EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-prokurorit të Enverit: Si dhe ku u ekzekutuan Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, kur i komunikova vendimin ata …

Aug 14, 2019 | 13:16
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ 

“U ndava me Partinë, se mendova një rrugë tjetër për ta shpëtuar ekonominë, një rrugë jashtë direktivave të saj. Partia deshi ekonomi të qendërzuar, unë një ekonomi më të lirë e më të pavarur. Rezultoi kjo e huaj e revizioniste dhe më kushtoi. Se do më kushtonte patjetër”.

Fjalët e fundit që ka dëgjuar nga goja e Abdyl Këllezit në takimin në qeli një ditë para fillimit të procesit gjyqësor, Rrapi Mino, zyrtari që ka firmosur dënimin e tij me pushkatim, i vlerëson si një shpërthim emocional jashtë realitetit dhe produkt të një gjendjeje të rënduar shpirtërore. Së paku, kështu e ka menduar ato çaste kur procedura ia donte ta këshillonte për herë të fundit para se të përballej me trupin gjykues. Ajo çka ka shtjelluar më vonë në aktakuzën ndaj kreut të “grupit të sabotimit në ekonomi”, ka mbetur e dokumentuar në dosjen e procesit, e cila, sipas Minos, është e plotë.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”

Megjithatë, vegimi që ka marrë nga takimi i fundit në qeli, i ka fashitur çdo dyshim për shkallën e rrezikshmërisë që paraqiste Abdyl Këllezi dhe bashkëpunëtorët e tij me qasjen për kursin e kapitalit të ekonomisë shqiptare. Nga përballjet e fundit me pjesëtarët e grupit të Abdyl Këllezit, ish-prokurorit i ka mbetur në mendje shpjegimi i Kiço Ngjelës. “Më goditën,-i ka thënë ai,-për ca sherbele që çuam në SHBA. Sherbele për tregti në fund të fundit, jo tregti parimesh. I vunë emrin shkelje e rëndë dhe më groposën. Më çuan për kokë turku, Ç’t’i bësh”.

Më tej, Mino tregon momentet pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, kur pozicioni ia kërkonte të kryesonte grupin e punës të urdhëruar nga ministri i Brendshëm, për të bërë ekzekutimin e të dënuarve me vdekje në “vendin e caktuar”, siç shkruhej aty, që parakuptonte një kodër me shkurre në Linzë. Ai thotë se ndryshe nga rastet e tjera të këtij lloji, ekzekutimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit është bërë në mesditë….

Pasi lexuat ne numrin e shkuar takimin me Abdyl Kellezin, ish-kryeprokurori rrefen ne kete pjese takimin me Kiço Ngjelen, si e pritën pretencën që komunikuat në sallën e gjyqit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi dhe detaje nga ekzekutimi.

Gjatë procesit jeni përballur disa herë me të pandehurit e “grupit të ekonomisë”. Ruani ndonjë mbresë të veçantë nga takimet me ta?

Jam takuar dhjetëra herë me çdonjërin prej tyre, ditën dhe natën. Kam në sy sidomos gjendjen e tyre të rënduar psikologjike, e shprehur së fundi me një lloj padurimi për verdiktin e dënimit. Me sytë e buhavitur nga pagjumësia sikur thonin “Jepni, ç’prisni!”

 

Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit
Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit

Po Kiço Ngjela çfarë tha në takimin e fundit?

Çuditërisht, ai dukej më i qetë. “U kryqëzova,-tha,- se më akuzuan për tregti me SHBA dhe ca gjëra të tjera. Tregti sherbela bëra, jo tregti parimesh. Ca më tepër që ishin në dijeni të gjithë. Shkelje e rëndë u tha në proces, shkelje tha Partia. Shkelje, që donte ndëshkim. Thellë-thellë, ma thotë shpirti, se po shkojmë koka turku nga rënia ekonomike dhe bllokada e jashtëzakonshme. Megjithatë, koha ka për ta treguar”.

Dhe koha i dha të drejtë, apo jo…

Ta vlerësosh me realitetin e sotëm, po. Po flasim për dy kohë të ndryshme, për dy filozofi e ligjshmëri të ndryshme.

Si e pritën pretencën që komunikuat në sallën e gjyqit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi?

Në një farë mënyre, në fund të atij procesi maratonë, ata ishin bindur për dënimet që do finalizonte ai. Nuk pati ndonjë reagim të veçantë prej tyre. Pas leximit që i bëra unë pretencës së prokurorit, ata ulën kokën dhe qëndruan si të ngrirë në heshtje. Kështu, edhe kur dëgjuan vendimin e formës së prerë të trupit gjykues. Nuk më kujtohet ndonjë detaj i veçantë, përveç solemnitetit të seancës dhe heshtjes së tyre…

Abdyl Këllezi në Kongresin e VI të PPSH
Abdyl Këllezi në Kongresin e VI të PPSH

Pastaj erdhi ekzekutimi i tyre…

Për të shkuar deri këtu, u deshën disa ditë. Sipas ligjit, atyre u lejohej t’i bënin kërkesë për faljen e jetës Presidiumit të Kuvendit Popullor, të cilën e konsumuan, por nuk përfituan. Që këtej, pastaj nisi praktika e zbatimit të vendimit të Gjykatës së Lartë. Me një urdhër të veçantë të ministrit të Brendshëm, përcaktohej vendi, data dhe skuadra që do të bënte ekzekutimin e të dënuarve…

Në ekzekutimin e tyre keni marrë pjesë edhe ju, apo jo?

Prania e prokurorit të çështjes ishte kërkesë eksplicite e ligjit. Që do të thoshte se, në mungesë të tij, nuk mund të kryhej ekzekutimi i vendimit të Gjykatës. Kjo, sidomos, kishte marrë përparësi pas gjyqit të Teme Sejkos…

Me një fjalë, para gjyqit të Teme Sejkos prokurori nuk merrte pjesë në ekzekutimin e të dënuarve me vdekje?

Kishte raste që edhe nuk merrte, duke çuar ndonjë vartësin e tij te vendi i ekzekutimit, siç ndodhi në rastin e Teme Sejkos me Arianit Çelën, i cili ishte prokuror i procesit dhe neglizhoi të shkonte te vendi i ekzekutimit. Neglizhoi, po krijoi një furtunë të madhe…

E spiunoi ndonjëri nga pjesëtarët e grupit që bëri ekzekutimin e Teme Sejkos?

Kjo neglizhencë u zbulua shumë vite më vonë, më saktë pas denoncimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Dikush i çoi fjalë Enver Hoxhës se Teme Sejkoja është gjallë dhe ai vuri në lëvizje tërë shtetin. Të parin thirri Aranit Çelën. Ku e keni pushkatuar Teme Sejkon?,- i tha. Po çfarë t’i thoshte Araniti. U krijua një konfuzion i padëgjuar. Përditë e net me radhë forca të shumta të Ministrisë së Brendshme u përfshinë në operacion kërkimi. Deri sa u gjetën eshtrat e Teme Sejkos nuk pati rehat për Aranit Çelën. Por jo vetëm për të. Ky precedent e kishte bërë mëse të domosdoshëm praninë e prokurorit gjatë ekzekutimit të të dënuarve me vdekje…

Sa ditë pas shpalljes së vendimit të gjyqit u bë ekzekutimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit?

Nëse nuk gaboj, gjyqi ka proceduar me vendim të formës së prerë diku nga mesi i muajit maj të vitit 1977. Aty nga fundi i majit është bërë dhe ekzekutimi i vendimit. Me sa më kujtohet, përgjigjja nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ka ardhur rreth dy javë pas përfundimit të gjyqit. Brenda ditës pastaj ka dalë urdhri i ministrit të Brendshëm, që caktonte vendin dhe orën e ekzekutimit bashkë me personat përgjegjës që do ta ndiqnin çështjen…

Vetëm kaq parashikonte urdhri i ministrit të Brendshëm?

Kaq dhe asgjë tjetër. Në fund mbyllej me një detaj, që ishte shabllon për këto raste. Ministri porosiste që para ekzekutimit të dënuarve t’u merrej fjala e fundit dhe të dokumentohej në një procesverbal të veçantë…

Kujt i adresohej ky urdhër?

Urdhri i drejtohej Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Hetuesisë, që ishte pjesë e kësaj ministrie. Njëherazi ai erdhi edhe në adresën time me cilësimin për njoftim.

Pra, ministri i Brendshëm urdhëronte Prokurorin e Përgjithshëm, që do të thotë se ky i fundit ishte vartësi i tij?

Kjo ishte një procedurë standarde. Ndryshe nga vartësit e tij, urdhri për mua, siç të shpjegova, vinte me siglën për njoftim.

Formalisht për njoftim, se në përmbajtje ju detyronte të ishit pjesë e grupit që do të bënit ekzekutimin e të dënuarve…

Pjesëmarrja e prokurorit në ekzekutimin e vendimit të gjykatës ishte e rregulluar me ligj. Në këtë rast, ministri i Brendshëm vetëm sa na vinte në dijeni për rrethanat e rastit. Unë isha pjesë e grupit që realizoi ekzekutimin e vendimit të gjykatës, jo në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, por me përgjegjësinë e prokurorit të çështjes.

Si operuat kur u njohët me urdhrin e ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit?

Në fakt, në të njëjtën ditë më erdhën në zyrë të dy dokumentet. Fillimisht shkresa me njoftimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që konfirmonte faktin se atyre nuk u ishte marrë parasysh kërkesa për t’u falur jeta. Vetëm pak orë më vonë mora urdhrin e ministrit të Brendshëm për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për ekzekutimin e të dënuarve Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit. Në urdhër, siç e thashë, ishin precizuar me detaje të gjitha veprimet që do bënim…

Dhe po atë ditë i ekzekutuat…

Patjetër atë ditë, siç e parashikonte urdhri i ministrit të Brendshëm…

Në mesnatë, si gjithnjë në këto raste…

Jo natën, po diku në mesditë, siç e saktësonte urdhri i ministrit…

Ku i ekzekutuat?

Diku në rrethinat e zonës së Linzës…

Kush mori pjesë në ekzekutimin e tyre?

Unë, mjeku i Ministrisë së Brendshme dhe një efektiv policie, që ishte pushkatues.

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

10 – EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura