Projektuesi i Rrugës së Arbrit, inxhinier Faruk Kaba, shprehet se ka një propozim shqiptar për këtë rrugë me kosto dhe afate më të mira se oferta e kompanisë kineze, por duket se është injoruar nga Ministria e Transporteve.
Sipas inxhinierit të njohur të rrugëve, projekti i inxhinierëve shqiptarë e realizon këtë rrugë duke shmangur ndërtimin e tunelit të Murrizit përmes një bypass-i që do të ulte kostot, por edhe kohën e realizimit të rrugës. Ai u jep përgjigje disa pretendimeve për të dhënat teknike të projektit, të cilat deri tani janë paraqitur si arsye të vonesave të zbatimit të këtij projekti.
Por inxhinieri i rrugëve sjell një fakt skandaloz me rrugën, kur thotë se është pranuar edhe zyrtarisht që për Rrugën e Arbrit mungon projekti për 6.5 kilometrat e fundit të saj. Për këtë ai bën përgjegjëse Ministrinë e Transporteve që, sipas tij, nuk mund të kërkojë financues dhe zbatues të projektit pa pasur më parë të përfunduar të gjithë projektin e rrugës.
Ai pohon se projekti i Rrugës së Arbrit është dhe mbetet një zgjidhje e jashtëzakonshme, e guximshme dhe shumë e suksesshme inxhinierike shqiptare. “Ishte kjo dhe argumentimi profesional inxhinierik dhe shkencor, që bindi qeverinë dhe ministrin e fillimviteve 2000, që trajtoi me kujdes dhe kompetencë projektin dhe e miratoi atë brenda të gjitha rregullave, legjislacionit dhe strukturave të shtetit shqiptar”.
ING. FARUK KABA
Në të vërtetë, fillimi i Rrugës së Arbrit daton që në vitet e fundit të monizmit, kur filloi (por nuk u arrit të përfundojë) Masterplani i Rrjetit Rrugor të Shqipërisë, pra që në vitin 1988. Në vitin 2003 filloi realizimi i këtij projekti me kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe deri në vitin 2008 ishin realizuar disa punime dhe përfunduar seksioni Bulqizë-Ura e Cerenecit. Kam dëgjuar të thuhet se Rruga e Arbrit shkurton 50 kilometra nga rruga ekzistuese. Kjo një tjetër pasaktësi, dhe duket që është në të njëjtën linjë të nënvlerësimit të këtij projekti, pasi rruga në të vërtetë shkurton 81 kilometra fizike.
Madje, në një tregues, që përdoret rëndom në inxhinieri, që quhet gjatësia virtuale dhe që është gjatësia e vërtetë e rrugës, ky shkurtim është më shumë se 100 kilometra. Është thënë se rruga kalon në kuotë 930 metra mbi nivelin e detit dhe do të ketë aq e kaq probleme dimri etj. etj., sajesa të pavenda. Edhe rruga nacionale në Qafë-Thanë kalon ekzaktë- sisht në këtë kuotë dhe çfarë ka ndodhur? Asgjë e veçantë. Dhe për më tepër kjo lartësi është vetëm në një pikë, ndërkohë që rruga ulet në mënyrë të ndjeshme në të dyja anët e saj, krejtësisht e evitueshme nga problemet e dimrit.
Por, nga ana tjetër, sapo ka filluar ndërtimi i segmentit nga Qukësi në Qafë-Plloçë, që kalon jo më në një pikë të vetme, por për rreth 20 kilometra në lartësi mbi 1000 metra mbi nivelin e detit dhe në më se 3 kilometra në lartësi mbi 1250 metra?! Çfarë do të ndodhë me atë rrugë? Përse nuk përmendet ky fakt? Kjo është krejt e pandershme dhe në këtë rast përgjegjë- sia është shumë e lartë për autoritetin e rrugës. Kam dëgjuar zyrtarë të lartë të thonë se Rruga e Arbrit nuk është planifikuar për 6.5 kilometrat e fundit. Kjo është sarkastike. Por faji i kujt është që kësaj vepre i mungoka projekti i plotë i përfunduar?!
Është e vërtetë që akoma edhe sot, pas gati 13 vjetësh, që është realizuar dhe miratuar zyrtarisht nga Qeveria shqiptare studimi i fizibilitetit të kësaj vepre, që kanë përfunduar projekt-zbatimet e segmenteve të tjera, një segment i fundit nga Ura e Cerenecit deri në kufi (në Gjoricë), është akoma pa projekt-zbatim, njëkohësisht dhe planifikim. Kjo është përgjegjë- sia totale e Ministrisë së Transporteve. Kjo tregon harresën dhe neglizhencën e këtij dikasteri që, për t’ua hedhur fajin të tjerëve, e bën 6.5 kilometra, kur në të vërtetë s’është veçse 3.7 kilometra nga Ura Cerenecit deri në kufirin shtetëror, dhe kjo për fajin e Ministrisë së Transporteve. Pretendohet me të madhe se 10 kilometra (në fakt janë jo 10, por 13.2 kilometra) nga Ura e Vashës deri në Bulqizë janë të përfunduara.
Por investimi i bërë në këto 13 kilometra, që prej disa vitesh është lënë i pashfrytëzuar, përbën një dëm ekonomik, me gjithë mundësinë e shmangies dhe vënies në eficiencë, që ka qenë plotësisht e mundur. Në këtë segment është prezent edhe një çudi tjetër: Tuneli i Qafë Buallit, i projektuar me gjatësi 890 ml, “u shkurtua” në 300-350 ml! Një veprim skandaloz nga pikëpamja teknike dhe i qëllimshëm, për interesa jo të rregullta. Ndoshta është bërë nga administrata e mëparshme, por kjo nuk ndryshon asgjë dhe nuk e shfajëson sot Ministrinë e Transporteve. Rëndësi ka fakti që me këtë është kryer një masakër teknike, e cila do të duhej të ndëshkohej në mënyrë shembullore. Është folur për një kompani fantazmë, që gjoja paska marrë përsipër të ndërtojë Rrugën e Arbrit, për aq e kaq muaj, me një çmim shumë më të ulët se kinezët etj. etj., për mendimin tonë papërgjegjësi pa fund. Unë nuk i besoj dhe, nëse është e vërtetë, përse nuk e publikon?
Jam i bindur se të gjithë shqiptarët do të jenë dakord, që ta marrë dhe të fillojë sa më parë. Ligji shqiptar i koncesioneve është i qartë: propozuesi duhet të bëjë një kërkesë zyrtare dhe qeveria duhet ta publikojë dhe më pas të hedhë edhe në tender. Sjelljet e tjera lënë vend për dyshime dhe afera jo të sinqerta. Në të njëjtën kohë, në Ministrinë e Transporteve është dorëzuar zyrtarisht një propozim konkret, shumë realist, nga ekspertë të fushës dhe jo nga anonimë, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nga shteti shqiptar, me një shifër shumë më realiste se oferta “cinike” kineze.
Propozimi supozon ndërtimin paraprakisht të një bypass-i në vend të tunelit të Murrizit, që do të shkurtonte jo vetëm buxhetet e nevojshme, por edhe afatin e ndërtimit, për realizimin e veprës dhe hapjen e rrugës në 15 deri 18 muaj. Hapja e tunelit të Murrizit është e pashmangshme, por në vështirësitë, kohën e gjatë dhe buxhetet e konsiderueshme, që kërkon ky tunel, ndërtimi i një bypass-i do të ishte një zgjidhje e pranueshme dhe racionale. Por, nga Ministria e Transporteve nuk pati as impenjimin më të vogël, për të urdhëruar specialistët e saj, që të merrnin në konsideratë dhe të jepnin një përgjigje për këtë propozim.
Projekti i Rrugës së Arbrit është dhe mbetet një zgjidhje e jashtëzakonshme, e guximshme dhe shumë e suksesshme inxhinierike shqiptare. Ishte ky dhe argumentimi profesional inxhinierik dhe shkencor, që bindi qeverinë dhe ministrin e fillimviteve 2000, që trajtoi me kujdes dhe kompetencë projektin dhe e miratoi atë brenda të gjitha rregullave, legjislacionit dhe strukturave të shtetit shqiptar. Madje, edhe nga kompania kineze, që në fillim të njohjes me këtë vepër, tentuan të bëjnë ndërhyrjen në këtë projekt, duke dyshuar në saktësinë dhe cilësinë e tij. Por dështuan plotësisht dhe nuk ia arritën.
Këtë e kemi me fakte, pasi edhe në propozimin e fundit të dërguar Ministrisë së Transporteve, kanë paraqitur disa propozime, që përkeqësojnë karakteristikat e rrugës dhe nuk i përmirësojnë ato.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al