E bija e ish-kryetarit të Parlamentit, Mihal Zallari, pas mbledhjes së dokumenteve, letrave e poezive të babait të saj në kohën e burgut dhe përpara tij, tregon sot atë çka nuk ka mundur të bëjë deri dje, jetën dhe përçapjet e saj për pak drejtësi. E shkuara i vjen ndër mend gjithnjë ndër lot, ashtu siç gjithnjë nuk mundi të përtypë padrejtësitë. Vajza e vetme e Mihal Zallarit, tashmë 75 vjeç, rikthehet në këtë intervistë në vitet e shkuara, kur ishte vetëm 9 vjeç, në kohën që i prangosën të atin, dhe nuk e pa për 18 vjet “Babait tim dhe të gjithë atyre që zgjodhën rrugën e vështirë dhe të mundimshme në shërbim të Atdheut, duke i marrë në sy edhe pasojat”. Ky është dedikimi që gjendet në faqen e dytë të librit “Babai im, Mihal Zallari”, shkruar prej së bijës, Elzës (Emri i saj i vërtetë është Elza, pavarësisht se, për shkak të një gabimi në regjistrimin e dokumenteve, mbeti gjithandej Elsa). Ndoshta atëherë, vite të shkuara, kur babi ishte pjesë aktive e mbrojtjes së ideve atdhetare as e bija e vogël, e as e ëma e saj, Niqi, nuk pranonin e as nuk mbështesnin veprimtaritë e kreut të familjes, sepse ndoshta e dinin si do të shkonte filli. Ndërsa tani, kur Elsa ka plot 75 vite mbi supe, pavarësisht kujtimeve të rënda që ka pas saj, ndihet së paku krenare e kryelartë për gjithë çka parë e dëgjuar rreth të atit. Ajo nuk ka shkruar një libër rreth jetës së tij, duke u përfshirë vetë. “Të flas unë si e bija, nuk është shumë komode, sepse interpretimet e mija nuk i shpëtojnë dot ndjesive, prandaj bëra thjesht grumbullim të gjithë materialeve që arrita të siguroj nga koha e tij dhe i bashkova në libër”. Elsa ishte vajzë e vetme, nuk kishte as vëllezër, as motra e as ndonjë të afërm që mund ta ndihmonte për të ‘rrëmuar’ në historinë e
largët. Prandaj, e vetmja zgjidhje ishte që gjithë këtë punë ta bënte vetë. Me të dalë në pension e me t’iu krijuar mundësitë për të depërtuar në dokumentet e arkivuara të Arkivës së Shtetit, i hyri punës. Në sirtarët e shtëpisë së saj gjendeshin gjithashtu letra e shënime që i shpërfaqnin të shkuarën e babait. Në secilën prej tyre, historia, të dhënat flisnin vetë, prandaj edhe ajo preferoi të mos përfshijë analiza a komente, por të paraqesë, krejt siç ka qenë, të vërtetën. Sidoqoftë, të gjitha ata që kanë pasur rastin t’u bjerë ky libër në dorë (më së shumti miq e të afërm) e dinë që pjesa e saj emotive mungon. Edhe sepse, ajo nuk e ka fort të thjeshtë t’i ndajë emocionet vetjake me të tjerë. Së paku, jo pa i krijuar trazime në ndjesi, orë pa gjumë, e shijen e hidhur që i risjell një e shkuar, që as ajo e asnjë prej familjarëve të saj nuk e patën merituar. Nuk ishte e lehtë të bisedoje me Elsën pa u ndërprerë hera herës nga lotët që i zbehnin fuqinë zërit. Jo se historia e saj është nga ato më të këqijat që keni parë a dëgjuar, JO. Këtë Elsa e mohon. Vetëm se, gjithsecili ka përjetimet e tij rreth së shkuarës. Ka kujtimet e një jete, në të cilën ajo ka qenë përherë e vetme kundër padrejtësive, megjithatë, kokëfortë për t’i çuar të drejtat e saj deri në fund, pa u zmbrapsur asnjëherë. Të gjitha këto pengesa, gjatë 18 viteve të burgut të babait të saj, Mihal Zallarit, dhe gjithë kohës së mëvonshme, nuk i ka ndarë asnjëherë me të tjerë. Sa herë ka marrë të shkruaj kujtime, ndjesi… kanë mbetur në copa letrash të shpërndara nëpër skutat e mobilieve të shtëpisë, pa u bërë tok. Edhe të tjerë më parë kanë tentuar ta shtyjnë t’i rrëfejë vitet e mundimshme, por ja që deri tani ajo ka vendosur kështu, t’i mbaj vetëm për vete. Duke nxjerrë me zor dhe me shumë pishman edhe këto copëza të vogla të jetës së saj.
Ç’kujtoni si momentet më të padëshiruara të asaj kohe?
E para dhe më e trishta janë sytë e tij në momentet e fundit, përpara se të ndahej nga jeta. Ishin sy të trishtë, të dhimbshëm, është i vetmi imazh që nuk kam mundur e nuk do të mund të harroj edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite.
Lexoja në ta keqardhje, që nuk ishte për veten e tij, por për të tjerët, për të gjithë vendin. Ka qenë njeri i sinqertë në kuptimin më të pastër të fjalës. Çdo gjë që bëja në mirëbesim të tij, nuk dilja asnjëherë e zhgënjyer. Gjithnjë ndodhte ashtu, dhe sikundër thoshte “sinqeriteti është nevojë e shpirtit”.
Sa vjeç keni qenë ju në kohën që është burgosur?
Ka qenë viti ’44 dhe kam qenë 9 vjeç.
Çfarë pasojash lë kujtesa e një fëmije që sheh babain ta arrestojnë?
Nuk e kam parë këtë skenë sepse ai bashkë me kolegë të tijtë ka qenë në Shkodër, kur i kanë arrestuar. Kështu që përjetimet kanë qenë në fazën e mëvonshme.
Mihal Zallari ka qenë kryetar i Parlamentit shqiptar në kohën e pushtimit gjerman, kështu që një farë frike a kërcënimi duhet ta kishte në mënyrë të vazhdueshme… Apo te fëmija nuk përcilleshin të gjitha këto?
Në shtëpinë tonë nuk mbahej asgjë e fshehtë. Sado që isha e vogël edhe nuk mund t’i kuptoja gjërat mirë, gjithsesi i merrja vesh, pastaj interpretimi ishte i imi. Mamaja i kishte kërkuar gjithnjë babait që të mos përfshihej në politikë sepse ishte e sigurt që një ditë do të vinin pasojat. Edhe ai vetë e dinte e megjithatë refuzonte të plotësonte kërkesën e saj, veçse të ishte në shërbim të atdheut. “Tani kanë nevojë për mua”, thoshte. Disa herë kishin ardhur paralajmërime në shtëpi, kishin dërguar fjalë që të qëndronte larg politikës, por ranë në vesh të shurdhër. Për më tepër që kryetarin e Parlamentit paraardhës e kishin vrarë. Këtë fund mund të kishte edhe ai. Në fakt, nuk e vranë, e burgosën.
Mamaja reflektoi gjë te ju gjatë kësaj kohe?
Ajo vetëm një pishman kishte: “Si na la këtu?”, thoshte përherë. “Ai i dinte pasojat, unë dhe të tjerë i kishim kërkuar të mos përzihej”.
Si u përfshi në politikë?
Babai qysh në moshën e shkollës fillore e deri sa përfundoi gjimnazin ka studiuar në Stamboll, por ka qenë në shkollë gjermane. Edhe më pas universitetin e ka kryer në Austri. Gjatë gjithë kohës që ka qenë larg, nuk është shkëputur asnjëherë nga interesat e atdheut dhe për këtë është dëshmi e përjavshmja “Djalëria” (1922-1924). U kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 1925. Ka punuar disa kohë mësues, prej studentëve të të cilit unë kam marrë disa të dhëna e kujtime. Më pas me kapitullimin e Italisë e ardhjen e Gjermanisë, gjuha që ai e njihte mirë dhe gjithë kultura gjermane me të cilën ishte rritur, bënë që të ishte një pretendent i tyre për ta vënë në krye të parlamentit. Për më tepër që situata ishte e vështirë, edhe disa emra të tjerë ishin propozuar për të qenë në vend të tij, por askush nuk kishte pranuar. Madje babait ia kanë thënë me gojë “edhe ty do të të vrasim”. Përgjigjja e tij ishte: “Nëse ju bëhet mirë kështu, më vrisni!”. Kur nuk arriti t’ia kthejë mendjen ky kërcënim, domosdo që nuk mund t’ia kthente asgjë tjetër.
Të paktën në këtë kohë, jeta juaj ka qenë e mirë, apo…
Jetesa përpara pushtimit ka qenë relativisht e mirë, jetonim te shtëpia e gjyshit. Më pas ajo u lirua për italianët dhe në kohën kur u bë evakuimi i Durrësit, ne kërkonim shtëpi me qira, por numri i madh i njerëzve bënte që të gjitha shtëpitë të ishin të zëna, kështu që kemi jetuar, pavarësisht pozitës së babait, vetëm në një dhomë, deri sa u lirua shtëpia prej italianëve.
Po nga fëmijëria, nga koha e shkollës, ndonjë kujtim të mirë e ruani apo jo?
Ç’mund të kujtoj, ka qenë kohë aq e shkurtër e fëmijërisë së shpenguar për më tepër, shumë e largët. Më kujtohen bisedat që bënin mes shoqesh. Dëgjonim në shtëpi a përreth fjalën komunist që lidhej menjëherë me të mirat e vendit dhe pyesnim njëra-tjetrën: “Po babi yt çfarë është, komunist apo ballist?”. Që im atë nuk ishte ballist, unë këtë e dija mirë, po me aq sa kuptoja atëherë përgjigjesha që im atë ishte komunist. Me logjikën time, përderisa edhe ai edhe komunistët aspironin për të mirat e vendit, domethënë që ai ishte komunist. Më vonë e kuptova që ishte vetëm atdhetar. Donte vendin dhe njerëzit e tij, të mirat e tyre.
Çfarë ndryshoi në jetën tuaj pas burgosjes së tij?
Vazhdova të shkoj në shkollë, ndërsa mamaja mësoi të qepte në mënyrë që të nxirrte ndonjë të hollë. Më vonë e ndaluan ta bëjë edhe këtë gjë, kështu që përfundoi në ndërtim bashkë me disa shoqe të saja që i kishin baballarët apo bashkëshortët në burg. Dikë e kishin arrestuar, për shembull se pse bëri mbrojtje të mirë në gjyqin special. Pra kishte qenë avokat e kishte përfunduar në burg. Ky grup grash ka punuar në ndërtimin e pallatit të Shallvareve. Kujtoj që kishin thurur edhe një këngë, të cilën ia kërkoja mamasë të ma sillte në shtëpi. Një varg i asaj kënge ishte “Për ty shoqe punë s’ka, përveç punës me kazma”. Ky ishte refreni i përditshëm i atyre të rejave të pafajshme.
Më pas u regjistrova në Politeknikum. Shkova me dëshirë, sepse mendja më gënjente që do të vijoja inxhinierinë më pas.
Në fakt?
Në fakt nuk arrita të mbaroj as atë. Vit pas viti në shkollë dëgjonim për përjashtime të studentëve për arsye politike. Mua më erdhi radha në vitin e tretë. Pas përjashtimit më çuan të punoja 5 vjet në fabrikën e Shqopës, deri sa rastësisht takova një mik të babait, i cili më tha se mund të bënim një provë për në Teknikumin e Ndërtimit. Kështu, nisa sërish shkollën, natën qepja, sepse mamaja ishte sëmurur e nuk ishte më në gjendje pune. Pas kësaj, dola teknike e mesme dhe punova te ’21 dhjetori’. Më vonë, sepse në atë kohë ishte e pamundur me gjithë kërkesat, bëra Institutin natën për Matematikë-Fizikë.
Në këtë kohë keni krijuar edhe familje. A ishte bashkëshorti pjesë e ‘rrethit’ tuaj?
Jo, përkundrazi nuk kishte asnjë lidhje me “njollat” që u damkoseshin njerëzve në biografi.
Sa ishte e mundur kjo gjë…duke qenë i papërlyer ai mund të shihej ndryshe kur të lidhej me ju?
Është e vërtetë dhe në fakt cenime në punë i bëheshin. Ai ishte inxhinier, nga puna nuk e hiqnin dot veçse bënin ç’është e mundur për t’ia bërë të vështirë. Megjithatë kurrë, as prej tij e as prej familjes së tij nuk e kam ndier kurrë këtë gjë. Asnjëri prej tyre nuk ka thënë ndonjëherë ndonjë gjë që mund të më mërziste. Ndryshe nga mikesha të mija që më tregonin se edhe pulat e kotecit e dinin që e kishin babain ballist.
Po me babain çfarë bëhej ndërkaq, shkonit e vizitonit?
Jo vetëm në këtë kohë, por gjithnjë. Dëftesat e mija të shkollës i shkonin çdo vit. Edhe pse me letrat kam qenë përherë pak e kursyer. Në fillim shkonim çdo javë sepse ishte afër, por kur e transferuan në Burrel, kisha mundësi të shkoja vetëm kur merrja lejen e zakonshme. Kur linda vajzën shkova me gjithë tim shoq dhe me vajzën, që babai të shihte e të njihte mbesën. Përpiqeshim ta ndihmonim me sa kishim mundësi edhe pse ç’është e vërteta në burg nuk është që e kanë ngarkuar me punë të rënda, është trajtuar mirë. Shkruante poezi, lexonte.
Si ishte përballja me realitetin kur doli? Gjithçka përreth kishte ndryshuar… Ai vetë me çfarë u mor?
Kur ishte larguar kishte lënë një vajzë të vogël, ndërsa tani po gjente mbesat gati në atë moshë. Ju thash qysh në fillim, që nuk mundem t’i harroj sytë, kur u nda nga jeta. Ishin shumë të dhimbshëm e plot keqardhje. Ndjesi këto që e shoqëruan gjatë gjithë kohës pavarësisht se ai nuk ishte njeri që ankohej, e mbante gjithçka për vete. Kur doli nga burgu babai punoi në Institutin e Historisë. Megjithatë, as vitet e burgut nuk kishin qenë për të aq të vështira se ç’ishte reagimi i njerëzve.
Situatat në Shqipëri ndryshonin vit pas viti, po ju, ju ‘ngacmuan’ më?
Vazhdimisht. Në vitet ’68-’69 ishte lufta kundër burokracisë. Për një 5 vjeçar kisha qenë mësuese, por pas këtij viti më çuan në bujqësi. Por nuk kam ndenjur në vend. Kam bërë përçapjet e mija, të drejtën e kam kërkuar gjithnjë. Shkova në këtë kohë te Manush Myftiu, të cilit i kërkova shpjegime për heqjen si dhe të drejtat që më takonin. “Nuk të siguroj në arsim, tha, por shko se do të rregullojmë” dhe më çuan sërish në 21 dhjetori. Nuk mbaroi me kaq sigurisht, më rikthyen sërish në ndërtim, ku punova edhe 15 vite deri sa dola në pension në ’90-tën.
Procesi gjyqësor i Mihal Zallarit
Kryetari, pasi e pyet të akuzuarin mbi gjener
alitetet e tija i këndoi akt akuzën e Komisionit Qendror për hetimet për krimet e luftës: “Ke inspiruar dhe organizuar Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm, Ansamblenë, prej të cilës doli Regjenca dhe Qeveria e parë kuislinge gjatë okupacionit nazist, të gjithë këto Institute që lehtësojnë veprimet e okupatorit.
Me cilësinë tënde si kryetar i parlamentit, duke mos kundërshtuar e protestuar me dhënie dorëheqje, ke aprovuar veprat shtypëse terroriste të qeverisë kuislinge, të regjencës dhe okupatorit. Je bërë vegël e propagandës armike, duke propaganduar për Nacional-socializmin. Duke qenë në marrëveshje me okupatorin ke tradhtuar luftën e popullit. Ç’ke për të thënë?
Pas mendimit tim kundrejt nderit dhe Kombit, nuk kam bërë gjë dhe s’kam qenë vegël e armikut. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë me ndërgjegje dhe kam qenë i lirë në mendimet e mia. Nuk e mohoj se kam qenë anëtar i Komisionit Ekzekutiv dhe si e kupton bota shqiptare këtë, mua nuk më intereson, por them vetëm që unë kam qenë për të mirën e Shqipërisë dhe jo për t’u shërbyer gjermanëve. Bota shqiptare më ka vulosur një damkë si filogjerman dhe është e vërtetë. Unë shkollën fillore, të mesme dhe të lartë atje e kam bërë. Kam simpati për sistemin shoqëror, muzikën, artin, letërsinë, për shkrimtarët që kanë mbrojtur tezën e Shqipërisë, por nuk jam nacional-socialist.
Kryetari: ke marrë iniciativën për formimin e Asamblesë dhe kini proklamuar në atë mbledhje indipendencën dhe neutralitetin e Shqipërisë nën okupacionin Gjerman?
Kur erdhi këtu gjermani, populli u ndodh para dy alternativave: ose do të pranonte gjendjen e mëparshme me ata njerëz që bashkëpunuan me Italinë, ose pa formuar Komitetin Ekzekutiv të pranonte diktaturën ushtarake.
Kryetari: Cili ka qenë qëndrimi yt, teza jote, në shërbim të luftës Nacional Çlirimtare apo të gjermanëve?
Personalisht e kam gjykuar të dëmshme përçarjen në kohë lufte, vëllavrasjen nuk e kam dashur dhe atëherë e kam mbrojtur tezën në favor të popullit, se Shqipëria dolli nga lufta koftra aleatëve.
Kryetari: Ti ke qenë një filo-gjerman fanatik, grupi juaj kur fitonte Gjermania, kur i ishin afruar Moskës dhe Aleksandrisë, ju përpiqnit kupat për fitoren e gjermanëve.
Unë e thashë më parë pikëpamjen time.
Prokurori: të na thotë i akuzuari se çfarë kupton me fjalën indipendencë, ç’bëri në shtator, kur erdhën gjermanët, çka e shtrëngoi që shkroi artikuj koftra lëvizjes Nacional Çlirimtare si të shitur tek i huaji?
Indipendencë kuptoj lirinë e ndërgjegjes, në shtator mora pjesë në Komitetin Ekzekutiv dhe në Asamblenë me artikujt e mi s’i kam quajtur të shitur njerëzit e lëvizjes dhe sa do që në fillim dualtë si Parti Komuniste, prapë kam pasur bindjen se ish një lëvizje kombëtare.
(Prokurori analizon artikujt e tij mbi djalërinë të cilën e lavdëron me shpresë që ta afrojë, ta largojë nga lufta)
Kryetari: Ti a besoje në fitoren e aleatëve?
Në fillim kisha besim, po kur erdhën këtu gjermanët e humba besimin dhe me gjithë këtë u bëra kollonë e pestë e popullit shqiptar, po jo kolonë e pestë e gjermanëve.
Kryetari: Ti ke kërkuar të vijë djalëria nga malet e të mos luftojë. Me këtë vepër kujt i shërbeve?
Unë mendoja në atë drejtim dhe kujtova se i shërbeva popullit.
Kryetari: Mehdi Beu u dha para Kadri Cakranit dhe Hysni Demës dhe Abaz Kupit?
Po. Po nuk e di sa u ka dhënë.
Kryetari: Ç’relacione ka pasur me Mehdi Beun me Ballin dhe Legalitetin?
Nuk e di, po Mehdi Beu është tip konfuz, po s’mund t’i them tradhëtor si nuk pranoj dhe për Ibrahim Bickacinë të quhet tradhëtor, pasi është njeri i ndershëm. Dhe pas mendimit tim nuk mund të ketë me mijëra tradhëtorë në një popull kaq të vogël sa tonin.
ANI JAUPAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al