Fakulteti i Filologjisë bashkon brezat, Koni: Ta kthejmë në aktivitet të përvitshëm

Jul 14, 2016 | 11:53
SHPËRNDAJE

Oborri i Fakultetit të Histori-Filologjisë u mbush dje si asnjëherë më parë nga ish-studentë që kanë pikasur në fusha të ndryshme.

Sot, në pozicione të ndryshme, njerëz të medias, historianë, politikanë, gazetarë, profesorë e ish-profesorë sollën në orët e vona të pasdites kujtimet e shkollës së lartë në një atmosferë të ngrohtë nën tingujt e muzikës.

Dje gjatë ceremonisë në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologjisë
Dje gjatë ceremonisë në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologjisë

Gjatë ceremonisë së moderuar nga gazetari që ABC-në e gazetarisë e ka mësuar në po këtë fakultet, Drini Zeqo, brezat i lanë radhën njëri-tjetrit me nga një fjalim simbolik.

Në fjalën hapëse, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, shprehu angazhimin që një ditë e tillë të përsëritet çdo vit.

“Fakulteti i Histori-Filologjisë është një nga më të rëndësishmit, në thelbin e të cilit janë studimet albanologjike. Dëshmi e saj janë edhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet.

Kam kënaqësinë që të gjithë së bashku këtë ditë të rëndësishme ta kthejmë në një moment të përvitshëm, të mblidhemi të gjithë së bashku për të festuar e dialoguar për të projektuar idetë për zhvillimin në fusha të ndryshme të shoqërisë”.

Referuar të pranishmëve, ish-studentë që sot janë në poste të ndryshme drejtuese, ish-dekani Shezai Rrokaj vuri në dukje rolin e këtij fakulteti në formimin e elitës së re të vendit, teksa i fton ata të mos harrojnë auditoret ku kanë mësuar.

“Ky fakultet prodhon vlera. Të gjithë ne që kemi rastin të japim apo kemi dhënë mësim në auditoret e këtij fakulteti apo çdonjëri prej nesh që ka dalë nga këtu, nuk bën asnjëherë keq t’i rikthehet asaj kohe me mirënjohje”.

Takimi i një dite më parë bëri bashkë breza që kanë studiuar aty në dekada të ndryshme. Nuk munguan emocionet mes pedagogësh e ish-studentësh që tashmë kanë vënë në jetë atë që kishin ëndërruar dikur në bankat e shkollës.

Nëpërmjet fjalimeve të shkurtra, kush me nostalgji e dikush me humor, përcollën momente nga jeta studentore e para viteve ’90.

Mund të përmendim mes tyre drejtuesin e një emisioni investigativ, Filip Çakullin, gazetaren Genta Popa, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, Zija Çela e shumë të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura