“Eksodi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve, pasoja në sektorin e punës”/ ‘Forbes’: Shkak krimi, korrupsioni dhe mungesa e drejtësisë

Nov 19, 2022 | 7:37
SHPËRNDAJE

Revista “Forbes” ka publikuar të dhëna tronditëse për rritjen e numrit të emigrantëve dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.

migrant albanian

Sipas të dhënave të publikuara dje prej saj, Shqiptarët përbëjnë diasporën e tretë më të madhe në botë, me rreth 30 për qind të të lindurve në vend që tani jetojnë jashtë kufijve të saj, pavarësisht se një situatë e tensionuar mes Shqipërisë, Evropës dhe Britanisë së Madhe vazhdon të ziejë për shkak të rritjes se flukseve për azil.

Në faqen e saj zyrtare në Internet, “Forbes” renditi vendet sipas madhësisë së diasporës në raport me popullsinë, duke e vendosur Shqipërinë të tretën me rreth 1.2 milionë emigrantë. Kjo i vendos ata mbi vendet si Siria, Moldavia dhe Armenia.

Dy vendet që ia kalojnë Shqipërisë në këtë aspekt ishin Bosnja dhe Hercegovina me 34% të qytetarëve që tani jetojnë jashtë dhe Guajana me 36.4% të tyre. Migrimi përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, ku mbi gjysma e popullsisë së saj dëshiron ose planifikon të largohet.

Përveç kësaj, eksodi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve ka rezultuar në mangësi të konsiderueshme në sektorin e punës, si hoteleria, turizmi, manifaktura dhe bujqësia.

Përveç kësaj, ka shqetësime se një numër jo i mjaftueshëm i popullsisë nuk do të paguajnë në sistemin e sigurimeve shoqërore, duke rezultuar në një deficit në të ardhmen e afërt dhe probleme me pagesën e pensioneve, asistencës dhe mbulimin e kostove të kujdesit shëndetësor dhe arsimit.

Por, nuk janë vetëm emigrantët që shkaktojnë probleme pasi falë azilkërkuesve kanë hyrë në BE prej shumë vitesh, me një rritje të numrit në Britani gjatë vitit 2022. Të paktën 12,000 shqiptarë, kryesisht të rinj, kanë udhëtuar në Britani deri më tani këtë vit, duke shkaktuar zemërim në grupimet e djathta në qeveri dhe mediat që i etiketuan ata si kriminelë dhe si një “pushtim” nga ana e tyre.

Të rinjtë shqiptarë dhe me kombësi të tjera kanë paguar për të bërë udhëtime nga Franca në MB me gomone të pasigurta, të operuara nga bandat e krimit të organizuar që reklamojnë në “TikTok” dhe “Instagram”.

Tarifa e lëvizjes për transit është rreth 3000 Paund, por mund të varet nga madhësia e varkës dhe koha e udhëtimit. Shumë azilkërkues të dëshpëruar marrin borxh me interesa të larta ose dhe nga vetë trafikantët, dhe më pas përpiqen për ta shlyer atë ose përfundojnë duke e “larë” borxhin duke punuar në bizneset e paligjshme.

Sapo arrijnë në brigjet e Britanisë, shumë prej tyre aplikojnë për azil. Gjatë vitit të kaluar, mbi 50 për qind janë miratuar në shkallë të parë, ku gjysma e atyre që ankimuan refuzimet në fund u pranuan gjithashtu.

PËRPLASJA

Ndërsa Shqipëria nuk është në luftë dhe konsiderohet një “vend i sigurt”, ajo është e goditur nga një mori problemesh.

Është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe lufton me korrupsionin, problemet ne sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, krimin e organizuar dhe infrastrukturën.

Sa i përket kërkesave për azil, ne to përfshihen si ikja nga ndikimi i krimit dhe dhunës, gjakmarrjet, martesat e detyruara, borxhet e mëdha dhe trafikimi seksual, për të përmendur vetëm disa. Vendi ka shkallë të ulët të krimit në përgjithësi, por ata që janë viktima shpesh e kanë të vështirë të gjejnë drejtësi dhe përfundojnë duke ndjerë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të largohen.

Kryeministri Edi Rama është shprehur kundër retorikës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në diskursin publik britanik. Ai akuzoi qeverinë britanike se po i sulmon shqiptarët “sepse ajo po ndjek një rrugë qorre me politikën e saj të re që rezulton nga ‘Brexit'”.

“Fakti që nuk kërkohej falje tregon se ishte një sulm i llogaritur”, shtoi ai të martën. Rama tha se liberalizimi i vizave do të ndihmonte në uljen e numrit të njerëzve që vijnë ilegalisht, por politika e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar është “plotësisht e kundërta”. Ndërkohë, qeveria britanike ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për të goditur ata që përpiqen të kalojnë Kanalin anglez.

“Është në interesin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj franceze që të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë problem kompleks”, tha sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, në një deklaratë pas takimit me homologun e saj francez Gérald Darman në Paris. Marrëveshja do të bëjë që Britania e Madhe t’i paguajë Francës më shumë se 72 milionë euro gjatë 12 muajve të ardhshëm në këmbim të rritjes së patrullave bregdetare nga Franca me 40 për qind dhe vendosjes së oficerëve shtesë.

Gjithashtu, do të ketë oficerë britanikë të stacionuar në Francë dhe përdorim më të madh të teknologjisë së vëzhgimit, kamerave, helikopterëve dhe ngritjen e qendrave të reja të pritjes së emigrantëve dhe atyre të mbikëqyrjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura