Fakulteti i Mjekësisë hap garën për vende të reja pune, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga nisja e vitit të ri akademik. Bëhet fjalë për 140 pedagogë të jashtëm në 53 profile lëndësh brenda këtij fakulteti.
Kërkesat më të mëdha për pedagogë me kohë të pjesshme ka në atë të Departamentit të Shëndetit Publik për një lëndë me të njëjtin emër që kërkon plot 14 të tillë, e po ashtu për pedagogë të lëndës së Pediatrisë, Anestezisë, Gjuhës angleze, Fizikës e të tjera.
Për t’u punësuar në një nga 13 departamentet e Mjekësisë, përveç diplomës së mjekësisë, kriter shtesë është nota mesatare mbi 8, si dhe eksperienca në mësimdhënie në fushën përkatëse jo më pak se 5 vjet.
Publikimet në revista shkencore, konferenca ose pjesëmarrje në kërkime shkencore përbëjnë avantazh.
Por, secili departament ka vendosur kritere shtesë. Neurologjia kërkon medoemos gradën “doktor shkencash”, eksperiencë në kërkimin shkencor, si dhe autor i publikimeve të nivelit të lartë shkencor. Kritere preferenciale ka edhe për gjashtë lëndët në Departamentin e Farmacisë, veç dokumenteve të sipërcituara.
“Të paraqesin dy letra rekomandimi nga specialistë të disiplinës, të cilët të certifikojnë përshtatshmërinë e kualifikimeve dhe eksperiencës së kandidatit me disiplinën e kërkuar, ku njëra të jetë nga titullari i lëndës ose drejtuesi i departamentit”, citohet në njoftimin e Fakultetit të Mjekësisë.
Dy departamente, ai i Sëmundjeve të Zemrës e Enëve të gjakut dhe ai i Obstetrikë-Gjinekologjisë janë të vetmet që nuk kanë kërkuar personel shtesë për vitin akademik 2016-2017, pasi mbulojnë tërësisht ngarkesën aktuale
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al