EMRI/ Bariu e gjeti të mbytur në lumin Drin, identifikohet gruaja

Jul 9, 2016 | 10:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Identifikohet kufoma e gjetur një ditë më parë në mes të Lumit Drin në zonën e “Zallë Dardhës” Dibër.

Burimet zyrtare policore thanë se trupi i pajetë i përket 47-vjeçares së identifikuar si Marjeta Çera, nga fshati Trokaj i rrethit Dibër, banuese në Tiranë. Ajo thuhet se kohët e fundit vuante nga depresioni.

Identifikimi është bërë nga familjarët e viktimës. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e vetëmbytjes në lumë.

Bariu zbulon në lumin Drin trupin e një femre të mbytur, ja dyshimet e policisë

Trupi i pajetë i një femre është gjetur paraditen e djeshme në lumin Drin. Mësohet se një çoban i zonës së Zallë Dardhës i ka telefonuar sallës operative të Policisë Peshkopi.

“Në mes të Drinit dalloj trupin e një njeriu”, ka pohuar bariu.

Lumi Drin në Zallë Dardhë
Lumi Drin në Zallë Dardhë

Madje, bariu zallëdardhas ka qëndruar në brigjet e Drinit deri në momentin kur aty kanë mbërritur oficerë të Policisë Gjyqë- sore e prokurorë të Dibrës.

“Nuk më ka ndodhur ndonjëherë të dalloj njeri të mbytur në lumë. Jam i tronditur. Nuk besoj të jetë banor i Zallë Dardhës kjo viktimë”, është shprehur çobani dibran.

Efektivët e Policisë, të siguruar me litar, hynë në lumin Drin, në vendin e quajtur “Cekat e Zallë-Dardhës”. Aty ata gjetën trupin e një femre të pajetë.

“Trupin e viktimës e kishte ‘mbërthyer’ një trung peme, në mes të lumit Drin. Ai ishte pjesërisht i dekompozuar. Mendohet të ketë qëndruar në ujë mbi dy javë. Kufoma është e seksit femër, e paidentifikuar, rreth 30 vjeçe, ku ka të veshur një bluzë ngjyrë të bardhë, pantallona të zeza, çorape me lule”, thanë zyrtarë të Policisë Dibër.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga eksperti mjekoligjor, në trupin e kufomës nuk janë evidentuar shenja dhune, shkaktuar me armë zjarri apo mjete të forta.

Megjithatë janë pikasur dëmtime të shumta të shkaktuara gjatë lëvizjes së trupit në rrjedhën e lumit. Kufoma është dërguar në morgun e spitalit Peshkopi, për hetime të mëtejshme.

Në sallën operative të Policisë Dibër nuk ka pasur ndonjë telefonatë apo denoncim për ndonjë shtetase të humbur kohët e fundit.

Në morgun e spitalit rajonal Peshkopi mbërritën qytetarë të shumtë për të mundësuar identifikimin e viktimës.

 

Drejtoria e Policisë Dibër kërkoi dje bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e kufomës dhe vuri në dispozicion numrin e telefonit 069 41 10 214. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, nuk ka pasur asnjë të dhënë se cila është 30- vjeçarja e mbytur. a.l

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura