Gazeta Panorama.al publikon sot pjesën e tretë të debatit të fortë në Byronë Politike, ku Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Pali Miska e të tjerë kanë vendosur me ‘shpatulla pas murit’, Kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu, pas fejesës së ‘gabuar’ djalit të tij, Skënderit me Silva Turdiun, vajzën e Qazim Turdiut.
Fejesa e djalit të Mehmetit u prish pas vendimit të Enver Hoxhës, ndërkohë që për këtë çështje është organizuar një mbledhje e posaçme e Byrosë për të analizuar gabimin e kryer nga kryeministri, i cili akuzohet se ka shkelur “vijën e partisë”. Në numrin e sotëm do të tregohen se përse Mehmeti nuk e ktheu djalin nga studimet në Suedi menjëherë pas prishjes së fejesës. Pse Skënderi përbënte për të gjithë Byronë, një problem themelor.
Por duket që metoda për t’i marrë të gjitha fajet vetë, duket se nuk po e çonte në rrugë të mbarë Mehmet Shehun. Ashtu siç kishte ndodhur me të gjithë “armiqtë” e tjerë të partisë, edhe në rastin e Mehmetit, faji duhet të përhapet në të gjithë fisin.
Një mënyrë kjo, që në mbledhjen e Byrosë së 17 dhjetorit, do të kishte shumë rezultat. Për herë të parë do të publikohen batutat mes ish-kryeministrit dhe Ramiz Alisë e Kadri Hazbiut. Procesverbali unik i hedh poshtë të gjitha thashethemet apo hamendësitë lidhur me diskutimet në mbledhje. Të gjithë ata, në 17 dhjetor, ishin kundër Mehmetit dhe familjes së tij.
Akuzat e Kadri Hazbiut dhe Ramiz Alisë për sentimentalizëm të theksuar. Pse të gjithë anëtarët e Byrosë ngrihen njëri pas tjetrit, për të denigruar dhe akuzuar shumë ashpër Skënderin. Përpjekjet e para të Mehmetit për të mbrojtur djalin dhe tërheqja e tij në fund. Kush ishin njerëzit që e kanë kritikuar dhe akuzuar më shumë.
Pse Skënderi duhet të vinte pas 17 janarit nga Suedia dhe kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të studimeve të tij. Xhelozitë e shfaqura lidhur me facilitetet që kishte Mehmeti si kryeministër, dhe akuzat për mendjemadhësi e sentimentalizëm. Byroistët e akuzojnë kryeministrin se me dërgimin e djalit në Suedi për studime pas skandalit, ai kishte krijuar një imazh të keq në popull. Heshtja e Enverit gjatë gjithë mbledhjes dhe ndërhyrja në fund. Vazhdojmë me pikën tjetër kjo çështje doli.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Procesverbali i Mbledhjes së Byrosë Politike të KQZ të PPSH të datave 17 e 18 dhjetor 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike!
Shoku Mehmet Shehu: Pyesin shokët: Djalin, me gjithë këtë gabim që bëri, pse e dërgove përsëri për studime jashtë shtetit? Djali, siç e them në materialin që keni lexuar, pranoi dhe e bëri ndarjen me vajzën që u fejua, dhe unë mendova në atë kohë se mund të shkonte dhe e këshillova vetë që mund të shkonte jashtë. Pastaj e tërhoqa këtë mendim dhe e lajmërova, duke i shkruar që sa të japë provimin që ka nëpër duar, të kthehet, dhe ai do të kthehet. Provimin e fundit ai e ka për ta dhënë rreth 12 janarit dhe menjëherë pas kësaj do të kthehet dhe do të shkojë të punojë kudo,ku do ta caktojë Partia.
Shoku Muho Asllani: Kisha diçka për të shtuar për këtë, shoku Mehmet, ai duhej të ishte kthyer menjëherë.
Shoku Pali Miska: Ti duhet ta kuptosh mirë këtë, se djali nuk duhet të shkonte. Pastaj, ky djalë me tërë ato të meta që ka dhe gabime të rënda që ka bërë, si mund t’i realizonte me një letër ose me një të thënë që “babi unë do të mbaroj provimet dhe do kthehem”. Ai s’meriton të japë as provimin për gabimin që bëri. Këtë edhe ju vetë e thatë.
Shoku Mehmet Shehu: Unë e kam lajmëruar tani që të kthehet.
Shoku Rita Marko: Kjo vjen në kundërshtim me atë që thoni ju, se ai ka pasur edhe një traumë. Ai u ngatërrua me një vajzë me rreth familjar jo të mirë dhe u dërgua jashtë. Si dërgohet jashtë ai, ç’siguri ke për këtë njeri? Ja, edhe këtu ti ke nënvleftësim, edhe për këtë çështje duhet të mendoje mirë.
Shoku Pali Miska: Dhe populli, shoku Mehmet, dëgjon, ai thotë se ai që bëri këtë gabim duhet të mos shkojë jashtë.
Shoku Mehmet Shehu: Prandaj edhe unë vendosa që të kthehet së shpejti, bile pa mbaruar provimet.
Shoku Adil Çarçani: Vendimi më i drejtë do të ishte që ai të mos shkonte fare jashtë, por të dërgohej të punonte në një uzinë, të vente njëkohësisht në organizatën-bazë të Partisë, dhe të jepte llogari përpara saj për atë që beri, se është komunist. Kjo do të ishte më e drejta të bëhej dhe do të ishte dëshmi për një kuptim, si të thuash, i atij gabimi të rëndë që u bë i pjesshëm.
Shoku Mehmet Shehu: Ashtu duhet të ishte vepruar.
Shoku Simon Stefani: Në njëfarë shkalle, djali u mor nën mbrojtje nga ju. Këtu, sentimentalizmi që thoni ju, u thellua më tej. Ju nuk arritët të mendonit që ai është komunist, që ka bërë një gabim të rëndë, shumë të rëndë e duhet të japë llogari në Parti, e cila ta gjykojë pastaj nëse duhet apo nuk duhet të shkojë jashtë shtetit më vonë. Ai është një njeri që ka bërë gabim të rëndë, bile edhe e ka përsëritur, dhe do ta them në diskutimin tim këtë.
Shoku Foto Cami: Edhe këtu është prapë defekti ku keni rënë ju në rastin e parë, shoku Mehmet, domethënë që, nuk keni vënë mbi të gjitha interesin e Partisë. Po të mendoje thellë, do të shikoje se populli, duke parë se si u veprua e u vlerësua, gabimi e gjesti i djalit tuaj, i cili bëri një gabim, më pas edhe një tjetër dhe u lejua të dilte jashtë shtetit, ka të drejtë që thotë: “more, po ç’bëhet këtu, ka një vijë partie apo ka dy vija, një për disa e një për masën tjetër?!”
Shoku Mehmet Shehu: Ja, pikërisht për atë unë po e tërheq djalin nga Suedia.
Shoku Pali Miska: Po të ishte djali i një tjetri e kishim tërhequr ne, domethënë Partia, po pikërisht se është djali yt, ti duhesh ta tërhiqje vetë.
Shoku Mehmet Shehu: Po, duhej ta kisha tërhequr.
Shoku Pali Miska: Ashpërsinë, nxitimin në këtë rast, ti duhet ta tregoje në krahun tjetër, djalit t’i thoshe të shkonte në Martanesh, të shkonte të punonte me minatorët e me gjeologët që të lante gabimin që bëri, e jo ta çoje të jepte provime jashtë shtetit, ta lejoje të bënte këtë e të bënte atë, pastaj të kthehej.
Shoku Rita Marko: A nuk tregon kjo një pranim formal të gabimit? Ky nuk është një thellim i menjëhershëm, po ju duhej të mbanit një vendqëndrim, ta analizonit deri në fund çështjen e tij.
Shoqja Lenka Cuko: Shoku Mehmet thotë se e ka kritikuar djalin se s’punonte. Kush e ka kritikuar? Iu nënshtrua djali juaj kritikës në ndonjë organ apo organizatë, apo e kritikuat vetëm ju si baba? Ku është kritikuar tjetër ai, dhe kush e ka kritikuar?
Shoku Mehmet Shehu: Jo, se nuk punonte. Deri tani di që e kam kritikuar vetëm unë. Ai bën pjesë në organizatën-bazë ku studion, në Suedi dhe kur të kthehet në Shqipëri do të vejë të bëjë pjesë në organizatën bazë të tijën.
Shoqja Lenka Çuko: Po mirë, më fal, shoku Mehmet, a jeni ju në dijeni nëse në organizatën-bazë të Partisë në ambasadë, kush bën pjesë, e ka shtruar ai për diskutim këtë problem, këtë veprim shumë të gabuar që bëri?
Shoku Mehmet Shehu: Unë i kam thënë që të vejë ta informojë organizatën bazë të Partisë dhe të veprojë si t’i thotë organizata-bazë atje. Kur ka ardhur këtu kam pyetur shokun Dhimitër Lamani, nëse ka informuar. Ai më ka informuar se atë vetë e ka vënë në dijeni për këtë çështje, por në organizatën -bazë atje nuk e di që të jetë shtruar një gjë e tillë.
Shoku Simon Stefani: Po ja, shoku Mehmet, si do të thotë opinioni pozitiv në një rast të këtillë? Ai bëri këtë gabim kaq të rëndë, shkoi prapë jashtë dhe për të s’u diskutua asgjë. A nuk tregon kjo që kemi të bëjmë me ato mendime e koncepte se ne qëndrojmë mbi të tjerët, jemi jashtë normave e rregullave të Partisë, se për ne ka rregulla të tjera, ndërsa për tërë komunistët poshtë ka rregulla të tjera?
Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë gjykova kështu që ky e bëri këtë gabim dhe e ndreqi atë, se pranoi ndarjen. Këtu fajin nuk e ka djali, po e kam unë, sepse djali do ta kishte lënë atë vajzë në qoftë se unë do t’i thosha ta linte.
Shoku Simon Stefani: Jo, jo, ai bile ka faj shumë të rëndë.
Shoku Qirjako Mihali: Sigurisht që ne të gjykojmë ty këtu, po edhe ai ka faj shumë të rëndë.
Shoku Mehmet Shehu: Sigurisht që ka faj që vajti u lidh me atë vajzë.
Shoku Simon Stefani: Po ai është komunist ama.
Shoku Ramiz Alia: Edhe një herë po them për ta ndihmuar shokun Mehmet. Mos qëndroni në mendimin si gjykonit atëherë. Sot, tani ç’mendon për pyetjet që të bëjnë shokët: bëtë mirë apo nuk bëtë mirë që e latë të shkonte dhe pse e latë djalin të qëndronte jashtë? Ky është problemi.
Shoku Mehmet Shehu: Jo, nuk bëra mirë.
Shoku Ramiz Alia: Se si menduat në atë kohë ju, është tjetër problem. Tani, tani si gjykoni?
Shoku Kadri Hazbiu: Edhe këtë sentimentalizëm që thoni ju duhet ta shikoni dhe e drejta është që të thelloheni në të për të parë se ai ju ka shpurë edhe në qëndrime të tjera toleruese, jo vetëm në trajtimin e familjes, në këtë ne nuk po futemi në hollësira, por në vënien në kushte jo të barabarta me të tjerët, jo vetëm si anëtar partie, por edhe si udhëheqës me ato të drejta që më ka dhënë Partia.
Shoku Mehmet Shehu: Unë mund të kem bërë gabime, po nuk jam nisur me ndërgjegje që të vë veten time mbi shokët.
Shoku Kadri Hazbiu: Një minutë, një minutë, në analizë neve nuk nisemi vetëm nga ndërgjegjja, vëmë në dukje faktet si janë, pastaj shikojmë shkakun, është ndërgjegjshëm apo i pandërgjegjshëm. Ty sa të ka ndihmuar organizata bazë e Partisë është tjetër gjë, në qoftë se ke pretendime që s’të kemi ndihmuar ne, dakord, por një herë t’i themi faktet ashtu siç janë.
Shoku Mehmet Shehu: Unë mendoj se nuk jam përpjekur që t’i kërkoj Partisë privilegje mbi të tjerët. Gabime mund të kem bërë, po jo që të nisem me ndërgjegje nga ajo se jam kryeministër ose ku ta di unë e të krijoj privilegje për vete.
Shoku Pali Miska: Të tjerët për një gabim shumë më të vogël nga ky i djalit tënd i kemi sjellë me aeroplan nga jashtë dhe u kemi thënë: shko tani në punë, laje gabimin që bëre. Ti vetë i ke dëgjuar, i ke parë, i ke kaluar nëpër duar këto masa që kemi marrë, kurse në rastin e djalit tuaj nuk ke menduar ç’po bëj unë, ku po më shpie mushka, pse nuk po veproj si për gjithë të tjerët edhe për djalin tim etj. Për këtë ti pra ke një bindje tjetër dhe nuk qëndron çështja tek veprimi. Nuk e di, po ndoshta ke edhe rezerva në këtë çështje.
Shoku Mehmet Shehu: Jo rezerva nuk kam, prandaj i kam dhënë urdhër djalit që të kthehet.
Shoku Pali Miska: Po në rast se nuk ke rezerva, atëherë pse nuk e bëre këtë me kohë? Kjo është një gjë shumë e thjeshtë. Po të jepje urdhër ti si kryeministër, djali kthehej brenda ditës në Shqipëri. Ç’urdhër pret ti shoku Mehmet? Këtu nuk është puna të të themi ne, ti duhet ta kishe bërë vetë këtë punë.
Shoku Mehmet Shehu: Po unë them se po të duhet, unë i jap urdhër të kthehet që sot, po e kam lajmëruar që sa të mbarojë provimet që ka nëpër duar, të kthehet.
Shoku Pali Miska: Po ai nuk e meriton, more shoku Mehmet të mbarojë provimet. Kjo duhet kuptuar mirë.
Shoku Mehmet Shehu: Për këtë çështje vajta u konsultova edhe me shokun Ramiz dhe mbetëm dakord me të që të veproja kështu.
Shoku Ramiz Alia: Jo, jo, nuk është ekzakt ashtu. Me shokun Ramiz ti erdhe u konsultove, po unë të thashë të njëjtën gjë që të tha edhe Pali, ai djalë menjëherë duhet kthyer. Pastaj se kur duhej kthyer, këtë ti e di vetë, vendosni juve për kohën.
Shoku Mehmet Shehu: Edhe unë e lajmërova që sa të mbarojë provimin që ka në dorë dhe të kthehet.
Shoku Ramiz Alia: Jo, e drejtë është ajo që thotë shoku Pali. Ju pse nuk e menduat këtë gjë vetë, pse prisnit t’jua thoshim ne?
Shoku Manush Myftiu: Shqip, ai nuk e mendoi këtë për të ruajtur “prestigjin” dhe përpiqet të gjejë forma të ndryshme që të mos i preket autoriteti. Duhen thënë hapur gjërat. Se djali i tij jo vetëm që nuk e meritonte të shkonte përsëri jashtë, por ç’rëndësi ka për të nëse do t’i mbarojë apo s’do t’i mbarojë provimin, pasi ai kthehet për dënim, jo për vizitë, që nuk duhej të humbiste provimet.
Shoku Kadri Hazbiu: Të flasim ashtu siç është, mbase juve të tjerëve nuk ju ka rënë rasti, por unë ia kam thënë hapët shokut Mehmet: ktheje djalin!
Shoku Ramiz Alia: Edhe shoku Enver ia ka thënë, edhe unë i thashë në një mbledhje që kemi bërë: shoku Mehmet duhet kthyer djali.
Shoku Enver Hoxha: Le të kalojmë tani në pyetjet e tjera se kjo çështje është e qartë…
Vijon….
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.