Tre ekspertuesit e regjistrimit “Meta-Prifti”, të vënë në lëvizje për llogari të gjykimit të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë, thanë dje se videoja e ekspertuar nuk ishte origjinale; se kishte shumë mundësi që në të të ishte ndërhyrë dhe se materiali kishte shumë zhurmë. Në seancën e djeshme, ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani u dhanë përgjigje 18 pyetjeve të Gjykatës, të caktuara më se një muaj më parë. Sipas ekspertëve, në orën me të cilën pretendohet të jetë kryer videoja, nuk është gjetur asnjë gjurmë e videos “Meta-Prifti”. Nga rikuperimi i saj është gjetur vetëm një video tjetër, por që nuk ishte objekt i këtij gjykimi. Sipas ekspertëve, i vetmi vend ku u gjet videoja ishte në një file në memorien e lap-topit të Priftit dhe në pajisjen USB. Ekspertët pohuan se kishin gjetur mbivendosje në këtë video duke e ilustruar këtë me “tik-tak”-et e orës, çka sipas tyre tregonte se ishte i lartë probabiliteti i ndërhyrjeve në kuptimin e fshirjes dhe të montazhit audio. Ekspertët kishin krijuar një kopjo duke e filtruar videon, por sipas tyre, edhe pas filtrit, për shkak të zhurmës, në video ka pjesë që mbeten të padëgjueshme dhe të pakuptueshme.
Më poshtë, pyetjet e gjykatës dhe përgjigjet e ekspertëve:
1.1 Objekti i këqyrur dhe marrë si provë materiale në formë “ore”, a është i përshtatshëm për të realizuar regjistrimin audio-viziv (figurë dhe zë)? Cilat janë karakteristikat fizike dhe karakteristikat teknike të tij? Si provohet nga ana shkencore se ora e tavolinës ka qenë mjet me të cilin është realizuar përgjimi i bisedës? A gjendet në objektin “orë” regjistrimi audio-viziv, apo gjurmë të regjistrimit të bisedës mes të pandehurit Ilir Meta dhe shtetasit Dritan Prifti? Nëse po, cila është ora dhe data e realizimit të këtij regjistrimi audio-viziv?
a) Po, objekti i ekspertimit, “ora”, e marrë si provë materiale, është prodhuar për të realizuar regjistrime audio-video.
b) Gjatë këqyrjes fizike të orës objekt-ekspertimi, u konstatua se është një “orë-mikrokamera”, e cila ka një mikrofon dhe në faqen anësore të trupit metalik evidentohet një vrimë (korresponduese me mikrofonin) lehtësisht e dallueshme me shikim të lirë. Në pjesën e poshtme ka një konektor (portë USB), një buton për të komanduar regjistrimin dhe një dritë “LED” ngjyrë blu, në pikën e orës “9”, që sinjalizon procesin e karikimit të baterisë, procesin e fillimit të regjistrimit dhe mbarimin e tij, si dhe një rrotull që komandon akrepat e orës dhe një buton tjetër. Sipër numrit “12” ndodhet objektivi i mikrokamerës. Është orë funksionale, ka akrepat dhe fushim në numrat tregues të kohës (orës). Kapaciteti i memories së orës objekt ekspertimi është “8 Gb”.
c) Nuk mund të provojmë nëse ora objekt ekspertimi, është mjeti me të cilin është realizuar regjistrimi i bisedës.
d) Jo, nuk gjetëm gjurmë të regjistrimit të bisedës “Meta-Prifti”. Nga ekzaminimi i objektit (ora), nuk jemi në gjendje të përcaktojmë origjinën e saj. Sipas detyrës së ngarkuar, u ekzaminua memoria e orës objekt ekspertimi dhe nuk u gjetën gjurmë të bisedës “Meta-Prifti”. Memoria e orës në pamje të parë ishte bosh. Nga rikuperimi i memories së orës, u gjet i fshirë një “file”, video e formatit “AVI” me emrin “ICT0001.AVI”, i cili nuk është objekt i ekspertimit. Në pjesën tjetër të memories së orës, kishte një numër të konsiderueshëm imazhesh “BMP” të fshira, pa datë krijimi apo modifikimi, identike në përmbajtje me njëra-tjetrën, të cilat nuk e kanë origjinën nga kamera e orës.
e) Nuk u bë e mundur kryerja e një ekspertimi, për të realizuar regjistrime me orën objekt ekspertimi, pasi në memorien e saj evidentohet një regjistrim tjetër, i cili nuk është objekt i këtij ekspertimi dhe mund të cenohej ky regjistrim (provë që është objekt i një çështjeje tjetër).
1.2 Objekti i këqyrur dhe marrë si provë materiale, në formë “ore”, a lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike kompjuter të materialeve të regjistruara nëpërmjet tij? Nëse po, ky shkarkim a mund të realizohet nëpërmjet objektit “kabull USB” të këqyrur, të marrë si provë materiale?
Po, ky objekt lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike kompjuter. Kablloja USB objekt ekspertimi shërben për shkarkimin e regjistrimeve audio-video.
1.3 Regjistrimi audio-viziv që ndodhet në objektin “lap-top”, provë materiale, në faqen e parë të tij, vetëm dosja (folder-i) me emërtimin “Dritan Prifti”, çfarë specifikimesh teknike ka dhe a është e mundur të përcaktohet nëse është hedhur (shkarkuar) nga objekti regjistrues në formë ore? Nëse një gjë e tillë nuk mund të përcaktohet, a është e mundur që të shkarkohet nga një objekt i tillë duke pasur parasysh përputhjen e kapaciteteve të pajisjes regjistruese (kamerës dixhitale, në objektin “orë”) me materialin audio-viziv të regjistruar të ndodhur në objektin “lap-top”?
a) Nëse me faqen e parë të tij, nënkuptohet “folderi desktop” i “userit” Dritan Prifti, ne nuk gjetëm material audio-video.
Nga kërkimi në memorien e lap-topit objekt ekspertimi, u gjet një regjistrim audio-video me emërtimin “PICT0008.AVI” në path-in: C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\ (Ky file ka specifikimet teknike: madhësi 753.428 Kb, datë modifikimi 01/03/2010, ora 01:33 dhe me kohëzgjatje 21 minuta e 3 sekonda).
b) Nuk është e mundur të përcaktohet nëse shkarkimi është bërë nga ora (mikrokamera) objekt ekspertimi.
c) Në bazë të specifikimeve të përmendura në pikën a), jemi në gjendje të themi që ora ka kapacitet për të gjeneruar një “file” të madhësisë në “bit” të “PICT0008.avi.”.
Teknikisht, ne nuk mund të përcaktojmë përputhje të tjera, sepse nuk mundëm të kryenim regjistrime audio-video eksperimentale me këtë orë mikrokamera.
1.4 A mund të përcaktohet ora dhe data e saktë e hedhjes (shkarkimit) në objektin “lap-top” provë materiale, vetëm të materialit audio-viziv të bisedës Meta-Prifti në dosjen (folder) me emërtimin “Dritan Prifti”?
Ne nuk gjetëm në memorien e orës objekt ekspertimi, gjurmë të materialit audio-video “Meta-Prifti” dhe i vetmi burim informacioni për “PICT0008.avi” është informacioni që shoqëron filen në lap-top. Nga ekzaminimi i bërë C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\PICT0008.avi. në lap-top, data e fundit e modifikimit është 01.03.2010 01:33PM (data muaji viti ora). Gjithashtu u konstatua që data e BIOS-it në lap-top korrespondon me datën dhe orën aktuale.
1.5 Materiali audio-viziv i bisedës mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, i ndodhur në objektin “lap-top”, provë materiale, faqen kryesore desktop dosja (folder) me emërtimin “Dritan Prifti” a ka ndërhyrje në përmbajtjen e tij audio dhe video, në kuptimin e fshirjes dhe montazhit të këtij regjistrimi etj.? Nëse po, ku konsistojnë këto ndërhyrje?
Në mungesë të një file origjinal me përmbajtje audio-video “Meta-Prifti” në orë, nga ekzaminimi u konstatuan ndërhyrje dhe mbivendosje të mundshme në file-n e gjetur në lap-top.
Gjatë ekzaminimit të materialit audio-video C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\PICT0008.avi. arritëm në deduksionin që:
Tik-taku i orës është i linearizuar në gjithë gjatësinë e tij me sekondat e time-line. Në minutën 11.25, konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak (tepër), jo në harmoni me “tik-tak”-ët e tjerë. Në minutën 12.35, vihet re sërish një “tik-tak” i mbivendosur. Duke parë deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme, konkludojmë se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë më i madh. Gjatë ekzaminimit të lap-top-it, te fail-et e fshira u konstatua se ekzistonte dhe një program i fshirë, i quajtur “Crazy Talk Animator”, i kompanisë “RealIluzion”, i cili përdoret për ndërhyrje audio-video.
1.6 A mund të përcaktohet se si është bërë shkarkimi i këtij materiali audio-viziv “Meta-Prifti”, nga objekti “lap-top” në pajisje të tjera? Nëse po, të evidentohen rastet (numri i tyre) dhe koha (ora-data) e kryerjes së këtyre veprimeve.
Me programet dhe njohuritë që në disponojmë, nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se si është bërë shkarkimi i materialit audio-video “Meta-Prifti” në pajisjet e tjera.
Nga ekzaminimi i regjistrit të Windows-it, detajuam historikun e pajisjeve USB të lidhura me “lap-top”-in objekt ekspertimi.
Nga ekzaminimi i regjistrit të Windows-it konkludohet se të gjitha pajisjet USB janë rifreskuar si driver-a me datën 01 shkurt 2011, ora 14.05.
1.7 Objekti “USB”, i këqyrur dhe marrë si provë materiale, a përmban material audio-viziv të regjistruar mes subjektit Ilir Meta dhe Dritan Prifti? Nëse po, a është autentik dhe a përputhet me materialin audio-viziv që ndodhet edhe në objektin “lap-top”, të këqyrur dhe marrë si provë materiale? Nëse jo, ku konsistojnë ndërhyrjet në përmbajtjen e tij audio-vizive në kuptimin e fshirjes, montazhit etj., të këtij regjistrimi?
Po, në USB u gjetën tre file: “Biseda ok.mpg”, “Meta.avi” dhe “Toni2.ZIp” (që përmbajnë subjektin Meta-Prifti).
Të gjitha file-et në USB rezulton të jenë krijuar në këtë pajisje në dt 12/01/2011, nga ora 02:44 PM deri në orën 05:19 PM. Nga ekzaminimi u konstatuan që janë materiale të transformuara në formate të ndryshme.
1.8 Materiali audio-viziv i ndodhur në DVD, e sekuestruar më datë 12.01.2011 në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, a është autentik apo jo me materialin audio-viziv që ndodhet në objektin “USB”, dhe me materialin audio-viziv që ndodhet në objektin “orë” (nëse ka të tillë)?
Në DVD objekt ekspertimi u gjet file me emërtimin “Prifti Meta me logo.avi”, krijuar dhe modifikuar më dt 12/01/2011, ora 02:18:01 pm, e madhësisë 189 Mb, në format AVI, me video 64 MB, 790 Kbps, 25 Fps, 720X576 formati 4X3, komprimimi DIVx V5, Audio 125 Mb, 1536 kb/sek, 4800 Hz, 2 kanale (stereo) PCI, PCM bodec. Në video konstatojmë në pjesën djathtas-Lart, logon “Top Channel BURIM I VIDEOS”. Ekzaminimi i mësipërm na lejon të konkludojmë që formati audio-video i materialet që ndodhet në DVD, nuk është i njëjtë me materialet e gjetura në USB. Në objektin orë, nuk ka asnjë material audio-video Meta-Prifti.
1.9 Cili është spektri maksimal dhe minimal i fuqisë së “orës” provë materiale?
Ora mikrokamera objekt ekspertimi nuk ka numër serie e as origjinë prodhimi. Në këto kushte, nuk mund të nxjerrim specifikime teknike. Kërkesën e mësipërme do ta kishim plotësuar me anë të eksperimentit me këtë objekt, në rast se do na jepej mundësia.
1.10 A mund të realizohet nga ana e ekspertit një skicë e fuqisë audio, e prodhuar në regjistrimin e bisedave mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti?
(Paraqitja bëhet me anë të grafikëve)
1.11 Cili është niveli teorik i raportit sinjal/turbullim që nuk mund të lejojë kuptimin e të folurit? Në të gjithë intervalin e audios së videos mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti objekt ekspertimi, cili është raporti sinjal/turbullim, dhe a mundet ku nivel sinjali te lejojë një nivel minimal të kuptueshmërisë dhe qartësisë së fjalëve të thëna?
(Sipas ekspertëve, që në një regjistrim audio nuk mund të kuptohet artikulimi i fjalëve nëse raporti sinjal/zhurmë është nën 10 dB). Cilësia e sinjalit audio të file-s “PICT0008.avi” është e keqe dhe sa vjen e përkeqësohet. Një nga shkaqet kryesore mund të jetë rënia e baterisë (voltazh/amperazh) së brendshme, pasi nga fundi i regjistrimit, aty ku pasqyrohet biseda “Meta-Prifti” objekt ekspertimi, sinjali audio bëhet shumë i dobët, kurse zhurmat rriten. Në këtë pjesë të regjistrimit audio-video, raporti sinjal/zhurmë është rreth zero dB. Në asnjë pikë të grafikut, ku është regjistruar zëri i z.Meta, raporti sinjal/zhurmë nuk i ka vlerat e kërkuara prej “+10 dB”.
Në grafik dallohet që sinjali audio luhatet nga -3.4 dB deri në -9.2 dB.
1.12 Çfarë është procesi i filtrimit në aspektin teknik? Konsiderohet ky veprim ndërhyrje dhe a dëmton kuptueshmërinë e sinjalit?
(Ekspertët paraqesin teorikisht procesin e filtrimit duke pohuar ndër të tjera se vetë filtrimi është ndërhyrje)
Teknikisht, filtrimi është ndërhyrje, sepse ndërhyhet në kurbat përbërëse të sinjalit (amplitudë). Dëmtimi i kuptueshmërisë është në varësi të thellësisë dhe mënyrës së filtrimit. Shumë i rëndësishëm është raporti sinjal/zhurmë i sinjalit origjinal para filtrimit. Sipas standardeve ndërkombëtare, raporti sinjal/zhurmë para filtrimit për sinjalin audio duhet të jetë mbi +10 dB.
1.13 A është e mundur teknikisht të krijohet një kopje e pastruar (filtruar) nga zhurmat e materialit audio-viziv të bisedës mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti të regjistruar e që mund të ndodhet në objektet “orë”, “lap-top” e “USB” , të këqyrura e marrë si provë materiale? Nëse po, a mund të përgatitet nga 1 (një) kopje e këtyre materialeve audio-vizive, për identifikimin më të pastër të zërave (audios), për efekt transkriptimi të bisedave të regjistruara mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, pa cenuar origjinalitetin e materialit audio-viziv dhe pa dëmtuar këtë regjistrim?
Teknikisht u krijuan disa kopje, mbi të cilat u aplikua një gamë e gjerë filtrash me karakteristika të ndryshme, me disa software profesionalë. Mbas përdorimit të tyre, nuk u arrit të përftohej një sinjal audio që të garantojë dëgjueshmëri dhe kuptueshmëri të qartë të bisedimit (Një kopje më e mirëfiltruar të sinjalit audio të bisedës Meta-Prifti u vihet në dispozicion palëve).
1.14 A mund të zhduken apo tjetërsohen të dhëna elektronike audio-video pa lënë gjurmë? Nëse po, në çfarë rrethanash?
Po, teknikisht me pajisje elektronike dhe programe të ndryshme mund të zhduken apo tjetërsohen pa lënë asnjë gjurmë të dhëna elektronike audio e video.
Përdorimi i teknikave dixhitale të kompjuterizuara u bën të mundur ekspertëve të informatikës dhe atyre audio-vizive praktikisht të gjitha llojet e ndryshimeve në file audio-video. Për të realizuar fshirje apo tjetërsim të dhënash audio-video, mjafton një kompjuter dhe një ose disa programe editimi audio-video.
1.15 A është teknikisht e mundur që të mos mbetet asnjë e dhënë për gjurmë nga regjistrimi i një bisede në objektin “orë” provë materiale, pas fshirjes së këtij regjistrimi?
Po, është e mundur.
1.16 A është i mundur montimi i time-code, orës, frekuencës, thellësisë së kampionimit, ndriçimit, matrikullës së regjistrimit dhe origjinales së file-it (dokumentit elektronik)? Nëse po, si mund të realizohen ato? Në regjistrimin audio e video objekt ekspertimi të bisedës mes subjekteve Ilir Meta e Dritan Prifti, a konstatohen shenja të montimeve e ndërhyrjeve të tjera?
Po, të gjitha janë të mundura me përdorimin e kompjuterëve dhe softwereve përkatëse. Mungesa e regjistrimit origjinal audio-video në orën objekt ekspertimi, nuk na mundëson konstatimin e montimeve apo ndërhyrjeve, sepse ne nuk kemi origjinalin, objekt krahasimi.
1.17 A mund të përmirësohet cilësia audio dhe/ose video e file-eve (dokumenteve elektronik) të ndodhura dhe shkarkuara në pajisjet objekt ekspertimi dhe që përmbajnë biseda mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti?
Duke iu referuar përgjigjes së pyetjes 1.11 për sa i përket raportit sinjal/zhurmë, nivelit audio nën -10 db dhe kampionimit 8kHz, cilësia audio, me gjithë përdorimin e sistemit të ndryshëm të filtrave, nuk solli përmirësim të dukshëm për ta bërë të kuptueshëm bisedën në pjesë të veçanta. Përmirësimet në video nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm, pasi rezolucioni i regjistrimit është i ulët.
Konkluzione:
1. Në objektin e ekspertimit provë materiale “orë” nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës “Meta-Prifti”, por u gjet një material tjetër audio-video, si dhe një seri imazhesh që mbushin memorien e saj. Imazhet nuk kanë origjinë nga kamera e objektit “orë”.
2. Objekti i ekspertimit “orë” lejon shkarkimin në pajisjet e tjera elektronike.
3. Nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes, shkarkimi në lap-top i videos së bisedës “Meta-Prifti”.
4. Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë në kuptimin e fshirjes dhe montazhit audio tek C:\users\dritan prifti\100DSCIM\PICT0008.avi.
5. Materiali audio-video i ndodhur ne DVD-në e sekuestruar në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, nuk është i njëjtë me materialin C:\users\dritan prifti\100DSCIM\PICT0008.avi.
6. Nga analiza e grafikëve të fuqisë audio të bisedës “Meta-Prifti”, rezulton se ajo është nga -3.1 dB deri në -9.2 dB dhe është në pjesë të veçanta e pakuptueshme për veshin e njeriut.
7. Kopja që u përftua nga filtrimi nuk solli përmirësime të dukshme, për sa i përket dëgjueshmërisë dhe kuptueshmërisë. Pjesët që para filtrimit ishin të pakuptueshme, mbeten të tilla edhe pas filtrimit.
8. Materialet audio-video mund të zhduken apo tjetërsohen pa lënë gjurmë në përdorimin e kompjuterëve dhe programe informatike nga persona me njohuri në këtë fushë.
9. Teknikisht është e mundur që të mos mbetet asnjë e dhënë apo gjurmë regjistrimi në objektin orë pas fshirjes së regjistrimeve të ndodhura në të.
10. Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i shenjave të ndërhyrjeve e montimeve është i lartë për pjesën audio të C:\users\dritan prifti\100DSCIM\PICT0008.avi.
11. Nga ekzaminimi i regjistrave të Windows-it të lap-top-it, objekt ekspertimi, u konstatuan ndërhyrje që fillojnë me datën e instalimit të Windows-it në lap-top, deri në datën 01 shkurt 2011.
Ora regjistruese e Priftit
Video-regjistrimi Meta-Prifti, pas publikimit të së cilit ish zv.kryeministri Meta u akuzua për “korrupsion”, është realizuar nga një orë tavolinë në zyrën e ish-ministrit Prifti. Ora kishte një format të zakonshëm në dukje. Në pikën “12” të saj ndodhej objektivi i një mikrokamere. Në pjesën anësore, aty ku dukej një pikë, gjendej një mikrofon. Ndërsa mënyra e kontrollit për fillimin e regjistrimit apo karikimin me bateri bëhej përmes një llambushke të vogël ngjyrë blu, që gjendej në pikën “9” të fushës së orës. Shkarkimi i video-regjistrimit bëhej në formën e USB-së.
Kopjuesi: Pajisja e klonimit të videove
Tre ekspertuesit e video-regjistrimit “Meta-Prifti” ekspertuan materiale të cilat ishin kopjuar nga hard-disqet me mënyrën e klonimit, çka i bën ato identike me origjinalin. Pajisja “TABLEAU” mundësoi klonimin e objekteve të ekspertimit, duke bllokuar shkrimin tek këto të fundit, në mënyrë që të ruhej dhe garantohej paprekshmëria e objekteve origjinale të ekspertimit.
“Gjyqi s`ka mbaruar, kemi prova të tjera”
Akuza: “Duam licencat e programeve të ekspertëve”
Prokurori Bujar Sheshi, i cili përfaqëson akuzën në gjyqin ndaj ish-zv.kryeminitrit Ilir Meta, kërkoi dje në seancën gjyqësore informacion të plotë për programet kompjuterike që janë përdorur nga ekspertët në realizimin e verifikimeve mbi videon Meta-Prifti. Sipas Prokurorisë, përdorimi i programeve të palicencuara së pari shmang përgjegjësinë penale për ekspertim të rremë dhe së dyti nuk bën verifikimet e duhura me rezultatin që kërkohet. Pas seancës, Prokuroria e Përgjithshme tha se nuk ka komente mbi ekspertizën e paraqitur dje në gjyq, por theksoi se procesi nuk ka përfunduar. “Ka prova të tjera, dokumente dhe dëshmitarë që do të paraqiten në proces”, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Ndërkohë, mësohet se organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës dhjetë ditë kohë për të marrë në shqyrtim me hollësi materialin e përgatitur nga tre ekspertët e më pas të nxjerrë një konkluzion të qartë në lidhje me çështjen.
Prifti: Gjykata të kërkojë ekspertizë nga policitë e BE-së
“Ekspertët shqiptarë nuk janë kompetentët, kanë punuar në kazino”
Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i kërkoi dje Gjykatës së Lartë të kërkojë ekspertizë nga policitë shkencore të vendeve të BE-së dhe jo nga ekspertë privatë. “Gjykata e Lartë nëse është e pavarur, e pablerë nga Ilir Meta dhe nëse kërkon drejtësi, duhet të kërkojë një ekspertizë të re nga ekspertë të rinj të huaj. Ekspertiza mos të bëhet nga ekspertë privatë. T’i kërkohet një ose disa vendeve të Bashkimit Europian të bëjnë këtë ekspertizë me policinë e tyre shtetërore dhe shkencore. Kjo ekspertizë duhet të jetë bazë për gjykimin e mëtejshëm të Ilir Metës. Nëse kjo ekspertizë e pavarur, shkencore dhe nga një shtet i BE-së, nxjerr që video është e prekur dhe joorigjinale, unë jap dorëheqjen nga çdo funksion politik e publik, dhe i dorëzohem drejtësisë”, u shpreh Prifti. Gjatë një konference për shtyp pas përfundimit të ekspertizës së tre specialistëve të autorizuar nga Gjykata e Lartë, Prifti tha se ata nuk kishin asnjë lidhje me këtë detyrë.
“Nuk mund të pritej ekspertizë e drejtë dhe e vërtetë nga 3 ekspertë që nuk kanë asnjë specializim për të kryer detyrën që iu ngarkua nga Gjykata. Njëri prej ekspertëve ka qenë punonjës operativ i Shërbimit Informativ, i vendosur në Skrapar. Nuk e di se çfarë lidhje ka eksperienca e tij me detyrën e ekspertimit të videos. Një ekspert tjetër ka punuar në kazino “Rozafa” për të rregulluar makinat e kumarit, i cili sipas shumë dëshmive, akuzohej çdo javë nga drejtuesit e kazinosë se në makinat e kumarit vidheshin në mënyrë sistematike monedhat. Kurse eksperti tjetër, ka në CV eksperiencë pune në bar-bufe dhe dyqan për shitje kompjuterësh. E vetmja eksperiencë që këta ekspertë kanë pasur për të kryer detyrën e Gjykatës është një kurs 3-ditor në Rusi i njërit prej ekspertëve, që sipas atyre që ia bënë kursin, është plotësisht i pamjaftueshëm për të bërë ekspertizën e caktuar nga Gjykata e Lartë”, u shpreh Prifti. Ish-ministri, autori i video-regjistrimit, tha se videoja është e saktë. “Ekspertët gënjejnë kur thonë se ora-kamera e dorëzuar nga unë nuk ka kryer regjistrimin. Është fakt i deklaruar nga Prokuroria dhe eksperti amerikan që videoja “Meta-Prifti” nuk gjendet në memorien e orës-kamera, që ka një memorie vetëm prej 8 MB, sepse është fshirë nga videot që janë regjistruar më vonë. Por, është fakt i padiskutueshëm që video është bërë nga ajo orë dhe se është shkarkuar në kompjuter në formatin origjinal AVI, format në të cilën është dorëzuar në Prokurori”, u shpreh Prifti.
ARMAND BAJRAMI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al