Ëndërr më e dobishme se realja

Jul 22, 2024 | 7:46
SHPËRNDAJE

NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ Capajev Gjokutaj-1

Nuk e njoha fare, megjithëse po e shihja me një farë kureshtje: një siluetë plaku, që çapitej gërmuq në rërën para kafes, këmbën e majtë pothuajse e hiqte zvarrë. Kohët e fundit, gatigati instinktivisht kundroj çdo të moshuar që ndesh, kudo që të jem. Dhe hera-herës vras mendjen nëse kjo është dëshmi empatie. Vërtet hyj në lëkurën e tyre, përjetoj vështirësitë që kanë në ecje, dridhjet e gjymtyrëve, ngadalësinë në të folur, përhumbjen në vështrim dhe cene të tjera të moshës, por jo rrallë më ngjan se ndjej më shumë pasiguri e frikë për veten time nesër, sesa dhembshuri e përdëllim për të sotmen e tyre. Ndërkohë silueta qe afruar dhe, me një lloj habie dallova që ishte Gonia, shok fëmijërie.

Kishim 5-6 vjet pa u parë, po kishte ndryshuar sa s’thuhet. E ftova të pinim ndonjë gjë dhe ashtu ulur, me vështrimin nga deti shkëmbyem informacionet e para.

-Vapë e madhe, – më tha kur u krijua një pauzë.

-Lere mos e nga – ia ktheva. – E thoshte mirë njëri në fejsbuk: Ky s’është behar, është krematorium.

Buzëqeshi dhe aty për aty ma priti: “Krematorium, po demokrat ama. I merr njerëzit me radhë, pa pyetur për racë e kombësi”.

-Fizikisht qenka rrënuar, po mendërisht qenka zigj, mendova.

-Vapë ka qenë gjithë këto ditë, po mbrëmë ishte ç’ishte, – nisi të më tregonte. – Deri nga ora tre e mëngjesit nuk vura gjumë në sy. Kur nisi të frynte pak, bëra ndonjë orë gjumë. Dhe, do ti? U zgjova i çlodhur e i freskët si rrallë herë.

-Djalë ke mbetur, e merr veten pas një ore gjumë, – i thashë me një lloj admirimi.

-Jo s’qe gjumi, – ma ktheu – ishte ëndrra. M’u bë se isha te shtëpia e dikurshme, djalë i ri. Në cep të avllisë, nën manin e lunxhit, ishte ulur im atë dhe usta Jani. Bënte vapë, burrat flisnin e fshinin djersët, ndaj u ngrita, shkova te pusi, lëshova kovën dhe u solla një kanë me ujë të ftohët. Flori djalë ke, i tha tim eti usta Jani, i hëngshim dasmët! Im at bëri buzën në gaz dhe unë u bëra me krahë.

-Ai brez kishte burra që s’vijnë më – vazhdoi Gonia pas një pauze, – mjafton t’i shohësh një copë herë në ëndërr dhe të bëjnë të ndihesh djalë.

Bëra t’i shpjegoja se edhe ëndrrën, edhe çlodhjen, madje edhe pleqtë vdekur e tretur dekada më parë, ia kishte sjellë freskia e mëngjesit, ardhur pas një nate zheg. Por në çast ktheva mendje. Lere ta besojë përderisa e bën të ndjehet mirë, mendova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura