“Fajin e ka Saliu”/ Berisha i përgjigjet Fatos Nanos, i nxjerr videon ku e cilëson Ramën refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura

Feb 5, 2021 | 12:51
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të bëra dje nga Fatos Nano në emisionin “Opinion”.

Nano

Berisha ka zgjedhur të ironizojë Nanon përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Miq, fajin e ka Saliu”, një shprehje kjo që përdorej nga Edi Rama kur ishte kryetar i opozitës.

Po ashtu Berisha ka publikuar në “Facebook” një video të vjetër ku Fatos Nano asokohe kryeministër sulmon Edi Ramën.

“Edi Rama ka një problem moral. E kam marrë me thonj të paprerë si refugjat nga Parisi dhe e kam sjellë të bëjë pjesë në ekipet tona qeverisëse. Unë mund të kem bërë shumë gjëra por e nxora nga bataku i fyerjeve, nga refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut, në ministër dhe kryetar të bashkisë më të madhe të Shqipërisë”, shprehet Nano në videon e nxjerrë nga arkivat.

Në intervistën e djeshme Fatos Nano e konsideroi rolin e Berishës në politikën shqiptare si konfliktual.

“Njeriu që ka ngulur konfliktin që edhe sot e kësaj dite nuk po largohet dot në politikën shqiptare është Sli Berisha. Dhe di vetëm mënyra konfliktuale për të realizuar ambiciet e veta. Është e pamundur të kesh një proces paqësor të shtrirë në kohë për të arritur synime të mëdha me kostot më të ulëta me Sali Berishën”, tha Nano.

“Berisha u mor personalisht me burgosjen time, në 21 Janar pushoi së qeni politikan”, tha ndër të tjera Nano, që përdori tone të zbutura në raport me kryeministrin Rama, duke i kursyer kritikat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura