EKSKLUZIVE/ Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Enveri s’donte t’i kujtoje babain, shpesh fliste për xhaxhain, ‘baba Cenon’! Ditën kur i vdiq motra, Farija ai…

Oct 7, 2021 | 20:10
SHPËRNDAJE

Enveri familjaAFRIM IMAJ/ Diktatori përballë kolegëve. Në kohën e lirë. Në takime me njerëzit. Në biseda me familjarët. Në kafe, gjueti, në festa, morte, shëtitje. Enveri që nuk shikonin shqiptarët! Kujtimet e Vahid Lamës, juristit që punoi 13 vite në kabinetin e tij, zbulojnë një pjesë nga të panjohurat e kreut të regjimit, që drejtoi vendin me dorë të hekurt gjysmëshekulli. Ndër to spikasin raportet me vartësit, të njohurit, miqtë, djemtë, motrat, nuset, konsideratat për babain, anenë, baba Cenon, “tabiatet” në komunikimin e përditshëm. Në këtë kompleks marrdhëniesh, Enveri, në kujtimet e Lamës, shfaqet i drobitur fizikisht, manjak i ironisë, shpërfillës e mosbesues për të tjerët, megaloman e përbuzës, paranojak e pervers…

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

DUKEJ PËRHERË I LODHUR

Ndryshe nga sa shfaqej në publik, Enveri i kishte shumë bezdi takimet me njerëzit. Ai nuk kishte durim të dëgjonte të tjerët, me përjashtim të një grupi vogël zyrtarësh me të cilët e lidhte dinamika e përditshme. Edhe në ato pak raste kur duhej të priste ndonjërin që i vinte në shtëpi për urim me rastin e ditlindjes, Enveri e dëgjonte fare pak. Në të gjitha rastet kërkonte të fliste vet. Në zyrë shfaqej përherë i lodhur, mërzitej shpejt dhe, të shumtën e herës, ishte pa humor. Kur fliste me të tjerët, i vështronte drejt në sy, po kur mërzitej gjatë bisedës, e kthente shikimin në drejtime të tjera dhe nuk dëgjonte më. Në një mbledhje të Sekretariatit të K.Q. ishte duke raportuar kryetari i Komisionit të Kontrollit të Partisë për vrasjen e një çifti të rinjsh në një rreth të Jugut.

Kur ai po shpjegonte fabulën e ngjarjes dhe thashethemet që, sipas tij, u bënë shkaku i saj, Hoxha, i mërzitur, e ndërpreu: Shpjegimet e tua me kujtojnë romanet e verdha që lexonim kur ishim të rinj. Bjeri më shkurt, se e bëre tërkuzë! Sakaq, u kthye nga të tjerët duke i porositur që t’i mësojnë njerëzit për t’i artikuluar mendimet në mënyrë të përmbledhur. “Jashtë mbledhjeve, shtoi Hoxha, ata flasin qartë e saktë, kurse në forumet e Partisë, tjerrin e tjerrin pa mbarim, duke u bërë të mërzitshëm. Të tjerët e miratuan pa mëdyshje. Ndërkaq, ai që lexonte raportin për ngjarjen, me sa duket e humbi toruan dhe pasi shqiptoi shprehjen “Kaq kisha shoku Enver”, u ul i skuqur në fytyrë. Aq e pavend ishte ndërhyrja e Hoxhës, sa që aty askush nuk mësoi gjë për ngjarjen tragjike që raportonte zyrtari i KQ.

Të tilla ndërhyrje ishin të shpeshta. Ai nuk kishte durim ta dëgjonte tjetrin deri në fund, madje as kur ishte fjala për çështje të rëndësishme, siç ishte ajo që raportohej atë ditë. Gjatë 13 viteve që punova në kabinetin e Enverit, ishin shumë të rralla takimet në zyrën e tij me ndonjë veteran të Luftës. Për të nuk ishin të pëlqyeshme takimet e drejtpërdrejta me letërshkruesit, që ishin jo të paktë. Edhe për raste tejet të rëndësishme e për persona tepër të njohur që kërkonin takim, zakonisht autorizonte ndonjërin prej sekretarëve të K.Q. ose ndonjë funksionar tjetër të lartë që ta prisnin në emër të tij, duke e justifikuar mungesën me punët e shumta që kishte. Njëherë erdhi në K.Q. për t’u takuar me Hoxhën një i moshuar, njëri nga veteranët e njohur nga zona e Çermenikës.

Vahid Lama-foto1

Kur e kishte pyetur instruktori i ngarkuar me pritjen e popullit përse donte ta takonte Enverin, ai ishte shprehur: Thjesht më ka marrë malli. Kemi qëndruar në shtëpinë time për ditë të tëra gjatë Luftës. Kemi qarë halle e kemi ngrënë bashkë në një sahan. Dua t’i them edhe ndonjë çështje të zonës, pasi ata të rrethit po i fshehin për të mbuluar fajet e tyre. Sa u vu në dijeni për kërkesën e tij, Hoxha porositi ta takonte njëri nga nëpunësit e KQ dhe urdhëroi: T’i japë të fala nga unë dhe t’i thotë që shokut Enver i vjen keq që s’të pret dot, pasi është i zënë, por më autorizoi mua t’u dëgjoj dhe t’i raportoj për bisedën. Në fund t’i thotë që të ketë më tepër besim te shokët e Partisë atje. Kur u njoh veterani me përgjigjen e mikut të kohës së Luftës, u shpreh: Faleminderit! Unë s’kisha gjë për të biseduar me ju. Desha të flas si një herë e një kohë, goja-gojës me Enverin. Meqë ai nuk ka kohë sot dhe nuk paska caktuar ndonjë ditë tjetër për takimin, po kthehem në fshat, në atë shtëpinë e dikur shme që të jetoj me kujtimet e këndshme të asaj kohe. I bëni të fala. Lamtumirë! Kaq tha ai burrë i moshuar që kishte ndarë dikur kafshatën e bukës me Enverin dhe u largua…

KUR FLISTE PËR FAMILJEN

Të punoje nga afër me Enverin, mësoje jo pak për raportet e tij me familjen dhe njerëzit e fisit. Fotografinë e rinisë së Nexhmijes e mbante në tavolinën e kabinetit në shtëpi. Djemtë gjithashtu, si çdo prind, i donte shumë, por dukej që anonte disi më tepër nga i dyti, Sokoli. Pranverën, vajzën e vetme, thoshte se e kishte pikë të dobët. Nga nuset e djemve donte më tepër Liljanën, për të cilën shprehej se ishte e zgjuar dhe e dashur. Kishte respekt për Sanien, motrën e vogël, e cila nuk ishte martuar dhe jetonte në një familje me të.

Të veçanta ruante kujtimet për nënën. Kur vinte rasti, përmendte me një lloj qesëndie këshillat e zgjuara të “Anesë”, nënë Gjylos, që, sikurse komentonte, shprehnin shpirtin e madh të një gruaje të mençur dhe burrëreshe. Për xhaxhanë, baba Çenon, sikurse e thërrisnin, shprehte admirim të madh dhe krenohej me zgjuarsinë e patriotizmin e tij, madje e konsideronte krenarinë e “Hoxhatëve”. Sa për marrëdhëniet me babain, Enveri nuk donte tia kujtoje. Unë e kisha dëgjuar vetëm një herë të fliste për të, madje edhe atë herë shakrazi. Kjo, jo se nuk e kishte dashur Halilin, por nga që nuk shikonte tek ai vlera si ato të baba Çenos. Kishte asokohe njerëz që e komentonin edhe ndryshe raportin e tij me Halilin, por gjithsesi nën zë.

Nga detyrimet për motrat, më shumë i atribuonte të madhes, Fahries. Me të kishte një marrëdhënie specifike. Ajo, më shumë se kushdo tjetër, i kishte dhënë mbështetje të fuqishme para dhe gjatë Luftës, falë reputacionit dhe emrit të bashkëshortit, të ndierit Bahri Omari, të cilin Enveri fill pas çlirimit e pushkatoi. Nga tërësia e marrëdhënieve me familjarët kam fiksuar çastet kur ndërroi jetë Farija. Në axhendë atë ditë ishte parashikuar një mbledhje e zakonshme e Sekretariatit të KQ. Fillimisht menduam se do të shtyhej, ca më tepër që rendi i ditës nuk kishte ndonjë çështje urgjente. Teksa bisedonim për këtë në paradhomën e Enverit, ai u shfaq papritur dhe aty për aty kërkoi dosjen e mbledhjes. Sekretarët e KQ, që kishin marrë dijeni për vdekjen e Farijes, e kishin të vështirë ta besonin kur i lajmëruam në telefon se mbledhja nuk do të shtyhej për një ditë tjetër. Erdhi ora e paralajmëruar dhe mbledhja filloi. Enveri e drejtoi atë sikur të mos kishte ndodhur asgjë!…

MANJAK I IRONISË

Qeshte rrallë, sa nuk e përfytyroj dot tani buzëqeshjen e tij. Shaka bënte fare pak. Këtë e kishte zëvendësuar me ironinë, që e përdorte për të ngacmuar me shpoti ndonjërin prej shokëve të vjetër që nuk i mbetej hatri, mjafton që ai të zbavitej. Madje, njërit prej tyre ia kishte ënda të ngacmohej, pa u zemëruar në asnjë rast. Në pushimin e një mbledhjeje të Sekretariatit të KQ, Hoxha tregoi se një herë, kur po luanin futboll në Korçë, këtij shokut i ishin grisur të mbathurat. Mbeti keq në mes të fushës. Për të dalë disi nga situata, nuk gjeti mundësi tjetër, veçse të ulej në fushë gjersa t’i sillnin një palë të tjera. Bashkë me Enverin qeshën të gjithë, qeshi me kënaqësi edhe vetë i ngacmuari. Raste të tilla ishin gati të përditshme.

Një herë tjetër, teksa përpiqej të fuste në prizë spinën e abazhurit, më tha të lajmëroja shoferin. Ai erdhi menjëherë. “Të kam thirrur që të më rregullosh prizën” iu drejtua Hoxha. “Ti vërtet nuk je elektricist, por ama je shkodran e “shkodranët të tana i bajn”, shtoi duke qeshur. Qeshëm edhe ne, jo aq me kripën e shakasë, sa për habinë që Hoxha po bënte një të tillë. Shakaja e fundit, që mbaj mend, nga kontaktet me Enverin, lidhet me përgojimin për gjirokastritët si njerëz kopracë. “Mund të më sjellësh nja dy letra format?”, më tha Hoxha në një moment pune. Unë, duke menduar që Enveri ishte dorështrënguar, sikurse thoshin, i çova vetëm disa të tilla. Ai i mori e duke i parë me shpoti, m’u drejtua me humor:

Po ti o derëbardhë nuk je gjirokastrit, përse tregohesh kaq i kursyer? Sill edhe ca fletë të tjera, se nuk mbarohen! Apo edhe ju krutanët jeni dorështrënguar? Pastaj se ç’i erdhi në mendje dhe filloi të rrëfejë qetë-qetë: – E ke dëgjuar ti atë historinë e shitjes së bostanit të kavajasit në Krujë? – Jo, – iu përgjigja. – Tregojnë që paska shkuar një herë kavajasi në Krujë, shtoi ai, për të shitur bostan, por vuri re që rreth njëqind metra më tutje, po shiste të njëjtin mall edhe një vendës.

Bostani i kavajasit ishte më i mirë, e me ngjyrë të verdhë. Mendoi e mendoi krutani si do ta shiste mallin e vet tani që erdhi kavajasi me prodhimin më të mire dhe, aty për aty, i ra ndërmend një rreng. Thirri një djalë të ri që ndodhej diku pranë e i tha: Do t’i fal këto para në qoftë se shkon tek ai tregtari me qeleshe dhe thërret me zë të lartë: “Ky e ka mbjellë në varrezë bostanin që shet”. I riu kaq deshi. Mori paratë dhe filloi të thërriste sipas porosisë së krutanit. Blerësit kur dëgjuan se kavajasi po shiste “bostan varrezash”, filluan të largohen prej tij. Këtë mesele, – shtoi Hoxha, – e kam pasë dëgjuar në Pezë kur na e tregonte me shaka Babë Myslimi. Mbaj mend që Bazi i Canes u nervozua shumë, e mori tregimin si një ngacmim për të dhe reagoi keq, duke i thënë Babës, se kjo ishte një sajesë për përçarje, se krutanët nuk ishin hileqarë, por Myslimi nuk i kishte njohur mirë etj…

Në fakt, ankdotën që tregonte Hoxha unë e kisha dëgjuar më parë, por në një variant tjetër. Ngjarja, sipas asaj që kisha mësuar unë, kishte ndodhur midis dy pemëshitësve kavajas në Kavajë, por nuk ia thashë Enverit, se do e merrte vesh që unë e kuptova që historia e tij ishte një përshtatje, për të mos thënë një gënjeshtër. Enveri jo vetëm bënte shaka shumë rrallë, por nuk i pëlqenin as shakatë e të tjerëve, të cilët natyrisht, shumë rrallë, mund të guxonin të thoshin ndonjë gjë për të qeshur para tij. Në një mbledhje të Sekretariatit të KQ ishte thirrur në raport drejtori i RTSH-së, i cili njihej si njeri gazmor.

Në diskutim e sipër ai, krejt për shaka dhe pa të keq, në një moment tha: Kritikat për një përzgjedhje më të mirë të këngëve popullore që transmetohen janë me vend. Duke dhënë shpesh këngë labe në televizion, nganjëherë na është prishur edhe moti! Hoxha që nuk e kapërdiu dot, u vrenjt në fytyrë dhe duke e vështruar rreptë, iu drejtua qortueshëm: Nuk jemi këtu për karagjozllëqe. Në qofte se nuk të pëlqejnë ty apo ndonjë tjetri këngët labe, ato i do populli. Sekretarët e KQ, që kishin qeshur me shakanë e drejtorit të TVSH-së, pas zemërimit të “Komandantit”, menjëherë ndryshuan fytyrën, duke marrë pamje serioze. Duhej qeshur vetëm kur qeshte Enveri!

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura