Kreu i Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhenieve me Publikun në “Airbus Helicopters”, Claas Belling ka folur në një intervistë për “Panorama Online” në lidhje me rrëzimin e helikopterit EC 145 në Grizhë të Shkodrës më 6 prill të këtij viti.
Rrëzimi i helikopterit të FA-ve solli vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtaraku, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e vërteta që çuan në rrëzimin e helikopterit.
Këto ditë, është raportuar se kompania franko-gjermane u ka dërguar letër të gjithë “klientëve ushtarakë” që të mos i përdorin për fluturime EC 145 deri sa të sqarohen rrethanat e aksidentit të helikopterit shqiptar.
Mirëpo përfaqësuesi i “Airbus Helicopters”, Claas Belling e mohon ekzistencën e një letre të tillë. Ai madje thotë se kompania që ai drejton nuk i ka dërguar letër as Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare për helikopterin tjetër EC 145 që ka në përdorim, pasi nuk janë vërejtur defekte.
Ai nuk preferoi të bënte komente për përparimin e hetimeve lidhur me shkaqet e aksidentit, por tregoi se ekspertët e kompanisë së tij, kanë ndihmuar autoritetet shqiptare të gjejnë kutinë e zezë, e cila ka të gjithë materialin audiovizual, që tregon se çfarë ka ndodhur brenda kabinës së pilotit në momentin e rrëzimit. Kjo pritet që të japë një panoramë të qartë të aksidentit.
INTERVISTA
Z. Belling, me sa keni ju dijeni, si po shkojnë hetimet për çështjen e rrëzimit te helikopterit EC 145 në Grizhë të Shkodrës dhe a ka ndonjë të re nga hetimi?
Ne nuk jemi në një pozicion të favorshëm për të komentuar hetimet, të cilat vazhdojnë ende. Ato po udhëhiqen nga Ministria e Mbrojtjes dhe autoritetet e tjera, por ne po i ndihmojmë me sa mundemi.
A u ka dërguar kompania juaj një shkresë të gjithë klientëve ushtarakë që kanë marrë EC 145 që të mos i përdorin në fluturim deri sa të zbardhet ngjarja në Shqipëri?
Jo, kjo nuk është e vërtetë.
Thuhet se Ministria e Mbrojtjes ka një tjetër helikopter si ai që u rrëzua në Grizhë, a i keni dërguar një shkresë që të mos e përdorë atë deri sa të zbardhet aksidenti?
Jo, as kjo nuk është e vërtetë.
Si po i ndihmojnë ekspertët tuaj hetimet për aksidentin tragjik në Shqipëri?
Dy ekspertët tanë kanë ndihmuar autoritetet shqiptare që të gjejnë kutinë e zezë (VIsion 1000 System).
Kjo pajisje e sofistikuar arrin që të regjistrojë dhe mbledhë të gjitha të dhënat audiovizuale të kabinës së pilotit, duke i ruajtur ato në dy vende. Njëra është memoria integrale, e cila është ndërtuar në një mënyrë që përballon çdo aksident të mundshëm dhe tjetra është memoria portative, e cila është një kartëmemorie e lëvizshme.
Këto informacione që mbledh kjo pajisje janë mjaft të rëndësishme për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Pajisja është mjaft inovative dhe na jep mundësi që të rishohim momentet e aksidentit ashtu sikurse i kanë përjetuar pilotët, pra ashtu sikurse ka ndodhur.
Intervistoi: Erald Deliu
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al