Enver Hoxhës për ta nxjerrë Mehmetin nga pozita që po e vendoste Alia.

Pse Enveri nuk e shtyn Mehmetin drejt humnerës dhe këshillat e tij në momentet më kritike. Si heshtin anëtarët e tjerë të Byrosë menjëherë pasi ish-diktatori në një moment ndërhyn dhe thotë: “Për këtë çështje, që të fliste kështu, e kam këshilluar edhe unë shokun Mehmet”.

vijon nga numri i kaluar

Procesverbali-Mehmet-Shehu-Byroja-Politike-debati-fejesa-djali-Skender-Shehu-fati-vetvrasja-kadri-Hazbiu-Qazim-TUrdiu

Procesverbali i Mbledhjes së Byrosë Politike të KQZ të PPSH të datave 17 e 18 dhjetor 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike!

Shoku Simon Stefani: Më fal, shoku Enver, dua të bëj një pyetje tjetër: Lidhur me problemin e luftës së klasave, ju shoku Mehmet mos keni lëkundje në vijën e Partisë?

Shoku Mehmet Shehu: Jo, lëkundje në vijën e Partisë, mendoj unë, nuk kam. Këtu, në këtë çështje kam gabuar dhe e pranoj gabimin. Ky, siç e them edhe në autokritikë, është një gabim i rëndë.

Shoku Ramiz Alia: Po, mirë, si e pranoni ju atëherë mendimin që do të influenconit te vajza? Ç’do të thotë kjo? A mundet t’i këshillojmë ne Partisë: o burra, merrni vajzat e kulakëve, merrni vajzat e ballistëve, futini në familje se ne do të influencojmë mbi to. Kjo nuk është vallë një tezë oportuniste? Po, pra nuk do te thotë kjo se ju nuk jeni konsekuentë me luftën e klasave?

Shoku Mehmet Shehu: Po, kjo është një tezë oportuniste. Në këtë rast qëndrimi im nuk është konsekuent, prandaj them që kam gabuar rëndë. Në raste të tjera unë nuk kam gabuar dhe e them që për rastin konkret…

Shoku Ramiz Alia: Po kjo ka të bëjë me bindjen tuaj.
Shoku Kadri Hazbiu: Po edhe ta bësh këtë shoku Mehmet, në prag të Kongresit?! Çfarë do të thotë kjo? Ju mendoni se nuk është një qëndrim oportunist, por ama bëhet në një moment që i kushton rënde Partisë, kur e gjithë Partia është mobilizuar të zbatojë me vendosmëri vijën e saj në të gjitha fushat! Pastaj mendoni një çikë më drejt mbi këtë!

Shoku Mehmet Shehu: Unë e them në autokritikë shoku Kadri se, sikur djemtë e tjerë të ma kërkonin një fejesë të tillë, po të mos ishin të martuar, bile për asnjeri tjetër, nuk do të pranoja. Për këtë djalë e pranova për arsyet që kam vënë, për traumën psikologjike që ka pasur djali, si dhe për gabimin që bëra në ndarjen e familjes së Qazim Turdiut.

Shoku Ramiz Alia: Më falni, shoku Mehmet. Domethënë ju e pranoni që këtë veprim e keni bërë me ndërgjegje të plotë, e dinit që po bënit një veprim që është në kundërshtim me vijën e Partisë.

Shoku Mehmet Shehu: Jo.

Shoku Ramiz Alia: Po përse?! Ju, kur thoni se këtë nuk do ta bënit për ndonjë nga fëmijët e tjerë, në fakt për Skënderin e keni bërë me ndërgjegje të plotë. Këto jua them edhe për t’ju ndihmuar, se edhe në autokritikë, për të cilën do të them mendimin tim, ju nuk i bini drejt në ballë gjërave. Ç’do të thotë ajo që shprehni ju se për fëmijët e tjerë nuk do ta bënit një gabim të tillë? Kjo do të thotë që ju ishit të bindur që fejesa që bëtë ishte në kundërshtim me vijën e Partisë.

Bile thoni që një veprim të tillë s’ia rekomandoni asnjë shoku, dhe drejt e thoni, kështu duhej të mos ia rekomandonit kurrkujt, sepse është në kundërshtim me politikën e Partisë. Megjithëkëtë ju thatë “unë do ta bëj” dhe e bëtë, sepse donit ta bënit, duke menduar që këtë do t’jua toleronte Partia, menduat që juve kjo ju lejohet. Po pse menduat që Partia për këtë që bëtë nuk do të reagonte? Po të mendonit ju që Partia do të reagonte dhe ju prapë do ta prishnit fejesën, pse ta bënit atëherë? Ju menduat që Partia do ta pranonte. Atëherë pse e menduat kështu? Mos ka kjo lidhje me pyetjet që ju bënë shokët këtu? E vini veten mbi Partinë ju? Normat e Partisë për ju nuk kanë vlerë! Atëherë si shpjegohet ajo që thoni, ky është mendimi im? Këtu duhet të reflektoni ju, mendoj unë.

Shoku Mehmet Shehu: Unë, shoku Ramiz, nuk e vë veten mbi Partinë. Sigurisht që kam gabuar në këtë çështje, ashtu siç e shpjegoj në autokritikë, po mbi Partinë unë nuk e ve veten.

Shoku Ramiz Alia: Po nuk e shpjegon kjo çështjen, shoku Mehmet, se ju vetë thoni se ajo që bëtë është në kundërshtim me vijën e Partisë, ju vetë e thoni që një gjë të tillë. Nuk do ta bëje për fëmijët e tjerë, s’do t’ua lejoje as shokëve, dhe vërtetë kështu është, as fëmijëve të tjerë, as shokëve nuk do t’ua rekomandonit, pse ishit të bindur që kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë. Atëherë pse e pranuat atë? Ja këtu është problemi, këtu është kyçi.

Shoku Mehmet Shehu: Ja, në kompleksin e gjithë këtyre çështjeve…

Shoku Ramiz Alia: Atëherë kanë të drejtë shokët që thonë pse vure interesin e familjes e të djalit mbi interesin e Partisë. Kanë shumë të drejtë që ata të thonë këtë.
Shoku Mehmet Shehu: Unë e thashë, nuk e kam vënë me ndërgjegje interesin e Partisë…

Shoku Simon Stefani: Po ju vetë thoni shoku Mehmet se, e bëra me ndërgjegje për këtë djalë.

Shoku Ramiz Alia: Ju vetë thoni se, nuk do ta pranonit këtë për fëmijët e tjerë.

Shoku Mehmet Shehu: E bëra për arsyet që thashë.

Shoku Pali Miska; Shoku Mehmet, nuk është çështja që të lozim me fjalë për të shkuar kohën këtu. Çështja është që ju nuk jeni në atë nivel sa të mos gjykoni mbi këtë veprim që ka të bëjë tamam me vijën e Partisë. Edhe në rastin konkret, deri sa ju keni ndjenja sentimentalizmi ndaj djalit, del e qartë që të tera veprimet tuaja që sollën në këtë çështje qëndrojnë te vënia e interesit të djalit mbi atë të Partisë. Këtu është gabimi.
Shoku Mehmet Shehu: Po unë nuk jam nisur nga ajo që ta bëjë me ndërgjegje.

Shoku Pali Miska: Nga se nisesh ti, është punë tjetër, po veprimi këtu të nxjerr. Ne gjithnjë, në çdo veprim, në çdo moment, në çdo gjë themi se nuk duhet ta harrojmë Partinë. Ky veprim nga ana juaj është një rast shumë flagrant e i madh. Si e harroni ju në këtë rast Partinë?

Shoku Mehmet Shehu: E di që është i madh e flagrant.
Shoku Kadri Hazbiu: Në qoftë se ju vuani nga sentimentalizmi, shoku Mehmet, pse nuk u treguat sentimental për normat e Partisë, për vijën e Partisë, për interesin e Partisë? Ta gjykojmë këtë çështje një çikë edhe nga kjo anë. Pastaj ky sentimentalizëm në kundërshtim me të gjitha normat e rregullat e Partisë qëndron vetëm në rastin e këtij djali apo ka influencuar edhe në raste e probleme të tjera? Më gjerë duhet ta shikoni këtë çështje.

Shoku Mehmet Shehu: Për këtë çështje gabimi është bërë vetëm për këtë djalë, për traumën psikologjike që ka pësuar…
Shoku Simon Stefani: Sentimentalizmi ku mbështeteni ju nuk është argument. Ai ka të bëjë me botëkuptimin tuaj, se kështu e mendoni, prandaj edhe veproni. Edhe sentimentalizmin si nga teorike, edhe nga ajo praktike ju nuk e shpjegoni drejt.

Shoku Mehmet Shehu: Unë them si e mendoja atëherë, si e mendova në ato momente kur e bëra fejesën, nuk e them si e mendoj tani. Tani e mendoj ndryshe.

Shoku Enver Hoxha: Shokët duan të dinë si e mendoj dhe si e mendon edhe sot, prandaj të bënë disa pyetje, domethënia e të cilave vërteton të kundërtën e arsyetimeve jo që të shtynë ty të veproje gabim. Tani këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjesh qartë, që të mund të shërohesh më vonë. Unë do t’u përgjigjesha kështu këtyre pyetjeve: jo vetëm që kam menduar gabim, por e kam vënë interesin e Partisë nën interesin e djalit.  Kjo do të ishte një autokritikë e drejtë. Flasim për atë moment. Këtu ne gjykojmë faktet. Prandaj ne themi se në atë moment ti e humbe drejtimin e Partisë, humbe ekuilibrin në vijë, domethënë e shkele këtë Kështu është më drejtë të thuhet. Pastaj një sërë pyetjesh të tjera që të janë drejtuar, janë krejt të qarta. Mos u përpiq t’i mbulosh me formulën “në atë kohë”, se në atë kohë, e pranojmë të tërë, u bë si u bë, tani që vijmë këtu si e mendon? E mendon kështu si pyesin shokët? Se ata nuk janë dakord me përgjigjet që u jep.

Shoku Mehmet Shehu: Për atë kohë unë nuk e mendova ashtu, shoku Enver. Tani e kuptoj që kështu është.

Shoku Ramiz Alia: Këto pyetje që po të bëjmë ne tani, i konsideroni të drejta?

Shoku Mehmet Shehu: Të drejta i konsideroj.
Shoku Ramiz Alia: Prandaj të paktën na e thuaj që keni të drejtë, po jeni i bindur për këtë të drejtë që na jepni?
Shoku Enver Hoxha: Dhe bindja që këto që të pyesim janë të drejta, të largon ty nga ai gabim. Këtë duam edhe ne, që të të ndihmojmë, që të largohesh nga gabimi.

Shoku Mehmet Shehu: Pyetjet e shokëve janë të drejta. Duke i gjykuar sot, ashtu është. Në atë moment praktik e konkret, duke e gjykuar ashtu siç e gjykova unë, në fakt unë e dëmtova interes in e Partisë edhe njëkohësisht u dëmtua edhe interesi i familjes sime dhe i djalit.

Shoku Enver Hoxha: Ja pra, këtu ka një hap përpara nga ana jote. Merri tani përsëri përgjigjet që dhe nga e para dhe përgjigju me këtë frymë dhe do të shikosh se do të dalësh në rrugën që gjithë Partia dëshiron të dalësh.
Shoku Mehmet Shehu: Pyetja e dytë, që nuk kam shënuar këtu se kush nga shokët e ka bërë, po e kam shënuar, është nëse vetitë negative të miat kanë ndikuar në punën time të përditshme, të zakonshme.

Unë besoj se po, ato kanë ndikuar, pa diskutim që kanë ndikuar. Unë kam luftuar kundër këtyre vetive, aq sa kam luftuar dhe kam arritur njëfarë rezultati, por, siç e them, plotësisht nuk jam çliruar prej tyre. Është e pamundur që këto të mos kenë ndikuar në punën time për të keq, aq sa kanë ndikuar. Në gjithë punën dhe jetën time që jam në Parti, gjatë gjithë kohës ka pasur raste konkrete që ato veti më kanë ndikuar për keq. Veti të këtilla negative nuk mund të mos ndikojnë për keq.

Pyetja tjetër: Organizata-bazë e Partisë, në të cilën bëj pjesë, a është informuar?

Kam informuar sekretarin e organizatës-bazë time, e kam njoftuar që kam bërë një gabim të rëndë politik të kësaj natyre dhe për këtë do të bëj autokritikë në Byronë Politike dhe mbasi të bëj autokritikë atje, atëherë do të vij të flas edhe në organizatën bazë të Partisë.

Shoku Enver Hoxha: Për këtë çështje, që të fliste kështu, e kam këshilluar edhe unë shokun Mehmet kur më shprehu mendimin se do të vente në organizatën-bazë të Partisë të bënte auto kritikë. Unë i kam thënë ta marrim një herë në diskutim këtë çështje në Byronë Politike, pastaj të diskutohet në organizatën – bazë për këtë çështje…

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ Fejesa e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut/ Zbardhet debati në Byron Politike: Ti ve djalin para partisë?! Shehu: Skënderi kaloi traumë psikologjike! Enveri: Janë punë agjenturale…
(PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura