ETLEVA DELIA/ Lagjja Kombinat e Tiranës rezulton më e dëmtuara në kryeqytet, deri tani me 10 pallate të shpallura të pabanueshme, banorët e të cilëve janë evakuuar.
Në këtë zonë u shënua edhe viktima e parë e tërmetit në Tiranë. Ishte 20-vjeçarja Xhesika Biqiku, e cila ndërroi jetë të shtunën paradite në Spitalin e Traumës. Ajo ishte transportuar aty me plagë të rënda në kokë, në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit dhe qëndroi për disa ditë në gjendje kome. Xhesika jetonte në katin e parë të një pallati në Kombinat, i cili tashmë është i rrethuar me shirit si i pabanueshëm.
Duke nxituar të dilte nga shtëpia bashkë me prindërit dhe motrën, 20-vjeçarja u godit nga një tullë që ra nga kati i pestë i pallatit dhe mbeti e plagosur rëndë, duke ndërruar jetë të shtunën në spital. Inspektimet vijojnë të kryhen në këtë lagje të Tiranës dhe nuk përjashtohet mundësia që pallate apo banesa të tjera të shënjohen me kryq apo të rrethohen si të pabanuara.
Qindra banorë kanë nisur të boshatisin shtëpitë e tyre, madje duke rrezikuar, janë futur brenda duke nxjerrë disa nga objektet e nevojshme. Disa janë strehuar në shkolla, disa te të afërmit e të tjerë vazhdojnë të flenë në makina, pasi nuk kanë ku të shkojnë.
PALLATET Një kompleks pallatesh të vjetra në zonën e Kombinatit, pas shkollës “Musinë Kokalari”, është boshatisur nga banorët, për shkak të dëmtimit të strukturës nga tërmeti i 26 nëntorit. Një tjetër pallat pesëkatësh me 40 hyrje është shpallur i pabanueshëm pas inspektimeve në terren në Njësinë Administrative nr. 6.
Disa prej banorëve, të cilët pësuan lëndime të lehta, por edhe të rënda nga tërmeti, nuk janë kthyer më në shtëpitë e tyre që kur dolën në orën 04:00 të mëngjesit, pasi ra tërmeti shkatërrimtar. Por ka banorë të tjerë, që pavarësisht se u është bërë e qartë rrezikshmëria e pallateve, vazhdojnë të qëndrojnë aty, pasi shprehen se janë me fëmijë të vegjël dhe nuk kanë ku të strehohen.
Zona e Kombinatit rezulton më e prekura nga tërmeti i një jave më parë. Deri tani, janë 10 pallate të pabanueshme, por mësohet se janë edhe dhjetëra shtëpi të shkatërruara plotësisht. Ekipet në terren po evidentojnë rast pas rasti, por kërcënues për jetët e njerëzve nga verifikimet rezultojnë sheshpushimet e dëmtuara, ku qytetarët kanë vendosur depozitat e ujit, nga pesha e të cilave rrezikon edhe shembja e godinave.
“Nuk e dimë ku të shkojmë. Kërkojmë vetëm një çadër”, thonë disa banorë. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me institucionet e tjera ka vënë në dispozicion të 100 familjeve të Kombinatit, shkollën “Betim Muço”.
“Është vetëm Instituti i Ndërtimit që vlerëson faktin që ky pallat është në rrezik dhe duhet evakuuar. Vetë qytetarët duhet më pas t’i drejtohen njësisë administrative që t’i shpërndajë në qendrat sociale, apo në shkollën ‘Betim Muço’, që ne kemi vënë në dispozicion për ta”, shprehet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.
BANORI
Andi Shyti është një nga banorët e pallatit pesëkatësh në Kombinat, ku jetonte familja e Xhesika Biqikut, e cila humbi jetën në Spitalin e Traumës ditën e shtunë. Ai tregon se aktualisht po fle në makinë, pasi pallati ku ka shtëpinë është i dëmtuar dhe nuk mund të rrezikojë që të futet më aty.
Shyti shprehet se kjo godinë e ndërtuar me punë vullnetare dhe ku ai ka jetuar që prej vitit 1973, ka marrë herë pas here dëmtime nga tërmetet. Që nga i pari tërmet, të cilin ai ka përjetuar në vitin 1979 dhe deri te tërmeti i 21 shtatorit i këtij viti, që i shkaktoi dëmtime të shumta.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al