Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar Azem Hajdarin në 24-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Basha shkruan se kjo datë është gdhendur në kujtesën e çdo shqiptari si dita kur u vra pabesisht simboli i demokracisë duke theksuar se ai mishëroi me veprën e tij vullnetin e popullit për t’u përballur me diktaturën komuniste.
“Përkushtimi dhe sakrifica e Azem Hajdarit kanë qenë dhe do të mbeten përherë burim frymëzimi për të gjitha brezat, sidomos për më të rinjtë, të cilët gjejnë te vepra e tij tiparet e kurajos qytetare, që përmes angazhimit vetmohues e kthen politikën në një mjet në shërbim të së mirës, që nuk i tutet as dhunës, as krimit dhe as korrupsionit”, shkruan Basha.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës
12 shtatori i 24 viteve më parë është gdhendur në kujtesën e çdo shqiptari e në veçanti të çdo demokrati, si dita kur u vra pabesisht një simbol i demokracisë. Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore, mishëroi me veprën e tij vullnetin e një populli të tërë për t’u përballur me diktaturën komuniste dhe për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
Përkushtimi dhe sakrifica e Azem Hajdarit kanë qenë dhe do të mbeten përherë burim frymëzimi për të gjitha brezat, sidomos për më të rinjtë, të cilët gjejnë te vepra e tij tiparet e kurajos qytetare, që përmes angazhimit vetmohues e kthen politikën në një mjet në shërbim të së mirës, që nuk i tutet as dhunës, as krimit dhe as korrupsionit.
Ndaj emri i tij do të kujtohet përherë me mirënjohje dhe krenari, si dëshmia më e bukur e dëshirës dhe energjisë së pandalshme të një populli për të luftuar për liri dhe për të ndërtuar nëpërmjet fryteve të saj një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
I paharruar kujtimi i tij!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al