MARIGLEN KUME/ Vendimi personal i kryedemokratit Basha për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, ka shkaktuar debate të forta në mbledhjen e parë të grupit të PD, 12 orë para mbledhjes së parë të Parlamentit.
Gazeta “Panorama.al” ka zbardhur debatin e plotë të mbledhjes përmes burimeve të besueshme në sallë. Në fillim ka qenë kryetari i PD-së, Basha, i cili ka sqaruar vendimmarrjen. Ai tha se dje ishte afati limit që i ishte vendosur nga SHBA për të marrë një vendim.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së mësohet se është shprehur se për çështjen Berisha ka edhe shumë detaje të tjera, me të cilat ai është njohur, por që nuk kishte ndërmend t’i bënte publike dhe referuar këtyre të dhënave, ai tha se ishte vendimi më i mirë për vetë Berishën dhe familjen e tij.
Por, megjithatë, edhe këto fjalë që kreu i opozitës nuk i tha në deklaratë, nuk e bindën grupin e deputetëve që kërkuan që vendimi të ishte kolegjial.
Bujar Leskaj ishte i pari që foli e kritikoi vendimin duke nënvizuar se përjashtimi ishte një vendim përçarës.
Ndërkohë, Flamur Noka ka debatuar me tone të larta duke i kujtuar se një gjë të tillë ia kishte komunikuar edhe në zyrë.
Kundër vendimit të Bashës ishin edhe Oerd Bylykbashi, Luciano Boçi e Albana Vokshi.
Ndërsa Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sulaj mbështetën kryetarin e PD.
Alibeaj tha se nesër do të jetë një ditë e re duke nënkuptuar normalizimin.
Ndërkohë, anëtari i kryesisë, Kreshnik Çollaku, kishte kërkuar që PD t’i bënte presion SHBA për të marrë dosjen e Berishës.
DEBATI I PLOTË
Lulzim Basha: Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Ju e dini shumë mirë marrëdhënien time ndër vite me Berishën. Kemi bërë disa arritje bashkë. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike. Unë nuk doja që të përçaja Partinë Demokratike, ndaj mora një vendim personal. Në këto dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjodhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë.
Kur ka ardhur Philip Rreker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë. Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij.
Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës. Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi.
Bujar Leskaj: Ky është një vendim i gabuar. Kundërshtari ynë është Edi rama dhe nuk duhet të shikojmë të gjejmë armiqtë brenda vetes. Ju jeni kryetari legjitim i Partisë Demokratike, por vendime të tilla duhet të jenë të konsultuara. Ne duhet të mbledhim forcat, t’i bashkojmë ato dhe jo të përçahemi. Vendimi që ke marrë e përçan Partinë Demokratike.
Jo vetëm me Berishën, po bëtë gabim edhe me largimet e tjera. Ju zhvilluat një garë brenda partisë me një program, platformë dhe jeni kryetari legjitim. Por vendimet e marra më pas duke përjashtuar edhe Presidentin Bujar Nishani janë të gabuara. Doktor Berisha e ka nisur betejën e tij dhe çështja e tij nuk e penalizonte marrëdhënien e PD-së me SHBA. Ne nuk duhet të pozicionohemi kundër SHBA, por nuk duhet të përçajmë PD
Flamur Noka: Ta thashë edhe në zyrë (me tone të larat). Ky vendim që ke marrë ti, nuk i sjell asgjë të mirë Partisë Demokratike. Ky vendim e përçanë Partinë Demokratike. Ne nuk mund të fshijmë historinë e PD-së. Të mos harrojmë kontributin e Berishës në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA. Mbi vlerat amerikane u themelua PD, jetoi 30 vjet.
Busulla ka qenë një dhe një, e Sali Berishës dhe PD, orientimi euroatlantik. Në lidhje me vendimin e sekretarit Blinken, Berisha mbajti një qëndrim të vetin. Ka kërkuar që të mos përfshihej PD në betejën e tij. Por largimi i Berishës është mohim i historisë. Është të mohosh suksesin e kësaj force politike. Është vendim individual i PD-së. Mohimi i Sali Berishës është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi.
Tritan Shehu: Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzistenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume. Ky është një gabim i madh për Partinë Demokratike. Nuk mund të marrësh ti vendime të tilla vetëm. Të kam marr në telefon dhe nuk ma ke hapur, të kam shkruar edhe mesazh, por sërish nuk më je përgjigjur. Nuk mund të marrësh vendime i vetëm.
Luciano Boci: Vendimi është i rëndë, por duhet të shohim çfarë të bëjmë nesër në kuptimin strategjik. Sepse vendimi mund të merrej jashtë partisë. Ta bënte KQZ dhe jo ne.
Oerd Bylykbashi: Në zgjedhjet e 2013, ne humbëm zgjedhjet, por dolëm me kokën lart. Dolëm me kokën lart sepse në qeverisje kishim bërë shumë punë. Pikërisht kur në qeveri ishte Sali Berisha. Ndërkohë, ju keni marrë vetëm dy vendime personale: marrëveshja e 17 majit pas mbylljes së çadrës dhe vendimi për djegien e mandateve. Ndërkohë, tani edhe përjashtimin e Berishës. Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim te 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja?
Albana Vokshi: Është vendim tronditës. Jam kundër vendimit, por mund ta kem subjektiv, për shkak të marrëdhënies që kam prej vitesh me Sali Berishën. Unë nuk jam e bindur si ju, zoti Kryetar, që vendimi është në interes të PD. Nga qindra mesazhet që kam marrë, më rezulton se është vendim i gabuar, pasi shumica e demokratëve janë kundër.
Ju thatë që mbani barrën, por barrën duhet ta mbajmë të gjithë dhe vendimi të votohet në forume. Nëse ju dobësoheni, dobësohet partia, ndërsa ne si ekip punojmë për t’ju rritur ju. Ne duhet të shprehemi me votë sepse jemi parti e mendimit të lirë.
Dashnor Sula: Oerdi thotë që në 2013 ne dolëm kokën lart nga humbja. Por unë mendoj të kundërtën se dolëm të poshtëruar me një qeveri që ishte bërë simboli i hajdutit. Sa e do Lul Basha Sali Berishën, nuk e do asnjeri prej nesh. Besojini këtij burri për vendimin që ka marrë. Në qiell ne kemi Zotin, që nuk e njohim. Ndërsa në tokë Zoti dihet. Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mund të dalim kundër tyre.
Agron Gjekmarkaj. Duket që ka rënë rrufeja në Grup Parlamentar. Nga procedura demokratike, vendimi lë shumë për të dëshiruar, por nga ana morale është akt i fortë. Është i një lideri dhe na çliron ne nga pesha. Si do ta zgjidhim me SHBA është çështja, sepse pa atë nuk jetojmë. A duhet kryqëzuar Sali Berisha për këtë? (e la pa përgjigje)..
Enkelejd Alibeaj: Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijmë këtë moment, dielli lind përsëri.
Kreshnik Collaku: Pse ta hedhim në votë? Asnjë nuk do ta votonte, kështu që le ta marrë peshën kryetari. Është një vendim vetëkryqëzues. Ne duhet t’u bëjmë presion Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrim dosjen që kanë për Sali Berishën.
Lulzim Basha: Nëse nuk do ta merrja këtë vendim, nuk do të kishim asnjë interlokutor dhe nuk do të kishim ku kërkonim transparencë.
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al