“Emri i Hoxhës edhe te lista e gjellëve!”- Autokritika e Enverit në Plenumin e Beratit, si e shpëtuan jugosllavët! Djali i Mehmet Shehut sjell rrëfimet e njerëzve më të rëndësishëm të PK: Dushani me Miladinin marrin….

Sep 21, 2021 | 19:00
SHPËRNDAJE

Plenumi i Beratit, i nëntorit 1944, u duk se shënoi djegien përfundimtare të figurës së Enver Hoxhës. Ai vetë e pranonte se ishte një fillestar në punë organizative dhe se ngarkimi i detyrës si sekretar politik nga ana e Dushan Mugoshës ishte tepër e rëndë për të.

bashkim shehu enveri jugosllavet pleniumi i beratit

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në librin “Liri Belishova dhe koha e saj”, botim i “UET press”, Bashkim Shehu, duke rrëfyer jetën e një prej grave më të pushtetshme të viteve të para të regjimit komunist, ndalet edhe në këtë moment, kur krerët më të lartë të PKSH-së vunë Enver Hoxhën me shpatulla për muri.

Të gjithë ishin të mendimit se strukturat e partisë nuk kishin funksionuar asnjëherë dhe se gjithçka ishin në duart e emisarëve jugosllavë Dushan Mugosha-Aliu dhe Miladin Popoviç.

Përmes rrëfimeve të Belishovës dhe dokumenteve të kohës, Shehu tregon se ç’ndodhi në Plenumin II të K.Q., Berat, 23-27 nëntor 1944, si rrezikohej Enver Hoxha dhe si shpëtoi falë ndërhyrjes së jugosllavëve.

BASHKIM SHEHU

Portreti është i pandashëm nga sfondi. Historia e jetës së Liri Belishovës, me ngjitjet e saj në pushtet dhe me rëniet e saj, nuk mund të kuptohet shkëputurazi nga historia e komunizmit shqiptar në periudhat përkatëse, madje do të thosha se nuk mund të kuptohet jashtë një konteksti më të gjerë, atij të zhvendosjeve tektonike të komunizmit botëror në këto periudha.

Le të kthehemi te procesverbalet e Plenumit të Beratit, ndonëse Liri Belishova nuk ka qenë e pranishme. Krahas denoncimit të praktikave terroriste, aty theksohet sërish e sërish se forumet partiake kanë qenë thjesht fiktive, çka do të thotë se Partia Komuniste Shqiptare në të vërtetë nuk ka ekzistuar si organizatë, në të vërtetë kanë qenë një entitet i zbrazët, apo i mjegullt, një fiksion leksikor i artikuluar në shërbim të pushtetit arbitrar të një klike, e cila drejtohej tekefundit nga emisarët jugosllavë.

Enver Hoxha: “Komiteti Qendror i ynë nuk ka funksionuar si Komitet Qendror, edhe ca më pak Byroja e Komitetit. […] Asnjë nga ne nuk kish sensin e përgjegjësisë. Në të gjithë këtë punë, megjithëse të tërë e kemi gabim, Miladini ka qenë fajtori kryesor dhe ne jemi pasqyra e tij”.

enveri dushani

Gogo Nushi: “Nga referatet e Enverit dhe të Koçit [Koçi Xoxe, sekretar organizativ] duket se Komiteti Qendror nuk ka funksionuar. […] Shokët e Komitetit Qendror kanë qenë sa për formë; përse ka qenë kështu?”.

Enver Hoxha (duke iu përgjigjur Gogo Nushit): “As zgjedhjet, as mbledhjet s’janë bërë në rregull. […] Në Konferencën e Vendit ne s’dinim ç’qe Plenumi, s’dinim strukturën e Komitetit Qendror, ç’ishin anëtarët, ç’ishin kandidatët. […] Këta (anëtarë e kandidatë) u caktuan dhe u thirrën prej Dushanit më këmbë një nga një, i cili u thoshte se janë zgjedhur në Plenumin e Komitetit Qendror. […] U vendos më këmbë edhe për Byronë”.

Nako Spiru: “Puna është se gjithçka mbetej në duart e Miladinit dhe të njerëzve që ai donte t’i mbante afër […]Puna është se në realitet Komitet Qendror të Partisë nuk kishte, se ai nuk funksiononte. Kjo qe tendenca e Aliut [e Miladin Popoviçit], që frymëzoi edhe të tjerët, shokët tanë. Këtë tendencë e gjejmë të theksuar edhe tek Enveri, edhe te gjithë organizata”.

Sejfulla Malëshova: “Komiteti Qendror nuk ekzistonte. Byroja nuk ekzistonte. Komitet Qendror dhe Byro ishte Aliu dhe dy-tre veta rreth tij”.

Liri Gega: “Partinë tonë e ka udhëhequr Aliu, kurse dora e djathtë ka qenë Enveri”.

Bedri Spahiu: “Që në fillim, Komiteti Qendror s’ishte Komitet Qendror dhe Byroja s’ishte Byro”.

Nako Spiru: “Në realitet, autoritet, pas Dushanit e Miladinit, ka qenë Enveri, pastaj Liria [Liri Gega]”.

Tuk Jakova: “Partia jonë ka qenë në rrezik dhe ka qenë bërë lojë e dy-tre personave që kanë luajtur me fatin tonë”. Nga diskutimet në Plenum, del se këta “dy-tre” njerëz pranë Miladin Popoviçit kanë qenë Enver Hoxha, Liri Gega dhe, në një masë më të vogël, Baca, ose Ramadan Çitaku. Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha janë larguar tashmë dhe janë zëvendësuar nga një kuadër më i lartë, nga Velimir Stojniçi, i dërguar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Liri Gega dhe Ramadan Çitaku përjashtohen nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror.

Enver Hoxha është i vetmi që mbetet nga klika e shpërbërë: vazhdon të jetë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, madje të nesërmen e mbylljes së Plenumit do të hyjë si kryetar qeverie në Tiranën e sapoçliruar. Një kult i Enver Hoxhës është ngritur tashmë. Vërtet, ky kult kritikohet në Plenumin e Beratit (Nako Spiru: “Sot edhe në një listë gjellësh do të gjesh emrin e Enverit”;

Sejfulla Malëshova: “Artikulli në ‘Ylli Çlirimtar’ tregon sikur çdo gjë e ka bërë Enveri. […] Në këtë artikull, Enveri është konsideruar si strumbullar i sukseseve, kurse ai në të vërtetë është sinteza e gabimeve tona. Karakteristik është propozimi i Bacës, i cili në parullën për Enverin, si Komandant i Përgjithshëm, [kërkoi] të shkruanim edhe fjalën gjeni ose gjenial”).

Madje, theksohet nga disa prej diskutuesve se është një kult i ngritur artificialisht, kritika që nuk hasin asnjë kundërshtim. E megjithatë, kulti i Enver Hoxhës ngrihet edhe më lart paskëtaj. Nga të gjitha citimet e mësipërme, veçanërisht nga ato ku flitet për gjendjen e Partisë dhe për shkaktarët e asaj gjendjeje, të krijohet përshtypja se ky plenum shënon vdekjen politike të Enver Hoxhës.

Enver Hoxha dhe Dushan Mugosha- Aliu

E njëjta përshtypje të krijohet edhe nga autokritika e tij, që pason fjalën e Velimir Stojniçit. Po riprodhoj disa fragmente: “Do të më kishte pëlqyer që këto që po them t’i thoshja para se të fliste shoku Velo [Velimir Stojniçi], për të vetmen arsye se mos kuptohet që jam influencuar nga fjalët e Velos në këtë autokritikë që po bëj. […] Përgjegjëse kryesore e punës së shkuar është Byroja dhe i pari jam unë. […] Unë isha vetëm simpatizant [i Grupit Komunist të Korçës], nuk isha anëtar.

Kur u formua Partia dhe u gjenda në Komitetin Qendror, këtu hyra me propozimin e Koços [Koço Tashko, kryetar i Grupit Komunist të Korçës]. Unë s’kisha eksperiencë ose kisha më pak se të tjerët. […] Kur u formua Partia, besimi për ata dy shokë, Miladinin dhe Dushanin, qe i madh, se unë qeshë pa eksperiencë dhe pa pikëpamje organizative e politike të qarta. […] Gjatë kësaj kohe, edhe unë kam luajtur një rol, por kurdoherë pranë ka qenë Aliu. Që nga ajo kohë, lindi jo një simpati, por një dashuri për të dhe, çdo gjë që thoshte Aliu, për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar. […] Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut?

VIJON NESER…

LEXO EDHE: Ditët e fundit të Nako Spirut/ Djali i Mehmet Shehut sjell debatet në Byro e bisedat me Liri Belishovën: S’ka vetëvrasje, vetëm vrasje! Pse komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien! (PJESA 4)

 “Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës (PJESA 3)

 “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura