Eksod lojtarësh nga Apolonia, nuk duan të luajnë futboll me… sufllaqe

Aug 5, 2017 | 15:05
SHPËRNDAJE

Apolonia është në përfundim të javës së dytë stërvitore të fazës përgatitore që po kryen nën drejtimin e trajnerit kavajas Ndriçim Kashami. Ekipi fierak dhe tekniku kanë në dispozicion pothuajse ata lojtarë të sezonit të kaluar. Por, nga ekipi janë larguar edhe disa futbollistë. Kështu, Romeo Harizaj, Albert Kaciku, Valdo Zeqaj, Muhamed Berisha dhe Qemal Mustafaraj që u afrua me shumë bujë sezonin e kaluar, nuk janë më pjesë e skuadrës.

Apolonia

Këta lojtarë nuk kanë marrë pjesë asnjë ditë në stërvitje. Burime të besueshme brenda klubit kanë bërë të ditur se këta lojtarë janë larguar nga Apolonia duke gjetur akordin me drejtuesit e klubit për prishjen e kontratës. Nga ana tjetër, klubi fierak për momentin e mban të fshehtë largimin e lojtarëve duke mos bërë asnjë njoftim.

Dhe largimi i këtyre lojtarëve ka ardhur nga prishja e kushteve bazë, mbyllja e hotelit dhe më pas edhe e mensës. Edhe pse futbollistët harxhojnë kalori të shumta me dy seancat stërvitore në ditë, ato nuk mund të zëvendësohen me ngrënien e ndonjë byreku apo sufllaqeje. Dhe një gjë të tillë e konfirmojnë mjekët dietologë dhe gastrologë të pyetur nga gazeta. Por, tashmë ky është vendimi i klubit, i cili kërkon të ulë në maksimum shpenzimet për shkak të krizës financiare.

apolonia

SYNIMI

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar pjesën tjetër të lojtarëve kryesisht fierakë, por edhe jabanxhinjve si Uzuni, Broshka e Krasniqi që të dalin në stërvitje. Këta lojtarë janë në pritje të ofertave për t’u shitur në klube të ndryshme, ndërsa vazhdojnë të ruajnë formën duke u stërvitur me grupin. Futbollistët nën drejtimin e stafit teknik, vazhdojnë të punojnë fort me dy seanca në ditë për të bërë e arritur më të mirën e mundshme që kërkohet nga tekniku Kashami.

I pyetur për merkaton e kësaj periudhe dhe se a ka nevojë Apolonia për përforcime, tekniku kavajas shprehet: “Grupi ekzistues po ecën shumë mirë. Por, kjo nuk e heq mundësinë që grupi ka nevojë për përforcime me lojtarë, të cilët të bëjnë diferencën me këta aktualë. Për momentin ne kemi afruar disa futbollistë nga ekipi i të rinjve të akademisë”, tha Kashami.

MIKEL MBRIÇAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura