UPDATE/Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj deklaroi se i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama dorëheqjen e tij. Gjatë takimit të fundit me kabinetin e tij dhe zyrtarë të qeverisë, Veliaj foli për një qasje të re në Bashkinë e Tiranës dhe një reformim të administratës. “Sapo i kam dërguar kryeministrit dorëheqjen time. Do të reformojmë administratën e Bashkisë, për të pasur njerëz të aftë, njerëz me kriter dhe mos te jetë një strehë e gangsterëve por e djemve dhe vajzave të këtij qyteti të talentuar”,-deklaroi Veliaj.
Duke folur për veprimtarinë e tij parlamentare, Veliaj tha se mesazhin e parë nga seanca e tij e fundit e mori nga nëna e tij. “Nëna më çoi një sms duke më thënë ç’më bërë, tani e ndiqja Parlamentin meqë ishe ti, por tani do ta ndjek meqë është Lindita (ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla).”,-deklaroi ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Gjatë fjalës përshëndetëse me stafin e ministrisë, Veliaj deklaroi se arritja më e fundit e dikasterit që ai drejton, është transferimi i pensioneve në Gjermani.
Veliaj premtoi se Bashkia e Tiranës nuk do të jetë një bashki që s’do të hapë qendra rinore. “Do të gjeni një bashki që ju inkurajon dhe ju bashkëfinancon”,-deklaroi Veliaj gjatë një takimi me zyrtarët e ministrisë pasditen e së enjtes në kryeqytet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al