Ekstradimi i Dritan Goxhajt në Kosovë, Gjykata e Lartë cakton seancën gjyqësore për ish-luftëtarin e UÇK-së, ja kur do të mbahet

Jul 8, 2024 | 15:37
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë ka caktuar ditën e nesërme, 9 korrik, për zhvillimin e seancës gjyqësore për çështjen e ekstradimit për llogari të Gjykatës Speciale të Kosovës, të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhajt.

Dritan Goxhaj

Prokuroria e Apelit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila ka caktuar për nesër, datë 9 korrik 2024,  seancën gjyqësore, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që refuzonte ekstradimin e Dritan Goxhajt për llogari të Gjykatës Speciale në Hagë, duke kërkuar sërish ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Prokurori që ka bërë kërkesën është kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Gent Xholi, ndërsa relator është Ilir Panda.

Ky i fundit në këtë proces është edhe relator edhe gjyqtar. Pjesa tjetër e trupës gjykuese në Dhomën e Këshillimit janë Sandër Simoni dhe Sokol Binaj.

Vitin e kaluar po në korrik, më 31, Dritan Goxhaj u arrestua për qëllime ekstradimi. Procesi gjyqësor i tij zgjati mbi 70 ditë dhe Gjykata e Apelit vendosi mos ekstradimin e Goxhajt, madje arrestimi i tij u shpall i paligjshëm.

Kujtojmë se Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.

Ish-luftëtari i UÇK-së u përball me akuzën se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, akuza të cilat ai i ka mohuar gjatë procesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura