EMRAT/ Goditet grupi kriminal i trafikut të drogës në Greqi, në pranga tre shqiptarë! Komunikonin me mesazhe e emra të koduar. Ja roli i secilit

Jul 25, 2024 | 21:35
SHPËRNDAJE

Një grup kriminal që merrej me trafikimin e drogës, kryesisht kokainë dhe cannabis në zona të ndryshme të Athinës, është goditur nga policia greke.

summori-attiki

Mediat greke bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë vërë në pranga katër persona, tre prej të cilëve janë shqiptar, ndërsa një prej tyre grek.

Ndërkohë, sipas News 24, shqiptarët e vënë në pranga janë identifikuar si 43-vjeçari Arjel Tafilaj nga Selenica, 31-vjeçari Ledjo Harizi nga Luftinja e Memaliajt dhe 55-vjeçari Viktor Leme nga Fier Shegani i Lushnjes.

Gjatë këtij aksioni janë kryer kontrolle në 5 banesa dhe një tjetër në një biznes, që dyshohet se përdoreshin nga  grupi kriminal.

Për sa i përket metodologjisë së funksionimit, anëtarët e organizatës komunikonin kryesisht nëpërmjet aplikacioneve online (Viber), duke shmangur përmendjen e emrave në biseda për të vështirësuar identifikimin e tyre, ndërkohë që përdornin emra të koduar për lëndët narkotike që trafikonin.

Nga hetimet rezultoi se 43-vjeçari Arjel Tafilaj nga Selenica, ishte drejtuesi, i cili merrte çdo vendim lidhur me grupin, ndërsa ishte i informuar përpara se të merrej ndonjë veprim nga anëtarët e tjerë.

31-vjeçari Ledjo Harizi nga Luftinja e Memaliajt, si një anëtar kyç i grupit, zëvendësonte Arjel Tafilajn aty ku ishte e nevojshme, duke mbajtur një biznes legjitim që grupi e përdorte për mbledhje dhe vendimmarrje.

55-vjeçari Viktor Leme nga Fier Shegani i Lushnjes, kryente shpërndarjen e drogës dhe komunikimin me “klientët”, duke ndjekur me besnikëri udhëzimet e drejtuesve të organizatës, ndërsa 29-vjeçari grek Spyridon Antoniou, furnizohej nga grupi i mësipërm dhe shpërndante sasi kokaine dhe cannabisi.

Gjatë operacionit policor, Arjel Tafilaj u arrestua teksa drejtonte automjetin tip “Smart” me targa IYP-2976, ndërsa me pas iu sekuestrua edhe fuoristrada tip “Porsche Caynne” me targa shqiptare AB 766 JI që përdorej për transportin e drogës.

Gjatë kontrollit personal iu gjetën 150 euro dhe 1 celular, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën 1770 euro. Ndërkohë të dashurës së tij, shtetases shqiptare R. N, iu gjetën 2250 euro, për të cilat deklaroi se ia kishte lënë në ruajtje Tafilaj.

Ledjo Harizi u kap nga policia duke drejtuar automjetin me targa KNH-6034. Gjatë kontrollit personal iu gjet 1 celular, ndërsa në biznesin e tij u gjetën 4 celularë dhe 145 euro. Në vijim të kontrolleve në banesë iu gjetën 3750 euro, 52 dollarë, 500 lira suedeze, 1600 lekë shqiptare, 1 pistoletë me mulli tip “S&WCTG” me 6 fishekë 38 mm, 1 pistoletë tip “COURT 9 COUPS UNIQUE”, 1 pistoletë me ajër tip “TSS”, 1 pistoletë replica me një krehër, 2 fishekë 9 mm, 48 fishekë 32 mm, 1 krehër me 8 fishekë 0.32, 1 thikë, 2 celularë, 2 karta SIM dhe automjeti “Opel Astra” me targa BKX-5340 që shërbente për transportin e drogës.

Viktor Leme u kap nga policia në drejtimin e mjetit “Fiat Panda” me targa ZNE-6901 dhe gjatë kontrollit personal iu gjetën 350 euro dhe 1 celular. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën rreth 71 gram kokainë, rreth 33 gram cannabis, 1 peshore elektronike dhe 150 euro.

Policia greke ushtroi kontroll edhe në banesën e shtetasit Ervin Lavane, por nuk gjeti asgjë të paligjshme. Por jashtë banesës së tij u gjet i parkuar automjeti tip “Audi A8” me targa shqiptare AB 227 MZ në pronësi të Ledjo Harizi, i cili u sekuestrua si produkt i përfituar nga veprimtaria e paligjshme.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit grek, u gjetën dhe sekuestruan 237 gram cannabis dhe sende të tjera. Nga hetimet e policisë greke dyshohet se 3 shtetasit shqiptarë kanë bashkëpunuar në mbi 300 raste shitjeje të lëndëve narkotike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura