Eno Peçi, dy herë bamirës, sjell baletin e vërtetë

Oct 27, 2014 | 13:55
SHPËRNDAJE

Nga “Vienna Night” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit
“Vienna Night”, vetëm për një natë në TKOB

Diferenca mes balerinëve të Teatrit të Vjenës dhe atij shqiptar ishte dramatike

Muzika e Moxartit dhe Shtrausit na transportuan mbrëmjen e së shtunës për pak në kopshtet e lulëzuara të Schönbrunn-it, nën shandanët gjithë shkëlqim të pallateve vjenezë, farfurinë e fustaneve në vals…
Këtë transport shijesh ia dhuroi publikut me prezencën e tij në Tiranë balerini Eno Peçi në “Vienna Night”. Një mbrëmje e veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për nga programi, por dhe misioni i saj. “Vienna Night” ishte një mbrëmje bamirësie, e mundësuar nga Ambasada Austriake dhe ideuar nga këshilltari i

Kryeministri Rama me Eno Peçin dhe dy balerinat e teatrit të Vjenës
Kryeministrit Edi Rama (i pranishëm në sallë bashkë me bashkëshorten, Lindën), Fate Velaj. Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e biletave (dhe duhet thënë se salla ishte plot) do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve të fshatrave SOS. Por “Vienna Night” ishte një mbrëmje dyfish bamirësie. Jo vetëm sepse i vjen në ndihmë një kategorie në nevojë, por edhe sepse solli pak aromë vjeneze e mbi të gjitha nivelin e lartë artistik të Teatrit Shtetëror të Vjenës, ku Eno Peçi është solist i parë. Bashkë me balerinin shqiptar, kishin ardhur edhe dy koleget e tij, Dagmar Kronberger dhe Ketevan Papava, gjithashtu balerina të Trupës së Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës. Veprat e ngjitura në skenë ishin zgjedhur në mënyrë të tillë, që të sillnin sa më të plotë shpirtin vjenez, klas, elegancë, por pse jo edhe pak humor. Nën muzikën e Moxartit (Koncert KV. 488 la minor) dhe nën koreografinë e Renato Zanellës, Peçi solli solo trishtimin e një ndarjeje, të një udhëtimi të gjatë, shoqëruar me pikëllimin e rënies së gjetheve të veshtës në “Voyage”. Nën koreografinë e Hans Van Manen, së bashku me partneren Dagmar Kronberg, Peçi ndërroi tërësisht atmosferë me “Scherzo alla Russa” të Stravinskij. Një parodi e këndshme, e ndjekur nga një tjetër duet nën tingujt e Shtrausit dhe koreografi të Roland Petit. Bashkë me balerinën Katevan Papava, Peçi solli një lojë dashurie mes dy të rinjsh, mes lotëve, çapkënllëkut dhe gëzimit të një fillimi të ri. Shpirtin sanguin dhe fitimtar të një toreadori e solli përmes muzikës së
Peçi në një nga performancat në skenën e TKOB
Hugues le Bars dhe koreografi të Maurice Bejart, “Arepo”. Po aq të këndshme dhe të ndjera, dueti “Ein Reigen” me muzikë të Arnold Schonberg dhe koreografi të Ashley Page, si dhe “Zërat pranverorë” me koreografi të vetë Peçit, shoqëruar nga Papava dhe dy çifte balerinësh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E pamundur që të mos e admiroje Peçin dhe dy balerinat e ftuara për elegancën, bukurinë fizike gati pa peshë, lëvizjet, gjithë aureolën që krijonin rreth tyre, që të mbushte me ndjesinë e këndshme dhe dëshirën për t’i parë sërish me të tjera pjesë. Nuk e ulte aspak nivelin e mbrëmjes, përkundrazi, interpretimi i Orkestrës së TKOB nën drejtimin e Petrika Afezollit, të cilët, gjatë intermexove mes interpretimit të Peçit dhe partnereve të tij luajtën pjesë nga opera “Le nozze di Figaro” dhe “Don Giovanni” nga Moxart, “Coriolano” nga Beethoven, për ta mbyllur me Marshin e Radetzky-t, që s’mund të linte indiferent publikun e TKOB. Mbrëmjes mund t’i ishte kursyer një pjesë e shkëputur nga baleti “Ballo e Diplomës”, interpretuar nga trupa e baletit të TKOB. Diferenca mes asaj që solli Peçi me partneret e tij dhe ajo që ofruan balerinët e TKOB ishte jo thjesht e dukshme, por e rëndë. Që nga paraqitja fizike, tek interpretimi i pjesës, që duhet thënë është jo pak e këndshme, sinkronizimi i lëvizjes në grup… Nëse në një farë mënyre
Eno Peçi
(duke mos pasur tjetër) jemi “mësuar” me nivelin e trupës sonë, ajo çka na solli Peçi, një shqiptar që hapat e parë i ka hedhur pikërisht në Tiranë, na tregoi një të vërtetë të hidhur. Me përjashtim të disa elementëve që bëjnë diferencën, të cilët sa mirë që i kemi, trupa jonë e baletit lë shumë për të dëshiruar. Por në fund të fundit, publiku shqiptar është i sjellshëm, i duartrokiti edhe ata.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura